HAREMI OTOMAN 10 Statusi më i lartë, që mund të arrinte një - TopicsExpress



          

HAREMI OTOMAN 10 Statusi më i lartë, që mund të arrinte një grua, e cila kishte hyrë në haremin e pallatit perandorak osman, ishte të bëhej “Valide Sultan”, pra nënë sulltaneshë ose nënë e padishahut. Haremi Otoman 10 Postuar më 20.09.2013 07:03:32 UTC Përditësuar më 20.09.2013 07:03:32 UTC Sulltanesha nuk quheshin vetëm nënat e padishahëve, por edhe vajzat e tyre. Kjo fjalë për gratë e haremit ka filluar të përdoret për herë të parë në shekullin e 16-të. Gruaja e Sulltan Selimit I (I Patunduri) dhe e ëma e Sylejmanit të Madhërishëm, është thirrur me emrin “Hafsa Sultan”. Arsyeja kryesore, që Sulltanesha Hafsa ka marrë këtë titull, është se ajo ishte vajza e Kanit (sovran) të Krimesë, Mengli Giraj I. Ky i fundit, pasi e martoi të bijën me Princin Selim, i cili asokohe ishte ende bejlerbej i Kefes (guvernatori i Theodosias), e mbështeti fuqishëm Selimin edhe për të hipur në fron. Kështu, pas gruas së Selimit I, të gjitha nënat e padishahëve janë quajtur sulltanesha. Edhe pse me raste ka pasur edhe gra të padishahëve, të cilat janë thirrur sulltanesha pa u bërë nëna të sulltanëve, ato janë vetëm disa përjashtime. Gratë e sulltanëve, të cilat sipas rregullit përmendeshin me titullin “kadën efendi”, fillonin të thirreshin “Valide Sultan” vetëm pasi djemtë e tyre bëheshin padishahë. Madje edhe në rast se ato vdisnin përpara se djemtë e tyre të bëheshin sulltanë, pra ndërsa ishin ende “kadën efendi”, kur djemtë e tyre hipnin në fron ato përmendeshin si “Valide Sulltan” edhe pse tashmë nuk ishin më në jetë. Nënat e padishahëve titullin “Nëna Sulltaneshë” e përdornin edhe kur nënshkruanin letrat, apo dokumentet e haremit. Përpara ceremonisë së kurorëzimit të sulltanit të ri, në rast se e ëma e tij deri në atë ditë jetonte në Sarajin e Vjetër, ajo transferohej pranë të birit në Pallatin Topkapi. Jeniçerët rreshtoheshin përgjatë rrugës, ku do të kalonte nëna sulltaneshë, e cila nisej nga Saraji i Vjetër me karrige që mbahet mbi supe dhe karrocë, dhe e përshëndesnin atë. Në një dokument, që shpjegon paradën e organizuar për Sulltaneshën Mihrishah, nëna e Selimit III, i cili hipi në fronin otoman në vitin 1789, thuhet se në krye ecnin punonjës të ndryshëm të sarajit me çallmat e parakalimit; pas tyre nëna sulltaneshë me një karrocë mjaft të bukur, të mbuluar me perde dhe të tërhequr nga 6 kuaj; menjëherë pas saj kalëronte një nëpunës i hazinesë (thesarit të shtetit), që flakte para në ajër; ndërsa pas tij vinin rreth 80-100 karroca me nga 2 kuaj, brenda të cilave qëndronin robinjat, kurtizanet dhe princeshat. Kur karvani i nënës sulltaneshë mbërriti në kopshtin e brendshëm të pallatit, padishahu i ri e përshëndeti 3 herë të ëmën duke u përkulur deri në tokë, i puthi asaj dorën nga dritarja në anën e djathtë të karrocës dhe e shoqëroi atë deri në hyrjen e saj në harem. Sipas dokumenteve të arkivit osman, ditën e dytë të ardhjes së nënës sulltaneshë në harem, padishahu dhe e ëma i dërgonin sadrazamit (veziri i madh) nga një urdhëresë, që e njoftonte atë formalisht se nëna sulltaneshë kishte ardhur në saraj. Njëkohësish vezirit të madh i dhuroheshin një gëzof dhe një kamë. Sadrazami i priste vet tek porta korrierët, lexonte urdhëresën e padishahut, vishte gëzofin dhe ngjeshëte në brez kamën me ceremoni, ndërsa në fund u jepte korrierëve dhurata të konsiderueshme. Në harem, hyrja më e gjerë dhe më komode pas asaj të padishahut ishte banesa e nënës sulltaneshë. Ajo përbëhej nga një dhomë gatimi, një ngrënieje, një fjetjeje, një tjetër dhomë për mysafirët, hamami dhe qilari. Padishahët u jepnin nënave të tyre edhe shumë pasuri të patundshme, madje aq shumë, sa që jashtë sarajit ngarkoheshin me detyrë disa kujdestarë për t’u marrë me pasuritë e patundshme të nënave sulltanesha. Me pak fjalë, kujdestarët e të patundshmeve të tyre bëheshin persona me fuqi. Nënat sulltanesha kishin nën urdhër edhe një numër të madh robinjash. Ato e drejtonin haremin nëpërmjet mjeshtreve thesarmbajtëse. Të gjitha punët e haremit bëheshin me dijeni dhe pëlqim të nënave sulltanesha. Gratë më të fuqishme të haremit merrnin pjesë edhe në “përshëndetjen e të premtes”, një ceremoni që organizohej kur padishahu dilte në publik për të falur namazin e xhumasë. Sipas dorëshkrimeve të shumë dëshmitarëve okularë, nënat sulltanesha spikasnin me veshjet e tyre të bukura dhe plot me salltanete. Nënat sulltanesha kanë urdhëruar që me të ardhurat e tyre të ndërtohen shumë objekte bamirësie, mes të cilave ia vlen të përmenden xhamitë, shkollat, tyrbet, çezmat dhe vendstrehime për të varfrit. Disa nëna sulltanesha kanë urdhëruar që tyrbet e tyre të ndërtohen ndërsa ishin ende në jetë, ndërsa për disa të tjera tyrbe të veçanta janë ndërtuar nga të bijtë pas vdekjes së tyre; megjithatë vetëm disa prej tyre janë varrosur nëpër tyrbe, ku prehen përkrahë njëri-tjetrit anëtarët e familjes. Deri në shekullin e 16-të, tyrbet e veçanta të ndërtuara për nënat sulltanesha gjendeshin në Bursa; në fillim të qindvjeçarit të 16-të e ëma e Selimit I -pra nëna e Sulltan Selimit të Patundur- u varros në tyrben e ndërtuar posaçërisht për të në Trabzon; por pas saj pothuajse të gjitha nënat e padishahëve janë varrosur nëpër tyrbe të ndryshme në Stamboll. Letërkëmbiet ndërmjet sulltanëve osmanë dhe nënave të tyre tregojnë se këto të fundit shpesh herë përziheshin edhe në punë shtetërore. Ky fenonen vihet re për herë të parë në fund të shekullit të 15-të, në letrat që Sulltanesha Gylbahar i shkruante të birit, Bajezidit II. Ajo i shpjegonte padishahut mendimet e saj rreth burrave të shtetit. Shkresa të tjera vërtetojnë se Sylejmani i Madhërishëm, i cili ishte i dashuruar marrëzisht pas bashkëshortes së tij ligjore, Sulltaneshës Hyrrem, lejonte që nëna e tij të përzihej në punët e shtetit, madje edhe se ai i ka plotësuar të ëmës disa dëshira të rëndësishme. Dokumente të tjera thonë se Sulltanesha Nurbanu, gruaja e djalit padishah të Sulltaneshës Hyrrem, ka pasur ndikim të madh në punët shtetërore. Po ashtu edhe Sulltanesha Safije, gruaja e djalit të Sulltaneshës Nurbanu, kur i erdhi radha të bëhet gruaja më e fuqishme e haremit, ka qenë një nënë sulltaneshë me influencë të jashtëzakonshme. Aq sa periudha ndërmjet viteve 1566-1656 në historinë otomane përkufizohet si Epoka e Nënave Sulltanesha, ose Sulltanati i Grave. Megjithatë, nuk ka asnjë pikë dyshimi se më e fuqishmja e nënave sulltanesha ishte Sulltanesha Kosem. Mes viteve 1623-1651, gjatë periudhës kur padishahë ishin me radhë dy djemtë e saj, Sulltanesha Kosem ishte pothuajse kreu i perandorisë. Për më tepër, asokohe nuk mund të flasim as për një drejtim të drejtë, pasi në saraj dhe më gjerë sundonin intrigat dhe vrasjet e përgjakshme. Me urdhrin e saj janë vrarë shumë njerëz, madje janë bërë edhe revolucione. Kurse Sulltanesha Turhan, e cila organizoi vrasjen e Sulltaneshës Kosem, u bë një nënë sulltaneshë mjaft e dashur në të katër anët e Perandorisë Otomane. Djali i saj u bë padishah në moshë fëminore, ndërsa ishte vetëm 7 vjeç. Por e ëma, në vend që të vepronte si pararendëset e saj, pra të merrte në dorë frerët e shtetit, emëroi në postin e vezirit të madh Mehmet Pashë Qypryliun, i cili ka hyrë në historinë osmane si një nga burrat e shtetit më të suksesshëm. Nënat kanë luftuar deri në fundin e Perandorisë Osmame për të hipur në fron djemtë e tyre, por asnjëherë nuk kanë arritur të jenë më aq shumë influente sa në periudhën ndërmjet viteve 1566-1656. Javën e ardhshme do të flasim rreth grave, që kanë lënë gjurmë të thella në Epokën e Nënave Sulltanesha të historisë otomane.
Posted on: Fri, 04 Oct 2013 13:03:06 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015