MARRËDHËNIET KOSOVË-SHQIPËRI! Dioptria bardh e zi Shifrat - TopicsExpress



          

MARRËDHËNIET KOSOVË-SHQIPËRI! Dioptria bardh e zi Shifrat e shkëmbimit tregtar vërtet janë përfitimi kryesor i Maqedonisë, por nuk duhet anashkaluar përfitimet e sektorit të shëndetësisë nga shërbimet që u bëhen kosovarëve, përfitimet e tregtisë me pakicë dhe konsumit familjar e individual, e deri te përfitimet e gastronomisë e hotelerisë në Maqedoni nga kosovarët, të cilët – për habi – edhe takimet e bizneseve midis vete i bëjnë në Shkup! Disa herë më parë i kemi shtjelluar këto marrëdhënie në kontekst ekonomik, por jo në një ambient të kontaminuar si lufta e “fundit” tregtare, e cila edhe pse për nga kohëzgjatja ishte e shkurtër, për nga efekti psikologjik ishte shumë produktive. Asokohe kemi konstatuar se varësia ekonomike e Maqedonisë është komplekse në raport me Kosovën, por kjo më shumë e analizuar nga këndvështrimi sasior i bilanceve. Në fakt, marrëdhënia ndërshtetërore, posaçërisht e shteteve me shumë relacione strukturale të varësisë, duke filluar nga ajo kulturore, kombëtare, familjare, ekonomike,… në fund sintetizohet në marrëdhënie komplekse politike. Ky kompleksitet doli në pah në luftën njëjavore tregtare, pavarësisht motivit, arsyes dhe pasojave që pati ajo. Çështja ishte tejet serioze dhe e komplikuar për t’u trajtua në debate banale mediale. Por, ja që “ra ky mort dhe u pamë”, thotë Kadareja në një nga romanet e tij. Në këtë shtjellim teza qendrore që parashtrojmë është kompleksiteti i kësaj marrëdhënie që kërkon menaxhim më të sofistikuar seç ndodhi. Gjërat nuk janë aq të thjeshta që të shtjellohen vetëm në dioptrinë “bardh e zi”, e aq më pak jo si i trajtuan politikëbërësit zyrtarë, pothuaj të të dyja palëve. Besoj që ata ta kenë mësuar leksionin nga kjo sjellje dhe ajo të mos përsëritet më, së paku jo në versionin “u dridh mali e polli një mi”! Gati një dekadë më parë (2004-2005), në një hulumtim të marrëdhënieve ekonomike të Maqedonisë me Kosovën, kam marrë pjesë në një konferencë shkencore ndërkombëtare në Universitetin e Trakias në Edrene të Turqisë, ku kemi konstatuar se marrëdhëniet intensive ekonomike përcaktojnë edhe trendin e përmirësimit të marrëdhënieve politike. Këto marrëdhënie kanë qenë në muajin e “mjaltit” në kohën e qeverisë së Buçkovskit në Maqedoni, edhe pse tajmingu politik ishte në kujtesë të freskët të “paternalizmit” kosovar ndaj luftës sonë në Maqedoni. Asokohe ka qenë edhe shkëmbimi tregtar rekord (mbi 450 mil. euro në vitin 2004), edhe pse ky indikatorë akoma nuk raportohej statistikisht nga pala maqedonase. Por, t’i analizojmë së pari rrethanat dhe sjelljet e “palës maqedonase” në këtë aventurë tregtare. Asaj edhe kësaj radhe, si duket, nuk i doli “hesapi i shtëpisë në pazar”! Ajo, edhe pse në varësi ekstreme tregtare nga Kosova, nuk mbajti llogari para se ta bëjë vendimin për ndalesën e importit të miellit, që si vendim pastër ekonomik edhe mund të jetë i arsyeshëm. Indeksi i mbulesës së importit me eksport në marrëdhënien Maqedoni-Kosovë për vitin 2012 ishte 1.375, pra rreth 14 herë më shumë eksport se import (me Gjermaninë ky indeks është 185, me Bullgarinë 70,0 me Serbinë 61 dhe Greqinë 23). Në shifra absolute kjo marrëdhënie shkon në 421 milionë $ amerikanë eksport dhe vetëm 28,5 milionë $ amerikanë import. Pas Gjermanisë, Kosova është partneri i dytë tregtar për nga vëllimi dhe struktura e eksportit, kurse partneri i fundit tregtar për nga vëllimi dhe struktura e importit. Këto indikatorë për periudhën janar-korrik 2013 kanë një tendencë rënëse të konsiderueshme, megjithëse shënimet nuk janë definitive! Indeksi i mbulimit të importit me eksport është 938, pra vetëm 9,3 herë më shumë. Trendi i zvogëlimit është përreth 40% në favor të rritjes së indekseve të vendeve të tjera në regjion (me Gjermaninë 215, me Bullgarinë 95, me Serbinë 53 dhe Greqinë 36). Nga ky krahasim i trendit rezulton se zvogëlimi indikativ është me Kosovën dhe Serbinë. Kjo nënkupton se Maqedonia, si vend importi për Kosovën, gjithnjë e më shumë zëvendësohet me Serbinë. Këtë llogari si duket nuk e kanë bërë politikanët e Maqedonisë kur e vendosën Kosovën në të njëjtën “pako” të vendimit për ndalesë importi nga regjioni! Kjo tendencë ka qenë e paralajmëruar (bile edhe nga autori këtij artikulli) në po këtë revistë disa muaj më parë, në kontekst të përmirësimit të marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë dhe vazhdimin e politikës injoruese të Maqedonisë ndaj Kosovës! Një aspekt tjetër i patrajtuar i palës maqedonase është mosnjohja e mentalitetit “kosovar” në vendimbërje karshi sllavëve. Si duket ata nuk i njohin mirë “kosovarët” edhe pse partnerët shqiptar ë të koalicionit është dashur t’ua tërheqin vërejtjen për këtë (mbase ata vazhdojnë të mbeten “outsajder” edhe në vendimbërje të tilla). Mentaliteti “kosovar” për rezistencë dhe sakrificë kolektive dallon dukshëm nga ai i shqiptarëve në Shqipëri. Ne, shqiptarët e Maqedonisë, gjithnjë në kontekst pozitiv, shpesh themi se “kosovarët” e plasën dhe e shporrën qafe Millosheviqin e lëre më Gruevskin! Kjo duket pak sa e karikaturuar, por është shumë e rëndësishme në vendimbërje të tilla. Duhet pasur në konsideratë dhe respekt për vendosmërinë e kosovarëve që mos ta durojnë statusin indiferent, por edhe krenarinë e tyre kolektive. Personalisht kam shumë simpati në këtë përcaktim, ngase ndryshe mbijetesa në procesin e shtetëformësisë do ishte e vështirë. Nëse jo Gruevski ose Peshevski, këtë duhej ta dinte dhe konsideronte së paku Saraçini, i cili e banalizoi çështjen në një debat medial. Megjithëse për një javë shumë individë dhe familje e vuajtën aventurën e palës maqedonase për mbyllje hermetike të kufirit, shumica dërmuese (nëse jo dominuese) e kosovarëve arsyetonin vendimin reaktiv të qeverisë së tyre. Së treti, shifrat e shkëmbimit tregtar vërtet janë përfitimi kryesor i Maqedonisë, por nuk duhet anashkaluar përfitimet e sektorit të shëndetësisë nga shërbimet që u bëhen kosovarëve, përfitimet e tregtisë me pakicë dhe konsumit familjar e individual, e deri te përfitimet e gastronomisë e hotelerisë në Maqedoni nga kosovarët, të cilët për habi edhe takimet e bizneseve midis vete i bëjnë në Shkup! Këto dhe shumë aspekte tjera përditë e më shumë i sjellin infuzion ekonomik Maqedonisë. Këto frekuentime, sado qofshin të pastrukturuara, akoma vendit i sjellin shumë më shumë benefite se kosto për të sjellë një vendim për të bllokuar lëvizjen e lirë të njerëzve! Këto janë përcaktime integruese të Maqedonisë. Kjo është platforma e partisë së integrimeve në qeveri? Në këtë aspekt ranë maskat dhe dolën në shesh shumë gjëra edhe për ata që nuk e kanë ditur pafuqinë e ndikimit politik të shqiptarëve në qeveri. Përpjekjet “donkishoteske” për t’u faktorizuar përmes ndërmjetësimit me Greqinë për çështjen e emrit dhe titujt bombastikë të pamfleteve partiake se lideri i subjektit shqiptar në qeveri së bashku me kancelaren Merkel paskan qenë kundër “ndarjes së Kosovës”, nuk janë gjë tjetër vetëm se nënçmim i inteligjencies kolektive të shqiptarëve në Maqedoni! Militantët e miopët e klaneve partiake edhe mund t’u besojnë këtyre aventurave, por jo edhe publiku i gjerë, aq më pak sot në erën e komunikimit masiv! Në anën tjetër të medaljes sjellja e “palës kosovare” ishte e pakoordinuar në një vendimbërje kaq komplekse! Pa u lëshuar me këtë rast në motivet dhe divergjencat e strukturave të koalicionit në qeverinë kosovare në prag të fushatës për zgjedhjet lokale të fillimnëntorit, sjellja e institucioneve të Kosovës nuk ishte, bile edhe politikisht, konzistente. Kjo e lëkundi përcaktimin dhe përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës. Nuk luhet me shtetin si në “bingo”! Shtetbërja ka tjetër filozofi dhe kod të komunikimit. Retorika e “diktatorit të fundit të Ballkanit” për kryeministrin e Maqedonisë ishte më tepër për konsum ditor politik sesa për trajtim të një çështjeje komplekse. Ja që shumë shpejt doli se me diktatorin e fundit të Ballkanit nuk u takuan, por ama me endje gjithë ditët telefonuan! Populizëm edhe patriotizëm sipërfaqësor në dëm të shumë individëve dhe familjeve që humbën lidhjet e fluturimeve nga Shkupi, humbën seancat dhe takimet mjekësore dhe, shumëkush, pamundësinë për t’i takuar familjarët matanë kufirit. Kush do t’i kompensojë këto humbje dhe sakrifica? Të mençurit mësojnë nga gabimet e tjerëve, edhe pse mësimi nga pësimet tona mbahet mend më gjatë. Nëse “pala kosovare” ka mësuar leksionin nga kjo aventurë e institucioneve të Maqedonisë, atëherë duhet të ndërtojë strategji politikisht konsistente për ta mbrojtur interesin shtetëror dhe kombëtar dhe të dihet se kush vendos e kush flet për vendime të kësaj natyre strategjike. Këtu s’duhet të ketë natyrë inatesh personale, partiake e, aq më pak, klanore e konjunkturale! Këto kritere nuk i njohin standardet e marrëdhënieve ekonomike ndërkombëtare. Institucionet e Kosovës e dinë (ose duhet ta dinë) se çfarë sistemi dhe kapaciteti shëndetësor, çfarë varësie ekonomike regjionale dhe ndërkombëtare, çfarë lidhje infrastrukturore dhe kulturore…, kanë krijuar, ndërsa të gjitha këto duhet konsideruar para se të sillen vendime të njëanshme, qoftë edhe krejtësisht të arsyeshme, siç konsiderohet ky i fundit, që ishte rezultat reaktiv dhe i imponuar nga “pala maqedonase”. Efekti psikologjik në luftën tregtare pa dyshim i takon palës kosovare. Ajo është në proces shtetformësie dhe duhet të dëshmojë vendosmëri për të parandaluar një sjellje tjetër aventuriere, pavarësisht a do ishte nga ky fqinj apo dikush tjetër! Vetë fakti i hezitimit se kush do “lëshojë pe i pari” në tërheqje vendimi (që u menaxhua mirë nga Kosova), tregon se lufta më shumë ishte psikologjike sesa ekonomike. Të mos harrojmë kompleksin dhe krizën e identitetit të shtetit maqedonas, që edhe pse, së paku në moshë, është më “i moçëm” dhe më i pjekur, përsëri duhet pasur parasysh se ata vetëm me fqinjët shqiptarë (Shqipëri dhe Kosovë) deri tani s’kanë pasur ndonjë çështje strategjike të hapur, përveç çështjes së të drejtave të barabarta të shqiptarëve, por që në asnjë mënyrë dhe në asnjë rast nuk janë “kushtëzuar” nga fqinjët! Madje, kur para dy dekadash Maqedoninë e bllokuan në boshtin “veri-jug” ishte Shqipëria ajo që ia hapi korridoret pa kurrfarë kushtëzimi, edhe pse ka pasur shumë nevojë për një gjë të tillë (së paku ndjenja e shqiptarëve ka qenë dhe mbetet e tillë). Është e vërtetë se të ardhmen duhet ta ndërtojmë duke u bazuar në të tashmen, por pa e harruar historinë! Prandaj duket se fenomeni i luftës tregtare nuk ka qenë vetëm “bardh e zi”, edhe pse kryesisht e tillë ishte qasja në menaxhimin e tij! Ab
Posted on: Wed, 16 Oct 2013 07:42:45 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015