Gjysmë ore njeri tregimi shqip Një sekondë para asaj - TopicsExpress



          

Gjysmë ore njeri tregimi shqip Një sekondë para asaj gjysëm ore, nuk ndjehesha kushedi çfarë. Për vehten nuk kisha asnjë formulim të gatshëm, por as dhe për objektet e subjektet që shihja me sy e prekja me dorë. Njerzit që ndanin hapsirën dhe kohën njëkohësisht me mua, megjithse ishin diçka, në fakt nuk më komunikonin asgjë. Po kështu dhe makinat, semaforët, ndërtesat e kioskat e mbetura pa prishur, nuk përcillnin kushedi çfarë te unë. Shumë shumë gjithçka që më prekte shqisash, përfundonte në konvejerin prekje ndjenjash të historisë time. Një sekondë para asaj gjysëm ore, gjithçka e gjallë dhe e vdekur kishte të bënte vetëm me historinë time: Atë mbrëmbje kuptova se sa më shumë seriozitet e trajton vehten e tij njeriu, aq më tepër merr drejtim të dhimbëshëm historia e tij. Preka vehten për të provuar nëse isha, nëse eksistoja. Isha, sepse prekjen e ndjeva si të tillë, provova prekje jo iluzion. Megjithatë eksistenca ime nuk ishte kushedi çfarë, ato çaste për mua. Më shumë se eksistencë, vehtja po më ngjante me një lëkurë të fishkur fshehur gërmadhave hapsinore të historisë time, para asaj gjysëm ore. Megjithse isha, mendja ime mbi mua dhe unë mbi tokën, nuk peshonim si përherë. Nuk isha gjë e përcaktuar, e prekshme për vehten, send objekt, siç ishin makinat, semaforët, ndërtesat e kioskat. Por ndërkaqë nuk isha dhe një dykëmbësh si gjithë dykëmbëshat, që shëtitnin mbrëmbjen e tyre. Ndjehesha një gje e papërkufizuar; një as objekt e as subjekt. Isha në shoqerinë e shokut tim të ngushtë L. L. Miku im nuk ishte mire dhe atë mbrëmbje. Ishte si nuk duhet të jetë një njeri i dimensioneve të tij. Nuk jetonte ai, për llogari të trupit të tij. Për dreq ai jetonte më shumë për llogari të mendjes së tij. Ndjehej gabimisht e aksidentalisht, në trupin, në shtëpinë, në rrugën dhe në vendin ku ishte. Ndjehej një qeraxhi që nuk i pelqen shtëpia e marrë me qera, por ndërkohë vazhdon të paguajë qeranë pa kërkuar alternativë tjetër. Jetonte iluzionet dhe idealet e veta. Ishte bërë strumbullar i asaj që duhej të ishte. Miku im ishte bërë tashmë një i zhgenjyer kronik. Ai e dinte këtë gjë dhe pa i thënë unë. Kjo ishte aresyeja themelore që nuk më kundërshtonte. Herë, herë unë i jepja argumenta të gatëshme që të më kundërshtonte të paktën një herë. Por ai përsëri njësoj nuk më kundërvihej. Nuk më kundërshtonte për asgjë dhe kjo për arësyen e vetme, sepse vehten e konsideronte si një gjë që nuk i takonte më atij. Unë kërkoja informacion dhe ai më tregonte gjëra që nuk kishin asnjë lidhje imediate me të. Ishte një erudit për gjithçka jashtë vehtes. Më fliste me një pasion “Allahu na ruajtë”, për fatkeqsitë që i kanoseshin Botës dhe banorëve të saj. Pasioni i tij për këtë temë, atë mbrëmbje po më bënte që të ndalesha e të mblidhja gurët në rrugët me zorrë jashtë, e pastaj me to të vrisja gjithë djajtë, që po i mernin frymën njerzimit, po zhduknin kafshët e rrallonin bimët. Rreziqet që parashtronte shoku im, nuk ishin imagjinare, ishin më se reale. Por kjo gjë atë gjysëm ore, mua nuk më prekte. Une isha bërë rob i një rreziku tjetër. Dhe me gurët e bulevardit të prishur në fakt doja të vrisja këtë rrezik. Takohem rrallë me shokun tim L. L, tre katër herë në vit. Në fillim ndjehem mirë, dhjetë minutat e para të takimit tonë janë një mrekulli, por pastaj dalngadalë keqsohem dhe kur vjen koha për tu ndarë, filloj e vuaj. Vuaj, sepse gjithnjë e më shumë unë bindem se shoku im ka shumë informacion për botën dhe mjerisht pak për vehten. Epilogu i ndarjes tonë, këtë radhë paraqiste simptoma serioze. Unë po rrezikohesha të shëndërrohesha në një monument dhimbje dhe të hidhja rrënjë aty, në sheshin me zorrë përjashta. Informacionin për Botën L. L. e kishte marrë me shumë seriozitet kohën që nuk kishim qënë bashkë. E ndjeva vehten të pazotin për të ngarë makinën dhe nisa të kerkoj vend për të parkuar. Isha në shkallën e fundit të pafuqisë e paaftësisë për të bërë gjëra që nuk kërkonin më shumë se një grimë normalitet. Ishte hera e parë, kur simptoma e të qënit i ndërgjegjshëm për pafuqi e paaftësi, më bëri të ngre flamurin e bardhë. Rruga na çoi në një librari. Libraritë janë vend pelegrinazhi për mua dhe shokun tim. Unë pelegrinoja për llogari time e shoku im për llogari të tij. Pelegrinazhi im ishte i veçantë. Prekja me sy titujt e librave, i përkëdhelja me vështrim si për tu kërkuar ndihmë. Kërkoja diçka të veçantë, diçka që ti shkonte momentit që po jetoja. Më në fund u qetsova. Kisha gjetur librin e duhur. Në faqen e brendëshme shkruajta një përkushtim për shokun tim. Shoku im kishte ditlindjen atë ditë. Nuk e di se e dinte këtë gjë apo jo ai. Fjalën e fundit të përkushtimit, e shkruajta në harkun e sekondës së fundit të asaj gjysëm ore. Pas sekondës së fundit të asaj gjysëm ore, filloi sekondi i parë i pjesës tjetër të jetës time. petrit sulaj 99 kate per tu zbritur
Posted on: Wed, 06 Nov 2013 14:26:58 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015