Komuna e Istogut nxjerr nga puna paligjshëm kandidatin Florin - TopicsExpress



          

Komuna e Istogut nxjerr nga puna paligjshëm kandidatin Florin Dreshajn 2013-10-01 në orën 4:03.MD Mosvazhdimi i kontratës së punës si mësimdhënës i gjuhës gjermane në shkollën e mesme “Haxhi Zeka” në Istog, ndaj aktivistit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Florin Dreshaj, njëherazi kandidat për Kryetar të Komunës së Istogut, përbën shkelje të gjitha normave ligjore dhe rregullave që janë fuqi. Sipas Ligjit të Punës, konkretisht dispozitave të nenit 71 par. 2 është e paraparë se në çdo rast të ndërprerjes së marrëdhënies së punës nga ana e punëdhënsit, i njëjti është i obliguar që të njoftojë të punësuarin për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, në këtë rast mos vazhdimin e kontratës së punës, të paktën 30 (tridhjetë) ditë para ndërprerjes së marrëdhënies së punës. Në rastin konkret, punëdhënësi nuk e ka njoftuar Florin Dreshajn për mosvazhdimin e kontratës së punës dhe në këtë mënyrë ka ardhur deri te cenimi i së drejtës në afatin e njoftimit lidhur me ndërprerjen e marrëdhënies së punës. Në anën tjetër, duhet pasur parasysh se Drejtoria për Arsim dhe Kulturë pranë Komunës së Istogut gjatë sistemimit të normave të orëve për mësimdhënie ka vepruar në mënyrë diskriminuese. Për 57 orë të lëndës së Informatikës, Drejtorati i Arsimit dhe Kulturës në Komunës e Istogut kishte shpallur konkurs me 02.08.2013 për 4 vende të lira të punës. Duke e pasur parasysh që një normë mësimdhënie e plotë është prej 20 orëve, i bie që për 57 orë të lëndës së Informatikës mjaftojnë 3 mësimëdhënës. Konkursi ishte i padrejtë për 4 vende, kurse për më tepër kjo rëndohet pasi për 3 vende të lira tashmë për Informatikë janë punësuar 5 mësimëdhënës. Për të arritur normën e orëve për mësimdhënësit e punësuar nxënësit janë obliguar të marrin lëndën e Informatikës si lëndë zgjedhore.Ndryshe nga kjo, për lëndën e gjuhës gjermane ku janë të parapara gjithsej 24 orë, që tejkalon normën e plotë, për arsye të mos plotësimit të normës së plotë Florinit nuk i është vazhduar kontrata e punës. Është e nevojshme të ceket se e përzgjedhura për mësimdhënie në lëndën gjuha gjermane, edhe në aspektin e kualifikimit ka përvojë pune katër vite, e në anën tjetër nuk është kandidate për titullin master. Marrja parasysh e stazhit të punës është një nga kriteret kryesore për përzgjedhjen e kandidatëve për mësimdhënie, gjë e cila vërtetohet edhe me udhëzimin administrativ 17/2009 Procedura e zgjedhjes së personelit arsimor në shkollë, ku sipas dispozitave të nenit 4 par. 2 theksohet se: “Komisioni për zgjedhjen e personelit arsimor do ti shqyrtoj të gjitha kërkesat e Kandidatëve, dhe në bazë të kritereve (shkalla e përgatitjes profesionale, rezultatet në punë, përvoja e punës në arsim, nota mesatare etj) do të përpilohet një listë e ngushtë prejtre(3) kandidatëve për intervistë.” Siç shihet, edhe drejtori i SH.M.L. e poashtu edhe drejtori i drejtorisë komunale për arsim nuk kanë marrë parasysh kriteret bazë për përzgjedhjen në mes të dy të punësuarve për lëndën e njëjtë, dhe në këtë mënyrë kanë krijuar rrethanë të bazuar për diskriminim mbi bazën e pikëpamjes politike. Poashtu, në procesin e përzgjedhjes së mësimdhënësve, duke përfshirë edhe punësimin e mësimdhënësve të rinj, nepotizmi si kriter informal është evident në mënyrë të dukshme. Kështu që, njëra nga të përzgjedhurat për mësimdhënie të lëndës së informatikës është në lidhje familjare me drejtorin e drejtorisë komunale për arsim e në anën tjetër nuk është e kualifikuar për lëndën e Informatikës. Zhvillimi i procedurës së përzgjedhjes sipas gjitha rrethanave faktike dhe juridike është në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Arsmimin Parauniversitar, Neni 36 par. 3, sipas të cilit Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teksnologjisë duhet të marrin masa me të cilat sigurohet se : “mësimdhënësit janë të mbrojtur nga diskriminimi i drejtpërdrejtë ose i tërthortë për arsye reale apo të supozuara siç janë gjinia, raca, gjendja martesore, orientimi seksual, ngjyra, feja, pikëpamjet politike apo të tjera; prejardhja kombëtare, etnike apo sociale, përkatësia ndaj një komuniteti etnik, nevojat e veçanta, pronësia, lindja apo rrethana të tjera.” Duke qenë se, në procesin e zgjedhjeve lokale që do të mbahen me 3 nëntor të këtij viti, Florin Dreshaj është kanidat i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, për kryetar të komunës së Istogut mos vazhdimi i kontratës së punës përbënë rrethanë diskriminuese. Ne i bëjmë me dije Drejtoratin e Arsimit dhe Kulturës në Istog që të gjitha shkeljet dhe padrejtësitë jo vetëm në rastin e Florin Dreshaj por të gjitha rastet do t’i luftojmë deri në fund. Për këtë ne kemi dërguar një ankesë në “Sektori i Inspekcionit të Arsimit – Pejë” me 26 shtator. Në rast të mosmarrjes së vendimit të drejtë, që nënkupton kthimin në vendin e punës të Florin Dreshaj, ne do të dërgojmë lëndën në gjykatën kompetente. Në fund Drejtoratit për Arsim dhe Kulturë në Istog dhe drejtuesve të komunës që udhëhiqet nga LDK, i bëjmë me dije që cfarëdo shantazhi nuk do të mund të ndal përpjekjen e Florin Dreshaj, të asnjë aktivisti të Lëvizjes Vetëvendosje! e as të qytetarëve për angazhimin tonë për ta ndryshuar këtë pushtet i cili ka degraduar secilën sferë të shoqërisë dhe për ta ndryshuar atë një komunë të zhvilluar e të drejtë. 1 tetor 2013 Lëvizja VETËVENDOSJE!
Posted on: Tue, 01 Oct 2013 16:59:05 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015