Intervistë me pyetje inteligjente formuluar nga gazetari Harbjon - TopicsExpress



          

Intervistë me pyetje inteligjente formuluar nga gazetari Harbjon Hasani, botuar sot te gazeta DITA. BE-Shqipëri : ankthet e një europianisti Zoti Fuga, ka pasur një deklaratë thuajse-konfirmuese për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE nga ana e komisionarit Stefan Fyle. Ju jeni njohur me këtë deklaratë, çfarë përshtypjesh ju ka lënë? Përshtypje kontradiktore më ka lënë. Nga njëra anë i kënaqur për këto horizont të ri që na shfaqet drejt integrimit evropian të vendit, unë e ri-deklaroj se jam një Pro-evropianist, por edhe me ankthe sepse loja ende s’ka përfunduar. Të shpresojmë se rezultati do jetë pozitiv, deri në konfirmimin përfundimtar. E them këtë sepse përpara disa muajsh unë shkrova një artikull, ku e konsideroja si të marrë statusin pas një deklarate të tillë, por pashë se isha nxituar, sepse procesi nuk avancoi. Unë kam parë jo vetëm deklaratën por kam lexuar me shumë vëmendje dhe progres-raportin dhe përshtypja e parë e përgjithshme është se në Shqipëri nuk ndryshon asgjë në raport me një vit më përpara nga pikëpamja e parametrave; ndërkaq sipas meje, ka një perceptim të ri nga ana e Bashkimit Evropian për realitetin shqiptar. Si mund të ketë perceptim të ri bazuar mbi të njëjtat parametra të vjetër? E pra kjo më çudit dhe jam munduar në 48 orët e fundit që të kuptoj. Sipas meje faktori i parë është ekuilibri që partnerët tanë të huaj strategjik, kërkojnë të mbajnë në Ballkan. Dihet se, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, e kanë tashmë statusin e vendit kandidat. Dihet se Greqia është vend anëtar i BE-së, pra sllavët dhe grekët, ndihen më përpara se sa kombi shqiptar. Ekuilibri do ta donte që herët a vonë, edhe Shqipëria dhe shqiptarët të avanconin pikërisht për të krijuar këto ekuilibra gjeostrategjik, të cilët janë bazikë për qëndrueshmërinë në Ballkan. Pra i bie që po na e lënë “bakshish” meqenëse s’duan që të kemi telashe me gjitonët? Quaje si të duash. Ndërkaq, dihet që Kosova është ende mbrapa në këtë proces, aq sa edhe qarkullimin e lirë dhe pa viza nuk e arriti dot. Por shqiptarët, jo për kompensim por do ta donte politika që të promovoheshin në një drejtim tjetër. Koncepti i zgjerimit të Bashkimit Evropian është një proces dinamik, nuk mund të thuhet që edhe kemi proces zgjerimi, por edhe procesi nuk avancon dot. Po të shohim spektrin politik dhe ekonomik të vendeve fqinje me ne, do të konstatojmë një Greqi me probleme të jashtëzakonshme ekonomike dhe paqëndrueshmëri politike. E njëjta skemë ka ekzistuar deri në vitin e kaluar dhe në Itali. Çka më bën të mendoj se aplikimi i kritereve nga BE-ja do të ishte më pak puritan këtë radhë për Shqipërinë. Më së fundi kam gjykuar se zgjerimi i influencave, që vijnë nga fuqi të tjera, pra jashtë ballkanike, për shembull influenca turke, nuk ka si të mos e interesojë Evropën për të avancuar në zona gjeo-kulturore të saj. Po thoni se fuqizimi i dukshëm i Turqisë, mund të ketë bërë BE-në të “lirojë vidat” për pranimin e vendeve të Ballkanit? Desha të thosha se mund ta ketë bërë, ta mendojë çështjen edhe në planin gjeo-strategjik, dhe sipas meje aktualisht, Shqipëria dhe shqiptarët në Ballkan luajnë rolin kryesor, të padiskutueshëm, në ekuilibrat gjeopolitikë të pellgut. Shqiptarët përcaktojnë stabilitetin politik edhe në Malin e Zi edhe në Maqedoni, kanë influencë atë fuqishme në Serbi, për të mos folur pastaj për Kosovën dhe Shqipërinë. Unë ruaj mendimin që në shekullin e XXI, shqiptarët kanë hyrë si karta themelore, gjeopolitike e Ballkanit. Kush vonohet ta njohë këtë, në fakt vonohet në raport me risitë që prodhon historia jonë aktuale. Thatë posaçërisht që në krye të përgjigjes së parë se jeni një Pro-Europeist. Kjo është interesante. Duhet të kërkojmë me mikroskop në këtë vend për të gjetur Euro-skeptikë? Nuk kam këtë konstatim. Është një konstatim i sipërfaqshëm dhe euforik, e cila pa bërë sondazhe dhe pa njohur opinionin publik të segmentuar, e përdor si letër-marketingu për të tërhequr vëmendjen e elitave evropiane dhe zbutur kritikat që i drejtohen asaj. Kjo nuk do të thotë se ka qëndrime anti-europeiste, por ka një farë nacionalizmi në shtresa të caktuara, që nuk e lejojnë fort kulturën europiane të bashkëpunimit me fqinjët. Pastaj, ka një lloj strukture lobingjesh monopoliste në planin ekonomik, të cilat nuk janë gati të pranojnë një konkurencë të hapur dhe një hapje totale të tregjeve shqiptare që janë në favor të klientit shqiptar por jo me doemos edhe të biznesit shqiptar. Përpos nuk mungojnë edhe orientime ideologjike, të cilat historikisht i vënë në ngarkim, politikave evropiane edhe përgjegjësi për fatet e kombit shqiptar në shekuj. Ka një pjesë të opinionit të cilit Europa i duket shumë larg dhe e pandikushme nga opinioni publik shqiptar. Atë më shumë e intereson, konjuktura lokale shqiptare, se sa një vendimmarrje, sado racionale dhe demokratike por e largët. Për të përfunduar, ka edhe segmente të opinionit që mendojnë se shqiptari, për shkak të kompleksitetit të së kaluarës është më tepër lindor se sa perëndimor. I numëroj këto të dhëna për të thënë se nuk duhet kuptuar opinioni publik shqiptar si “apriori” në xhepin e BE-së. Është një opinion publik si gjithë të tjerët që kërkon ta ushqesh të kujdesesh për të t’i japësh besim në projektin tënd, përndryshe të braktis. Si e shpjegoni faktin që nuk ka një politikan, një eksponent të vetëm nga klasa politike shqiptare, përfshirë këtu dhe Partitë Komuniste, që nuk kundërshton asnjë aspekt të kontratës me BE-në? Sepse klasa politike shqiptare në traditë, është konformiste dhe asnjëherë nuk del jashtë parametrave të ligjërimit sundues në “planin afatgjatë”. Sigurisht, kam bindjen dhe unë që pjesa dërrmuese e klasës politike është e sinqertë në mbështetjen e projektit integrues, padyshim, por a e kontrollon opinionin publik? Ky është një tjetër hesap pastaj. Po të ofroj dy fakte të thjeshta: E para, tek Ura e Lanës që të çon tek “Tirana e Re”, kemi një parullë që shkruan “Fund Konferencës së Londrës”. E dyta, mos harrojmë se në zgjedhjet e fundit, siç thuhet në progres-raport, më shumë se 40 për qind e popullsisë nuk erdhi në votime. Pra i qëndroj idesë se asnjë klasë politike në asnjë vend nuk mund të kontrollojë, apo ta “ketë në xhep” opinionin publik. Një opinion publik stanjativ mund të prodhojë pasoja jo pozitive. Qëndrojmë pak këtu. Aktualisht në Greqi, ndoshta dhe në Itali, nëse do të bëhej një referendum, ka shanse të forta që populli të votojë daljen nga BE-ja. Por ata janë aty, të zhytur në skemën e pagimit të borxheve me gjithë interesat e kripura ku ditët e “Greqisë së Ahengut” e të Dhrahmisë kujtohen si “vite të arta”. Duke e pasur shembullin tek dera, mos po tregohemi pak më entuziastë se ç’duhet me këtë “mbështetjen me fonde” nga BE-ja? Pikërisht, mësimi i historisë është tek dera, çka do të thotë se opinioni publik, kërkon të shohë një projekt pozitiv, përndryshe, situata vështirësohet. Por, unë jam nga ata që nuk e shoh integrimin në BE si një dhuratë në tabaka që kombet e tjerë do na e falin neve shqiptarëve. E them këtë, sepse duke qenë një vend i vogël, shpesh na krijohet ideja se ne nuk e bëjmë historinë, por vetëm e pësojmë atë. Krijohet stereotipi i Shqipërisë-foshnje dhe Evropës-Mami’, sikur detyra jonë është vetëm të gjejmë anën nga anon historia për të marrë atë rrugë. Jo, nuk është kështu. Projekti evropian kërkon një angazhim dhe pjesëmarrje në historinë e përbashkët të Evropës. Nëse nuk jemi në gjendje ta përballojmë, fare mirë mund të dështojmë. Nuk mund të vazhdojmë me imazhin utopik të Evropës të vitit ’90, si një realitet luksi, mirëqenie pa punuar dhe jete lento-lento mbështetur në kredi bankare. Supozojmë teorikisht se muajin e ardhëm ne bëhemi pjesë e BE-së, jo thjesht vend kandidat, por me të drejta të plota. Mund të më rendisni disa avantazhe të Shqipërisë sidomos në tregun evropian. Me çfarë do konkurojmë ne, kemi ndonjë as nën mëngë? Kjo s’mund të ndodhë, por po të ndodhte, menjëherë do të ndodhnin subvencione jashtëzakonisht të mëdha për bujqësinë shqiptare. Do të dilnim nga sistemi i kuotave në eksporte dhe tregtari shqiptar nuk do të kishte asnjë pengesë për ato mallra të cilat ende vazhdojnë të mbeten thuajse BIO në tregjet evropiane. Do të kishim në Shqipëri, mallra konsumi me çmime shumë më të ulëta, për të mos folur për sistemet e subvencionimit të kulturës, rinovimit të administratës, pësosjes gjyqësore që do ishin shumë herë më të larta se deri më tani. Ndërkaq për herë të parë vendimmarrja e Shqipërisë do të ndikonte në politikat evropiane. Askush nuk do na thoshte na jep një cop det që të mbështes për të hyrë në Evropë. Apo na pranoni ca mbetje urbane që të të mbështes të hysh në Evropë. Këtu pastaj shqiptari do të gjente mundësi punësimi në tregun evropian të punës. Për sektorë strategjikë, si ai bankar, energjetik, telekomunikacion ama, nuk duket se do të bëjmë ndonjë revolucion apo jo? Këtë s’mund ta di. Nuk jam ekonomist. Por ama e dimë që në vendet e tjera të BE-së, të futura rishtas, janë shumëkombëshet, pra janë korporatat ato që po marrin në duar këto asete strategjike. Këtë ne e dimë apo jo? Kam përshtypjen se duke mos qenë pjesë e BE-së, sektorët e ekonomisë, janë ndarë disi me thikë. Sektorë më të suksesshëm i kanë korporatat e huaja ose shumëkombëshe, përmend këtu, banka, industri telefonisë celulare, kompani të ndërtimit të infrastrukturave, hidrokarbure etj. Kurse pjesët e prapambetura të sektorëve ekonomikë, siç janë bujqësia dhe tregtia e vogël, pothuajse në falimentim i takojnë kapitalit kombëtar. Kurse futja në Evropë, do të mund të bënte që të gjithë sektorët e ekonomisë t’i hapeshin një konkurrence mbarë evropiane pa pasur nevojë të kalojnë në filtra politikë vendimmarrje. Në bindjet e mia, atëherë kur ekonomia, nuk përcaktohet nga arbitraritete politike, vetëm atëherë ajo ka mundësi ka nevojë të zhvillohet brenda kritereve që burojnë nga tregu dhe jo nga konjuktura. Vetëm industrinë e turizmit po të marrim, në një kontekst të hapur ekonomik-evropian, ajo është një minierë ari që aktualisht ne e përdorim si një kosh për të hedhur mbeturinat. Përqendrohemi pak te korporatat e huaja që operojnë me sukses në Shqipëri. Ka një cilësi dhe ecuri normale në punën e tyre, krahasuar me sektorë të tjerë ku punon faktori vendas. Por e gjithë “loja” bëhet për të arritur në fund tek dividendi, fitimi. Nëse këto korporata e dërgojnë “thelën e luanit” të këtij fitimi jashtë Shqipërie, çfarë vlere ka për Shqipërinë fakti që në këto sektorë po punohet? Ato dhe tani mund ta bëjnë këtë gjë. Ndaj ju pyeta pasi treguesit këtë thonë, që kanë vite që e bëjnë…. E ritheksoj që kemi të bëjmë me një sfidë dhe askush nuk jep asgjë dhuratë. Nëse terreni ekonomik nuk jep mundësi që fitimi i tyre të ri-investohet në vend, sigurisht kështu do të ndodhë. Por brenda një kuadri evropian ne do të kemi parametra të tjerë, në të drejtat e punës, të punonjësve shqiptarë. Parametra të tjerë shpërblimi. Pra do jemi “hyzmeqarë” më dinjitozë i bie? Dakord. Por më mirë “hyzmeqarë” se sa i papunë them unë. Në progres-raport, pashë për shembull me sa mbaj mend, se flitej për një papunësi rreth 13-15 për qind. Kur e pashë këtë shifër, buzëqesha. Unë do ta kisha shumëzuar me 3. Po si është e mundur që një strukturë si BE-ja, së cilës ne i besojmë shumë, i bën hesapet kaq keq? Është e kuptueshme, se si agjenci institucionale, ajo i referohet shifrave dhe statistikave zyrtare. Është e detyruar për këtë. Përgjithësisht, qasjet e raportit janë institucionale. Dakord, por problemi ekziston në terren dhe jo në letra, apo jo? Po, por kjo është kultura institucionale. Një progres-raport nuk është një studim sociologjik dhe as ekonomik i terrenit. Një agjenci institucionale mund të thotë se në zonën urbane në Shqipëri ka mijëra njësi shitjeje, por ajo s’mund të thotë që shitësi tek cepi i pallatit tim i shet vetëm vetvetes. Dua të përfitoj nga rasti të devijoj temën e bisedës. Javën e fundit, në medien shqiptare ka spikatur tema e Katovicës. Gjithë debati mori shkas nga publikimi i një dokumenti prej Servet Pëllumbit. E keni ndjekur këtë debat? Për 1 mijë arsye kam shumë respekt për profesor Servet Pëllumbin. Ndërkaq, le të flasim si studiues ose si gazetarë nëse dëshironi. Besimi është një gjë, ne duam prova, prova nuk ka. Ka një fjalim, por ku janë regjistrimet zanore? Ka një tekst të shkruar, por duhet të ketë shenja të sigurisë së dokumentit sekret dhe jo thjesht një letër e vjetër me tekst të shkruar me makinë shkrimi. Pra ka një kulturë të administrimit të provës historike e cila mungon. Nga kjo pikëpamje, nuk kam elementët e provës të besimit, për atë fjalim. E dyta, kam dyshim se përse Ramiz Alia do të bënte këtë gjë në mënyrë aq të hapur dhe naive. Dhe aq e hapur nuk duket, nëse mbajmë parasysh se fjalimi është bërë publik pas më shumë se 2 dekadave, apo jo? Është bërë publik nëse ka ekzistuar. Unë jam duke thënë që ai mund të arrinte të njëjtat qëllime dhe pa i thënë ato fjalë. Pse do ta deklaronte qëllimin e vetë kur zakonisht në strategjitë politike, kjo nuk ndodh kurrë? Duke vënë në dyshim provën e ekzistencës së këtij fjalimi, unë nuk hedh poshtë që partia në pushtet, mund të kishte dhe kishte strategjitë e veta të mbijetesës dhe përshtatjes. Të fundit pyetje. Supozojmë teorikisht se ekziston prova e kulluar ku dëgjohet me zë dhe duket me figurë Ramiz Alia që delegon Berishën dhe Nanon të vënë në jetë Katovicën. Kjo provë do ta trondiste një studiues mirëfilli si ju? Do ju linte pa fjalë? Po. Do të më trondiste. Por jo për faktin pse ekziston ky plan konspirativ, por për naivitetin e organizatorëve të supozuar që i lejuan vetes të filmoheshin ndërsa gatuanin një konspiracion të tillë.
Posted on: Fri, 18 Oct 2013 21:31:30 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015