MBI MITIN 25 Korrik 2013 Nga Arben Idrizi Mos u frikësoni - TopicsExpress



          

MBI MITIN 25 Korrik 2013 Nga Arben Idrizi Mos u frikësoni të debatoni. Me guximin për të debatuar mendjet e ndritura kanë arritur bile edhe ta shpallin vdekjen e Zotit. Nëse e kemi vdekur Zotin, pse s’do të mundkemi t’i interpretojmë mitet, përtej versionit zyrtar të frymës totalitare?! S’ka gjë të keqe. Vetëm çlirim të mendjes. Me gjasë ka një debat të pambarim mbi atë nëse, parashtruar në një mënyrë (paksa) diletante, duhet t’i themi ose jo gjërat që i dinë ata të cilëve iu drejtohemi. E kjo pak ashumë, gati në mënyrë arbitrare, përjashton mundësinë që t’iu drejtohemi atyre që s’i dinë. Ose, thënë ndryshe, lë të nënkuptohet se ata që s’i dinë o janë të prirë për nga natyra për të mos i kuptuar kurrë, o edhe për arsye të tjera s’duan t’i kuptojnë kurrë. Ngjan sikur nuk na bëhet vonë nëse dhe pse e kanë gjetur veten në pozitën e lexuesit të tekstit tonë, nëse e kanë kuptuar apo do të donin ta kuptonin, nëse ndajnë me ne bindjet dhe qëndrimet tona, nëse kanë për të kundër(shtuar), përmirësuar, plotësuar, apo diçka tjetër. Lukiani ka te ‘Karoni dhe vëzhguesit’ një dialog të mrekullueshëm në lidhje me dilemën e parashtruar në krye. Karoni është ngjitur lart në tokë për të parë se si dreqin jetojnë njerëzit sa janë gjallë dhe pse dreqin vajtojnë kur shkojnë në atë botë. Në një moment të vizitës, Karoni pyet Hermesin nëse do të kishte dobi t’i këshillonte njerëzit që t’i vënë gishtin kokës për... Që t’i bie trup, po e jap atë pjesë duke e cituar fjalë për fjalë. »Hermesi – O i dashur, ti s’e di që nga Padituria dhe nga Gënjeshtra ata janë katandisur në një gjendje të atillë që as me turjelë nuk ua hap dot veshët, aq shumë i kanë të zënë me dyllë, tamam si Odiseu që ua zuri veshët shokëve me dyllë nga frika se mos dëgjonin këngën e sirenave! Ku të dëgjojnë ata, edhe sikur ti të pëlcasësh së thërrituri! Sepse atë punë që mund ta bëjë te ju Leteja, këtu e bën Padituria. Po prapëseprapë ka ndërmjet njerëzve një numër të vogël edhe nga ata që nuk i kanë mbyllur veshët më dyllë, por që, duke dashur të mësojnë të vërtetën, i vënë re gjërat me kujdes dhe e dinë sa vlejnë ato. Karoni – Atëherë, a t’u thërrasim së paku këtyre? Hermesi – Edhe kjo është e tepërt: t’u thuash një gjë që e dinë vetë! Shiko se si rrinë të mënjanuar nga turma dhe qeshin me punët që bëhen në botë. Duke mos qenë aspak të kënaqur me këtë, ata kërkojnë të ikin nga kjo jetë dhe të vijnë te ju. Dhe kanë të drejtë, sepse të tjerët i urrejnë nga shkaku se ata ua vënë ne dukje marrëzitë që bëjnë.« (Lukiani, Vepra të zgjedhura, përkthimi Bujar Doko, ‘Naim Frashëri, Tiranë, 1979). E megjithatë, ka të tjerë që janë të mendimit se prapëseprapë duhet t’i themi gjërat që i dinë ata të cilëve iu drejtohemi ashtu si edhe, kur është nevoja, gjërat që i kemi thënë më parë; ngase për një gjë që përsëritet ne kemi zakonisht një qëndrim të vetëm, ama njerëzia sheh gjënë që ndodh në momentin e caktuar, por mundet të mos jetë në dijeni të mendimit tonë të dhënë tashmë për të. “Ideja” ime është se një autor e gjen vetë se kur si të sillet. Kur nuk ia vlen të harxhohet mund e kohë për ta thënë dhe për ta thënë atë që tashmë është thënë, e kur ia vlen. Në këtë rast, për këto gjëra, ia vlen që ç’ke me të. Që të mos krijoj keqkuptime, unë nuk pretendoj, siç nuk kam pretenduar kurrë, se tani jam duke folur nga pozita e atij që e ka të vërtetën (si Karoni) dhe ata të cilave iu drejtohem (ata në breg, duke qeshur me marrëzitë e vdekatarëve të tjerë), sado që e dinë atë të vërtetë, kanë nevojë për zërin tim, nga frika ose nga ndonjë arsye tjetër. Ashtu siç nuk pretendoj se ata që nuk kuptuan çfarë doja të them në tekstin e fundit, janë të verbër e të shurdhër dhe unë qenkam ai që do t’iu bëjë tani dritë a do t’ua çlirojë veshët e zënë me dyllë duke ua thënë një të vërtetë.Banale të jepen këto sqarime, por ja që duhet ndonjëherë. Qoftë edhe nga respekti për injorancën. Pra, shumë nga gjërat që do t’i them në vijim, pothuajse i kam thënë ndër vite sa kam shkruar në Gazeta Express. Disa nga gjërat që i kam thënë në tekstin e fundit, ‘Mbi vrasësit e tjerë’, po ashtu veç i kisha thënë në një mënyrë ose tjetër përgjatë tërë atyre viteve. Ka shumë të ngjarë se do t’i them edhe përgjatë shumë viteve të tjera në vijim (nëse vrasësit, cilëtdo qofshin, nuk e bëjnë punën e tyre edhe me mua). *** Teksti ‘Mbi vrasësit e tjerë’ kishte, thënë thjesht, dy shtylla përmbajtjesore mbi të cilat mbahej: një “listë” të vrasësve dhe një paragraf që bënte thirrje për lirinë e interpretimit të një miti. Fatkeqësisht asgjë nga kjo nuk u kuptua nga shumica e lexuesve. Nga respekti për injorancën, dëshirën dhe nevojën për sqarime, do të përpiqem në vijim të bëj një tautologji kaq të “kërkuar”. Nuk do të zgjatem shumë në kërkim të gjurmimit të arsyeve pse keqkuptimet e mundshme. Sa u përket lexuesve, reagimi i tyre i tillë histerik është i njohur në histori. Gjithherë ato turma reagojnë në atë mënyrë, ndaj tekstesh, qëndrimesh e pikëpamjesh që edhe s’i kuptojnë. Ajo që më bëri të reflektoj më tepër, pa i gjetur derman, natyrisht, është ndikimi i teknologjisë moderne te ta, në këtë rast interneti dhe ngarendja për të komentuar tekste që nuk ia dalin t’i lexojnë. Po ky është argument i fushave të tjera të studimit, të cilave nuk iu përkas. Sall dua të them se, me gjasë, kur s’ka ekzistuar mundësia e komentimit të këtillë tekstual, ka ekzistuar mundësia e komentimit oral, nëpër kafene, rrugë, a kudo që ato turma e kanë hedhur veten nën vrullin e histerisë. Së fundmi: si të arrish të komunikosh me anëtarët e kësaj turme që nuk dinë të lexojnë dhe po ashtu, në këmbëngulje të pandalshme të ta mbyllin gojën, nuk ia dalin mbanë, për shkak të mungesës së arsimimit elementar, ta shkruajnë një fjali të thjeshtë gramatikisht dhe logjikisht korrekt, duke e privuar veten nga mendimi? Dhe nga “shkrimi” i të cilëve e vetmja gjë që arrin me aq mund të kuptosh është se janë në gjendje të të vrasin si qenin? (Do të doja ta risjell këtu në mendje për lexuesin atë vakinë e pabesueshme që na e rrëfen Salman Rushdie te ‘Joseph Anton’. »Banorët e një fshati iranian në afërsi të Detit Kaspik kanë vënë një shpërblim të ri, përfshi tokë, një shtëpi dhe sixhade për kokën e Salman Rushdies. “Fshati Kiyapay do të dhurojë 4500 metra katrorë tokë bujqësore, 1500 metra katrorë kopshte frutore, një shtëpi dhe dhjetë sixhade si shpërblim”, kishte thënë një nëpunës i fshatit. Të dy mijë fshatarët e tij e kanë hapur gjithashtu një numër llogarie bankare për mbledhjen e donacioneve«. [Salman Rushdie: ‘Joseph Anton’, përktheu E. Shqarri, botues Dudaj, Tiranë, 2012]. Çfarë bën i pjesëtarët e një turme të tillë fshatarësh që nuk e kanë lexuar kurrë në jetën e tyre asnjë libër të vetëm dhe gjithsesi kurrë në jetën e tyre ‘Vargjet satanike’, por vetëm paskan dëgjuar nga dikush se autori e paska fyer profetin, ta ndërmarrin një veprim të tillë?). Ky është shqetësim jo vetëm i sotëm. Por jo vetëm me ta. Pas këtij reflektimi, në të vërtetë e kuptova atë që veç e dija: shqetësimin më të madh përbëjnë tërë ata pale doktorë shkencash, intelektualë, filozofë, shkrimtarë që nuk e tolerojnë, nxisin, mbrojnë dhe përhapin mendimin e lirë. *** “Lista” Kur citoja P.P. Pasolinin, ishte për t’ia lënë të nënkuptuar lexuesit “tim” atë që e dinte, pra, se ishim në një rrafsh të gjykimit intelektual, e jo policor, a juridik a çkado qoftë tjetër (dhe kështu, secili me dy palë mend në kokë e di se çdonjëri është në terrenin përkatës të punës së vet). Ky gjykim intelektual, ma ha mendja mua, më “lejon” të jap një vlerësim mbi veprimin e një personi, duke u bazuar në veprimin e tij dhe në bindjen time intime përkitazi me gjënë në tërësi. Mirëpo, e kërkoj që kjo ta ketë vëmendjen tuaj, një pjesë e mirë e asaj “liste”, besojmë a nuk besojmë, e pëlqejmë a nuk e pëlqejmë, ka qenë, është, ose pritet të jetë nën hetime për vrasje nga organet përkatëse. Aspak e vështirë të verifikohet. Mundët që ndonjëri nga “lista” s’ka të bëjë në kuptim të parë të fjalës me akuzën “time”, por për shkak të veprimeve të tjera të mundshme të paligjshme është futur aty. E mundet që dikush tjetër ka “shpëtuar” pa u futur fare. Në paranteza, pothuajse të gjithë këta që janë përmendur në “listë”, kanë qenë, për shkak të veprimeve të tyre ta paligjshme, protagonistë të shkrimeve të mia, sidomos të atyre nën titullin e përbashkët ‘Banditë dhe hajvanë’. Mundet që do të jenë edhe nesër. *** Çfarë dëshiron të na pyesë Seneca kur na pyet se si mund ta përligjim një krim në kohë lufte që s’do ta kishim përligjur në kohë paqeje? Ndër të tjera, se krimi është vetëm krim, pavarësisht rrethanave, kohës, motivit të kryerjes. Do të thotë, ata që kanë vrarë civilë serbë e shqiptarë pas lufte, kanë vrarë civilë serbë e shqiptarë edhe gjatë luftës. Për të njëjtat motive, në rrethana dhe kohë të tjera. Nëse nuk e përligjim vrasjen, nëse nuk e përligjim vrasjen e atyre civilëve në kohë paqeje, nuk do të duhej ta përligjim as vrasjen e atyre të tjerëve në kohë lufte. Po qe se përligjim krimet, vrasjet e civilëve, në çfarëdo kohe, rrethane e për çfarëdo motivi, i bie se edhe për ne rendi dhe ligji, apo edhe urdhëresat fetare, apo thjesht pikëpamjet tona etike e humane, që e sanksionojnë vrasjen, janë sa për sy e faqe dhe ne nuk jemi asgjë më shumë se mbështetës të vrasjes dhe ndoshta dhe vrasës. *** Miti Të mençurit kanë thënë se një problem që mund të zgjidhet me një libër të vetëm, nuk meriton të zgjidhet fare. Kjo sigurisht nuk vlen për ideologjitë politike e fetare, Librat e Shenjtë të të cilave i kanë shkaktuar botës pareshtur me miliona e miliona viktima, çfarë s’kanë bërë as katastrofat natyrore. Njëkështu arsyetojnë edhe “fituesit e luftës” së fundit të Kosovës. Në fakt, qoftë krahu i luftës qoftë krahu i paqes (edhe pse janë shumë të diskutueshëm të dy termat – mbetet debat i hapur sa kishte luftë dhe sa mund të quhet paqësore një lëvizje që kishte krijuar formacionin e saj ushtarak, FARK-un, për më tepër në armiqësi të egër me formacionin tjetër, UÇK-në). Z.Jakup Krasniqi, që ka një titull Prof. Dr. në shkencën e Historisë dhe aktualisht kryetar i Kuvendit të Kosovës, është njëri nga ta. Përtej asaj se çfarë gjuhe ka përdorur ndaj personit tim, mua më shqetëson ai qëndrim prej mbrojtësi të Librit të Shenjtë (që i përmban të gjitha librat e tjerë, prandaj librat e tjerë duhen djegur), prej zyrtari e autoriteti totalitar, që me një fanatizëm dhe dashakeqësi të pafundme shfaq dhe imponon versionin dhe vetëm versionin zyrtar të së vërtetës. Versioni zyrtar, (na) thotë kështu: »...Shaban Jashari me të bijtë, Hamzën e Ademin, dhe me gra, nipa e mbesa bënë heroizëm të paparë, duke u përballur e duke luftuar me ushtrinë e policinë serbe, e cila ishte e pajisur me armatimin ma modern dhe më të sofistifikuar të kohës. Kjo luftë e udhëhequr nga Adem Jashari u bë shembull i qëndresës dhe frymëzim i një populli të tërë për liri e pavarësi« Fehmi Rexhepi, Historia, 9. Forma ‘ma’ dialektore është në tekstin në origjinal. Teksti nuk ka asnjë burim të vetëm referencial. Nuk e dimë ku do t’i ketë marrë të dhënat, sa janë të besueshme, në çfarë forme kishin bërë »heroizmin e paparë« edhe gratë dhe fëmijët 4 vjeç; çfarë nënkuptohet me »armatim modern dhe të sofistifikuar« dhe cili ishte armatimi i palës tjetër; dhe së fundmi nëse kjo përballje si e tillë ishte »lufta« vetë, apo në tërë atë që e quajmë luftë kjo përballje ishte për t’u veçuar. Në fakt, ky version zyrtar “rrjedh” nga “takimet private” të personave të caktuar, “fitues të luftës”, me subjektin e mitit. I tillë është edhe takimi i z. Krasniqi që e përmend në reagimin ndaj tekstit tim, ku thotë: »(Për Adem Jasharin – vrj. ime) familja ishte gjëja më e shtrenjtë e mundshme në këtë botë! Dhe një hakmarrje të tillë (vrasjen e familjes – vrj. ime) Adem Jashari nuk do ta ndërmerrte mbi asnjë familje të botës, pa marrë parasysh përkatësinë etnike. Dhe këtë nuk mund ta dijë askush më mirë sesa unë. Sepse i kam të freskëta dhe s’mund të harrohen dot si kërkesa ime e sinqertë bërë mikut e bashkëluftëtarit Adem Jashari që të qëndronte, të organizonte, së këndejmi edhe të jetonte sa më larg familjes si dhe përgjigjen që kam marrë ndaj një kërkese të tillë nga ai. Një përgjigje të tillë mund ta jepte vetëm një njeri me tipare tepër të veçanta. Adem Jashari ishte me identitet të veçantë! I veçantë ishte si për atdhedashuri, ashtu edhe për guximin njerëzor. Ndoshta faji i tij i vetëm ishte se më shumë se jetën në robëri e donte vdekjen për liri. Dhe këtë nuk e kam dëgjuar e as lexuar ta mohojnë as mendjet më të ndritura të Evropës në veprat e tyre kapitale për dashurinë për jetën, lirinë dhe atdhedashurinë«. Ju, po deshët, mund të merreni edhe me shkarjet logjike dhe gramatikore brenda citatit të dhënë këtu dhe tekstit të tij në tërësi të botuar në gazeta e portale të ndryshme. Ajo që unë dua të vë në pah është se ngarendja për të shkruar Historinë sipas këtij modeli dhe pastaj për ta imponuar si të tillë. Mundet se z. Krasniqi, doktor shkence i historisë, të ketë harruar të na thotë se çfarë i paska thënë A. Jashari, ngase nga ajo që lexojmë në citat, po as nga teksti në tërësi, nuk e dimë. Nuk e citon askund. Ai thotë se »Një përgjigje të tillë mund ta jepte vetëm një njeri me tipare tepër të veçanta«, por nuk e thotë përgjigjen. Nuk e dimë cilën përgjigje. Cila të ketë qenë ajo? Mund ta shkruajmë një roman të verdhë mbi temën. S’ka përgjigje, në të vërtetë? Tamam, anoj të them se nuk ka. Jo, përderisa nuk e gjej(më). Por, jo vetëm me z.Krasniqi. Nuk kemi një përgjigje nga askush për asgjë. Nuk ka asnjë dëshmi për këtë dhe të ngjashmet. Nuk ka asnjë dokument të shkruar, asnjë regjistrim, asnjë protokoll, asnjë procesverbal, asnjë dëshmitar (përveç atyre si z. Krasniqi). Por kjo s’ka rëndësi për shkencën e historisë. Për shkencën e historisë kosovare, me rëndësi është të ndërtohet miti dhe “fituesi i luftës” e ka nderin ta sajojë atë mit në mënyrën që i përshtatet. Miti është e vërteta. Por se a është e vërteta miti, nuk guxojmë të pyetemi. Nuk na e lejon Vëllai i Madh, sepse edhe pse para një minute na tha se jemi në luftë me Oqeaninë dhe në miqësi me Eurazinë, në këtë çast po na thotë se Oqeaninë e kemi mike e Eurazinë armike dhe kështu duhet të jetë. Po ashtu, për kureshtje mund të shihni në Wikipedia zërin ‘Adem Jashari’ në versionet anglisht dhe shqip dhe për atë biografi të shkurtër nuk do të gjeni as edhe një burim të vetëm ku do të mund të verifikoheshin të dhënat. Çfarë nënkupton mbiemri ‘legjendar’ (‘komandant legjendar’)? Termi ‘Legjendë’, sipas FGjSSh (Rilindja, Prishtinë, 1981) ka këtë domethënie: »1) Gojëdhënë. 2) fig. Trillim që përhapet me qëllime të caktuara për dikë a për diçka që nuk i ngjan farë së vërtetës, diçka e pabesueshme«. Më tepër: »legjenda është një lloj i rrëfimit shumë të vjetër, si miti, fabula e përralla dhe është në pronësinë kulturore të të gjithë popujve, i përket traditës gojore dhe në rrëfim i përzien realitetin dhe mrekullinë... Sot fjala legjendë tregon çfarëdo tregimi që paraqet elemente reale por të trasnformuar nga fantazia, që iu kalohen brezave për t’i celebruar faktet apo personazhet fundamentale për historinë e një populli, ose për të shpjeguar ndonjë karakteristikë të ambientit natyror dhe për të dhënë përgjigje ndaj pseve«.(it.wikipedia.org/wiki/Leggenda) Rrjedhimisht, ‘legjendar’ është një person të cilit i vishen të bëma gojëdhënash, që nuk kanë të bëjnë me të vërtetën. Siç e shohim, kemi probleme konceptuale. Jemi në rrafshin e trillimit apo të faktit të mundshëm? Historianë kosovarë, si z.Krasniqi, nuk duan t’ia dinë se ekziston një dallim fundamental mes nocioneve. Nëse jemi te Historia, parimisht, duhet të mbështetemi te faktet e mundshme; të cilat në këtë rast nuk i kemi. Nëse jemi te trillimi, atëherë historianët duhet edhe të ulen dhe të lexojnë se çfarë kanë për të trilluar trilluesit. Përkatësisht, si kanë për t’i interpretuar trillimet (mitet, legjendat, fabulat, përrallat, tregimet) interpretuesit e tyre. »Nuk ka fakte, ka vetëm interpretime«. Bile shpesh »vetëm interpretime të interpretimeve«. Prandaj, thirrja ime ishte që të jemi të lirë të debatojmë me mendje të shëndoshë për diçka që na shqetëson, për diçka që po krijojmë, për diçka që do t’ua lëmë trashëgim pasardhësve tanë, për diçka që si e tillë në esencë është e debatueshme dhe interpretueshme. Ai mit, ishte mendimi im, është i interpretueshëm si çdo mit tjetër. Tendenca për ta shndërruar në mit të paprekshëm, të kapshëm sall përmes një interpretimi të vetëm zyrtar, sipas midesë së pushtetit, “fituesit të luftës”, është totalitare dhe barbare. Është vrasje e të tashmes dhe të së ardhmes sonë. Cili do të mund të ishte interpretimi im (lehtësisht i injorueshëm!)? Ndër të tjera: Për luftën duhen dy palë që e duan luftën, për nga natyra e tyre njerëzore (në formacionet paraushtarake, të tillët zakonisht bëhen drejtues të saj, të renditur në hierarki varësisht nga shkathtësitë, dredhitë, hipokrizitë, banditllëku, etj.). Lufta, për ne të tjerët, është një fatkeqësi njerëzore të cilës duam t’i mbijetojmë; në ndonjë rast instinkti njerëzor na bën t’i mbijetojmë duke e asgjësuar atë që na rrezikon (kur në ne është më i fuqishëm instinkti njerëzor i luftimit), e në më të shumtën e rasteve duke e lëshuar veten në dorën e fatit dhe shpresuar. Në përgjithësi, besojmë se, në një gjendje të tillë ekstreme, prindërit anojnë të japin jetën e vet për ta shpëtuar jetën e bijve të vet; vëllezërit e mëdhenj për vëllezërit e vegjël, motrat e mëdha për motrat e vogla. Jam i prirë të mendoj se një qenie njerëzore, në këtë rast për të atin fëmija i tij, është më e shtrenjtë, më e vlefshme dhe më çmuar se çdo ideal, qëllim, atdhe dhe perëndi. Po e marrim pra si të mirëqenë se në raste të tilla në përgjithësi ka më shumë altruizëm se sa egoizëm (se ka shumë të ngjarë që secila qenie njerëzore të bëjë bile edhe marrëzi vetëm e vetëm që ta shpëtojë veten e vet). E nëse pastaj te persona të caktuar kjo është më e veçuar, mbetet të sqarohet nëse altruizëm si i tillë; altruizëm ndaj një pale të caktuar pa u interesuar për, nëse ka, palën tjetër; altruizëm ndaj një pale në kurriz, me vetëdije, të një pale tjetër të njohur, etj. Pra, që të mbetemi brenda mitit, subjekti i dhënë, “kryeheroi”, “komandanti legjendar” që i flijoi fëmijët, gratë dhe pleqtë, në emër të kujt e bëri këtë? I ishte kërkuar (nga kush?). kishte arsye të qëndrueshme të pranuara nga të tjerët? Personat e moshës minore ishin të vetëdijshëm apo vendimin për sakrifikimin e tyre e mori “kryeheroi”? Ishte vërtet qëllimi i tij t’i flijonte, apo ndodhi që të gjithë mbetën të ngujuar papritur e pa kujtuar? Mendonte se civilët nuk do ta pësonin? Shpresonte që për shkak të fëmijëve, grave, pleqve do të shpëtonte më lehtë? Dëshironte t’i përdorte si ndihmë? Këto e pyetje të tjera janë pa përgjigje. Këto e dhimbje të tjera janë pa ngushëllim për ata që kanë mbijetuar dhe ata të tjerët që bashkëndjejnë. Askush nuk e di saktësisht se çfarë kishte ndodhur aty ato ditë në Prekaz, kur 56 veta përfunduan të vrarë, prej moshës 4 – 96 vjeç. Ajo që dimë saktësisht dhe e dokumentojmë është se ka ndodhur një tragjedi, pra, ku nga forcat serbe kanë vrarë edhe civilë, fëmijë, gra e pleq. Për një tragjedi që na shkaktohet, ne kemi të drejtën të kërkojmë përgjegjësi nga (në këtë rast serbët) kryesit, të dënohen dhe Historia, po qe nevoja ta themi edhe këtë, t’i mbulojë me damkën e turpit. Nëse ne këmbëngulim të themi se masakrimi i tyre ishte i dëshiruar dhe i pranuar edhe nga vetë ne, nëse jo vetvetiu, në momentin e dhënë, atëherë pothuajse i heqim vetes të drejtën të kërkojmë përgjegjësi, të dënojmë kryesit dhe të bëjmë që Historia t’i mbulojë me turp. Siç e keni vërejtur, askush kurrë nuk ka ngritur padi ndaj regjimit serb, apo më konkretisht përgjegjësve të masakrës së tillë. Dhe s’duan ta ngrenë e s’do ta ngrenë. Sepse komandantëve të “listës” dhe doktorëve të shkencës si z.Krasniqi u intereson miti dhe mashtrimi, e jo drejtësia; u intereson heroi mitik e jo viktima e vërtetë civile, fëmijë 4 vjeç. Nuk mund e nuk duhet të kemi viktimat që jemi, duhet të kemi heronjtë që nuk jemi. Kështu, sepse po këmbëngulim te sakrifikimi. Ai lloj sakrifikimi, po qe i vërtetë, tingëllon pothuajse si një lloj kamikazllëku. Krahasimi mund të jetë i paqëndrueshëm dhe i pakëndshëm, ama besoj se e meriton të merret në konsiderim. Prandaj në tërë Kosovën nuk e ke asnjë monument të vetëm që përkujton viktimat civile. Ke me qindra monumente që përkujtojnë heronjtë (edhe pse vështirë të kenë qenë qindra ushtarë në përgjithësi). A ka gjë më makabre, pos vetë krimit? Duke pasur parasysh tërë këto e të tjera, them se ne jemi të hedhur në çelnajën e pafundme të interpretimeve. Mbi flijimin kam folur pak a shumë edhe në tekstin tim ‘Krenari dhe hipokrizi’, botuar më 31 korrik 2012: »Zoti, ma ha mendja, u vu kundër çdo ideje që e përdor qenien njerëzore si mjet për arritjen e qëllimeve kur Abrahamit ia ndaloi ta flijonte të birin për të, e në vend të tij e urdhëroi të flijonte një kafshë. Thënë të vërtetën, edhe flijimi i kafshës për mua është veprim jonjerëzor, ama ky është një muhabet tjetër tani. Pra, as Zoti nuk e denjoi veten ta meritojë vdekjen e një qenieje njerëzore. Tingëllon sikur vetë qenia njerëzore është më e shenjtë se Zoti. Ngase, për të qëndruar brenda diskursit religjioz, kështu deshi vetë Zoti, jo pse deshi vetëm njeriu. Nga mitologjia, Ifigjenia është e vetëdijshme se flijimi i saj është duke u konsideruar nga të gjithë si i nevojshëm për të mirën e vendit, një flijim për një qëllim superior. E megjithatë, ajo e pranon gjithë këtë vetëm duke besuar dhe shpresuar se Artemida në momentin e fundit do ta zëvendësojë me një dre që ta shpëtojë nga vdekja dhe kështu ta bëjë priftëreshë në tempullin e saj. Vdekja e saj do të ishte e kotë, sado që bëhet për një qëllim të caktuar, të cilin nuk e ka përcaktuar as përqafuar ajo vetë, dhe nga një perëndeshë, vendimin e të cilës në esencë nuk e tumir. Jeta e saj, edhe nëse e mbyllur në një tempull, është më e nevojshme, më e vlefshme dhe më e shenjtë se çdo vdekje për çfarëdo qëllimi. S’ka qëllim superior që është më i vlefshëm se ekzistenca e qenies njerëzore. Ky është një mësim i thjeshtë dhe i njohur«. Tani, duke lënë anash Zotin e profetët e tij dhe mitologjinë, problemit mund t’i qasemi edhe duke u nisur nga parashtrimi i ca pyetjeve më intime. Meqë po dëlirojmë deri aty sa të themi se flijimi bën, cili nga ne, patriotë, fetarë, idealistë, do ta flijonte fëmijën e vet për qëllimin përkatës? Fëmijën pesë vjeç, të cilin e kemi sjellë në këtë jetë për ta gëzuar këtë jetë? Cili nga ne, mbështetës të flijimit, do ta flijonim fëmijën tonë për idealet tona, atdheun a Zotin a çkadoqoftë? Nëse dikush nga ne do të flijonte fëmijën e vet për idealet e veta, cilatdo qofshin ato, në kohë paqeje, si do ta trajtonim dhe konsideronim? Nëse atdhedashësit i lejohet flijimi (aq me keq flijimi i tjetrit), pse nuk i lejohet fetarit (flijimi i vetvetes)? Pse standarde të dyfishta? Kjo është arsyeja pse unë pyetesha nëse “kryeheroi” kishte marrë pjesë në vrasjen e tyre me vendimin – sipas versionit zyrtar të mitit, sipas bashkëluftëtarëve të tij, e edhe historianit Krasniqi, se të vërtetën, siç e pamë, nuk e dimë – për t’i sakrifikuar? Ishte pyetje, jo konstatim. Po qe nevoja, e bëj edhe konstatimin. Por, nuk e di të vërtetën. *** Miti si ky yni në përgjithësi sajohet për të mbuluar zbrazëtinë e krijuar nga gjendja reale. Në gjendjen reale, ne, sa duket, nuk e konsideronim veten, duke i parë gjerat me arsye, të zot dhe të gatshëm të përballemi me rivalin, për ne dhe njëmend tmerrësisht të fuqishëm, të zot dhe të gatshëm të na zhbijë nga faqja e dheut me çdo kusht dhe me çdo mjet. Duke sajuar mitin e sakrificës dhe trimërisë së pashoqe nga një tragjedi përmbushjen e së cilës e “bënim sehir” nga larg dhe për ndaljen e së cilës nuk kishim asnjë mundësi të vetme, ne, sa duket, përpiqeshim ta mbulonim pafuqinë, çorientimin, zhgënjimin dhe letargjinë në të cilën ndodheshim. Siç është e kuptueshme, miti nuk është se na doli në ndihmë. Nuk është se frymëzoi dikë, as nuk është se bëri që të dilnim nga pafuqia e mëparshme për t’i ndaluar qindra mijëra, masakrimet, përdhunimet, keqtrajtimet dhe dëbimet e civilëve. Miti çoi ujin vetëm në mullirin e disa personave që mund të përfitonin drejtpërdrejt prej materializimit të tij. Siç ndodh çdo herë, me çdo mit të tillë. Miti i tillë i duhet mbi të gjitha klerikut të llojit të z.Krasniqi. Miti i tillë kështu është mjeti për ta ekzaltuar dhe mbajtur nën kontroll masën e manipuluar dhe njëherit për t’i heshtur mendjet që e shohin si një rrëfim imagjinar të zakonshëm, me sy kritik, dyshim, apo edhe tamam e refuzojnë. Më tej, është një mjet perfid i përvetësimit të pushtetit. Pa këtë mit, thënë qartë, “fituesit e luftës”, komandantët e “listës”, humbin truallin nën këmbët e veta, humbin lavdinë e vetes që ia kanë imponuar shoqërisë në tërë këto vite të sundimit të tyre mafioz. Rikthehen në tokë dhe nga aty pastaj do t’iu duhej të rinisin përpjekjet për të rimarrë pozicionin e dëshiruar politik. Nuk është gjë që do ta pranonin lehtë dhe me dëshirë. Në një kohë paqeje dhe nevojash për dije, për ide, për zhvillim, këta persona të prirë për nga natyra kah arma do ta humbnin busullën. S’do të kishin asgjë nga kjo për të ofruar. Kështu që mbajnë mitin dhe armët. Mbajnë mashtrimin dhe krimin. *** Për historiografinë kosovare miti serb i Betejës së Kosovës (duke u nisur nga ai mit, edhe gati na kanë shfarosur), ka qenë burim i pafundmë interpretimesh, refuzimesh, mohimesh. Ngase ishte e kuptueshme se është vetëm një mit. Dhe si i tillë mund të shtrohet pareshtur në tavolinën e diskutimeve. Miti i Adem Jasharit është sjellë në jetë, ndër të tjera, edhe për ta zëvendësuar mitin e Rugovës, nga i cili ishin lodhur të gjithë ata që mendonin se “lëvizja paqësore” është e pamjaftueshme, apo edhe e panatyrshme për një komb heronjsh e sakrifikuesish. Natyrisht, në vitet ‘90, të thoshe se edhe Rugova është një vdekatar imjerë si të gjithë ne, t’i nxirrnin sytë. Derisa dolën bashkëluftëtarët e “komandantit legjendar” si z. Krasniqi dhe filluan t’ua nxirrnin sytë atyre që e mbronin atë mit. *** Prandaj Kosova është ku është. E ngufatur nga varfëria, papunësia, korrupsioni, nepotizmi dhe zhgënjimi. Kosovarët, sot, 14 vite pas lufte, janë ndër katër azilkërkuesit kryesorë në vendet europiane. Menjëherë pas azilkërkuesve nga vatrat e luftërave. Dmth, gjendje më e keqe se ajo ku gjendet Kosova sot është vetëm lufta. E lufta është një gjendje ekstreme. Gjendja në Kosovë, pra, është menjëherë një rang më poshtë se gjendja ekstreme. Që do të thotë se e ka një fill në njërën anë që e lidh me të dhe një fill në anën tjetër që e shkëput prej saj. E megjithatë, këta komandantët e “listës”, prej të parit deri tek i fundit (e shumë të tjerë që nuk janë përmendur) janë të pasur me të paktën një milion euro. Asnjëri prej tyre nuk është biznesmen me arsimim, as për nga natyra. Asnjëri prej tyre nuk kishte nisur nga zeroja për të bërë pasuri në rrugë ekonomike e ligjore, të gjithë dyshohen se atë pasuri e kanë arritur duke plaçkitur e vjedhur pronën e përbashkët, me haraç, kontrabandë, zhvatje, shantazh, trafikim të armëve dhe drogës dhe në forma të tjera jashtëligjore. *** Z. Krasniqi pyet (po e konsideroj edhe këtë të rëndësishme për diskutimin – pa pretendimin e një përzgjedhjeje arbitrare): »A thua, a mund të gjindet në Evropën e vlerave kulturore evropiane një intelektual monstër që do të merrte guximin për të përdhosur heroin kombëtar Adem Jashari si dhe luftën tonë çlirimtare.« PO, në Europë gjendet... E monstra, sipas defininicionit, e po ashtu edhe “intelektuali monstër”, bën edhe më keq se aq sa druan z. Krasniqi. Në të vërtetë, ka “intelektualë monstër” që i diskutojnë, vlerësojnë e rivlersojnë (këto procese z. Krasniqi i quan “përdhosje”) figura të tilla, prej Aleksandrit të Madh, te Robin Hud, Zhan D’Ark, Napoleoni, Garibaldi, Skënderbeu e deri te heronjtë modernë. Është fenomen i pashmangshëm. Krishti vlerësohet e rivlerësohet e adhurohet e kritikohet e bile edhe bëhet humor në kurriz të tij pandërprerë. Na thuhet të ishte sakrifikuar për mbarë njerëzimin, përjetësisht. Pra, “përdhosjet” bëhen. Në shoqëritë e civilizuara, natyrisht, jo në shoqëritë ku autoritetet si z.Krasniqi përcaktojnë të vërtetën e fundit. E se cilat janë vlerat kulturore europiane, është një debat i hapur e i pashtershëm dhe dëshiroj të nënvizoj se, çka s’do mend, njohjet e mia për argumentin në tërësi janë të cekëta. Dua vetëm të them se, nëse nuk jam në lajthitje, Europa e bashkuar ndërtohet mbi idealet e iluminizmit, e jo mbi ato të armëve a qoftë të sakrifikimit të fëmijëve për atdhe. Mbi idealet e Voltairet, Hugos, Goethes, e jo mbi ato të Napoleonit, Zhan D’Arkut, Garibaldit, Robin Hudit apo banditëve të tjerë. Çka i bie se, pak a shumë, sado që kjo që po e them për z. Krasniqi është blasfemi, mund të na duhet të provojmë të kthehemi kah njerëzit e pendës, e jo nga ata të armës, e gjithsesi jo nga njerëzit e pendës që u këndojnë heronjve që vrasin. Mbase nga këtu edhe mund të nxjerrim diçka në dritë. Nuk mund ta synojmë, ne barbarët këtej mureve, një Europë të këtillë duke mbajtur në duar flamujt që nderojnë dhe himnizojnë të gjykuarit dhe të dyshuarit për krime lufte, siç janë disa nga ata që i kemi përmendur te “lista” a gjetkë. Pra, nëse jo ne sot, atëherë nesër do të ballafaqohemi me nevojën e këtij debati. Do ta bëjmë tash, apo do të puthim inkuizicionin? *** Duke u përpjekur të vëmë theksin mbi tragjedinë si të tillë, ku xhelati është në njërën anë, i fuqishëm dhe i pamëshirshëm dhe viktima në anën tjetër, me duar të lidhura, e pafuqishme dhe mëshirëkërkuese, ne arrijmë ta përshkruajmë dhe ta shprehim më mirë dhe më realisht fatin, vuajtjet, persekutimet, masakrimet jo vetëm të subjektit të mitit, por edhe të qindra familjeve të tjera, jo vetëm në periudhën e dhënë, por edhe në çdo periudhë tjetër. Ngase, shpesh na ka ndodhur pikërisht kjo. E kur e lëmë anash këtë dhe vëmë theksin mbi gjoja trimërinë dhe dalëzotësinë, atëherë, kam frikë, ia heqim vetes të drejtën e të konsideruarit viktimë. Është pak a shumë si puna e sportit të boksit. Kur futesh në ring, nuk mund të vajtosh se të rrahën. Duhet t’ia zgjatësh dorën fituesit dhe të largohesh tutje. Apo, për t’u kthyer brenda argumentit, në histori nuk lexojmë a dëgjojmë të qahet fati i një pale të vetme në një betejë të hapur. Dua të them, s’e bëjnë këtë as ndezësit, përkrahësit, adhuruesit dhe bërësit e luftërave. Fiton kush fiton. Por të gjithë me një palë mend në kokë dhe me një shpirt human, ata që as nuk e duan as nuk e bëjnë luftën, e qajnë fatin e viktimave të pambrojtura të masakrave, gjenocideve, luftërave, luftërave civile, a konflikteve të tjera të llojit. Në të vërtetë, edhe pas tërë këtyre viteve reflektimi, unë ende nuk kam asgjë të qartë. Për asgjë. Kam vetëm pyetje. E ndër to janë edhe këto: Tani, kush ishim ne, trima që hanim tanke me dhëmbë, apo viktima të pambrojtura? Ishin bërë vrasje, masakra e dëbime të civilëve shqiptarë apo i kishim bërë plojë forcat serbe që po e bënin tërë atë plojë ndaj nesh, civilëve, të pambrojturve? E meqë paskemi bërë një rezistencë të armatosur aq të lavdishme, ma thoni një rast të vetëm kur i kemi shpëtuar civilët nga vrasjet, masakrat, dëbimet? Meqë ishim kaq të lavdishëm, ku ishim ne kur forcat serbe masakruan civilët në masakrën e Jasharajve? Ku ishte UÇK-ja e lavdishme dhe bashkëluftëtarët e ditëve të para të “komandantit legjendar” kur ndodhi tragjedia? Ku ishim ne të lavdishmit kur forcat serbe masakruan civilët e pambrojtur në Reçak? Nëse ishim kaq të lavdishëm, ku ishim ne kur forcat serbe masakruan familjen Berisha në Suharekë? Ku ishim ne të lavdishmit kur u bë masakra e Mejës? Ku ishim ne të lavdishmit kur forcat serbe kryen masakrën ndaj civilëve në Qyshk? Ku ishim ne te lavdishmit kur me kallashët tonë komikë e “çliruam” Rahovecin për një orë e pastaj u futën forcat serbe dhe masakruan civilët e pambrojtur – a mos është duke mbajtur përgjegjësi dikush nga komandantët e lavdishëm për këtë tmerr? Ku ishim ne të lavdishmit kur ndodhi masakra e Studimes, Likoshanit, Dubravës, Izbicës? Ku ishim ne të lavdishmit, kur u dëbuan (dhe s’do të ktheheshin kurrë po të mos ishte NATO) mbi një milionë veta? Ku ishim ne kur u zhduken me mijëra meshkuj, për fatin e një pjese të të cilëve edhe sot e kësaj dite nuk dimë asgjë? Ku ishim në të gjitha ato keqtrajtime dhe vrasje të tjera? Ku ishim ne heronjtë e lavdishëm kur u dhunuan me mijëra femra (dhe sot, 14 vite pas luftës, Kuvendi i Kosovës i mbushur dëng me vrasës, nuk dëshiron as t’ua japë statusin e viktimës së luftës)? E gjithsesi, pse u dashka të veçohet një tragjedi për t’u konsideruar më e rëndësishme për luftën për çlirim se një tjetër? Pse tragjedia e Prekazit qenka altari i lirisë e jo masakra e Reçakut që solli ndërhyrjen e NATO-s? Pse vdekja e masakrimi i njërit qenka më me peshë se e tjetrit? Pse foshnja e paemër, e pambrojtur, e masakruar në cilindo cep të Kosovës, qenka më e vogël dhe më e parëndësishme se një palo hero që na e kishte një kallash në duar dhe s’e mbrojti dot as veten? Apo edhe unë, si doktori i shkencës së Historisë, z. Krasniqi, duhet ta “shkruaj” historinë sipas thashethemit se “UÇK provokonte policinë serbe të shkaktonte viktima ndër civilë dhe ikte në mënyrë që të ndërhynte NATO, si shpëtimi i vetëm”? A ishte në shërbim të këtij thashethemi deklarata e z. Krasniqi, kur në vitin 1998, nga “Republika e Malishevës” së tij të “çliruar” ku “jepte” pasaporta e letërnjoftime, njoftoi se do t’i hidhte mbi Prishtinë raketat që posedonte – i posedonte vërtet? – (kur në Prishtinë nuk e kishte as edhe një ushtar të vetëm që t’iu dilte në ndihmë popullsisë civile)? A do të merremi me sajesa apo me fakte të mundshme? Dhe unë them se ne ishim viktima. Dhe si viktima e meritojmë e mund të kërkojmë drejtësi për padrejtësitë që na janë bërë dhe dëmshpërblime për dëmet që na janë shkaktuar. E gjithsesi, dua të vë theksin në këtë, edhe ne vetë të japim përgjegjësi për padrejtësitë që kemi bërë. Përgjegjësi për vrasjet e serbëve dhe shqiptarëve civilë. Pra, përgjegjësi për krimet e luftës. Dhe për ato të pas luftës. Në Gracë, Kleçkë, Likovc, e gjetkë. Në parantezë: Krimet në Jabllanicë kundër serbëve, romëve, egjiptianëve dhe shqiptarëve civilë kanë mbetur pa u zbardhur. Sigurisht, të dyshuarit janë liruar në mungesë të provave, por fakti se është bërë krim lufte ndaj tyre, mbetet. E na mbetet ne. Mund të zgjedhim a do të mbajmë anën e heronjve, apo anën e viktimave. *** Siç e keni vërejtur, në të shkruar unë jam pothuajse i vetëm. Mirëpo, në të lexuar të asaj që kam shkruar, duket se »ka ndërmjet njerëzve një numër të vogël« prej atyre që pak a shumë ndajnë të njëjtin mendim me mua, qoftë edhe duke qëndruar në breg. Të vetmit që mbrojtën me zell të drejtën time për ta thënë mendimin tim ishin Berat Buzhala (edhe pse nuk pajtohet me mendimin tim) dhe Halil Matoshi. E kundërshtarët e mi janë të shumtë qoftë në të shkruar qoftë në të lexuar. Jo vetëm të shumtë, por edhe ekzaltuar deri në gatishmërinë për të më linçuar. Mua edhe mund të ma ndalojnë, për aq sa kanë e do të jenë në pushtet, të drejtën të shprehem, ngase s’e kam ndërmend të sakrifikohem: »i shndërruar në dre deri sa të shpëtoj, mund të iki në manastir dhe atje të bëj jetën time të mbetur«. Dhe i mirëkuptoj të gjithë ata që mendojnë si unë dhe nuk kanë guxim ta thonë këtë. Ka mundësi që pothuajse në mënyrë të natyrshme do të vijnë ditë më mira. Sa u përket turmave, jo më kot po flasim edhe për skizofreni kolektive. Ballafaqimi me turmat e tilla të marrosura (mes një biblioteke të pafund mund të përmendim autorë që kanë studiuar problemin, si Ortega y Gasset dhe E.Canetti) është njëmend me pasoja të paimagjinueshme. Porse, mendoj, ballafaqimi human dhe intelektual me doktorë të shkencës si z. Krasniqi është më i vështirë se ballafaqimi me djallin. Turma në vetvete shpesh mund të jetë e ndenjur, janë ai lloji i klerikëve që e trazojnë, e bëjnë të pluskojë dhe gurgullojë, derisa edhe të shpërthejë si vullkan. Klerikët politikë dhe klerikët fetarë, sidomos kur janë të indoktrinuar deri në asht nga dogma përkatëse dhe njëkohësisht kanë në dorë pushtetin dhe gëzojnë njëfarë autoriteti (çfarëdo qoftë) para turmës që përfaqësojnë, në të vërtetë nuk janë veçse ideologë skizofrenikë të vrasjeve, shfarosjeve individuale e në masë. E ka dëshmuar këtë Historia, për ata që kanë sy për të parë dritën dhe për ata që kanë veshë të pa zënë me dyllë për ta dëgjuar të vërtetën. Nëse asgjë tjetër, mjafton t’i kujtoni inkuizicionin dhe regjimet totalitare, gjithsesi edhe atë të Enver Hoxhës, i cili ishte hero i pakontestueshëm frymëzimi i asaj që konsiderohet koka e UÇK-së. Kjo të paktën është e dëshmuar dhe dokumentuar. Nëse nuk ju ka lënë mbamendja, doktori i shkencës, z. Krasniqi, qe bërë skandal pak ditë pasi ishte kurorëzuar në detyrën e Kryetarit të Kuvendit: në shtëpinë e tij kamerat kishin zënë një foto bukur të madhe në kornizë të Enver Hoxhës. Siç është e kuptueshme, pra, unë hallin e kam me veprimet dhe qëndrimet e personave të caktuar të njohur. Po e them në mënyrë gati figurative: qofshin ata të “luftës”, qofshin ata të “paqes”; qofshin ata të “revolucionit”, qofshin ata të “kthimit në rrugën e Zotit”. Më qartë, në rastin konkret: unë e kam hallin me drejtues të “luftës” si ata nga “lista” që e kam përmendur. Unë hallin e kam me drejtues të “lëvizjes paqësore”, që nën petkun e përfaqësuesve legjitimë dhe të pakontestueshëm të popullit, për një dekadë e kanë rrjepur popullatën me taksën e trepërqindëshit, janë përpjekur të instalohen si lëvizje gjithëpopullore e paprekshme dhe kanë bërë çmos të imponojnë kultin e liderit profet të Rugovës. Unë hallin e kam me drejtues të Vetëvendosje që i shoh si një lëvizje nacionaliste që do t’i shkaktonte dëm të pariparueshëm shoqërisë duke qenë në pushtet në formën dhe kushtet si i duan ata vetë. Unë hallin e kam me lindjen e papritshme dhe shpërthimin e fuqishëm të fundamentalizmit islamik në vend, i cili do të na sjellë telashe dhe ndaj të cilit ende nuk kemi vetëdijesim për rrezikun që paraqet, pra as përgjigje.Unë hallin e kam me këta e të ngjashmit. Unë e kam hallin me mashtrimin, paditurinë dhe gënjeshtrën. Unë e kam hallin me glorifikimin e heronjve të luftës, ndërkohë që nuk tregojmë as respektin më të vogël për viktimën. Unë e kam hallin me verbërinë e pranimit të vrasësve për heronj. Unë e kam hallin me prirjen kah lufta në vend se kah dija... Për të gjitha këto gjëra, po të keni durimin të lexoni, kam shkruar vazhdimisht, gati për çdo javë, në gazeta Express. Kam qenë i sharë e i fyer nga mbrojtësit e “luftës” dhe nga mbrojtësit e “paqes”, kam qenë i sharë dhe i fyer nga mbrojtësit e “nacionalizmit”, kam qenë i sharë, i fyer dhe kërcënuar nga mbrojtësit e “Zotit”. Nuk është se prisja më mirë në tërë këtë dëlir masiv. *** Mos u frikësoni të debatoni. Me guximin për të debatuar mendjet e ndritura kanë arritur bile edhe ta shpallin vdekjen e Zotit. Nëse e kemi vdekur Zotin, pse s’do të mundkemi t’i interpretojmë mitet, përtej versionit zyrtar të frymës totalitare?! S’ka gjë të keqe. Vetëm çlirim të mendjes. gazetaexpress/?cid=1,883,117308
Posted on: Thu, 25 Jul 2013 23:51:01 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015