Martinajt, një arenë luftërash përgjatë historisë, kanë - TopicsExpress



          

Martinajt, një arenë luftërash përgjatë historisë, kanë një betejë tjetër para vetes- atë të ruajtjes së mjedisit të pastër nga tendencat e pushtetit malazez për ndërtimin e një vendgrumbullimi mbeturinash në gjirin e tij. Ky fshat etnik shqiptar me 100 shtëpi dhe afro 400 banorë, është i rrethuar nga kurora e bjeshkëve, i cili shtrihet në kilometrin e katërt të magjistrales Plavë-Guci në Republikën e Malit të Zi, i pasur me toka pjellore të cilat shtrihen kryesisht në luginën e lumit Luça dhe me kullosa të begatshme, të cilat me shekuj vendasit i kanë shfrytëzuar për blegtori. Mirëpo, për shkak të papunësisë së madhe, Martinajt ballafaqohen me problemin e migrimit, mërgimtarët e të cilit kryesisht gjenden në SHBA, ku njihen si afaristë të suksesshëm. Nga po këta mërgimtarë të mbledhur në Fondacionin Plavë-Guci vjen edhe peticioni “Duaje vendlindjen tënde të pastër!”, me anë të të cilit nga Qeveria e Malit të Zi dhe Kuvendi Komunal i Plavës, kërkon tërheqjen e vendimit për ndërtimin e një vendgrumbullimi të mbeturinave në Kodrën Jerina, 350 metra larg lagjeve të banuara të fshatit Martinaj. “Ky vend i natyrës së paprekur dhe i pashkatërruar ku gjelbërimi, ajri i pastër, uji dhe bjeshka janë pasqyrë besnike e karakterit të malsorit martinas, duhet të mbetet i paprekur pa marrë parasysh intencat dhe interesat e kujtdoqoftë”, thuhet ndër të tjera në peticionin i cili do t’u dërgohet: KK të Plavës, Qeverisë së Malit të Zi, Qeverisë së Shqipërisë, Qeverisë së Kosovës, State Departamentit Amerikan, Bashkimit Evropian, ambasadave perëndimore të akredituara në Podgoricë dhe Ambasadës Malazeze në Nju Jork. Ndërsa, thirrja e njëzëshme mbetet: “STOP shkatërrimit të ambientit në fshatin Martinaj!” STOP shkatërrimit të ambientit në fshatin Martinaj Banorët e Martinajve, që nga nëntori 2012 po përballen me presionin e pushtetit duke demonstruar në mënyrë paqësore vullnetin dhe të drejtën e tyre për ruajtjen e mjedisit. Ata kundërshtojnë vendgrumbullimin e mbeturinave buzë magjistrales, 350 metra larg lagjeve të banuara të Martinajve dhe mbi burimet dhe depozitat e ujit, i cili vendim shkel mbi çdo konventë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe ruajtjen e mjedisit. Naim Prelvukaj, koordinator i Këshillit për kundërshtimin e kësaj deponie, sqaron se nga kjo deponi parashohin rreziqe të përmasave katastrofale të ndotjes së mjedisit. “Së pari ndotja e ajrit, ndotja e ujërave, e burimeve që i përdorin lagjet e fshatit për nevojat në amvisëri, për bagëti dhe ujitje. Dëmton florën dhe faunën, e në veçanti kullotat dhe mjedisin me kundërmimet që lirojnë mbeturinat. Ndërsa, kur kemi parasysh një vend-hedhje mbeturinash të formës së pakontrolluar, të pambrojtur dhe të pastandardizuar konform standardeve bashkëkohore të deponimit dhe seleksionimit dihet se në afërsi të pyjeve janë egërsirat, shpezët dhe kafshët tjera që mund të jenë bartës viral dhe infektimesh deri te tërbimet me pasoja për njerëz dhe botën shtazore”. Deponia, trysni e radhës për shpërngulje të popullatës Edhe pse përveç Ministrisë për Turizëm dhe Zhvillim të Qëndrueshëm-Sektori për Menaxhim Mbeturinash dhe Zhvillim Komunal, rreth këtij problemi janë njoftuar edhe: Ministria për Punë të Jashtme dhe Integrime Evropiane, Avokati i Popullit për Mal të Zi por edhe Zyra e BE-së ne Podgoricë, por pas javësh të tëra nuk ka asnjë lëvizje në këtë drejtim. Përballja e radhës e banorëve të Martinajve me tentimin e Kompanisë Higjieniko Sanitare dhe për Çështje Banesore të KK të Plavës për grumbullimin e mbeturinave në lokacionin antik Kodra e Jerinës, 350 metra larg lagjeve të banuara ishte më 22 prill. ”Kjo është një trysni e radhës për shpërngulje të mëtutjeshme nga këto zona edhe ashtu të shpopulluara në masë të madhe. Por, ne do të jemi të paluhatshëm në qëndrimin tonë dhe më parë do të pranojmë të varrosemi në një varrezë të përbashkët, sesa të bashkëjetojmë me plehra. Fatkeqësisht, thirrjet tona po hasin në vesh të shurdhër dhe ata që thyejnë këtë durim të hekurt, përgjegjësinë do ta varin mbi supet e tyre“, thotë Naim Prelvukaj, i cili shton se atë ditë situatën e kanë mbikëqyrur rreth 40 policë të Plavës dhe Beranit. Çfarë po synohet me presion ndaj një fshati shqiptar? Kryetari i komunës, Orhan Shahmanoviq, i cili mbetet i hapur vetëm për mediat malazeze, për këtë ka fajësuar inspektoratin komunal, duke i kërcënuar me shkarkim. E, në bazë të argumenteve që prezantojnë banorët e Martinajve të cilët kanë ngritur edhe aktpadi, ai që duhet shkarkuar është vetë kryetari Shahmanoviq sepse e tëra bie aromë korrupsioni dhe më parë do duhej të mbyllej dikush prapa grilave sesa të hapet rruga për te deponia. Për qëllimet e errëta Komuna e Plavës me ndërmarrjen në fjalë, për vend-hedhje mbeturinash kishte përzgjedhur gjoja parcelën kadastrale 1/1/9 Ko dosugje 2., e cila në të vërtetë ndodhet në KO, Martinaj 1. Kjo dëshmon dredhitë qëllimkëqia duke shtrembëruar të vërtetën, dhe jo vetëm aq!“, ka thënë Prelvukaj, për të shtuar se banorët do të qëndrojnë pranë kërkesave të tyre me çfarëdo çmimi. Zona e Plavës dhe Gucisë është një perlë e trashëgimisë kulturore dhe natyrore në Ballkan dhe grumbullimi i mbeturinave mbi gërmadhat e një qyteti të lashtë, bie ndesh me Konventën për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe Natyrore Botërore. (A. B.)
Posted on: Fri, 08 Nov 2013 18:39:52 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015