Lufta ndaj katolikëve, realitet shtetëror Nga Agron PREBIBAJ - TopicsExpress



          

Lufta ndaj katolikëve, realitet shtetëror Nga Agron PREBIBAJ Naimi, Konica dhe Kadare: Vëllezër shqiptarë, hidheni vështrimin nga Europa e Krishterë. Vendosa t’a trajtoj këtë realitet të shtetarëve jo në pozicionin e shefit të shtypit të PDK – së, as si kryetar i një shoqate Demokristiane por si një qytetar i këtij vendi. Së pari po e nis me këtë mesazh: Ne katolikët, nuk jemi qeraxhinj në arën tonë, (kjo arë është Shqipëria), por jemi punëtorë të përjetshëm, na shoqëron historia me forcën, besën, qëndresën, guximin, maturinë, durimin, arsimdashjen, atdhedashurinë, luftërat e drejta, etj., e bëjnë katolicizmin prijës e kollos kombëtar. Mora shkas nga shkrimi i z. Ndriçim Balla në gazetën “Panorama” (datë. 10. 06. 2013) i cili e trajton si normale, largimin e padrejtë të Gjeneralit Sandër Lleshi, si dhe letrën e Arqipeshkëvit Imzot Rrok Mirdita, drejtuar gjeneralit dhe familjes së tij. Nuk do të ishte ndonjë gjë e jashtëzakonshme nëse vetëm në një rast mund të ndikohej një shtetar, por kjo nuk është vetëm kaq. nuk është as e para as edhe e fundit, e them këtë me bindje dhe me argumenta pa i përmendur të gjitha, pasi nuk do të ishte e udhës për të ndikuar te shoqëria shqiptare. Disa shtetarë i kanë përdorur katolikët në disa pozicione kyçe për të justifikuar veten ndaj opinionit publik, por në veçanti ndaj ndërkombëtarëve. I tillë ishte pozicioni i kryeparlamentarit njëherë i përdorur Mandela i nderuari Pjeter Arbnori më pas i braktisur edhe si deputet, vazhdon tani znj. Topalli e cila po spostohet më shpejt se duket, kurse me Ilir Metën – kryeministër largimi pas 29 ditësh i ministrave Zogaj dhe Preçi, i pangopur me kaq, Meta në 2002 vazhdoi dhunë e terror policor ndaj Partisë Demokristiane e Kryetarit të saj z. Sokol Frroku duke ja rrëmbyer partinë me forcë. Nuk është i rastësishëm largimi në mënyrë brutale i intelektualit mirditor z. Zef Brozi, nga kreu i Gjykatës së Lartë (Kasacionit). Nuk ishte aspak rastësi lufta për t’i rrëmbyer Partinë Demokristiane z. Nard Ndoka nga fraksionistë e individë të paguar e të manipuluar, nuk është rastësi vjedhja e një mandati të sigurtë të deputetit Nard Ndoka në Shkodër, nuk ishte rastësi vrasja e kryetarit të PDK-së, dega Malësi e Madhe, z. Aleks Keka, nuk është rastësi krijimi i disa partive Demokristiane, nxitur nga struktura shtetërore me qëllimin e vetëm “përça e sundo”. Nuk mund të them se kemi tradhtarë, pasi edhe Jezu Krishtin e tradhtoi Juda, Gjergj Kastriotin e tradhtoi Hamzai por kurrë s’do të ndodhte kjo pa dorën e fortë të zezë antikatolike të makinës shtetërore. Pa u zgjatur me shembuj të tjerë do veçoj z. Sandër Lleshi, shkaku i këtij opinioni dhe z. Zef Brozi, të dy janë mirditorë të shkëlqyer në jetën dhe veprimtarinë e tyre, burra që nuk u përulën para pushtetit, por kanë punuar e vepruar drejt paçka se padrejtësia ju preu rrugën por jo jetën dhe familjen, ndaj dhe unë do t’u përulem për respektin që kam për ta. Ata janë mirditorë prej aty ku qëndresa e rezistenca u bënë frymë për kombin duke u pasuar veçanërisht në zonat katolike si në Pukë, Nikaj – Mertur, Dukagjin, Malësi e Madhe dhe me djepin e kulturës shqiptare, Shkodërlocen. Katolikët kanë historinë, shtetarët anti-vehtes. Dihet se të gjithë shqiptarët kemi qenë të krishterë katolikë, madje një popull i lashtë me histori mjaft të pasur. E veçanta mbetet gjuha e përbashkët, e cila na rendit si komb në vendet e para. Edhe Presidenti ynë z. Nishani, para 14 brezash (350 vjet) ishte katolik, edhe kryeministri ynë z. Berisha para 10 brezash (250 vjet) ishte katolik edhe ish – kryeministri Meta para 300 – 350 vjetësh ishte katolik. Po përse këta harrojnë origjinën e tyre, përse harrojnë identitetin historik kombëtar? Çdo njeri duhet të jetë krenar për origjinën, aq më tepër kur ajo është e mirë por fatale dhe e mjerë është të braktisësh historinë e babës, gjyshit, stërgjyshit, katragjyshit… origjinën, ç’ka do të thotë se ekziston një fondamentalizëm islamik i maskuar në kohë moderne. Fati na ka ndihmuar dhe kemi nxjerrë kollosë të përmasave botërore; kemi Gjergj Kastriotin (jo Skënderbe siç i thoni ju o shtetarë), shumë më i respektuar nga Vatikani e fuqitë perëndimore sesa Garibaldi - heroi kombëtar i Italisë; kemi Nënë Terezën e njerëzimit, humanistja më e madhe e botës në shekullin e 20 –të. Të dy këta janë katolikë të përmasave botërore. Kemi Gjon Buzukun me mesharin shqip, Pal Engjëllin me gërmat e para shqipe, historia e parë e Marlin Barletit, veprat e Frano Bardhit, Pjetër Budit dhe Pjetër Bogdanit, kuvendin e Arbnit në 1700 në kujdesin e Papa Klementi Albani XI, në rilindje Pashko Vasa, Ndre Mjeda, më pas Migjeni, në visarët e kulturës shqiptare vjen Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta, Ernest Koliqi hapi shkollat e para shqipe në Kosovë, ndërsa Vinçens Prendushi- u bë simbol i besimit tek zoti. Të gjithë këta janë katolikë ore zotërinj shtetarë, kundra origjinës tuaj. Për 500 vjet, asnjë mysliman nuk shkroi, nuk foli, as luftoi, veçse u pajtua me pushtimin turk duke përfituar prona e duke ju shërbyer me devotshmëri, e ne asnjëherë nuk u mërzitëm por qëndruam duke i konsideruar vëllezër. I pari mysliman që filloi të shkruajë (duke e quajtur veten bektashi) ishte Naimi i madh nga Stambolli, ku asokohe thërriste: “Dielli ngroh andej nga perëndon”. Kurse Konica e Kadare e pasuan me thirrjen: “Vëllezër shqiptarë hidhni vështrimin nga Europa e krishterë”, mesazhe këto që i orientojnë shqiptarët në krah të perëndimit, në krah të kombeve të qytetëruara duke apeluar larg nga lindja. Për tu njohur shteti shqiptar nga kancelaritë perëndimore, menjëherë u vunë në veprim mendjet katolike, Luigj Gurakuqi-Sekretari i komitetit të shpëtimit të Shqipërisë 1911; Dom Nikoll Kaçorri - zv. Kryeministër i parë i shtetit shqiptar 1912; Ded Gjon Luli ngriti flamurin në 1911 në Deçiç (Mal i Zi); më pas Gjergj Fishta; pa mohuar kurrë oborrtarin e Turqisë Ismail Qemalin; kurse për Hasan Prishtinën e Isa Boletinin, kemi përuljen e respektin para veprimtarisë kombëtare të tyre. Me regjimin diktatorial të E. Hoxhës, katolikët kanë qenë më të goditurit, pushkatime për gjithë burrat e ditur, burgime e internime për familjet e mëdha, klerikë katolikë të pushkatuar shumë më shumë sesa myslimanë, kishat katolike u rrënuan, kurse xhamitë shumë më pak (shembull është xhamia në qendër të Tiranës), pra me plot gojën duhet theksuar se katolikët nga regjimi u trajtuan të dorës së dytë duke mos ju besuar asgjë me rëndësi madje edhe asokohe pati gjeneral Beqir Ndoun nga Lekbibaj të burgosur. Me fillimin e lëvizjeve demokratike të gjithë studentët katolikë e kanë përqafuar atë pa përjashtim, në të gjitha zonat katolike në zgjedhjet e para 1991, ka fituar bindshëm PD, duke humbur në të gjithë Shqipërinë, fakte këto kokëforta ku katolikët provojnë disidencën e tyre ndaj diktaturave. I theksova këto por as 2 % e realitetit për t’u treguar shtetarëve kushdo qofshin se ne i dimë por nuk duam t’i trazojmë gjërat, pasi ne e dimë fare mirë se i krishteri e myslimani jemi vëllezër të një gjaku pa dallim feje e krahine. Shqiptarët e dinë mirë origjinën e tyre nga vijnë, si janë dhe qysh janë. Ne jemi komb i mrekullueshëm. Jam krenar se jam shqiptar, pastaj jam krenar se jam katolik. Zoti i bekoftë shqiptarët. Wednesday, June 12, 2013 - 11:17 - See more at: sot.al/opinione/lufta-ndaj-katolik%C3%ABve-realitet-shtet%C3%ABror#sthash.jnXJ4WvY.0AiFvuys.dpuf
Posted on: Wed, 12 Jun 2013 19:34:37 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015