Fjala ne Kuvend gjate Seances per Programin e Qeverise Mungesa e - TopicsExpress



          

Fjala ne Kuvend gjate Seances per Programin e Qeverise Mungesa e një vizioni për të ndërtuar një model ekonomik Njerëzit shikojnë, dëgjojnë dhe flasin. Fatkeqësisht disa shikojnë keq, dëgjojnë pak dhe flasin shumë! Edhe fjalimi që kryeministri i mandatuar mbajti gjatë seancës së kaluar në Parlament ishte veçse një shikim shumë i keq i situatës aktuale në të cilën ndodhet vendi, një mungesë vëmendje dhe ndaj sugjerimeve që vetë ekspertët e tij i dhanë në konferencën e para disa javëve dhe sigurisht fjalë, shumë fjalë por asnjë vizion. Kryefjala e programit të qeverise së re është mungesa e një vizioni, mungesa e një vizioni për të drejtuar, paaftësi për të projektuar dhe ndërtuar një model të ri ekonomik. E vetmja pjesë ku shfaqet aftësi dhe profesionalizëm është përbaltja dhe mohimi i cdo gjëje të mirë që është bërë në këtë vend në 8 vjet, për të cilat sot ne jemi krenarë. I ashtuquajturi program për ekonominë nuk është asgjë tjetër, veçse një leksion teorik që ngre pyetje dhe nuk jep përgjigje. Thuhet që nëpërmjet politikave ekonomike do i jepet përgjigje konkrete pyetjeve që kanë lidhje me politikat strukturore por se cilat janë këto politika nuk thuhet, madje dyshoj se mund të ekzistojnë. Nga leksioni abstrakt që paraqitet si program ekonomik, është e vështirë të përcaktohet nëse do të ngrihet një shtet social me ide populiste, bazuar në ide të majta të viteve 50-60 të cilat vihen re përciptazi në pjesë të ndryshme, apo do të kemi një model ekonomik të drejtuar nga ekonomia e tregut? Kritikohen politikat liberale të zbatuara deri më tani, por sipas ekspertëve të ekonomisë dhe të institucioneve të larta financiare ndërkombëtare, kanë qenë këto politika liberale të shoqëruara me politika fiskale të kujdesshme, që kanë bërë të mundur mbajtjen e këtyre balancave në kohë krize. Ngrihen pyetje se cilët janë faktorët e rritjes, që duhet të bazohet zhvillimi ekonomik në 15- 20 vitet e ardhshme dhe në fakt përcaktohen të njëjtët faktorë që janë stimuluar e nxitur gjatë 8 e sidomos 4 viteve të fundit. Reformat fiskale per te lehtësuar sipërmarrjet e të gjitha llojeve nga barra e tepërt fiskale, eleminimi, thjeshtëzimi dhe modernizimi I procedurave administrative, hapja e tregjeve duke rritur garancitë për kapitalet e huaja, investimi masiv në krijimin e teknologjive të informacionit janë faktorët kryesorë që nxisin një ekonomi, kjo është ajo që është bërë gjatë këtyre 8 viteve të fundit dhe pikërisht këto, të kopjuara keq, të integruara me politika fiskale pa lidhje e strategji, propozohen të bëhen. Pyetja kryesore për cdo pjesë të programit është si dhe sa? Si do ta eliminoni deficitin tregtar? Si do të ristrukturoni hapësirën rurale? Si do të ristrukturoni dhe modernizoni biznesin shqiptar? Ngrini pyetje dhe nuk jepni përgjigje. Pyesni veten se cilat janë politikat më të mira strukturore për tu integruar me tregun europian? Cilët janë sektorët që do i japin nxitje ekonomisë? Përmendet në dokument “manifaktura”, që dikush ndoshta duhet ta kishte shqipëruar, ndërkohë që vetë ekspertët tuaj ndërkombëtarë që kishit marrë në konferencën e para disa javëve, ju sugjeruan që duhet investuar në sektorë të cilët lidhen me teknologjinë, ashtu siç i është dhënë prioritet gjatë 8 viteve të shkuara teknolologjisë së informacionit. Si mendoni se do të krijoni 300 000 vende pune, duke rritur taksat për bizneset që krijojnë punësim? Si mendoni që do të investojnë e shtojnë prodhimin bizneset që do të taksohen më shumë? Politikat fiskale të kujdeshme deri më tani dhe reduktimi i taksave për bizneset prodhuese, reduktimi i tatim fitimit nga 23% në vetëm 10%, unifikimi i taksave në 10%, reduktimi me 50% i taksës së biznesit të vogël, ulja e tarifave doganore dhe përgjysmimi i kontributeve të sigurimeve për punëdhënësit nga 30 në 15 % kanë bërë të mundur që biznesi të marrë frymë dhe këtë barrë fiskale ta drejtojë në investime. Deklarohet një rritje ekonomike për Shqipërinë prej 1.5 % deri në maksimumi 1.8 përqind dhe parashikoni të njëjtat shifra dhe për 2013 dhe tendencë për 2014? A e dini se për të krijuar 300 000 vende pune, duhet një rritje ekonomike mesatare prej 10% çdo vit? Si do të rritet ekonomia? Kush janë faktorët që do sigurojnë rritjen? Në këtë hartim dhe listë dëshirash nuk ka asgjë konkrete. Po çfarë parashikon program i kryeministrit te mandatuar për rritjen ekonomike? As vetë qeveria nuk e di, pasi në program thuhet që ata, pra qeveria: “do të gjejmë e identifikojmë burime të reja që ushqejnë rritjen ekonomike”, (faqe 28 e programit)! Nuk e di se sa duhet të presim, deri sa të gjenden burimet e rritjes por të gjithë politikat buxhetore; shëndetësi falas, mbështeje për bujqësinë, për mjedisin, për arsimin, për të varfërit, për pronarët, për ish të përndjekurit kërkojnë para dhe paratë duhet të vijnë nga rritja ekonomike edhe pse biznesi do paguajë më shumë taksa. Është për të ardhur keq që strategjia që do të ndjekë kryeministri i mandatuar për rritjen ekonomike përmblidhet në një leksion ekonomiksi për shkollën e mesme dhe për ata që nuk besojnë, të shkojnë e të lexojnë në faqen 29. Por, edhe këtu ai është treguar i kujdesshëm për të shpërblyer miqtë e tij, me krijimin e Këshillit Ekonomik Kombëtar, një strukturë tjetër paralele. Kemi dëgjuar shumë gjatë fushatës elektorale dhe përsëri në të ashtuquajturin program për taksimin e ndershëm dhe përsëri dëgjojmë për rritjen e tatimit mbi fitimin, për kompanitë e mëdha, gjeneruesit e prodhimit. A e dini z. Kryeministër i mandatuar, se nëse do të rrisni tatim - fitimin për këto kompani, do të krijoni një disbalancë në rajon!? Është mirë ta mësoni zoti Kryeministër i mandatuar, se si Kosova ashtu dhe Maqedonia kanë një taksë të unifikuar prej 10%. Si mendoni se rritja e tatim - fitimit do të bëjë të mundur që produktet shqiptare të konkurrojnë në rajon!? Si do t’i bëjë atraktive, ashtu siç pretendoni, produktet shqiptare për tregjet e huaja!? Si do t’i nxisni investimet e huaja në Shqipëri!? Ky është vetëm një nga shembujt e shumtë të mospërputhjeve në program dhe përsëri të mungesës së vizionit. Kryeministri i mandatuar, i sigurt në dështimin e tij, si me çdo projekt të ndërmarrë deri më sot, ka nisur të përgatitet për justifikimin e mos realizimit të programit të dëshirave të tij. Prej disa muajsh nxjerr zëdhënësit e tij, për t’u mbushur mendjen qytetarëve se Shqipëria është në krizë dhe arka e shtetit është bosh, ndërkohë që besoj se e dëgjuat të gjithë me zë dhe figurë deklaratën publike të drejtoreshës së Bankës Botërore e cila në mënyrë të përmbledhur tha se: "Statistikisht, ne e shikojmë çfarë ndryshimesh ka përjetur Shqipëria, që PBB-ja nga 500 $ është rritur në 4000 $. Eshtë shumë e rëndësishme që të mos harrojmë se çfarë transformimesh të mrekullueshme ka kaluar Shqipëria. Është një vend i mrekullueshëm, një vend i cili duhet të mbrohet, pikërisht nga problemet që mund të ketë në të ardhmen”. Duke lexuar propozimet për zhvillimin ekonomik, më vjen në mendje vetëm diçka: Po lëvizim nga një ekonomi tregu, në një ekonomi të centralizuar. Qëndra për zhvillimin ekonomik nuk është më biznesi dhe promotori i zhvillimit nuk është më biznesi dhe tregu, por shteti. Në qoftë se deri më tani biznesi është konsideruar si vlerë e shtuar dhe si prodhues, me këto koncepte majtiste, populiste, të kopjuara keq, biznesi konsiderohet si përfitues. Të gjithë politikat pro - biznes të zbatuara gjatë këtyre 8 viteve të fundit, kanë pasur një dhe vetëm një qëllim, punësimin dhe të mirën e përgjithshme. Çdokush që ka njohuritë më minimale nga ekonomia, e di se duke i dhënë frymë biznesit, orienton burimet e tij drejt rritjes së prodhimit e punësimit. Në fakt, strategjia e vërtetë e rritjes ekonomike paraqitet në faqen 43 të programit, atje ku flitet për politikën e taksave. Por nuk do të rritet ekonomia! Do të rritet shteti, qeveria, fuqia e kryeministrit. Do të rritet fuqia për të goditur biznese, grupe biznesesh. Modeli i ri ekonomik i kryeministrit të mandatuar do të jetë: “kush punon, kush prodhon, kush fiton, do të paguajë më shumë për qeverinë e tij”, pasi ata fitojnë se ekziston qeveria, jo se ata janë të zotë e të aftë. Kjo është një politikë që do i kushtojë shumë ekonomisë tonë. Gjatë 8 viteve të kaluara është bërë një punë e madhe, për të thithur investimet e huaja, për të kontraktuar TAP, Devoll Hidropoëer, Hashta, etj, dhe jo se këta investitorë po investojnë për qëllime altruizmi, por se këtu ata taksohen shumë herë më pak se në vende të tjera. Shqipëria ka nevojë për sipërmarrës, ka nevojë për burime njerzore të kualifikuara, por ata do të përballen me taksa të larta, atyre do u duhet të punojnë disa muaj më shumë për shtetin, nën regjimin fiskal të kryeministrit të mandatuar. Të nderuar kolegë! Kjo politikë taksash, bie ndesh me qëllimin për një rritje ekonomike të lartë. Propozohet mbështetje për biznesin e vogël e të mesëm, mbështetje që deri më tani ka qënë thelbësore edhe në sajë të reformave që janë bërë, për reduktimin e barrierave të të bërit biznes. Sot, Shqipëria ka ndër mjediset më miqësore në rajon. Propozohet dhe heqja e taksës së biznesit të vogël dhe reduktimi i tatimit mbi fitimin, ndërkohë që është propozuar gjatë fushatës taksa zero për biznesin e vogël, brenda 100 ditëve të para. Ajo që lexohet në mes të rreshtave është një spostim nga taksa për biznesin, tek taksa për individin. Në vend që të tatohet biznesi për 1.5% të xhiros, siç është bërë deri tani, do të tatohet individi për të ardhurat personale dhe sigurisht që tatimi mbi të ardhurat personale do të jetë progresiv dhe do të ketë një barrë fiskale më të lartë se ajo që paguan tani një BV. Kjo, në vetvete realizon vetëm diçka, mbledhjen e taksave jo më nga pushteti vendor por nga pushteti qëndor. Nuk ka asnjë masë konkrete se si do të realizohet kjo, si do të kompensohet pushteti vendor për të ardhurat e munguara, si do të lejohet të dalin nga sistemi tatimor mbi 90 përqind e bizneseve dhe si do të luftohet informaliteti, kur me këtë masë që propozohet vetëm do të shtohet. Në shumë raste në program, flitet për reforma të cilat nuk janë në tagrin e pushtetit qendror për t’i ndërrmarë, por të atij vendor. Kompetenca dhe përgjegjësi që u takojnë pushteteve vendore, të cilat qartazi prekin dhe Kartën e Autonomisë Vendore. Flitet për rritjen e kapaciteteve të pushtetit vendor, flitet për ulje e ngritje të taksave të pushtetit vendor dhe çfarë është më e rëndësishmja, flitet për shkrirjen e administratës tatimore, vendore me administratën qendrore. Asnjëherë, asnjë qeveri nuk ka guxuar të ndërhyjë në autonominë e pushtetit vendor, asnjë qeveri nuk ka penalizuar dhe cënuar pushtetin vendor, ashtu siç propozon të bëjë kjo qeveri. Ky është një tjetër fakt i orientimit të punës të qeverisë, nga decentralizimi në centralizim. Në program vihet re qartë, ashtu siç e shprehu dhe në fjalën e tij të parë, keqardhja që ndjen kryeministri i mandatuar që nuk është më kryetar bashkie dhe kërkon që të marrë të gjithë ato kompetenca që nuk i mori dot me votë. Sipas këtij programi, duket se një pjesë e konsiderueshme e kompetencave, që nga sporti, arsimi, strehimi dhe ndarja e banesave sociale, planifikimi i territorit, propozohen që të jenë funksione të pushtetit qendror, funksione të cilat janë ndër funksionet bazë kryesore të pushtetit vendor. Propozohen struktura të reja në nivel rajonesh në vend të qarqeve, propozohen të emëruarit në vend të të zgjedhurve. Kudo! Në pjesën e pushtetit vendor, duket sikur është kopjuar keq raporti i fundit i USAID dhe shtuar e hequr pa teklif pjesët që nuk u interesonin. Flisni për tax share, që është formalizuar që në 2009 në ligj por keni qënë ju, pikërisht, ata që nuk donit që ky koncept të zbatohej dhe jeni tërhequr në Parlament, një ditë përpara se të miratohej formula e ndarjes. Dhe së dyti si mund të konceptohet tax share nqs kjo nuk shtrihet në të gjitha llojet e taksave. Ne kemi ecur dhe më përpara, kemi propozuar tax share përvecse për tatim fitimin, dhe për TVSH, dhe për akcisat, për cdo taksë që mblidhet në territorin e një njësie. Flitet për reformë administrative dhe territoriale. Në sa raste, në sa takime si në nivel qëndror dhe në nivel vendor, z. Berisha dhe z. Basha kanë ftuar të majtën, të bëhet pjesë e reformës dhe ka pasur interes zero, ka pasur neglizhencë dhe ka pasur mospërfshirje. Pse duhet të besojmë se do të realizohet tani!? Apo se do ta drejtoni ju, pa konsensus, në dobi të llogarive tuaja elektorale!? Do të rrisni efikasitetin, eficiencën, cilësinë, shërbimin etj etj etj. Po! Fjalë shumë të bukura por përsëri fjalë dhe asgjë konkrete, fjalë të cilave u mungon vizioni, si kudo në programin tuaj, fjalë që nuk tregojnë si do të bëhet, si do të arrihet reforma, kush është vizioni i reformës për pushtetin vendor, çfarë strategjie keni!? Keni detaje rutinë që nuk i shërbejnë askujt! Detaje të kopjuara këtu e aty dhe nuk keni vizion! Kemi qënë të disponueshëm për të ndërrmarë një reformë për pushtetin vendor dhe për të parë mënyra se si mund të lehtësohet barra për bizneset e vogla, kemi qënë të hapur për të parë se si mund të kompensohen pushtetet vendore, për të ardhurat e munguara, por është hasur në rezistencën e kryetarëve të majtë të bashkive, të cilët kanë qënë kategorikisht kundër, duke e konsideruar si cënim të rëndë të autonomise vendore. Ishit ju z. kryeministër i mandatuar, ai që drejtuat protestat, me shirit në qafë, kur taksat për bizneset e vogla u reduktuan, kur barra fiskale u përgjysmua! Ne e kemi dëshmuar se jemi dhe do të jemi gjithmonë pro reformave që stimulojnë biznesin, ne do të jemi gjithmonë pro nxitjes dhe stimulimit të ekonomisë, por nuk mund dhe nuk do të pranojmë kurrë të formalizojmë informalitetin. Si do të ketë më shumë fonde qeveria vendore? - Duke hequr taksën e biznesit të vogël!? Si do të ketë më shumë fonde? - Duke shkrirë administratën tatimore!? Si do të ketë më shumë fonde pushteti vendor? - Duke hequr çdo lloj transferte të kushtëzuar e të pakushtëzuar dhe duke e zëvendësuar me “kontratën e zhvillimit të rajoneve”, e cila është një kopje e keqe e Fondit të Zhvillimit të Rajoneve!? Flisni për modelet europiane të rajoneve vetëqeverisëse, ndërkohë që nuk e keni idenë se si funksionojnë, se cilat janë kriteret për të cilat përfitohen fondet e BE në nivel rajonesh, se cilat janë reformat që janë të nevojshme për përthithjen më të mirë të fondeve të BE, në kuadër të fondeve strukturore. A e dini se për vendet me popullsi sa Shqipëria, është e pamundur që fondet të përfitohen në nivel lokal por është e nevojshme ngritja e strukturave në nivel qëndror!? Besoj se do ti mësoni të gjitha, kur të uleni në ministritë tuaja dhe të shikoni që puna përgatitore për të gjitha këto, është bërë. Çdo ide për pushtetin vendor është e copëzuar, e marrë nga ndonjë raport a studim, që të izoluara ndoshta kanë kuptim, por në tërësi bashkë, të marra aty këtu, janë amatoreske, pa kuptim dhe natyrisht as që mund të flitet për vizion. Ndoshta shumë nga ju duhet të kuptojnë që shteti funksion mbi disa ligje e parime, që shteti ka histori, ka dhe shumë histori suksesi dhe jo çdo gjë fillon sot! Ndoshta shumë nga ju nuk e njohin shtetin e administratën, sepse pikërisht këtë tregon dokumenti juaj, mungesë njohurie e përsëri mungesë vizioni. Një pjesë e konsiderueshme e programit ka lidhje me rishikimin, me rishikimin e ligjeve, strukturave, me rishikimin e strategjive, me shtimin dhe krijimin e strukturave paralele që kanë mbivendosje, me rishikim të ligjeve të miratuara me konsensus me rishikim dhe të koncensioneve! Por kujdes, se mos ndoshta gjatë këtij procesi, mos hasni në rezistencën e aleatëve tuaj! Në një pjesë të konsiderueshme të programit tuaj elektoral, ju premtuat dyfishim të investimeve publike në teknologji, investime publike vendore, turizëm, energjitikë, infrastrukturë rrugore, shëndetësi etj. Vetëm në programin e ekonomisë, premtuat 43 fusha e drejtime të ndryshme, ku do të rriten investimet publike, në programin për ripërtëritjen e shoqërisë 118 fusha ku do të ketë rritje shpenzimesh e investimesh, e kështu me rradhë, për një total prej 520 fushash e sektorësh që do të kishin prioritet. Si dhe sa do të investohet!? Vetëm në programin e ekonomisë, premtuat për uljen e rreth 20 taksave e tarifave, që nga taksa e biznesit të vogël, tatimi mbi vlerën e shtuar për shportën, reduktim taksash për koncesionarët, për energjinë etj, në programin për ripërtëritjen e shoqërisë 7 të tilla, e kështu me rradhë, për një total prej 38 reduktimesh. As 10 % e premtimeve të fushatës nuk është e reflektuar në programin e qeverisë, nga pikpamja sasiore! I keni qëndruar vetëm diçkaje, por do të krijoni struktura të reja, për cdo gjë, për çdo funksion plot 26 agjenci të reja përmenden në tekst, agjenci të reja, të cilat pjesa më e madhe sigurisht varen nga kryeministri dhe do të paguhen nga taksapaguesit shqiptarë. Si përfundim, me këtë që dëgjuam para dy ditësh dhe ato që kemi lexuar këto dy ditë, mund të them vetëm: - “Zot, ruaje Shqipërinë dhe shqiptarët nga obsesioni i kryeministrit të mandatuar, për tu futur në histori, sepse në histori ka një vend dhe për ata që shkatërrojnë vendin dhe popullin e tyre. Sikur t’i kishte kushtuar gjysmën e vëmendjes përmbajtjes dhe jo formës se si do të futet në histori, ndoshta mund të kishim patur një program qeverisës!
Posted on: Sat, 14 Sep 2013 16:54:09 +0000

Trending Topics




© 2015