Jemi të shtrënguar, me dashje e padashje, të ecim për në - TopicsExpress



          

Jemi të shtrënguar, me dashje e padashje, të ecim për në Oksident. Po kjo ecja jonë nuk mund të ketë kurrë një kuptim imitimi. Përkundra. Ecja jonë nëpër viset e Oksidentit lypset të jetë në një kohë e sipër edhe një ecje triumfale drejt visevet tona, drejt parimeve krijonjëse të jetës sonë kombëtare. Domethënë, nga Oksidenti kemi për të marrë vetëm, metodat e punimit, vetëm qytetërimin, por kurrë kulturën. Parimi i sinqertë dhe i vërtetë i kulturë shqiptare është i fshehur brenda në shpirtin e pazbuluar, të papunuar, të panjohur të kombit. Mësimi, rregulla, që kemi për të marrë nga Evropa, nuk është një gjë e adoptuar nga një filozofi ose nga një tendencë e caktuar e asaj bote. Po është një send i përbashkët, që ekziston pothuaj në çdo grup dhe në çdo farë profesioni në Evropë. Filozofia, jeta mendore, ka një cilësi të përgjithshme, e cila përbën misterin e superioritetit evropian si edhe bazën e suksesit të tij. Kemi që të fitojmë këtë cilësi që është e domosdoshme për çdo klasë njerëzore dhe nuk mund të përbuzet prej asnjë grupi intelektual, me gjithë kundërshtimet e parimeve dhe të doktrinave. Ja si quhet kjo cilësi e përgjithshme, e domosdoshme dhe bazale e evropianit: Mendimi sistematik. Dhe ja ku qëndron pika me rëndësi: Mendimi sistematik do të thotë fitimi i një zotësie mendore të vazhduar, nisja e së cilës është e lidhur nga brenda me përfundimet e saj- një vazhdim që nuk vjen në kundërshtim me veten e tij dhe që nuk e ndryshon kurrë formën sipas shtrëngimit të çdo çasti. Jetë sistematike do të thotë jetë e rregulltë, e pastër, e thellë, që nuk harxhon kot as kohën, as fuqinë, as talentin, dhe brenda në të çdo njeri nga ne përpiqet me vullnet e me dashuri të sigurojë një pozitë të tillë që të bëhet element i dobishëm, jo vetëm për veten e tij, por edhe për ata që rrojnë rreth e rrotull nesh. Morali i njeriut të Oksidenit është i lidhur, drejtpërdrejt, me mendimin sistematik të tij. Nga kjo lidhje midis moralit e mendimit lind edhe vlera pozitive e kohës dhe e punës. Parimet nuk kanë pothuajse asnjë rëndësi përsa i përket vlerës dinamike e moralit. Evropiani mund të jetë i lidhur me moralin e detyrës, të interesit, të energjisë ose edhe me moralin e mirëbërësisë. Po këto ndarje në parime vijnë në radhën e dytë. Pika më me rëndësi dhe esenciale është se evropiani i mirë, vepron kurdoherë, me çdo farë kuptimi moral e në çdo rast, sistematikisht. Vetëm kur do që të shpjegojë përse ka vepruar ashtu ose kështu, ahere vetëm ndjen nevojën që të shfaqë parimin moral të tij. Bile edhe aktiviteti ekonomik i evropianit është i lidhur me këtë bazë. Punët që kanë krijuar kapitalet e mëdha, veprat madhështore që kanë dalë në shesh, nuk janë fituar dhe plotësuar për hir të fuqisë misterioze të jetës; por janë përfundimet të një punimi dhe mendimi sistematik që nuk lë kurrë të shkojë kot as edhe pjesa më e vogël e energjisë njerëzore. Janë piramidat kolosale të ngrehuara dalëngadalë dhe me anën e një përpjekje intensive, të vazhduar dhe të plotësuar, pak nga pak, me zell, me durim e djersë. Gjithashtu edhe vetë monumentet kulurale të Oksidentit s’janë gjë tjetër veçse rezultatet e mendimit sistematik. Këto monumente përbëjnë një tok të “vërtetash” që nuk janë gjetur në udhë, po janë nxjerrë nga themelet e shëndosha të diturisë së shekujve dhe janë marrë nga çdo pjesë e një realiteti, arsyet e të cilit janë të lidhura kurdoherë me rezultatet e tyre. Këto janë edhe virtytet dhe cilësitë karakteristike që lypset të ndajnë Shqiptarin e ri nga Shqiptari i vjetër. Detyra jonë – detyra dhe misioni i djalërisë neo-shqiptare – është të kuptojmë dhe të predikojmë ndryshimet radikale që ekzistojnë në mes të jetës e mendimit oriental dhe të jetës e mendimit aksidental. Ky zë le të dalë nga goja e të gjithë të rinjve me kulturë e me ndërgjegjje: Kemi nevojë për punë sistematike; nuk na pëlqejnë Mballomat! Branko Merxhani Botuar më 1964
Posted on: Sat, 16 Nov 2013 17:27:49 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015