“Emini rrahu studenten para plagosjes” Tiranë, Prokuroria: - TopicsExpress



          

“Emini rrahu studenten para plagosjes” Tiranë, Prokuroria: 52-vjeçari dyshoi se e kishte vrarë partneren, qëlloi veten në gojë me pistoletë Dëshmia e administratores së hotelit: E kapi për fyti dhe e qëlloi Agim Emini Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet në lidhje me ngjarjen e ndodhur në një hotel në zonën e Saukut, ku 52-vjeçari nga Tetova e Maqedonisë plagosi të dashurën nga Çorovoda dhe më pas vrau veten. Ndonëse autori i ngjarjes ka vdekur dhe hetimi duket i destinuar për t’u mbyllur së shpejti, Prokuroria është koordinuar në hetime të përbashkëta me Policinë e Tiranës në zbardhjen e ngjarjes. Grupi i hetimit ka marrë në pyetje administratoren e hotelit “Deja”, ku ndodhi ngjarja ditën e mërkurë. Burimet zyrtare thanë se nga dëshmia e administratores së hotelit, por edhe nga anëtarë të tjerë të stafit, janë dhënë informacione sipas të cilave Agim Emini, 52 vjeç, nga Tetova, dhe Ana Sulçe, 21 vjeçe, nga Çorovoda, kanë qëndruar qetësisht në kafe për 15 minuta para ngjarjes. Më pas ata janë ngjitur në dhomën e prenotuar prej një jave nga shqiptari nga Tetova. Disa minuta më vonë, nga kati i parë i hotelit janë dëgjuar zhurma dhe britma në korridor. Një pastruese ka qenë duke punuar në katin ku ndodhej dhoma e 52-vjeçarit nga Tetova, kurse administratorja e hotelit ndodhej në katin e parë. Punonjësit e hotelit kanë shpjeguar për hetuesit se pasi kanë dëgjuar zhurma, janë ngjitur në drejtim të katit ku ndodhej dhoma e Agim Eminit, por në korridor, në sheshpushimin mes kateve, kanë parë 52-vjeçarin që kishte kapur për gryke vajzën 21-vjeçare. Ngjarja Mes britmave vajza ka tentuar t’i dalë nga duart partnerit të saj duke zbritur poshtë në shkallë. Në këtë kohë, Agim Emini ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar një herë të vetme në drejtim të vajzës. Qitja me armë është qëlluar në një distancë të afërt dhe sipas dëshmitarëve, 52-vjeçari ka qenë në gjendje mjaft të rënduar psikologjike. Vajza është rrëzuar në shkallë, ndërsa dy punonjës të hotelit kanë rendur drejt saj duke menduar se pasojat ishin serioze. Në këtë kohë, shqiptari nga Tetova ka kthyer armën nga vetja dhe e ka shkrepur një herë në gojë, duke u rrëzuar përtokë pa shenja jete. “Pati një moment stepjeje pasi e qëlloi vajzën. Punonjësit e hotelit po e kontrollonin të plagosurën për shenja jete dhe e kthyen në shpinë, pasi ishte rrëzuar. Ai pa një herë nga vajza e rrëzuar në shkallë dhe ndoshta mendoi se e kishte vrarë”, kanë thënë punonjësit e hotelit. Sipas tyre, në këtë moment, 52-vjeçari nga Tetova ka vrarë edhe veten. Versioni tjetër Grupi i hetimit ka pohuar dje se në thëniet e dëshmitarëve, kryesisht klientë që janë ndodhur në hotel në momentin e krimit, është dhënë edhe një version tjetër për ngjarjen. Sipas këtij versioni, Agim Emini ka pasur një zënkë me 21-vjeçaren në barin e hotelit dhe më pas ata janë ngjitur në dhomë, ku kanë qëndruar vetëm pak minuta. Vajza ka dalë prej andej, por është ndjekur nga 52-vjeçari, i cili ka shtënë me armë ndaj studentes dhe më pas ka vrarë edhe veten. Takimet Burimet nga grupi i hetimit kanë pohuar dje se vajza 21-vjeçare nga Çorovoda takohej rregullisht me 52-vjeçarin nga Tetova. Sipas burimeve nga hetimi, në telefonin celular të Agim Eminit janë gjetur thirrje dhe mesazhe të shumta të shkëmbyera me studenten, e cila ndiqte shkollën për Juridik në një universitet privat. Sipas hetuesve, Ana Sulçe ka kryer edhe disa udhëtime në Maqedoni me 52-vjeçarin nga Tetova, me të cilin besohet se është njohur që nga fillimi i këtij viti. Hetimi Prokuroria e Tiranës ka bërë të ditur dje se ka nisur hetimet paraprake në lidhje me ngjarjen e ndodhur në hotel. Grupi i hetimit tha se bashkë me policinë po punohet për zbardhjen e ngjarjes ndonëse autori i plagosjes së vajzës ka vdekur dhe, për rrjedhojë, ndjekja penale nuk mund të vazhdojë. Organi i akuzës theksoi se dosja mund të qëndrojë e hapur derisa të sqarohen rrethanat e plagosjes së 21-vjeçares dhe vetëvrasjes së Agim Eminit, i cili qëndronte prej një jave në Tiranë. Xhelozia Sipas Policisë dhe Prokurorisë së Tiranës, dyshohet se xhelozia ka qenë motivi i ngjarjes së ndodhur të mërkurën, ku 52-vjeçari nga Tetova ka plagosur të dashurën dhe ka vrarë veten. Pas shumë muajsh të lidhur bashkë gjatë kohës që vajza punoi në Strugë të Maqedonisë dhe qëndroi për studime atje, mësohet se 52-vjeçari kishte mësuar fejesën e vajzës në Shqipëri dhe ishte shfaqur xheloz për këtë fakt. Udhëtimet e çiftit Shqipëri-Maqedoni Në fillim të këtij viti, pasi ishin njohur, Agim Emini dhe Ana Sulçe kishin nisur të udhëtonin bashkë jashtë Shqipërisë, në Greqi e Maqedoni. Nga të dhënat në pikën kufitare të Qafë-Thanës, nga ku kanë kaluar bashkë Emini dhe Sulçe, rezulton që 21-vjeçarja ka qëndruar 3 muaj bashkë me të dashurin e saj në Maqedoni. Ata kanë kaluar kufirin bashkë me makinën e Eminit, me targë TE 7725 AB, më datë 7 prill të vitit 2013, në drejtim të Maqedonisë, dhe janë kthyer nga e njëjta pikë në drejtim të Shqipërisë më 11 korrik të vitit 2013. Por janë dokumentuar nga Policia edhe disa lëvizje të tjera jashtë kufijve shqiptarë, që çifti herë bashkë dhe herë të ndarë kanë kaluar për të shkuar te njëri-tjetri. Ndërsa viktima Agim Emini kishte hyrë në Shqipëri më datë 8 gusht dhe ka qëndruar 5 ditë në hotelin ku ndodhi ngjarja në Tiranë.
Posted on: Fri, 16 Aug 2013 08:07:17 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015