LDK-ja do ta konservojë tërësisht “Prishtinën e - TopicsExpress



          

LDK-ja do ta konservojë tërësisht “Prishtinën e Vjetër” Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Komunës së Prishtinës, akademik Isa Mustafa, fushatën e tij parazgjedhore të dielën ua ka kushtuar projekteve të ekipit të tij qeverisës për vlerat e trashëgimisë kulturore, historike dhe arkitektonike të kryeqytetit të Kosovës, duke prezantuar projektin për konservimin e pjesës së vjetër të Prishtinës. Gjatë vizitës në Hamamin e Prishtinës, kryetari Mustafa ka theksuar se edhe pse nuk ka qenë përgjegjësi e komunës, gjatë mandatit të kaluar qeverisës është investuar për realizimin e projekteve të cilat po ia kthejnë Prishtinës imazhin e një qyteti me vlera historike dhe të trashëgimisë kulturore e shpirtërore. “Ne kemi realizuar projekte të shumta restaurimi të objekteve, sikur është Hamami i Prishtinës, pastaj Xhamia e Qarshisë ose, siç njihet ndryshe, Xhamia e Gurit etj. Në mandatin tjetër do ta përfundojmë projektin për konservim të tërësishëm të pjesës së vjetër të qytetit të Prishtinës”, ka thënë kryetari Mustafa. Sipas tij, një pjesë e Hamamit të Prishtinës, renovimi i të cilit do të përfundojë së shpejti, do të shndërrohet në “Muze të Neolitit”, ndërsa pjesa tjetër do të mund të përdoret për ngjarje të ndryshme kulturore, të cilat do të organizohen në Prishtinë. “Pjesa e vjetër e Prishtinës është specifike për nga arkitektura, prandaj projektet e ekspertëve tanë do të mundësojnë që ato t’i ruajnë vlerat e traditës arkitektonike. Të gjitha objektet e vjetra do të ruhen, ndërsa do të ndërtohet edhe një shesh, i cili do të jetë një vend atraktiv për vizitorët e kryeqytetit të Kosovës”, tha Mustafa, duke falënderuar edhe partnerët si Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve, të cilët po i mbështesin projektet për ruajtjen e trashëgimisë kulturore e historike të Prishtinës. Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Avdullah Hoti, ndërkaq, duke e prezantuar projektin për konservimin e pjesë së vjetër të qytetit, tha se për realizimin e tij janë angazhuar një grup ekspertësh, të cilët në propozimet e tyre kanë pasur parasysh përfshirjen e të gjitha elementeve që do ta kompletonin një zonë që do të jetë atraktive dhe do t’i ruajë vlerat e trashëguara. “Kemi angazhuar një grup ekspertësh, për pjesën e vjetër të qytetit, e cila fillon nga rruga “Agim Ramadani” deri te Gjimnazi “Sami Frashëri”. Ideja është që ta krijojmë një qendër historike, kulturore dhe të trashëgimisë, atraktive, e cila do t’i japë Prishtinës jo vetëm karakterin e një qyteti modern, por edhe një qytet atraktiv dhe me vlera historike dhe kulturore”, tha Hoti. Në këtë zonë shtrihen tetë objekte të trashëgimisë kulturore: Xhamia e Qarshisë, Shatërvani, Muzeu i Kosovës, Xhamia e Jashar Pashës, Xhamia e Mbretit, Hamami i Madh dhe një shtëpi e vjetër, e cila pati shërbyer si ish-objekt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Projeti do të fillojë të relizohet më 2014.
Posted on: Sun, 06 Oct 2013 22:25:26 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015