Kohët e fundit u botua në Itali “Antologjia e Letërsisë - TopicsExpress



          

Kohët e fundit u botua në Itali “Antologjia e Letërsisë shqipe” nga Shtëpia Botuese “Luigi Pelegrini”. E zgjedhur dhe e përgatitur nga prof. Nasho Jorgaqi, ajo përfshin letërsinë shqipe nga shekulli i XVIII e deri në fund të viteve 80 të shekullit të XX. E përfaqësuar në krye nga poezia popullore, lënda e antologjisë ndjek vijën historike të zhvillimit të saj nga letërsia e vjetër në letërsinë e Rilindjes dhe nga letërsia e Pavarësisë në letërsinë e Pas luftës Vështrim mbi letërsinë shqipe* Shqiptarët, ndonëse janë një nga popujt më të vjetër të Evropës dhe gjuha e tyre i takon të jetë pasardhëse e ilirishtes së lashtë, letërsia shqiptare, për shkak të kushteve të vështira historike, ka lindur përgjithësisht me vonesë. Shkrimet e para në gjuhën shqipe, me sa dihet deri më sot, janë të shekullit të pesëmbëdhjetë, kurse libri i parë shqip, “Meshari” i Gjon Buzukut u botua më 1555. Por ka mendime të studiuesve se gjuha shqipe është shkruar shumë më herët, megjithëse për hir të së vërtetës duhet thënë që mungesën e një letërsie të shkruar në jetën shpirtërore të popullit shqiptar e ka zëvendësuar letërsia orale. Folklori shumë i pasur dhe me vlera të shquara artistike tregon qartazi shpirtin krijues të shqiptarëve, botën dhe psikologjinë e tyre si një popull me shpirt krijues, vital e liridashës. Në fakt letërsia shqipe gjatë mesjetës së vonë do të përfaqësohej nga një anë me vepra të shkruara latinisht, në gjuhën e kulturës së kohës, siç janë veprat e humanistëve shqiptarë, të M. Barletit, M. Beçikemit, Marulit etj. dhe nga ana tjetër, me vepra në gjuhën shqipe të një plejade letrarësh patriotë. Kësaj plejade do t’i përkasin letrarët P. Budi, F. Bardhi, P. Bogdani etj., që zhvilluan veprimtarinë e tyre krijuese në prozë e poezi dhe i hapën rrugën letërsisë së vërtetë shqipe. Themi letërsisë së vërtetë shqipe se letërsia artistike do të nisë në fillimet e shekullit të XIX, me zhvillimin e lëvizjes kombëtare për Çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit osmanë. Në këtë kohë, në diasporë dhe në Shqipëri do të lindë shtypi dhe do të botohen libra që do të hedhin themelet e letërsisë kombëtare shqiptare. Vepra e parë madhore e kësaj letërsie do të jetë poema “Milosao” e poetit arbëresh Jeronim de Rada, botuar në Napoli në vitin 1836. Gjithë veprat që do të botohen më pas deri në 1912, kur Shqipëria do të fitojë pavarësinë, do t’i takojnë një periudhe letrare që njihet nën emrin letërsia e Rilindjes. Kjo letërsi është një letërsi kryesisht patriotike, me nota luftarake dhe frymëmarrje romantike. Kryefjala e saj do të jetë liria e atdheut, emancipimi shpirtëror i popullit, lartësimi i kulturës, progresi estetik. Në ballë të letërsisë së Rilindjes do të prijë poeti Naim Frashëri, i cili me poezinë e vet lirike dhe epike u bë poeti kombëtar i popullit shqiptar. Në kuadrin e letërsisë së Rilindjes do të krijojnë shkrimtarë si A Zako – Çajupi, F. Konica, Asdreni, F. Shiroka, G. Dara, Z. Serembe etj., të cilët dhanë vepra me vlera të shquara ideoartistike. Letërsia e kësaj periudhe ishte kryesisht letërsi poetike. Proza sapo do të bënte hapat e parë si prozë publicistike, historike dhe më pak si prozë letrare. Po kështu dhe dramaturgjia do të japë veprat e para pioniere. Me çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit e huaj dhe krijimin e shtetit shqiptar, letërsia do të hynte në një periudhë të re zhvillimi (1912-1939). Traditat e shquara në lëmin e poezisë do të çoheshin më tej nëpërmjet krijimtarisë së pasur të poetit të shquar Gjergj Fishta dhe të poetëve të tjerë si N. Mjeda, F. Noli, L. Poradeci, A. Asllani, V. Prenushi etj. Në këtë periudhë letërsia do të shënonte një hop cilësor me lindjen e romanit shqiptar në dekadën e dytë të këtij shekulli me romanet e N. Nikajt, F. Postolit, Z. Arapit dhe më pas me ato të H. Stërmillit e S. Spasses. Nga ana tjetër, në lëmin e prozës do të ndjehet një ngritje e nivelit të tregimit. Ky lloj letrar do të kualifikohet artistikisht sidomos nëpërmjet tregimeve të M. Kutelit dhe E. Koliqit. Në qendër të letërsisë gjatë periudhës së Pavarësisë, nuk do të jetë më tema patriotike, por ajo sociale. Problemet e mprehta shoqërore do të gjejnë një trajtim realist në krijimtarinë, sidomos të një brezi të ri letrar, që vjen në letërsi. Ky është brezi i letrarëve realistë , që i çeli horizonte të reja ideoartistike letrave shqipe. Në ballë të kësaj plejade do të qëndronte poeti dhe prozatori i talentuar Migjeni, i cili, megjithë jetën tepër të shkurtër, la gjurmë të thella dhe ndikoi në rrjedhat e letërsisë moderne shqiptare. Në këtë rrugë, për një drejtim realist të letërsisë shqiptare, krijuan letrarët e rinj si P. Marko, N. Bulka, Dh. Shuteriqi, G. Pali, A. Çaçi etj. Janë interesante dhe eksperimentet letrare që u bënë në këtë kohë për të krijuar korelacione me rrjedhat dhe fenomenet që zhvilloheshin në letërsinë evropiane, sidomos me simbolizmin, neorealizmin etj. Letërsia shqipe gjatë periudhës së Pavarësisë bëri përpjekje të suksesshme për të dalë nga kuadri krahinor, për të thelluar dhe konsoliduar tiparet e veta që kish fituar nga koha e Rilindjes si një letërsi kombëtare. Me pushtimin fashist të Shqipërisë dhe në kushtet e rezistencës antifashiste, letërsia shqiptare nuk do të qëndronte indiferente, përkundrazi, ajo do të merrte pjesë aktive, duke u kthyer në një armë lufte. Marshet dhe këngët kushtruese, skicat luftarake, skeçet dhe humori stigmatizues do të jenë shfaqjet karakteristike të letërsisë së kësaj kohe. Mbi këtë bazë, më pas, në vitet e çlirimit kombëtar e shoqëror do të zhvillohet letërsia shqipe me tipare të reja, si një letërsi realiste. Sigurisht, rruga që ndoqi kjo letërsi, në kushtet e një shteti monist, qe e vështirë e me pasoja, sidomos në prirjet politizuese, tendenciozitetin e njëanshëm, skematizmin etj. Por, edhe pse në këto kushte, letërsia shqipe gjatë afro pesë dekadave (1944-1990) njohu pjekurinë e saj, u konsolidua dhe u afirmua me autorët e veprat e veta më të mira si një letërsi me vlera të nivelit evropian. Të gjitha gjinitë letrare, proza dhe poezia, dramaturgjia dhe letërsia dokumentare njohën zhvillime të gjithanshme. U zgjerua dhe u thellua tematika, u krijuan tipa dhe karaktere sociale, u përdorën teknika të reja letrare, shprehja artistike njohu variacione nga më të ndryshmet. Për herë të parë u krijua gjuha letrare kombëtare shqipe dhe mbi bazën e saj u shkrua një letërsi e gjerë. Poezia shqiptare, e cila kish një traditë të shkëlqyer, u pasurua më tej në gjysmën e dytë të këtij shekulli me vlera të reja artistike, me individualitete të fuqishme krijuese, me tipare origjinale. Kësaj letërsie i takon poezia e D. Agollit, I. Kadaresë, F. Arapit, Dh. Qiriazit për të vijuar më tej me atë të më të rinjve si B. Londo, Xh. Spahiu, A. Istrefi etj. Por treguesi më i mirë i pjekurisë së letërsisë shqiptare është ecuria e mbarë e prozës, zhvillimi i gjithanshëm i saj. kjo ka gjetur mishërim në tregimin, që fitoi cilësi të reja estetike në pendën e një vargu autorësh si Dh.S. Shuteriqi, Sh. Musaraj, N. Prifti, F. Ballanca, Z. Çela, E. Kadare etj. Por lartësitë më të mëdha që arriti letërsia shqiptare në këta vjet s’ka dyshim janë në fushën e romanit. Nuk është fjala këtu për rrethin e gjerë të shkrimtarëve që u morën me këtë gjini, me numrin e madh të romaneve të botuara, se sa me krijimin e disa veprave romaneske me nivel të lartë ideoartistik. Në mes romancierëve si D. Agolli, J. Xoxa, S. Spasse, A, Abdihoxha, F. Gjata etj. dallon talenti i madh i Ismail Kadaresë. Romanet e tij përbëjnë një kapitull me merita të veçanta në letërsinë shqiptare. Me këtë autor, të përkthyer në dhjetëra gjuhë të botës, letërsia shqiptare është përfaqësuar me dinjitet të plotë para opinionit të huaj. Romanet e Kadaresë janë një enciklopedi e jetës dhe e historisë së shqiptarëve, e botës së tyre shpirtërore, e njeriut shqiptar në kohë të shkuara dhe në kohën e sotme. Kjo është arsyeja që kritika e huaj e ka çmuar lartë dhe vepra e tij ka gjetur jehonë të gjerë në masën e lexuesve nëpër botë. Tabloja e letërsisë së sotme shqipe është e gjerë, komplekse dhe ç’është më e rëndësishme, ajo është gjithnjë në zhvillim e ndërrim e sipër. Brenda saj gjejmë procese ideoartistike, që flasin për lidhjet e saj me jetën, me ndryshimet historike që kanë ndodhur e po ndodhin. Kjo shpjegon dhe faktin që, brenda një shoqërie pluraliste, letërsia po fiton një frymëmarrje më të gjerë, si dhe diversitët konceptesh ideo-estetike dhe variacione trajtash e shprehjesh nga më bashkëkohoret. Libri që po merr në dorë lexuesi italian e sidomos ai arbëresh, përbëhet nga disa prej faqeve të bukura të letërsisë shqiptare, ku përfaqësohen periudha e drejtime të ndryshme letrare, autorë të kohëve të shkuara dhe bashkëkohorë. Jemi të bindur se kjo përmbledhje, që nuk ka qenë e lehtë të përgatitet dhe s’i ka shpëtuar subjektivizmit, do të mirëpritet nga lexuesi i nderuar. Së fundi duhet thënë se antologjia është përgatitur nga mesi i viteve 90 dhe përfaqëson kryesisht letërsinë shqipe nga shek. XVIII deri në fund të viteve 80 të shek. XX. Periudha postkomuniste është shoqëruar nga procese të reja ideoartistike në letërsinë shqiptare, të cilat do të jenë objekt i një tjetër antologjie Prof. Nasho Jorgaqi * Parathënie e “Antologjisë së letërsisë shqiptare”
Posted on: Tue, 05 Nov 2013 14:16:44 +0000

Trending Topics



div class="stbody" style="min-height:30px;">
GETTING TO GENERATIONAL WEALTH Anyone who is employed pays taxes.
Dear Pretty, Please accept our heartfelt thanks for your
****TONKER IS ON THE PUBLIC LIST & NEEDS YOU NOW!**** TONKER
La familia cubana de Picasso Un bisnieto del abuelo del célebre

Recently Viewed Topics




© 2015