INTERVISTA/ Selami Xhepa: Kjo votë ishte referendare – një - TopicsExpress



          

INTERVISTA/ Selami Xhepa: Kjo votë ishte referendare – një ndëshkim i ashpër për qeverisjen Një nga specialistët më të mirë të Partisë Demokratike, por njëkohësisht edhe më kurajozët e saj shpjegon teknikisht humbjen e PD-së, por nga ana tjetër edhe arritjet e PD-së në vitet e fundit… Selami Xhepa, një nga njerëzit kryesorë të PD-së, por që habitshmërisht u la jashtë nga lista e partisë së tij, tashmë është edhe më i qetë. Nuk ka mllef, ashtu si nuk ka pasur kurrë por edhe nuk po bën atë që shumë kolegë të tij po e bëjnë me pathos: Shprehjen e dashurisë për ish-liderin Berisha dhe justifikimet bajate. Ka kohë, më saktë që para zgjedhjeve, që kish filluar ta vendoste gishtin në plagën e mavijosur të PD-së, duke artikuluar se ajo e kish humbur krejt kontaktin me publikun. Por nuk dëgjohej…Në vend të fjalës së tij dëgjonim patetizmat e Bregut, Imamit and Co! Për fat të keq, Partia Demokratike i ka fare pak zërat alternativë… Rezultatet e fundit kanë qenë katastrofale për PD-në. Ndërkohë, keni qenë nga zërat e pakët që keni bërë kritika konkrete për linjën politike të partisë tuaj. Cilat shikoni si gabimet kryesore të PD-së në zgjedhjet e vitit 2013? Një javë më parë, kisha skicuar një shkrim me titull ‘Demokracia që nuk e vrau dot frikën’, një reflektim mbi faktin se sa herë vijnë zgjedhjet në vend, një klimë frike, ankthi, pasigurie e deri në panik, përhapet mes qytetarëve, biznesit dhe madje edhe tek vetë trupi diplomatik e të huajt që ndodhen në Shqipëri. Kjo është ushqyer edhe nga ideja e përhapur gjerësisht se ‘Berisha është manipulator i zgjedhjeve dhe ka magjinë e një lojtari politik që ta shndërrojë edhe humbjen në një fitore’. Prandaj, përfundimi (i pranuar) i këtyre zgjedhjeve dhe rotacioni politik normal që po ndodh, në gjykimin tim është edhe ngjarja më e rëndësishme dhe më kryesore për qytetarët e vendit. Liria që kemi fituar në këto vite demokracie, edhe pse vjen e para, nuk do të kishte asnjë vlerë pa stabilitet, pa paqe e harmoni sociale, kushte themelore këto për mirëqenien e individit dhe të kombeve (doja ta nënvizoj edhe pse është thjeshtë një klishe). Dorëheqja e z. Berisha ishte një akt me një vlerë të veçantë, simbolizim i një etape të re në standardet demokratike të shoqërisë shqiptare, një ndarje me makthin dhe frikën e përhershme të zgjedhjeve, por uroj të jetë edhe një leksion për një mori kryetarësh partish të vogla që rrinë përqark për më shumë se dy dekada duke kërkuar largimin fillimisht të Nanos e pastaj të Berishës, por që vetë vazhdojnë të vegjetojnë duke mos i sjellë asgjë të re mjedisit politik të vendit. Duke u kthyer tek leximi i rezultatit, është e qartë se vota ishte referendare – një ndëshkim i ashpër për qeverisjen dhe filozofinë qeverisëse të këtyre katër viteve të fundit. Shkaqet, për të cilat duhen bërë hulumtime të hollësishme, në gjykimin tim mund të gjenden në hendekun e krijuar midis rritjes së ndërgjegjes qytetare dhe pretendimeve të saj për një qeverisje më cilësore dhe të përgjegjshme, nga njëra anë, dhe paaftësisë së qeverisë për të lexuar drejt realitetin politik dhe ekonomik e social të vendit, e nxitur kjo edhe nga përhapja në shkallë endemike e sëmundjes së rëndë (e të vjetër) të moralit të shoqërisë së sotme– korrupsionit. Konformizmi i establishmentit të lartë politik partiak dhe të qeverisë, i ushqyer nga korrupsioni i ndërtuar sipas një sistemi kapilar; paaftësia (apo mosdëshira) për të lexuar rendimin e gjendjes social-ekonomike të familjeve shqiptare dhe në veçanti rritjen e varfërisë në vend, të kontrastuara ironikisht me një renditje globale shembullore të propaganduar nga qeveria (të cilat dilnin jashtë kontekstit të nivelit të jetesës së qytetarëve); krijimi i një grupi interesash përfitues nga reformat ekonomike, por që filluan të bëhen pengesë për vazhdimin e kursit të reformave edhe në vazhdimësi me synim krijimin e një mjedisi më konkurrues në ekonomi; ndërtimi i një administrate militante dhe larg standardeve të profesionalizmit të kërkuar, penguese për reformat kundër burokracisë dhe luftës ndaj praktikave korruptive në sjelljen e saj – janë disa shkaqe madhore që kanë lexuar qytetarët në këto zgjedhje. Për hir të një vlerësimi ekuilibrues, duhet pohuar se këto kanë qenë edhe vitet më të vështira për të qeverisur – vite të një prej krizave më të mëdha që kemi ndeshur në historinë e ekonomisë së kohëve moderne. Në këtë kuptim, rritja ekonomike, edhe pse anemike; një stabilitet makroekonomik, edhe pse shumë i brishtë; ndërmarrja e një sërë projektesh investimesh dhe arritja e fondeve publike në çdo komunë të vendit, mund të kishin qenë arsye shumë të pranueshme nëse qytetarët do të kishin votuar ndryshe. Fakti që nuk ndodhi, mendoj se na jep një konkluzion shumë logjik: më shumë sesa në statistika, qeverisja bazohet në moral. Me sa duket, pas një konsumi të gjatë tetëvjeçar në qeverisje, i rrethuar nga një numër shumë i kufizuar zyrtarësh të lartë të pandryshuar, konsumi moral ishte i tillë që e bëri të papranueshme ftesën për një mandat të ri”. A mendoni se ishte e konsumuar platforma që qeveria paraqiti para mbështetësve të vet dhe gjithë shqiptarëve? Për shembull, a nuk mendoni se karta e infrastrukturës qe e pamjaftueshme? “Programi i infrastrukturës që është zhvilluar në këto tetë vite mbetet kontributi më madhor në qeverisjen tetëvjeçare të PD-së. Për herë të parë u filluan dhe u përfunduan rrjete rrugore me rëndësi jo vetëm ekonomike e zhvillimore, por edhe strategjike; asfalti preku lagjet e qyteteve dhe zonat rurale, edhe ato më të thella. Një infrastrukturë që urbanizon Shqipërinë tashmë ka filluar edhe në zonat rurale dhe në gjykimin tim duhet të vazhdojë. Ka një debat të madh, popullor, në lidhje me këtë përqendrim të madh fondesh vetëm në rrugë – nëse kjo është ekonomikisht përfituese apo jo. Personalisht, gjithnjë kam menduar se një shtim i mbështetjes për bujqësinë mund të kishte qenë edhe më i rëndësishëm, si nga ana ekonomike ashtu dhe sociale. Sidoqoftë, roli i infrastrukturës në rritjen dhe zhvillimin ekonomik dhe në adresimin e pabarazisë rajonale dhe të varfërisë rurale, janë të mirëdokumentuara në literaturën ekonomike, si edhe në historinë e ekonomisë botërore, veçanërisht të kontinentit amerikan. Prandaj në gjykimin tim ato mbeten prioritet i rëndësishëm edhe për të ardhmen. Ndërkohë që arsimi, shëndetësia, administrata publike, më shumë se për mungesë fondesh, vuajnë nga mangësitë në menaxhim, mungesa e profesionalizmit dhe mbi të gjitha nga humbja e ndjenjës së përgjegjësisë ndaj profesionit dhe shpirtit të sakrificës dhe humanizmit që duhet të karakterizojë këtë kategori profesionistësh. Sërish, nuk gjykoj se ishte e konsumuar karta e fokusimit tek infrastruktura, por se kauza morale e qeverisjes kishte rënë”. A duket se ky rezultat i rëndë është njëherësh një shans pozitiv për partinë tuaj, në drejtim të reformimit të thellë të saj? “Humbjet e një beteje janë momente reflektimi dhe besoj se PD-ja, strukturat e saj, duhet të kalojnë në një proces të thellë reflektimi dhe korrigjimi të vetvetes. Nga strukturat e bazës e deri në qendër, është e nevojshme që të bëhen analiza dhe të freskohen ato me prurje të reja kualitative. PD ka nevojë të demokratizohet dhe të hapet më shumë me qëllim vjeljen e mendimeve të ndryshme, edhe të hapjes ndaj kritikës dhe mendimit ndryshe. Sidoqoftë, ky është një moment i vështirë ku duhet të ruhet kohezioni i forcës politike, duke qenë se është edhe forca kryesore opozitare në vend, tashmë”. Si e shihni të ardhmen e kryeministrit Sali Berisha? “Berisha nuk ishte thjesht një drejtues partie; ai është lideri themelues i saj dhe prezenca e tij, në çfarëdo forme pranë PD-së, është kritike për qëndrueshmërinë afatgjatë të kësaj force. Gjykoj se ai mund të vazhdojë të luaj një rol të rëndësishëm për të garantuar vazhdimësinë e PD-së si një forcë politike e madhe dhe pretenduese për qeverisjen e vendit në të ardhmen, si një faktor që mund të stabilizojë grupet e interesave dhe të sigurojë vazhdimësinë e kohezionit politik të saj. Shpresoj se dorëheqja e z. Berisha do të jap arsye të mjaftueshme për ta kryer atë ‘rithemelim’ të PD-së, për të cilën ka folur edhe z. Marku në intervistat e tij të hershme. Ky është një moment realisht i duhur për ta kryer këtë debat të brendshëm politik në forumet e PD-së”. Me çfarë sfidash do përballet tani qeverisja e re që vjen në fuqi? “Qeverisjes së re, së pari i uroj fitoren dhe shpresoj shumë që do të dijë ta lexojë votën me kujdes dhe ta përdorë atë në dobi të interesave më të mira të kombit dhe të mirëqenies së qytetarëve. Në rrafshin politik, vendi ka një sërë sfidash madhore që kanë të bëjnë më gjendjen e brishtë të demokracisë së vendit, në thelb të të cilit qëndrojnë dobësitë institucionale, zbatimi i dobët i ligjit dhe respektit ndaj ligjit në tërësi, gjyqësori dhe sistemi i të drejtës, në veçanti mbrojtja e të drejtave të grupeve më vulnerabël. Sigurisht që janë reforma shumë afatgjatë dhe kërkojnë një dialog bipartizan të sinqertë, dhe jo një pretekst për moskryerjen e reformave të duhura. Këtu do të shtoja edhe reformën e sistemit zgjedhor, që në gjykimin tim do të vazhdojë të prodhojë pamundësi qeverisjeje dhe stabiliteti politik, veçanërisht në raste rezultatesh shumë të ngushta zgjedhore, siç është natyrë e këtij sistemi zgjedhor. Në planin ekonomik, duhet thënë se gjendja është delikate dhe në veçanti situata e financave publike kërkon një kujdes dhe ndjekje serioze të përditshme. Për mendimin tim do të ishte e këshillueshme që të thërritej për këshillim edhe FMN-ja në mënyrë që të asistonte në menaxhimin e kujdesshëm të financave publike dhe të reformave fiskale që edhe ka propozuar PS-ja. Në këtë pikë gjithashtu do të doja që disa propozime të saj të mos zbatoheshin, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me heqje taksash, siç është TVSH apo disa taksa të tjera, që në rast se do të kërkohej këshilla e FMN-së, jam i bindur se nuk do t’i kishte rekomanduar (nuk e kam për ndryshimin e sistemit tatimor, të kalimit tek taksimi progresiv, që ka qenë epiqendra e programit të PS-së). Axhenda është ambicioze me reformat strukturore, veçanërisht në rritjen e efikasitetit të shpenzimeve publike, reformën e fondit të pensioneve, mbikëqyrjen më të rreptë të sistemit bankar në menaxhimin e riskut të kredisë, menaxhimin mjedisor, etj. Në tërësi, tre deficitet e mëdha të vendit: deficiti demokratik, deficiti mjedisor dhe deficiti publik, janë që të tria çështje të nxehta në axhendën e reformave shumë të kërkuara nga vendi”. Njiheni dhe si përkthyes dhe tepër i lidhur me letërsinë dhe filozofinë. Me çfarë po merreni këto kohë? “Përkthimin e kam një argëtim për kohën e lirë dhe ia kam dedikuar një numri librash që më kanë mbresuar dhe kanë ndikuar shumë në mendimet e mia dhe mënyrën se si e shoh botën. Aktualisht kam në përfundim një libër të Nassim Nicolas Taleb, një flaneur (siç është termi në frëngjisht për mendimtarët e lirë, për ata që nuk kanë nevojë të ulen nëpër tavolina zyrash e bibliotekash, por që me një bllok në xhep mund të shkruajnë kudo nëpër kafene, parqe, kudo ku ndodhen) me origjinë libaneze, i emigruar në SHBA për shkak të ndodhjes së një ngjarjeje që mund të quhet një Mjellmë e Zezë, siç ishte konflikti civil në Liban pas më shumë se tre mijë vitesh paqeje e harmonie të pashoqe mes feve e sekteve të ndryshme. Autori është vazhdues i traditës filozofike të Karl Popper dhe të linjës së skepticizmit përkundrejt Platonit dhe ilumizimit; në shkencë është vazhdues i gjeometrisë mandelbrotiane dhe të Puincare (përkundrejt gjeometrisë euklidiane dhe shpërndarjes gausiane), ndërsa në ekonomi është vazhdues i traditës së Hayek dhe kundër rrymës së Hipotezës së Tregjeve Efiçiente dhe të menaxhimit të riskut nëpërmjet modeleve të sofistikuara të ekonometrisë. Libri quhet Mjellma e Zezë dhe bën fjalë për rolin e fatit, të rastësisë, të ngjarjeve shumë të rralla, të cilat ndryshojnë fatet e njerëzve, historinë kombeve dhe të të gjithë njerëzimit. Për ta thënë shkurt me fjalët e të famshmit Yogi Berra, subjekti i këtij libri vërtitet rreth tezës se “nëse nuk e di se ku do të shkosh, ki kujdes se mund të mos arrish asnjëherë atje”. Edhe dorëheqja e z. Berisha ishte një Mjellmë e Zezë, në gjykimin e shumë analistëve dhe pritshmëritë e publikut politik”.
Posted on: Thu, 04 Jul 2013 10:37:40 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015