J0BI 38 Madheria e zotit Atëherë Zoti iu përgjigj Jobit në - TopicsExpress



          

J0BI 38 Madheria e zotit Atëherë Zoti iu përgjigj Jobit në mes të furtunës dhe i tha: "Kush është ai që e errëson planin tim me fjalë që nuk kanë kuptim? Mirë, pra, ngjishe brezin si një trim; unë do të të pyes dhe ti do të më përgjigjesh. Ku ishe kur unë hidhja themelet e tokës? Thuaje, në rast se ke aq zgjuarsi. Kush ka vendosur përmasat e saj, në rast se e di, ose kush ka vënë mbi të litarin për ta matur? Ku janë vendosur themelet e saj, ose kush ia vuri gurin qoshes, kur yjet e mëngjesit këndonin të gjithë së bashku dhe tërë bijtë e Perëndisë lëshonin britma gëzimi? Kush e mbylli me porta detin kur shpërtheu duke dalë nga gjiri i nënës, kur i dhashë retë për rroba dhe terrin për pelena? Kur i caktova një kufi dhe i vendosa shufra hekuri dhe porta, dhe thashë: "Ti do të arrish deri këtu, por jo më tutje; këtu do të ndalen valët e tua krenare!"? Që kur se ti jeton a ke dhënë urdhra në mëngjes ose i ke treguar vendin agimit, që ai të kapë skajet e tokës dhe të tronditë njerëzit e këqij? Ndërron trajtë si argjila nën vulë dhe shquhet si një veshje. Njerëzve të këqij u mohohet drita dhe krahu i ngritur u copëtohet. A ke arritur vallë deri në burimet e detit ose a ke vajtur vallë në kërkim të thellësirave të humnerës? Të janë treguar portat e vdekjes, apo ke parë vallë portat e hijes së vdekjes? a ke vënë re gjerësinë e tokës. Thuaje, në rast se i di të gjitha këto! Ku është rruga që të çon në banesën e dritës? Dhe terri, ku është vendi i tij, që ti të mund t`i çosh në vendin e tij, dhe të mund të njohësh shtigjet që të çojnë në shtëpinë e tij? Ti e di, sepse atëherë kishe lindur, dhe numri i ditëve të tua është i madh. Vallë, a ke hyrë ndonjë herë në depozitat e borës ose a ke parë vallë depozitat e breshërit që unë i mbaj në ruajtje për kohërat e fatkeqësive, për ditën e betejës dhe të luftës? Nëpër çfarë rruge përhapet drita ose përhapet era e lindjes mbi tokë? Kush ka hapur një kanal për ujërat që vërshojnë dhe rrugën për bubullimën e rrufeve, që të bjerë shi mbi tokë të pabanuar, mbi një shkretëtirë, ku nuk ka asnjë njeri, për të shuar etjen e shkretëtirave të mjeruara, për të bërë që të mbijë dhe të rritet bari? Shiu, vallë, a ka një baba? Ose kush i prodhon pikat e vesës? Nga gjiri i kujt del akulli dhe kush e krijon brymën e qiellit? Ujërat ngurtësohen si guri dhe sipërfaqja e humnerës ngrin. A mund t`i bashkosh ti lidhjet e Plejadave, apo të zgjidhësh vargjet e Orionit? A i bën ti të duken yllësitë në kohën e tyre, apo e drejton ti Arushën e Madhe me të vegjlit e saj? A i njeh ti ligjet e qiellit, ose a mund të vendosësh ti sundimin e tyre mbi tokë? A mund ta çosh zërin tënd deri në retë me qëllim që të mbulohesh nga shiu i bollshëm? Mos je ti ai që hedh rrufetë atje ku duhet të shkojnë, duke thënë: "Ja ku jam?"
Posted on: Wed, 17 Jul 2013 19:56:05 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015