Hamit: Pse kërcënoni në emër të fesë për interesa të - TopicsExpress



          

Hamit: Pse kërcënoni në emër të fesë për interesa të ngushta?! Bota Sot | 15.09.2013 14:10 Share on facebook Share on twitter Share on email Share on print More Sharing Services 5 Ish kryetari i Kuvendit të Bashkësisë Islame të Kosovës, reagon ndaj deklaratës së kryesisë së BIK-ut, kundër studiuesi të fesë islame, Stephan Shwartz, të cilin e cilësojnë si vegël të “dyshes Hamiti (Xhabir)-Behrami (Emin) me kompani”! Reagimin e Hamitit do ta botojmë të plotë. Të kritikosh dikë për hapat e gabueshëm që i bënë në krye të institucionit kolektiv, assesi nuk do të thotë të jesh kundër vet institucionit ! I Duhet të pranojmë që në fillim se krejt çka mund të thuhet si reagim ndaj deklaratave të fundit të disave që ende lirshëm dhe pa fije përgjegjësie shpifin, të strukur brenda stafit të Kryesisë së BIK-së, është e tepërt të merremi me ta, kur dihet se qytetarët e Kosovës kanë kuptuar se institucioni i Bashkësisë Islame të Kosovës është uzurpuar në mënyrën më të vrazhdë të mundshme. Të gjithë e dinë se në skenë janë 3-4 vetë, brenda ndërtesës së kryesisë së BIK-së të cilët me forcën e pushtetit që nuk ua garanton as Kushtetuta e as ligji fetar Islam, arritën të manipulojnë disa nga punonjësit e Bashkësisë Islame të Kosovës, por edhe një pjesë të vogël të opinionit. Ku është problemi? Kjo zhurmë është ngritur për një arsye sa e thjeshtë po aq e rëndësishme. a) E thjeshtë sepse me çdo kusht dëshirohet të mbahet peng Bashkësia Islame e Kosovës, e ndrydhur brenda konceptit filozofik dhe organizativ të vjetër, pra të së kaluarës. b) E rëndësishme sepse po kundërshtohen iniciativat tona të reja për ta avancuar këtë institucion tonin të shenjt, drejt horizonteve ku Bashkësia Islame e Kosovës do të shihej si shtëpi e jona e përbashkët për të gjithë ne, në të cilën do të duhej të punonim me përkushtim për fenë, për të mirën e vendit, shtetit dhe kombit tonë. Andaj, ballafaqimi jonë me këto kundërshti të egra që vijnë nga një platformë e errët, e përgatitur mbi bazën e interesit të këtyre 3-4 vetëve, do të vazhdojë. Jemi në dijeni për sfidat dhe rreziqet që po na kanosen, por ne po ndjejmë thellë ndihmën e Zotit dhe mbështetjen e njerëzve të ndershëm dhe të arsyeshëm, të cilët nga ne kërkojnë të mos ndalemi, ngase ndryshe ky grusht njerëzish, të izoluar brenda mureve të kryesisë së BIK-së edhe më tutje, do të vazhdonte t’i gëzojë privilegjet, jo-ligjore e personale që i kanë krijuar në këto 20 vitet e fundit, mbi kurrizin dhe djersën e qytetarëve tanë. Ne e pamë të arsyeshme që megjithatë të reagojmë, sepse ia kemi borxh besimtarëve tanë, qytetarëve në përgjithësi dhe vendit tonë. Tekefundit, është obligim yni të informojmë opinionin rreth pretendimeve të padrejta dhe gjykimeve të rrejshme dhe tendencioze që krijojnë huti në opinion. II Kjo deklaratë e juaja e datës 13.09.2013, është një reagim bosh i radhës, i shoqëruar me një retorikë pa kripë. Flisni për qiellin, kurse problemet i keni në tokë. I fajësoni të tjerët për gabimet e juaja, ngjashëm me mentalitetin e krijuar në Kosovë pas lufte, kur ndokush kritikohej e kritikohet për mossukses të punës, përsërit retoriken “nuk po na lënë të huajit ”. E fajësoni Xhabir Hamitin pse Stephen Schwartzi ka shkruar për punën dhe qëndrimet tuaja publike, ndërsa dihet nga i gjithë opinioni se nuk është hera e parë që ai ka dhënë opinione dhe analiza për ngjarjet e ndodhura së fundi në BIK-së, si dhe për ngjarjet të tjera në botën islame në përgjithësi. Në bazë të prezantimeve të tij, pjesëmarrjes nëpër kongrese, sesione, debate dhe katedra, ai duket të jetë i njohur për gjithë botën islame. Pas luftës, siç të gjithë e dinë, ai veproi edhe në Kosovë, vizitoi shumë herë edhe selinë e BIK-së kur ju ishit në postet që jeni edhe tani, ndërsa unë nuk isha pjesë e kësaj hierarkie të lartë. Punoja në fakultet dhe nga atje dëgjonim lavdërimet, krekosjen dhe uratat tuaja për vizitat e tij. Atëherë krenoheshit për vizitat e Schwartzit! Gjithashtu, do të doja të ju rikujtoja se pretendimet e analistëve mund të jenë të sakta dhe jo të sakta, prandaj nëse ju ndiheni komod nga ajo që ka deklaruar Schwartzi, nuk keni çfarë të brengoseni as për shkrimet dhe as për opinionet e tij, por edhe të askujt tjetër. Mirëpo, mos harroni se, nëse dikush nxjerr sekretin e dikujt, ai mund të jetë vetëm shoku, shoqja ose bashkëpunëtori më i ngushtë i tij, andaj nëse sekretet dhe gjynahet e juaja i ka marr vesh dikush jashtë rrethit tuaj të ngushtë, ato kurrsesi nuk kanë dalë dhe nuk mund të dalin nga unë, sepse të gjithë ju e dini se unë as nuk kam qenë e as nuk jam shoku e as bashkëpunëtori më i ngushtë i juaj. III E quani trashëgimi (verathe-sened) kandidimin tim për dekan të Fakultetit të Studimeve Islame, pas angazhimit në detyrë të re diplomatike të bashkëpunëtorit shumëvjeçar tuaj dhe timit, dr. Rexhep Bojës, ndërmjetësuesit të donatorit për ndërtimin e ndërtesës së re të fakultetit dhe të ndërtesë së kryesisë nën kulmin e së cilës ju po merrni vendime kundër interesit të BIK-së dhe të ardhmes së shoqërisë tonë . Ky është edhe një konstatim i juaj i radhës, tepër i ulët, kur dihet se unë dr. Rexhep Bojën nuk e kisha as far e as fis që t`ia trashëgoja në postin lënë zbrazët, por ishte puna dhe mundi im legal ajo e cila ligjërisht më jepte të drejtën e kandidimit dhe të aspirimit tim në atë pozitë. Prandaj, pikërisht edhe për këtë arsye, angazhimin tim për ushtrues detyre të dekanit, njëzëri e patën miratuar 21 mësimdhënës, nga 23 sa ishin prezent në mbledhjen e rregullt të Qershorit të vitit 2010, gjë e cila mund të dokumentohet kurdoherë, bashkë me nënshkrimet e të gjithë profesorëve pjesëmarrës. Ndoshta është dashur të jetë dekan ndonjë shok i juaj i preferuar, por çfarë t`i bësh që asnjëri prej tyre nuk kishin tituj shkencor e as thirrje akademike si profesorë të studimeve islame, kritere të cilat kërkoheshin për pozitën e dekanit sipas statutit të fakultetit tonë. A mos vallë edhe për këtë unë duhet të jem fajtor pse i paskam arritur titujt dhe thirrjet shkencore para kohe, e që kjo sipas jush i bie se është dashur të presë gjersa ato ju t`i merrni paraprakisht, e pastaj unë! Thoni se shkarkimi nga pozita e kryetarit të kuvendit është legjitim, sepse ata të cilët e kanë zgjedhur, ata edhe e kanë shkarkuar Hamitin! Me shumë përgjegjësi publike them se anëtarët e Kuvendit kurrë nuk do të binin në grackën që ranë, po të mos ishte iniciativa e juaj, e shoqëruar me joshje e premtime financiare, si dhe avancime në pozita të një pjese të anëtarëve të kuvendit. Ju mblodhët nënshkrimet e tyre natën e Fitër Bajramit, me qëllim të çuarjes në vend të deklaratës publike kërcënuese ndaj meje, dhe për përmbushjen e apetiteve tuaja personale dhe karrieriste, në mënyrë që me çdo kusht të vazhdoni kështu si jeni me moton: “Kështu e kemi gjetur BIK-un, kështu po e lëmë”, pohimi i fundi të njërit nga bashkëpunëtorët e ngushtë të kryesisë tuaj! Ndërsa, ku thoni se Hamiti ishte pengues i ndryshimit të statutit të BIK-së, është po ashtu gënjeshtër tepër e kulluar e juaja. I gjithë opinioni i gjerë i ka të njohura kërkesat e mia të hershme për ndryshime organizative të BIK-së, të cilat datojnë qysh herët, para zgjedhjes time në pozitën e kryetarit të Kuvendit. Njashtu, është i pavërtetë pohimi i juaj se ky është ndryshimi i dytë i Kushtetutës së BIK-së pas shkëputjes nga Rijaseti në Sarajevë. Ky në fakt është riamendamentimi i juaj i tretë mbi tekstin e vjetër të saj, sepse brumi i cili ishte gatuar gjatë sistemit të kaluar komunist ka ngelur po i njëjti. Prandaj, për hir të vërtetës publikun e bëj me dije se amendamentimi i parë mbi tekstin e vjetër të Kushtetutës së BIK-së është bërë në vitin 1993, atëherë kur kryetar i kuvendit ishte z. Miftar Hajdini, ndërsa i dyti në vitin 2002, kur kryetar i Kuvendit ishte kryetari aktual i kryesisë dhe insistimi i fundit ilegal më datë 29 gusht 2013 ishte orvatja e tretë pas puçit që u bë ndaj meje si kryetar legjitim i kuvendit. Asnjëri nga amendamentimet e lartpërmendura nuk ka qenë dhe nuk janë shkëputje substanciale e dizajnimit, ajkës apo konceptit organizativ të BIK-së, të hartuara në kohën e sistemit monist komunist. Prandaj, pikërisht kjo mosgatishmëri e ndryshimit substancial të kushtetutës, nga ana e hartuesve te saj, më ka bërë që unë të mos jem pjesë e ndryshimeve kozmetike, sipërfaqësore dhe simbolike të saj. IV Klani i ngushtë i strukur në ndërtesën e BIK-së, nëpërkëmbë personalitetin edhe të profesorit z. Emin Behrami. Ata flasin kinse për tandem mes meje dhe profesorit. Qëllimisht dëshirojnë përçarje, njëjtë sikur përçanë të gjithë këshillat e Bashkësisë Islame. Ata harrojnë se z. Emin Behrami ishte profesor i medresesë për 33 vite. Ishte ndër profesorët më të dashur nga nxënësit dhe kolegët e tij. Ende e kujtojmë, jo vetëm unë, por të gjithë ne që kaluam nëpër duart e tij. Ai po ashtu për 15 vite me radhë punoi profesor edhe në FSI. Studimet e tij në shkencën e Kur`anit janë të pakrahasueshme në trevat tona dhe më gjerë. Dhe, kur ai doli me qëndrime të prera kundër abuzimeve në medrese, por dhe në të gjitha institucionet e Bashkësisë Islame, e larguan nga puna. Ai nuk është i vetmi që e hodhën në rrugë, ka edhe të tjerë që sakrifikojnë veten për të ruajtur imazhin e Bashkësisë Islame. Kërkesat e profesor Behramit që të ndalen abuzimet nuk ishin nga unë, sepse as atëherë e as sot nuk jam pjesë e mësimdhënies në medrese. Atëherë për çfarë tandemi është fjala? Mos vallë do të duhesha të deklarohem me shpifje kundër tij dhe të tjerëve vetëm e vetëm të mos quhesha fajtor për këtë gjendje kaosi dhe të mjerueshme të Bashkësisë Islame? Jo, këtë nuk e bëra dot, nuk do ta bëjë as në të ardhmen. V Ju ftojë që t`i flisni mendjes dhe arsyes, t`i flisni zemrës dhe shpirtit dhe ndërgjegjes. Pranoni fajin, sepse pranimi i fajit është mësim dhe leksion për të tjerët, ndërsa edhe Zoti e falë njeriun i cili e pranon gabimin dhe nuk e përsërit më. Bëni dallimin mes BIK-së si institucion dhe juve që po i bëni gabimet e njëpasnjëshme në emër të sajë. Të kritikosh dikë për hapat e gabueshëm që i bënë në krye të institucionit, kurrsesi nuk do të thotë të jesh kundër vet institucionit, e në këtë rast BIK-së. Myslimanët e vendit tonë do të vazhdojnë jetën e tyre fetare, qoftë pa ne e qoftë pa ju, sepse do të vijnë njerëz të tjerë të rinj të cilët do të na zëvendësojnë, ndryshe ky është edhe ligj i jetës në këtë botë, prandaj mos u bëni pjesë e një historie të keqe për gjeneratat e ardhshme. Lëreni arsyetimet e thata, bëhuni pjesë e veprimeve të matura, të mençura dhe të arsyeshme, të cilat i kanë hije shoqërisë së mirëfilltë, e më së shumti institucionit tonë shpirtëror. Ju nuk latë gjë pa përdorur e shpifur, kinse në emër të institucionit, vetëm pse ne kërkuam rend, rregull, transparence, kritere akademike, dhe respektim të vlerave, kërkesa të cilat si duket i preken interesat tuaja të ngushta klanore. Institucioni nuk mbrohet kur të bardhës qëllimisht i thuhet e zezë, e të zezës të bardhë. Nuk ecët dhe nuk avancohet as individi, as shoqëria por as vendi, duke anashkaluar problemin, por duke u marr me të dhe duke e zgjedhur atë me koka të ftohura dhe arsyeshëm. Pjesëtarët e besimit islam në vendin tonë dhe qytetarët tanë në përgjithësi e duanë një vizion të qartë të BIK-së, një qasje të drejtë, e jo një nëpërkëmbje të vlerave fetare në emër të saj, jo fyerje e shpifje në emër të fesë, jo kërcënim e linçim ndaj askujt që mendon e beson ndryshe. Pse nuk e pyetni ndërgjegjen tuaj, kur dihet botërisht se ju vet e keni sjell punën që një studiues, i cili ka kaluar mbi tri dekada në studime islame, të kërcënohet me jetë, dhe aq më keq “në emër të fesë islame!”, kërcënime të njëpasnjëshme nga njerëz të nxitur brenda kryesisë së BIK-së! Pse e bëni këtë!? A edhe për këtë ndoshta thoni se është shpifje! Tregoni popullit pse po i kërcënoni njerëzit në emër të fesë islame për interesa tuaj të ngushta?! Megjithatë, pas gjithë kësaj që ka kaluar, edhe pse vonë, unë urojë të ulemi së bashku, të bisedojmë, të analizojmë dhe të qesim përpara çdo gjë që duhet rregulluar. Paraprakisht të mendojmë arsyeshëm dhe drejtë, pa tensione dhe pa paragjykime. Ju duhet të pyesni se përse BIK-u erdhi në këtë gjendje, kush e solli deri këtu, unë që nuk pata fuqinë, apo ju që patët çdo gjë në dorë? Është obligim fetar dhe njerëzor imi të ftoj për arsye të shëndoshë dhe në fund propozoj të formojmë një komision të paanshëm e cili do të gjykonte mbi gabimet tona, për të pranuar njëri tjetrin dhe për të punuar për të mirën tonë të përgjithshme.
Posted on: Mon, 16 Sep 2013 16:28:23 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015