Libra të lexuem – Dasma – Martin Camaj per I. Kadarenë - TopicsExpress



          

Libra të lexuem – Dasma – Martin Camaj per I. Kadarenë (Roman i ri i Ismail Kadare-s) Në «Nëndorin» Nr. 8 të këtij vjeti duel ky roman i ri i Kadares si «variant’ e shkurtuar». Kadarja na përshkruen nji darsëm të sotshme në Shqipni shi në «valën e revolucionit kulturor» shqiptar që ka për qëllim luftën kundra fesë e zakoneve prapanike. Këtë qëllim ka dhe romani i Kadares. Qe, përmbledhja: afër nji stacioni hekurudhor, që ende s’ka emën sepse âsht ndërtue para pak kohe, ndër do baraka zhvillohet darsma e dy të rive me prejardhje të ndryshme. Martohet Xheviti, teknik i specializuem në mon­time maqinash, nga Tirana me Katrinën, nji vajzë nga malësia, e cila mbasi erdh si akcioniste në hekurudhë, prishi fejesën me burrin e caktuem prej prind­vet. Xheviti ka shum miq e dashamirë, që i ka njohtë anë e kand republikës, tue shetitë prej nji vendi në tjetrin kudo që u ndërtue nji fabrikë ase kombinat, sepse çdo teknik i tillë âsht … montator, zog shtegtar i pesëvjeçarëve… si thohet në nji kangë të re, dalë tash së fundit si krijim populluer në mënyrë anonime. Montatorët janë të thirrun në darsëm, prandej ata qyshë prej orëve të para të mbas drekës së asaj të diele me shi mbrrijnë grupe grupe, dikush me tren, dikush me maqina. Në darsëm vjen dhe i jati i nuses, nji «malësor i gjatë me kokë të lidhur me shami». Ai vjen në darsëm ma tepër për të pa situatën, për t’u hakmarrë ndoshta. Nëqese ai kishte ardhë me qëllim hakmarrje, malësori si njeri kanuni, nuk duhej të pinte raki në atë darsëm, as s’do të shtinte gjâ në gojë. Nuk e di a e ka ditë këtë rregull Kadarja. Plaku pin pra raki në darsëm të së bijës. Ai nuk qet fjalë për goje, vren atë darsëm të çuditshme, që nuk i përngjante darsmës së tij, ba para nji gjysëm shekulli në malësi në mes burrave të kanunit. I sillen ndër mend dhe ngjarjet e jetës së tij, vrasjet e të vëllazënvet, ngurrimi i tij për të marrë gjaqet e tyne, që shënon përjudhën kur bota ja nepte kafen ase gotën e rakisë tue ja kalue për nën gju. Nji ditë shkon te prifti për t’u këshillue; dhe ai âsht i mendimit që malësori të marrë gjak sepse dhe ai ja nep kafen tue ja kalue për nën gju. Dhe kështu gjak­merret. Në vendin e barakavet, ku bahet kjo darsëm me nuse pa vel, do të ngritet nji qytet i ri, prandej aty do të hyjnë në jetë zakonet e reja. Shkrimtari S.K. e ndien në ajr përleshjen e së resë me të vjetrën. Këtë konflikt Kadarja na e paraqet nëpërmjet të përshkrimit të darsmorëve në nji anë dhe malësorëve në anën tjetër, të cilët janë pa në stacionin e pa emën. Mbas hamendjes ata kanë ardhë të bijnë gjak në këtë darsëm. Asgjamangut njerëzit e kanunit, këta «të jashtëm», janë të pa organizuem: kanë humbë njeni tjetrin në terrin e asaj natë me shi, tue u ngatrrue në shinat e hekurudhës. Shkesi (shkuesi) i fejesës së Katrinës në malësi, «njeriu me lungë», ai ma i rrezikshmi i të gjithëve, para se me ikë, prish nji shinë për të shfry idhënimin. Ne e nesre montatorët, kur shkojnë me marrë trenin për të kthye e dalë në vendet e veta, diktojnë shinën e prishun. Ata shpërvjelin mangët dhe mbrenda pak kohe e ndreqin damin e bamë. Trenit i duhet me pritë vetëm gjashtë minuta. Krejt kërcnimet e anmiqvet kanunorë deshtojnë: kanë pengue trenin (marshimin e të resë?) vetëm gjashtë minuta. Kjo âsht trama. Por Kadarja nuk i mëshon tramës; ai krejt peshën e romanit e mbështet në tipat që marrin pjesë në darsëm, të cilën ai – mbas çka kuptoj – e merr si simbol të nji momenti të ri në zhvillimin e shoqënisë shqiptare. Prandej përpiqet të na para­qesë darsmorët: montatorët Soda Kaustike (mbiemni i nji tekniku), Dhori, roja e natës Xha Shurko nga Laberia, Rudi etj.. Në darsëm janë dhe vajzat Pranvera dhe Mira. Këtë të fundit e lidh nji kujtim i keq me këtë vend, ku do të ngritet qyteti i ri: aty afër eksistonte nji teqe bektashish, ku Mira paska pasë ardhë para disa vjetësh e paska pasë kalue nji natë. Atë natë dervishët paskan pasë dashtë ta përdhunojnë. Këtu rastësisht vjen e mbaron nji bashkëpunëtor shkencor prej Institutit të Folklorit të Tiranës. Kjo âsht e para herë që shkencatari del prej kabinetit të vet e bjen në kontakt me popull, prandej s’ka ma të voglën ide se në ç’kohë jeton. Ai ka punue të tanë jetën me skeda, ku janë të shënueme të dhanat folkloristike shqiptare. Din për mendësh të gjitha tipet e darsmave shqiptare si dhe me qinda dollish. Asht fanatik dhe zotdalës i zakoneve dhe i dokeve dhe natyrisht si i tillë dëshiron që ritualet e darsmave të gjallnojnë gjithnji në popull. Edhe veshja e tij me kapotë të zezë e me borsalin âsht anakronike. Mbasi dejet, kapotën dhe kapelën ja përdorin pa të keq punëtorët për skeçët, që losin në nji skenë të improvizueme. Nji ndër idenat që shkrimtari këtu don të bâjë të qartë âsht: ata që nuk ecin krahas me kohën dhe rendin e ri shoqënuer, vetvetiu do të bijnë poshtë: rrugë të mesme nuk ka. Kadarja âsht i mendimit se dhe format letrare tradicionale duhen ndrrue dhe nuk ngurron ta quej «reportazh» veprën e vet letrare. Karakteristike për idenat e shkrimtarit janë copat që po i bijmë këtu poshtë: «Shkrimtari i ri S.K. dhe një gazetar, që kish ardhur bashkë me të, rrinin pranë njerës prej hyrjeve dhe vështronin dasmën, që posa kish filluar. Gazetari po i thoshte shkrimtarit S.K. se fenomenet e reja shoqërore sjellin ndryshime në ritet e një populli, por me sa duket esenca e ritit mbetet e pandryshueshme dhe ndryshon vetëm ana e tij e jashtëme. Gazetari ndodhej me shërbim në kantjer dhe kish për të shkruar nji reportazh për ndërtonjësit e fabrikës. - Mua më duket e kundërta, - thoshte shkrimtari, - mua më duket se ndryshon pikërisht esenca dhe mbetet e pandryshueshme deri diku ana e tij e jashtëme. - S’ka si të jetë kështu, - tha gazetari, - shiko për shëmbëll këtë dasmë. …………………. - Dasma e parë e një qyteti, që po lind, ja kjo vetë është një ide e bukur për reportazhin tënd - tha shkrimtari. …………………… - Por më duhet të shkruaj për ndërtonjësit, për punën. Kështu e kishim në plan në redaksi. - A nuk është njëlloj? - e nderpreu shkrimtari, - a nuk janë këta ndër­tonjësit, heronjtë e punës, montatorët, hidraulikët, karpentierët. Ja, i ke të gjithë nëpër tavolina, në valle tek banaku i bufes. - Ja dëgjo, këngë për Letrën e hapur - tha gazetari. - Po. Populli i kap gjërat shumë shpejt. Por në këtë gjë, veç shpejtësisë, duhet nji konceptim i ri i gjërave. Situata është kaq e gjallë dhe interesante, ka kaq shumë tema dhe probleme sa të vjen mendja vërdallë. E di ç’do të thotë kur shkrimtarit i vjen mendja vërdallë? - E marr me mend, - tha gazetari. - Kurse ne nganjëherë presim që gjërat «të kristalizohen» - vazhdoi S.K. - Ne mbajmë një distancë të caktuar nga ngjarjet. Ky është shkaku që në librat tona ka më shumë letrarizëm arkaik se sa jetë të gjallë. Realiteti duhet kapur menjëherë, sepse në fund të fundit ai nuk është as verë, as dru kompesatoje, që duhet të staxhionohet. Gazetari qeshi. - Ne edhe lexonjësit i kemi mësuar keq, - tha shkrimtari. – Nëqoftëse unë, për shëmbëll, do të futja në një roman këto bisedat tona në këtë dasmë, ma merr mendja që ndonjë lexonjës do të mblidhte buzët. Me siguri kanë për t’iu dukur jo si biseda romani, por si biseda reportazhi, sepse ai është mësuar keq dhe për këtë kemi faj ne». Në këtë bisedë çeken disa koncepte themelore të nji zhvillimi shoqënuer dhe artistik të kohës së sotshme në Shqinni. Ndër të tjera kemi përsëri çashtjen e përherëshme të ndërlidhjes së përmbajtjes me trajtë. Gazetari âsht i mendimit se «esenca» që âsht përmbajtja, ata çka shpreh nji ritual, mbetet. Riti âsht sjellja e jashtme, pra trajta që mbas mendimit të gazetarit ndrron. Shkrimtari nga ana tjetër âsht i bindun se esenca ndrron dhe riti mbetet. Nuk do mend shum të kuptohet se tue u mbështetë përvoja në nji zhvillim të natyrshëm shoqënuer dhe artistik, përmbajtja dhe trajta (esenca dhe riti) në lëvizjen e tyne të përhershme qindrojnë mes inovacionit dhe konservimit, prandej herë herë esenca e vjetër mund të na paraqitet në nji rit të ri dhe riti i ri ndër rasa tjera bâhet veshja e jashtme e nji esence së re. Koha i harmonizon. Qindrimi i shkrimtarit S.K. përnjisohet me qindrimin zyrtar: luftë kundra fesë e dokeve prapanike. Në këtë mes shkohet ma larg: luftë kundra esencës dhe ritit, kundra parimeve të Kuranit dhe të Ungjillit dhe kundra sjelljeve të jashtme fetare. Fakt për këtë të fundit: shëndrrimi i ndërtesave fetare në vatra kulture. Edhe kanuni i Lekës ase i Zhulit shtihet në nji thes me kristianizëm dhe islamizëm. Nga ana tjetër dihet se kanuni âsht në kundërshtim me shekuj me këto dy besime. Si e kuptoj unë këtë «variante të shkurtuar» të romanit të Kadares këtu kemi ngatrrim parimesh kanunore me ato fetare. Nga ana tjetër injorohet fakti se tiparet dalluese të karakterit shqiptar së pakut të fshatarsisë, si në Jug si në Veri, e kanë burimin në ato doke. Këtu âsht nji dramë e gjallë, prandej ka të drejtë Kadarja kur shkruen se ky âsht nji moment me randësi për shkrimtarin, don me thanë ka landë të mjaftë, por dhe nji përgjegjësi para njeriut, para atij malësori të thyem në thalbin e karakterit të tij. Por Kadarja atij tipi s’don me ia qa hallin, megjithse secili nesh si shqiptar ka diçka të tij: mburrjen, qindresën për të qenë gjatë shekujve ai që âsht. Shkrimtari S.K. thotë në nji vend: «më dhimbet ai malësor», por në atë rasë si t’i thohet nji malësori vetëm aq, kishte me e ndie veten edhe ma të fyem. (Shêjzat, 1967, XI, fq.469-472)
Posted on: Fri, 13 Sep 2013 01:00:53 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015