• INTER-JUVENTUS JA DUELET NE FUSHE. #Handanoviç vs #Bufon I - TopicsExpress



          

• INTER-JUVENTUS JA DUELET NE FUSHE. #Handanoviç vs #Bufon I vetmi duel në distancë do të jetë ai mes dy portierëve, dhe çfarë portierësh… Samir Handanoviç dhe Xhanluixhi Bufon janë aktualisht më të mirët në Serinë A, por pa dyshim edhe në 10-shen e parë në botë. Por, nëse juventini mbulohet me elozhe prej 20 vitesh, slloveni i zikaltërve është një tjetër “mostër” që po lind. Mjafton të mendosh që në 3 daljet e para në këtë sezon me Interin (Çitadela, Xhenoa dhe Katania) nuk ka pësuar asnjë gol, por akoma më shumë mjafton të kujtosh pritjet e frikshme me të cilat ndali Shqipërinë, për të kuptuar zotësinë e tij. #Kampanjaro vs #Azamoah Mbrojtësi i Interit do ketë detyrën më të vështirë. Sepse me juventinin Azamoah, që luan shumë i avancuar dhe që kërkon shpesh kombinimin nga afër me Tevezin, Kampanjaro rrezikon të gjendet shpesh në disavantazh numerik ndaj kundërshtarit. Prandaj, duke njohur stilin e lojës së Juventusit me lojtarët e krahëve, që shpesh kryqëzohen me sulmuesit, Kampanjaro do ndihmohet edhe nga Xhonatani, i cili kundrejt ndeshjeve me Xhenoan e Katanian nuk do të jetë shumë i avancuar, por edhe nga Ranokia, që duhet të mbështesë në çdo rast dy shokët e repartit që luajnë përkrah tij. #Ranokia vs #Tevez Andrea Ranokia pritet të jetë hija e Karlos Tevezit pasditen e sotme. Mbrojtësi zikaltër gjithsesi do ta ketë shumë të vështirë që të limitojë rrezikshmërinë e argjentinasit të Juventusit, duke qenë se ai nuk luan kurrë në thellësi, madje mund të kthehet deri në mesfushë për të marrë topin, ndaj Ranokia duhet të bëjë kujdes me pozicionin. Por, duke menduar që përkrah Tevezit do luajë Vuçiniçi, një tjetër sulmues shumë teknik dhe i shpejtë me topin, atëherë detyra bëhet dyfish e vështirë, me dy juventinët që mund të ndërrojnë shpesh me njëri-tjetrin edhe pozicionet në fushën e lojës. #Huan Hezus vs #Vuçiniç Nëse vitet e fundit Interi ka pasur një hallkë të dobët në ndeshjet kundër Juventusit, ai ka qenë pikërisht mbrojtësi i ri brazilian. Eksperienca e pakët dhe fakti që ai vuan shumë depërtimet nga krahët, sidomos kur vijnë pasime të gjata e të larta nga mesfusha, me një palexhator si Vuçiniçi 90 minutëshi do jetë shumë i vështirë. Por Huan Hezus kundrejt juventinit mund të besojë te fiziku i tij i fuqishëm në duelet një për një, ndonëse duke bërë kujdes, pasi me goditës si Pirlo e Pogba goditjet e dënimit rreth zonës së rreptësisë mund t’i hapin shumë punë Handanoviçit. #Guarin vs #Vidal Mbase ky do të jetë edhe dueli me ekzaltues i mbrëmjes së sotme. Që të dy të fuqishëm, agresivë dhe nuhatës të aksioneve sulmuese e zonës së rreptësisë, do të bëjë që Guarin dhe Vidal të ofrojnë spektakël. Guarin kundrejt Vidalit duket disi në disavantazh, duke qenë se potenciali i tij duhet të ndahet edhe me shokët e skuadrës, për të mirën e ekipit, sepse fundja mesfusha zikaltër nuk ka luksin e asaj bardhezi. Prandaj, ky fakt mund ta zbehë disi paraqitjen e Guarinit, ndonëse kolumbiani me karakterin e tij nuk dorëzohet lehtë dhe do tentojë t’ia nxijë jetën liderit të Juves. #Taider vs #Pogba Algjeriani Taider ka spostuar në pankinë talentin Kovaçiç dhe duke qenë se 90 minutat e sotme do e vënë përballë një force të natyrës si Pol Pogba, tani kuptohet më qartë zgjedhja e Maxarrit. Taider është më potent se Kovaçiç, ndaj përballë një si Pogbaja, që përveçse në fazën mbrojtëse projektohet bindshëm edhe në sulm, nuk duhet të kursehet, por ndonjëherë të lëshojë edhe ndonjë ndërhyrje brenda limiteve të kartonit për ta ndaluar, sepse përndryshe mbrojtja e Interit nuk do dijë më nga të ruhet, me Tevezin, Vuçiniçin, Azamoahn, Pogbanë dhe Vidalin që presin në zonën e tyre. #Kambiaso vs #Lishtsteiner Edhe pse mund të duket sikur do të jenë larg njëri-tjetrit në fushë, me Kambiason përpara mbrojtjes dhe Lishtsteinerin të projektuar shumë djathtas në fushë, një përplasje e tillë në sfidat e viteve të kaluara ka qenë nga më të shumtat që është ofruar në fushë. Fundja, Kambiaso do të luajë më shumë rolin e një mbrojtësi të fshehur sesa atë të dirigjentit të mesfushës. Duke ditur pastaj që Lishtsteiner më shumë sesa Azamoah nga e djathta zbret shpesh në zonë, për t’u shndërruar në një sulmues të fshehur, detyra për t’i lehtësuar punën Huan Hezusit do t’i takojë veteranit të Interit. #Alvarez vs #Pirlo Nëse në sezonin e kaluar Andrea Stramaçoni dhe Interi i tij fituan në Torino, “çelësi” i suksesit ishte bllokimi i Pirlos me një lojtar të shpejtë dhe teknik. Nëse vjet ai që e zeroi rrezikshmërinë e Pirlos nga fusha ishte Palasio, që sivjet luan rolin e bomberit të vetëm, duke zëvendësuar Militon, detyra për të ndjekur Pirlon në çdo cep të fushës do t’i takojë Alvarezit. Ky i fundit ka shfaqur një formë fizike të shkëlqyer në këto ndeshje dhe duke vlerësuar se Pirlo, tashmë 34- vjeçar, nuk ka frymën e interistit, Alvarez mund të ngushtojë horizontin e lojës së juventinit. #Xhonatan vs #Kielini Xhonatan është një tjetër lojtar që nën drejtimin e Maxarrit ka rilindur, duke kujtuar Maikonin e kohëve të arta. Dhe nëse ish-braziliani i Interit në periudhën e Murinjos bënte të vuante në maksimum një mal me muskuj si Kielini, duke e djegur shpesh në shpejtësi, nga krahët dhe gjatë depërtimeve në zonë, pak a shumë të njëjtën gjë duhet të bëjë sot edhe Xhonatan. Ndonëse nuk mund të përballet fizikisht me juventinin, mbrojtësit të avancuar të zikaltërve do i mjaftojë të lëshojë topin disa metra përpara dhe do të nxirrte kështu jashtë loje numrin 3 të kampionëve të Italisë. #Nagatomo vs #Barzalji Ashtu si Xhonatan, edhe Nagatomo do të ketë të njëjtat detyra. Ndonëse të dy mbrojtës, japonezi është më i aftë teknikisht sesa Andrea Barzalji me topin, aq më shumë që gjigandi i mbrojtjes së Juventusit nuk është në formën e vet më të mirë. Prandaj, duke shfrytëzuar shpejtësinë dhe driblimin, Interi mund t’u bëjë realisht keq torinezëve nga krahët, ndonëse pa mbështetjen e duhur do të jetë e vështirë që gjithçka të duket kaq e lehtë. Një tjetër pikë në favor të Interit lidhet me faktin se vjet Barzalji ka luajtur dy ndeshjet e tij më të dobëta pikërisht ndaj zikaltërve. #Palasio vs #Bonuçi Kundër Lacios, Bonuçi u shpall njeriu i ndeshjes, me dy pasime prej më shumë se 50 metrash që dërguan në gol Vidalin dhe Vuçiniçin. Prandaj, nëse Pirlo do shqetësohet nga Alvarez, do i takojë Bonuçit që të nisë me pasimet e tij aksionet e gjata, ndaj më shumë sesa të sulmojë, detyra kryesore e sulmuesit të vetëm zikaltër, Palasio, do jetë të sulmojë lojtarin që Maxarri i ka piketuar për të markuar. Për më tepër, Bonuçi shpeshherë e ekzagjeron edhe me mbajtjen e topit, prandaj nëse Palasio do përfitojë nga një gabim i tiji, atëherë shanset për gol do jenë shumë më të mëdha.
Posted on: Sat, 14 Sep 2013 15:18:09 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015