KULLA E BINAK ALISË I RRINË SI PËRMENDORE HISTORISË 1. Ndër - TopicsExpress



          

KULLA E BINAK ALISË I RRINË SI PËRMENDORE HISTORISË 1. Ndër breza qysh te Mulë Osmani i Gjekë Gjonit krijuan një Derë të Madhe të Mulosmanajve, lartangritën një Bajrak të shquem të fisit të Krasniqes, krijuan truall e kulm tri kulla epokale, që po i thërrasim me emnat ma të njoftun në kohët e fundit: kulla e Mic Sokolit (muze), kulla e Binak Alisë,(e persekutueme nga komunizmi), kulla e Sali Manit (muze) ku u mbajt Konferenca e Bujanit (31 dhjetor 1943-2 janar 1944). Secila prej këtyne tri kullave ka një histori me shkrue kryevepra si romani “Mic Sokoli” i Sulejman Krasniqit, po asnjana prej tyne nuk është lartagdhend në memorien e memorialin e letrave shqipe me monografi të veçanta për figura madhore të përmasave epokale si Binak Alia, Sokol Rama, Man Avdia, Shaban Binaki, Zeqir Halili… Po pak rradhë ia kushtojmë kullës së trungut të Binak Alisë,që ndonëse i goditi me bomba ajri fashizmi dhe me eksploziv të luftës së klasave komunizmi, i rrinë si përmendore historisë, sepse ka nxjerrë në ballë të kohës e në rrugëtimin e historisë figura të njoftuna kombëtare. Binak Alia i Fangit ishte një udhëheqës i shquar në luftërat kundër serbëve e malazezëve, në kryengritjet antiotomane, një nga veprimtarët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Njëherash ishte edhe një kryepleqnar, që arriti të krijojnë “Universitetin e Urtisë” me emnin e vet, pasi nga Mitrovica e Shkupi, nga Shkodra e Presheva, vijshin me e marrë këtë “dekan” me “iu nda pleqni”, me iu zgidh juridikisht me fjalë problematika të ullukueme apo të gufuna në rrethana e me shkaqe të ndryshme në mjedise familiare e shoqërore. Populli i ngriti kangë: ... Binak Alia hipi n’kali -Po ku je more Pashë Maxharri? Nuk t’kam thirr e po t’ndali, Për Stamboll kthehu ma i pari Dy djemtë e tij, Qerim Binaki e Shaban Binaki, ia rritën lavdinë kullës së tyne, ban vend në histori. Qerim Binak Alia është një nga personazhet historik të kryeveprës shqiptare "Lahuta e Malcis" e Gjergj Fishtës, sepse u vra duke luftue në mbrotje të Plavës e të Gucisë nga okupuesit malazesë. Shaban Binak Alia, për veprimtarinë e lartë kombëtare e varin në Gjakovë në vitin 1910, bashkë me patriotin tjetër Adulla Hoxha. Zeqir Halil Binaki, i njoftun si luftëtar pa kompromis kundër serbëve e malazezëve, që thuhet se bashkë me Is Boletinin ka marrë pjesë në ngritjen e Flamurit në Vlonë më 1912, vritet nga austro-hungarezët në vitin 1918 në bjeshkën e Gjarpnit të Bujanit në vitin 1918. Ma herët, të paktën që kur Mbreti Zog nga rrëzimi nga pushteti prej kryengritjes së armatosun të Nolit u detyrue të kapërcente kufinin drejt Kosovës dardane, mulosmanajt e kullës së Binak Alisë u lidhën me kryeministrin Zogu e bashkëpunëtorët e tij. Me ardhjen në Shqipëri të qeverisë legale të Ahmet Zogut, me "Triumfin e Legalitetit", më 24 dhjetor 1924, kjo familje, me ma të vjetrin e saj, Ali Binak Alia, u lidh ngushtë, e mbështeti pa kufi dhe i sherbeu me besnikëri brilante epokës së artë zogiste të Mbretnisë Shqiptare. Kur Italia fashiste e okupoi pabesisht vendin tonë më 7 prill 1939, i qëndruen besnik Atdheut, Kombit e Mbretit dhe për të mos iu nënshtrue këmishëzinjve të Romës, emigruen në Sarajevë (Bosnje-Hercegovinë) si major Zenun Ali Binaki dhe toger Malë Shaban Mulosmanaj, me familjet e tyne. Kjo kullë (bashkë me atë të Hoxhaje në Gash të Tropojës) u godit më 8 prill 1941 nga një skuadrilje prej tre aeroplanësh me urdhër direkt nga Roma e Musolinit për besnikërinë e tyre ndaj Mbretit Zog e rezistencën ndaj pushtuesve fashistë italianë. Akademiku, ushtari i Mbretnisë Shqiptare, Ramë Zeqir Mulosmanaj, luftoi heroikisht më 7-8 prill 1939 te Ura e Baçallekut në Shkodër kundër invadionit të fashistëve italianë. Gjatë Luftës Antifashiste vritet me pushkë në dorë, në luftë ballëpërballë me gjermanët, Rrustem Avdyl Qerimi (i Qerim Binak Alisë) Në gjithë trevën dardane kulla e Binak Alisë (Rama) ka mbetun historikisht një derë e mirë për të gjithë brezat e saj të shpërndarë në degëzime nga Tropoja e Shqipëria Etnike deri në Amerikë. 2. Me okupimin e vendit tonë nga sllavo-komunizmi enverian mbi trashëgimtarët e kullës së famshme të Binak Alisë kulçedra komuniste lëshohet egërsisht ndaj tyne, duke i djegun, përgjakun, burgosë, internue e pushkatue barbarisht. Ua dogjën shtëpitë e sekuestruen pasuritë. Në qershorin e vitit 1945 i internuen në Berat e ma vonë në Tepelenë, Lushnje e kampe të tjera të diktaturës komuniste. Në gusht 1946 vritet heroikisht në përleshje me hordhitë komuniste në Gjarpën të Çeremit, majori i zogizmit, Zenun Ali Mulosmanaj, që u hjeksue pas dy viteve qëndrimi në male të Malësisë së Gjakovës e të Kosovës. Gjen vdekjen nga torturat në burgun e Shkodrës më 1948, baba i Abedinit Mulosmanajt, antikomunisti i betuem e mbretnori besnik, togeri i zogizmit, i dituni Malë Shaban Mulosmanaj. Ky toger në rezervë i Zogut qëndroi maleve deri në vjeshtën e vitit 1946 dhe duke besue se sipas një fjale bespremje komuniste se kush nuk i ka lye duart me gjak do të falet „u dorëzue në shtet“ me ndërmjetësinë e oficerit Beqir Ndou, komunistit themelues të PKSH në Tropojë dhe e dërguan në para gjyqit në Kukës. E dënuan me vdekje, mandej ia kthyen në 101 vjet burgim. Në burgun e Shkodrës ishte i burgosun politik së bashku me prof. Sami Repishtin që tani ndodhet në Amerikë dhe vdiq nga vuajtjet e torturave në duart fisnike të “Mjeshtrit të Madh“, kollosit të etnologjisë shqiptare, prof. Ramadan Sokoli. Azis Syl Mulosmanaj, ish kapiten i xhandarrmërisë zogiste, qëndroi maleve si kundërshtar i rregjimit komunist bashkë me Malë Shabanin e Zenun Alinë e të tjerë. U dorëzue, si edhe Mala, me besë të dhanun oficerit të neltë të asaj kohe, tropojasit Beqir Ndou, që tevona u persekutue me burgosje nga komunizmi, i cili ishte kojshi i mirë i familjes Mulosmanaj. U dënue më 10 vjet burg dhe vdes nga keqtrajtimet në burgun e Durrësit në vitin 1950 duke mos lanë asnjë gjurmë ku të afërmit t’ia kërkojnë vorrin, t’ia rivarrosin eshtnat si martir i monarkisë. Nga torturat në burgun e Kolgecajt (Tropojë) teksa e çonin rrugës për në burgun e Shkodrës, në vitin 1953, vdes Sylejman Zeqir Halili, teksa kalonin lumin e Drinit, i lidhun dora-dorë me bashkëvuajtësin e tij, Nuredin Kokrrizi (Gjoçaj), sepse tre oficerë tropojas të sigurimit nuk i dhanë një pikë ujë dhe ata të burgut të Shkodrës e hodhën tek grumbulli i plehrave e kushedi se ku e çuen, po ende edhe sot nuk i dihet vorri. Në Lushnje, i flakun në internim, pas vuajtjeve në burgun e tmerrshëm të Burrelit, në një moshë tepër të thyer, vdes mendimtari i rrallë e kundërshtari i vendosun i të gjitha regjimeve, Avdyl Qerim Binaki, që për veprimtarinë e tij e burgosën austriakët, italianët, gjermanët e ma në fund edhe komunistët e dënuen me vdekje e ma vonë iu kthye me 101 vjet burgim. Vdes në vitin 1954. Në internim, në Tepelenë, në vitin 1950, e humbi jetën tragjikisht, në moshën 11 vjeçare, Shemsedin Çela, vllai i burrave të fismë, Hysen e Musli Mulosmanajt. Myftar Syl Shabani vdes në vitin 1984 në Fang të Bujanit (Tropojë) pas një kalvari jete me tortura në burgjet komuniste. 3. Në vitin 1949 për t’i shpëtue sharrës komuniste enveriane, familjet e Çelë Shaban Mulosmanaj dhe e Can Mal Shaban Mulosmanaj kapërcyen kufinin politik të Shqipërisë dhe emigruen në Kosovë. Në të njëjtin vit u arratis mes flakëve të plumbave e tymit të bombave edhe familja e Muzli Shaban Lushaj. Asokohe Abedin Mal Shabani (Mulosmanaj) ishte 13 vjeç kur kaloi kufinin me familjen e tij, ndërsa Sul Lushaj ishte 22 vjeçar dhe kryente shërbimin ushtarak. Bashkarisht takohen bashkë në vitin 1954 në Podujevë. Dy familjet krijuan lidhje të forta ndërveti, që i mbajtën edhe pas largimit nga Kosova, Zeqa, vllai i madh i Sulës, kishte miqësi të mirë me Can Malë Mulosmanin, vet Sula me Abedinin dhe me të vllain e tij, Sami Mal Shabanin, Tahiri ma së forti me Hysen Çel Shabanin etj. 4. Në vitin 1952 vdiq në Nju York mbretnori Çelë Shaban Binaki (Mulosmanaj). Në vitin 1984 vdes në Nju York, Can Mal Mulosmanaj, i vllai i Abedinit, atdhetar i pamposhtun i Shqipërisë Etnike dhe mbretnor i flaktë i çdo kohe. Në dhjetor të vitit 1995 vdes në moshën 61 vjeçare në Nju York mbretnori i pavdekshëm Hysen Çelë Mulosmanaj që mbi dy dekada ish antar i KQ të OKLL-së dhe disa herë nënsekretar i Përgjithshëm i saj që ka kryesue disa kongrese të legalitetit në mërgim dhe të 12-tin në Atdhe, që për vite me radhë drejtoi gazetën " Atdheu" në mërgim e prej një dekade punoi në radion "Zani i Atdheut" në Nju York – organ i Oborrit Mbretnor Shqiptar. Ka botuar tre libra me poezi e poema. Kritika shqiptare e ka vlerësuar përkrah pendave ma të shqueme të emigracionit shqiptar antikomunist. Në vitin 1999, nga një sëmundje e papritun, në një moshë të re, vdes në Nju York, Skënder Hysen Mulosmanaj, antar i afërt i Gardës Mbretnore të Mbretit Leka I dhe shoqnues i Mbretit Leka I në Atdhe më 1997 dhe i Ministrit të Oborrit Mbretnor, Abedin Mulosmanaj, gjatë turneve nëpër Shqipëri më 1993 e më 1996. 5. Nga dera e shquar e Binak Alisë, nga një familje e tillë monarkiste, vjen e lartësohet emni, jeta e vepra e të paharruemit Abedin Mulosmanaj, që lindi në vitin e parafundit të Mbretnisë Shqiptare të Zogut të Parë, që përjetoi okupacionet fashiste të periudhës së Luftës së dytë Botërore që në moshë të vogël shtatë vjeçare, filloi të provojë e sakrifikojë nëpër kampet e internimit të komunizmit të egër e gjakatar në berat e në Tepelënë (1945-1951), që në një moshë mbi 13 vjeçare merr rrugët e emigracionit politik në Kosovë (RSFJ) e tevona në Amerikë. Abedin Mulosmanaj shkollën fillore e atë unike i përfundoi në internim nga Berati në Tepelenë e në Kolgecaj të Tropojës e në vitet 1951-1958 Gjimnazin e Naltë të Gjakovës ku spikati zgjuarsia e talenti i tij i veçantë. Në vitet 1960-1963 punoi arsimtar në Istog të Pejës, ku edhe shtypi i Kosovës flet për arritjet e tij në mësimdhanie e në edukimin e brezit të ri. Iu deshën përpjekje të mëdha familjes së vllaznisë së tij edhe kërkesa të vazhdueshme për t’ia mundësue vazhdimin e Fakultetit Ekonomik në tregtinë e naltë të jashtme në Prishtinë, ku arriti rezultate të shkëlqyera, por detyrohet të ndërpresë studimet pasi mërgata shqiptare e Mulosmanajve në emigracion shpërngulet nga Podujeva e Kosovës (RSFJ) në SHBA, me iniciativën e OKB-së. Në nantorin e vitit 1967 Abedin Mulosmanaj në moshën 29 vjeçare ndeshet me një realitet tjetër: me realitetin amerikan dhe i gjen të ndezuna ndjenjat e nacionalizmit shqiptar në një numër shumë të madh bashkatdhetarësh monarkistë e legalistë. Punon editor i gazetës "Atdheu" për një vit, nga 1976-1977, ku dha një kontribut të lartë në gazetarinë shqiptare, në çështjen e nacionalizmit, të luftës kundër komunizmit e mbi të gjitha në propogandimin e jetës dhe veprimtarisë kombëtare të Mbretit Leka I e të OKLL-së. Në gushtin e vitit 1977 thirret në Oborrin Mbretnor në Spanjë pranë NM Tij, Leka I-Mbret i Shqiptarëve, ku për besnikëri e kontributet e tij, në vitin 1979 emnohet Ministër i Oborrit Mbretnor Shqiptar, detyrë të cilën e kreu me sukses të plotë e në nivele të larta për 23 vite me radhë. Në vitin 1978, për katër muej me rradhë, Abedin Mulosmanaj ka qëndrue në një anije në ujërat ndërkombëtare në Ngushticën e Korfuzit, prej të cilës lëshonte trakte të futura në qeska plasmasi e ato lundronin drejt brigjeve shqiptare, ku i bëhej i njohun popullit shqiptar formimi i Këshillit Ushtarak për Çlirimin e Shqipërisë Etnike me në krye Mbretin Leka I dhe i apelohej për luftë kundër komunizmit enverian. Në vitin 1977, Abedin Mulosmanaj me disa atdhetarë e sëbashku me ekuipazhin e anijes "Mujo Ulqinaku" organizuan një aksion për prerjen e kabllit telefonik nënujor, që lidhte Italinë me Shqipërinë komuniste për të tërheqë vëmendjen e opinionit botëror dhe veçanarisht atij perëndimor mbi dhunën e genocidin komunist mbi popullsinë shqiptare. Besnikëri të lartë e sakrifica të drejta ka krye Abedin Mulosmanaj në vitin 1979, kur Qeveria e Spanjës, me ndërhyrjen e huaj, ndërmori aktin e largimit të Mbretit Leka nga Madridi për veprimtarinë e tij kombëtare e ndërkombëtare për Shqipërinë Etnike e kundër regjimit komunist në Tiranë, por edhe gjatë qëndrimit të përkohshëm të Mbretit Leka në Rodezi për 11 muej dhe gjatë qëndrimit në Afrikën e Jugut nga viti 1980 e derisa ndrroi jetë në mbasditen e të shtunës të 16 shtatorit të vitit 2000 në Nju York të SHBA.
Posted on: Sun, 15 Sep 2013 17:30:03 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015