INTERVISTA ME REKTORIN E UNS, PROF. DR. BASHKIM RAMA 1. Edhe pse - TopicsExpress



          

INTERVISTA ME REKTORIN E UNS, PROF. DR. BASHKIM RAMA 1. Edhe pse në një moshë të re, UNS ka arritur të prezantohet si një institucion arsimor shumë serioz duke marrë edhe vlerësime dhe mirënjohje ndërkombëtare së fundmi. Kujt ia dedikoni këtë sukses? Nëpërmjet sukseseve me famë ndërkombëtare, të arritura nga UNS, u krijohet më shumë mundësi stundentëve tanë drejt arritjes së sukseseve në fushat, të cilat ata kanë orientuar studimet e tyre. Gjithashtu, në prespektivat dhe mundësitë e tyre për t’u punësuar në vendet evropiane dhe më gjerë. Jam i mendimit se mirënjohjet ndërkombëtare vijnë si rrezultat i një pune mjaft serioze e stafit akademik të UNS, si dhe përkushtimi i studentëve tanë. Me krenari, ju vemë në dijeni, se UNS, sapo është zgjedhur nga Komisioni i Nominimit të Asamblesë së Biznesit Evropian, si një prej universiteteve pretendente të çmimit ‘INTERNATIONAL SOCRATES PRIZE IN THE SCIENCE SPHERE’, në funksion të ‘Ndërmarrjes më të mirë Rajonale në Sferën e Arsimit’, ky çmim u jepet institucioneve me kontribut të shquar në fushën e Arsimit të Lartë. Mirënjohjet dhe vlerësimet për institucionin tonë do të vazhdojnë dhe në ardhmëri, sepse UNS respekton të gjithë standardet europiane, të cilat do të vijojnë me klasifikimin e lartë të UNS, si i dalluar me meritë në rajon dhe më gjërë. 2. Tanimë që ka mbaruar edhe sesioni veror akademik, çfarë bilanci ka UNS për këtë vit akademik të përfunduar? Gjatë vitit akademik 2012/2013, UNS arriti t’i realizojë me sukses të lartë qëllimet dhe objektivat e përcaktuara më parë. Përveç mirënjohjeve, të cilat UNS po i vjel me krenari nderimet nga institucione serioze të arsimit të lartë, është përfaqësuar edhe në shumë konferenca dhe simpoziume shkencore ndërkombëtare, në të cilat kanë kumtuar artikujt e tyre shkencorë, pothuajse të gjithë pjesëtarët e stafit pedagogjik të UNS. Brenda të njëjtit vit akademik, institucioni ynë ka arritur disa marrëveshje bashkëpunimi me institucione të rëndësishme, të cilat do të hapin horizontet e punësimit të studentëve tanë, të cilët janë diplomuar tashmë në UNS. Gjithashtu, paktet dhe marrëveshjet e rëndësishme që s’duhen privuar nga përmendja gjatë kësaj interviste, janë pikërisht ato marrëveshje bashkëpunimi me institucione të arsimit të lartë (shtetëror dhe privat), të cilat planifikohet të realizojnë pasurimin e stafit pedagogjik të UNS me profesorë të shquar nga universitete me famë botërore. 3. Studentët të cilët kryejnë studimet në UNS, kanë mundësi që të vazhdojnë studimet edhe në ciklin e dytë studimor? Si qëndron proporcioni ndërmjet të dy cikleve? Në fakt, UNS pas thellimit të kërkimit shkencor dhe botimeve shkencore, vlerësimi maksimal nga disa institute evaluimi për procesin e mësimdhënies, si në programet studimore të ciklit ‘Bachelor’, ashtu edhe ‘Master i Shkencave’, nivele studimi këto të licencuara dhe akredituara, ishin indikatorë se Universiteti Ndërkombëtar i Strugës i plotësonte prej kohësh kushtet për hapjen e programeve të studimit të doktoraturës. Pra, proporcioni që ju thoni, duhet bërë tashmë me tre cikle studimi. Programet studimore të UNS përmbushin standardet dhe janë programe të njohura ndërkombëtarisht. Pjesa më e madhe e studentëve, të cilët përfundojnë studimet në UNS, vazhdojnë dhe në studimet postdiplomike, sepse institucioni jonë ju krijon mundësinë e njohjes ndërkombëtare të diplomave të tyre. Gjithashtu, vlen të shtojmë se pjesë e UNS-së në studimet postdiplomike dhe doktorate, janë edhe studentë nga pothuajse të gjitha trojet ballkanike, të cilët kanë kryer arsimin e lartë në institucione tjera arsimore, por për arsye të stafit pedagogjik, shërbimit teknik dhe programeve studimore, ata kanë përzgjedhur UNS, si portën e suksesit të tyre. 4. Diplomat e UNS-së, zyrtarisht janë njohur në disa shtete europiane, por edhe në SHBA. Mbi çfarë baze është bërë njohja e tyre? Gjatë vitit akademik 2012/2013, diplomat e lëshuara nga UNS u njohën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në disa shtete të tjera, ku mund të përmendim vetëm disa: Shqipërinë, Zvicrën, Austrinë, Italinë, Greqinë (këtu ka edhe një paradoks, sepse shteti i Greqisë nuk njeh shtetin e Maqedonisë, por njeh diplomat që lëshon Universiteti Ndërkombëtar i Strugës). Njohja bëhet mbi bazën dhe përputhshmërinë e programeve studimore (këtu përfshihet sistemi i njohjes së krediteve, lëndë të njëjta, procesi i mësimdhënies, etj), pra, lëndët të cilat kanë përfunduar studentët tanë, duhet të jenë në përputhje me standardin që kërkojnë shtetet europiane dhe SHBA. Gjë, që UNS e ka arritur këtë prej vitesh dhe në momentet që flasim, po diskutohet një pasurim i programeve studimore me disa lëndë unike praktike, të cilat lehtësojnë mësimin e lëndëve bazë nga ana e studentëve. Pikërisht, kjo përputhshmëri, si edhe novatorizmi që aplikon shpeshherë UNS, e kategorizon këtë institucion të dijes në plejadën e arsimit të lartë. 5. Përfitues të disa programeve të BE-së janë edhe studentët e UNS-së, a është sot e vështirë të punësohesh me diplomën e UNS-së në vendet e rajonit dhe më gjerë? Besoj se e përmenda edhe pak më sipër faktin favorizues së punësimit të të diplomuarve tanë në vendet e rajonit dhe me gjerë. Studentët tanë, tashmë janë pjesë e disa kompanive të mëdha në shumë shtete të fuqishme europiane. Është për t’u përgëzuar se universiteti jonë ka studentë të cilët kanë përfunduar studimet dhe janë në disa pozicione të rëndësishme, të cilët kanë nderuar veten, familjen dhe UNS-në. Gjithashtu, si risi e fundit e UNS janë dhe një mori e marrëveshjeve afatgjata dhe shumë të favorshme, të cilat janë lidhur me disa kompani evropiane, prej të cilave pritet punësimi i studentëve më të dalluar të UNS-së. Këta të fundit, përpos studimit do të kenë dhe mundësinë për të zhvilluar dhe pjesën praktike në këto kompani të mirënjohura ndërkombëtarisht. 6. Tashmë sektori i arsimit të lartë është bërë mjaft konkurrues. Përse një maturant duhet të zgjedhë UNS-në për të studiuar, ku dalloni ju nga të tjerët? Avantazhet tona konkurruese janë të shumta, por do të mundohem që t’i përfshij më të rëndësishmet prej tyre dhe jam i sigurt, se edhe ju do ta bëni këtë diferencë që ka nxitur maturantët për zgjedhjen e jetës. Avantazh i rëndësishëm është se studentët të cilët diplomohen në UNS do të çertifikohen me ‘dual degree’, përvec diplomës nga UNS do marrin diplomë nga American Heritage Universiteti of Southern California, e cila do t’i shquajë ata në mënyrë të konsiderueshme në raport me studentët e tjerë që marrin vetëm një diplomë. Ne e njohim ashpërsinë e tregut të punës në ditët e sotme dhe mundësia e dy-diplomimit i dominon studentët tanë në tregun e punës. Shtyllë e fortë e UNS, është pikërisht stafi pedagogjik i mirënjohur, disa pjesëtarë të tyre kanë qenë dhe janë në pozita shumë të larta në fushën e arsimit dhe të shkencës, kështu që publikimi dhe profesionalizmi i tyre është një etalon matës për studentët, të cilët jo vetëm përfitojnë dijen në mënyrën më të mirë të lektorimit, por mund të kenë edhe shembujt sublime për të gjetur forcën, me të cilën duhet të realizojnë endrrat e tyre. Natyrisht, faqja jonë zyrtare në internet është shumë transparente me arritjet që meriton UNS dhe nëse bëni një eksplorim të shpejtë, mund të shihni sesi UNS ka avantazhe të mira nga çdo element që e përbën atë, p.sh.: Staf Pedagogjik i kualifikuar, hapesira të mjatueshme universitare, studentë cilësorë dhe garues në konkurset ndëruniversitare, programe bashkëkohore studimi, njohje dhe certifikime nderkombetare të diplomave që jep UNS, administratë profesionale dhe e përkushtuar, infrastrukturë moderne, programet ndërkombëtare në funksion të shkëmbimit të studentëve dhe profesorëve, mundësi të larta punësimi, institucionet e praktikës së çdo drejtimi që ofron UNS, bashkëpunimi me insitucionet rajonale, europiane dhe ndërkombëtare, elementë këto, që kanë krijuar kushte shumë të mira për studentët dhe respekt maksimal ndaj tyre, si element bazë dhe kusht progresi për Universitetin Ndërkombëtar të Strugës. Vlen të përmendet edhe se Universiteti Ndërkombëtar i Strugës, nga viti akademik 2010, është pjesë e programit Erasmus së Bashkimit Evropian dhe ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me shumë universitete të njohura evropiane. Nëpërmjet programit Erasmus, Universiteti Ndërkombëtar i Strugës iu ofron studentëve mobilitet në universitete të ndryshme evropiane, ku kanë mundësi të studiojnë një semestër prej studimeve dhe të kthehen me përvoja dhe njohuri të reja. Nëse më lejoni t’ju tregoj edhe një avantazh tjetër, studentët e UNS janë përfitues të rregullt të programit ‘Work & Travel’, të cilët aplikojnë për punë (3-4 muaj) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo mundësi e krijuar nga bashkëpunimi shumëvjeçar ndërmjet Universitetit Ndërkombëtar të Strugës dhe Agjencive kompetente që kujdesen për të gjitha procedurat e nisjes, mberritjes (punësimit, akomodimit) dhe kthimit të studentëve, këtë herë ka favorizuar jo vetëm studentët nga Shqipëria dhe Maqedonia, por edhe ata të Ulqinit - Mali i Zi. 7- Në rangimet e fundit të universiteteve nga kompani të specializuara UNS nuk rezultonte mirë e pozicionuar. Cfarë mendoni për këtë fakt? Mendoj se këtë pyetje duhet t’jua drejtoni kompanive që bëjnë këtë kategorizim, por më lejoni të them se institucioni ynë dhe unë si rektor, mundohemi që t’i respektojmë maksimalisht të gjitha kërkesat dhe kriteret e arsimit (global, pse jo?) dhe natyrisht, kjo punë jashtëzakonisht intensive i dedikohet ardhmërisë së UNS, që janë studentët e saj. Lajmi më i ri për Universitetin Ndërkombëtar të Strugës vjen nga Studimet Ekonomike Botërore, Agjencia e vlerësimit për klasifikimet kreditore, COFACE dhe Dhoma Ekonomike e Maqedonise, të cilat nivelizojnë Universitetin Ndërkombëtar të Strugës, si kompaninë më të sukseshme dhe të besueshme në Republikën e Maqedonisë, specifikisht në fushën e Arsimit të Lartë. Ky diferencim rrit konsiderueshëm besueshmërinë ndaj këtij institucioni, si edhe dëshmon më së miri sublimitetin e tij në raport me institucionet e tjera që kanë të njëjtën fushë operimi. Nëse do të donit mendimin tim të sinqertë në lidhje me rangimet e universiteteve dhe ngurtësimin e tyre në disa lista të numëruara, më besoni: Universiteti ynë qëndron shumë më lart nga shumë institucione të tjera të arsimit të lartë në R. Maqedonisë, unë kam qenë ligjërues jo në pak institucione të tilla dhe në diskutimet e shpeshta me kolegët e mi ngremë probleme që e shqetësojnë shoqërinë tonë, ndaj ju drejtohem me siguri reale për krenarinë me të cilën duhet të konsiderohet UNS, si një universitet që së shpejti do të shpërndahet me degë të tij shumë më larg se rajoni, s’po ju tregoj më shumë rreth kësaj teme. Le të lemë peshën e lajmit të serviret në kohën e duhur. 8- Padyshim stafi i pedagogëve është shumë i rëndësishëm në një Universitet, si bëhet përzgjedhja e tyre në institucionin tuaj? Po, është e vërtetë. Le të themi se flaka nëse qëndron në një dru të thatë, i cili nuk është pishtar, atëhere do të shuhet shumë shpejt. Qysh në vitin e parë të themelimit, UNS ka patur për mision përzgjedhjen e mirëmenduar të stafi pedagogjik. Nga të gjithë pretendentët që i janë nënshtruar konkurseve të përvitshme që shpall UNS, është munduar të shkohet tek një procedurë klasifikuese, që konsiston me CV të pasur, eksperiencë të gjatë në mësimdhënie, aftësi dhe vazhdimësi hulumtuese në shkencë, botime të vlerësuara, persona me integritet të lartë profesional dhe personal, pra, duke u përpjekur që të zgjedhim nga më të mirët qe e Maqedonisë, por edhe Shqiperisë, apo trojet shqiptare. Mund t’ju pohoj me bindje, se deri aktualisht, UNS ka bërë zgjedhjet e duhura dhe cilësore në funksion të profesoratit dhe vlen të përmendet fakti, që për vitin akademik 2013/2014, në UNS janë angazhuar profesorët më të mirë të gjithë fushave për realizimin e programeve të studimit dhe janë arritur marrëveshje me shumë profesorë që vijnë nga institucione të rëndësishme si: ministra, zv.ministra, deputete, gjyqtarë, etj. Gjithashtu, vijon përkrahja shkencore nga ana akademike e UNS, po i njëjti kontribut do të jepet edhe për vitin e ardhshëm akademik 2013-2014, nga vetë Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë, si edhe nga Universiteti i Tiranës. 9- Deri tani keni nënshkruar memorandume bashkëpunimi me një sërë universitetesh në rajon dhe më gjerë. Ku konsistojnë këto marrëveshje? Marrëveshjet e bashkëpunimit konsistojnë kryesisht në shkëmbimin e stafit pedagogjik të UNS me institucionet, të cilët janë palë e këtyre bashkëpunimeve, shkëmbimin e përvojave shkencore dhe praktike në funksion të ndërtimit dhe standardizimit të programeve studimore. Gjithashtu, një nga pikat e forta të arritura në këto memorandume është shkëmbimi i studentëve, të cilëve ju krijohen hapësirat e nevojshme që të zhvillojnë mësimin semestral (një sesion akademik) në një prej institucioneve bashkëpunuese, që ata do të zgjedhin vetë. Ndërsa nuk po zgjatem për organizimin dhe përfaqësimin e konferencave ndërkombëtare, në të cilat UNS ka prezantuar kumtime, si edhe jo pak herë ka qenë në pozitat e organizatorit. Por, këto lajme janë publikuar herët në media kombëtare dhe ndërkombëtare, ndaj jam përpjekur t’ju jap informacione disi të reja dhe të veçanta për median tuaj. 10- Para se t’ju falenderoj për intervistën zoti rektor, çfarë nuk thamë në këtë bashkëbisedim? Personalisht, besoj se nëpërmjet kësaj interviste ne arritëm të prezentojmë një pjesë të sukseseve të merituara të insitucionit tonë dhe ju kemi dhënë informacionin e duhur të gjithë maturantëve që tani janë në fazën e zgjedhjes së jetës. Sa i përket pyetjes tjetër, them se nuk përshkruam vetëm se çfarë krenarie dhe kënaqësie është të jesh dhe ndihesh student i UNS-së, por këtë përgjigje mund ta merrni njëzëri nga të gjithë studentët e UNS, pse jo edhe nga ndonje student që sapo ka mbaruar vitin e pare dhe në momentin që flasim po bëjnë edhe pushime edhe orë praktike për drejtimin që ka zgjedhur, në vendin prej nga vjen. Një tjetër bashkëpunim që ne e kemi lidhur me shume institucione pranë zonave ku jetojnë studentët, që praktika e tyre të jetë sa më e dobishme dhe frytdhënëse. Pra, një mesazh shumë të shkurtër, por të rendësishëm për maturantët: Mjafton të zgjedhësh ndër më të mirët, Universitetin Ndërkombëtar të Strugës dhe më pas UNS do të zgjedhë më të mirën për ty! Shumë faleminderit për intervistën dhe kohën tuaj, mirënjohje pafund për stafin tuaj.
Posted on: Mon, 19 Aug 2013 15:03:00 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015