Mbahet mbledhja e rregullt e Qeverisë së Republikës së - TopicsExpress



          

Mbahet mbledhja e rregullt e Qeverisë së Republikës së Kosovës Prishtinë, 19 shtator 2013 E drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt, në të cilën ka shqyrtuar dhe aprovuar rregullore dhe vendime nga fushat e saja të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore. Kryeministri Hashim Thaçi, ka njohur kabinetin qeveritar, se një delegacion i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i kryesuar nga kryeministri, do të udhëtojë në Nju Jork për të ndjekur punimet e Asamblesë së Përgjithshme vjetore të Organizatës së Kombeve Bashkuara. Delegacioni, gjatë qëndrimit në Nju Jork do të zhvillojë takime me delegacionet e vendeve të ndryshme, ku do të zhvillojë aktivitete lobimi dhe do të prezantojë arritjet e Kosovës në ndërtimin e shtetit dhe të drejtave për të gjithë qytetarët e vet. Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Rregulloren për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Ministrinë e Diasporës. Kjo Rregullore ka për qëllim përcaktimin e organizimit të brendshëm të kësaj ministrie dhe zbatohet nga Ministria e Diasporës. Detyrat dhe përgjegjësitë e Ministrisë së Diasporës përcaktohen më Rregulloren për fushat dhe përgjegjësitë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive si dhe Ligjin për Diasporën dhe mërgatën. Udhëzimi Administrativ për kompensimin e punës jashtë orarit dhe pjesëmarrjen në seanca gjyqësore të ekspertëve mjeko-ligjor, i aprovuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, ka për qëllim rregullimin e kompensimit për punën jashtë orarit të ekspertëve mjeko-ligjor, të cilët urdhërohen nga gjykata apo prokurori sipas Kodit të Procedurës Penale për kryerjen e ekspertizave mjeko-ligjore. Kabineti qeveritar ka aprovuar edhe Rregulloren për pagesat e personelit trajnues dhe mësimdhënës si dhe ekspertëve të fushave funksionale të angazhuar në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike. Dispozitat e kësaj rregullore zbatohen për të gjithë personelin trajnues dhe mësimdhënës si dhe ekspertëve të fushave funksionale të angazhuar në Akademi. Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës është aprovuar edhe Rregullorja për arsimin e lartë në akademinë e Kosovës për siguri publike. Qëllimi i kësaj rregulloreje është krijimi i rregullave për zhvillimin dhe funksionalizimin e arsimit të lartë në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike. Akademia është themeluar në bazë të Ligjit për Akademinë e Kosovës për Siguri Publike dhe është institucion përgjegjës për ofrimin e trajnimeve dhe arsimit të lartë, zbatimin e politikave dhe strategjive të trajnimit, arsimimit të lartë si dhe zhvillimin e kapaciteteve në fushën e sigurisë publike. Qeveria e Kosovës ka themeluar Këshillin Ndërministror për Ujërat, si trup koordinues dhe vendimmarrës që shqyrton çështjet sistemore të administrimit me ujëra, harmonizimin e nevojave dhe interesave të ndryshme, si dhe propozon masat për zhvillimin, shfrytëzimin dhe mbrojtjen e resurseve dhe sistemit ujor të Kosovës. Këshilli Ndërministror për Ujërat ka këtë përbërje: 1. Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës -Udhëheqës; 2. Ministri i Zhvillimit Ekonomik - Anëtarë; 3. Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor - Anëtarë; 4. Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal - Anëtarë; 5. Ministri i Integrimeve Evropiane - Anëtarë; Këshilli Ndërministror për Ujëra jep mendime dhe rekomandime për: • propozim ligjet dhe aktet tjera nënligjore që kanë të bëjnë me rregullimin e çështjeve nga fusha e ujërave në përgjithësi; • zbatimin e ligjeve dhe aktet nënligjore që kanë të bëjnë me menaxhimin e ujërave; • hartimin dhe aprovimin e Strategjisë Shtetërore për ujëra; • zhvillimin e politikave nga fusha e ujërave; • zgjedhjen e politikave financiare nga fusha e ujërave. Është aprovuar edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Programit Legjislativ të vitit 2013 të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Në Programin Legjislativ të vitit 2013 të Qeverisë së Republikës së Kosovës përfshihen Projektligjet si në vijim: 1. Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për Statusin e anëtarëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe Forcës së Sigurisë së Republikës së Kosovës gjatë qëndrimit të tyre të përkohshëm në territorin e shteteve respektive; 2. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Regjistrimin e Bujqësisë. Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka miratuar vendimin për anulimin e vendimit për themelimin e Grupit Punues për Negocimin e çështjeve administrative dhe institucionale dhe vendimin për themelimin e Grupit Punues për negocimin e çështjeve të punëve të brendshme dhe drejtësisë në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Kompetencat e këtyre grupeve punuese transferohen te Ekipi Negociator për Negociatat e marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Në mbledhje është aprovuar vendimi për përfshirjen e organizatave buxhetore në kuadër të skemës së kredive të buta të financuara sipas marrëveshjes për bashkëpunim financiar në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Austrisë në kuadër të planifikimeve buxhetore të viti 2014. Organizatat buxhetore të cilat kanë përgatitur projekte për të aplikuar në kuadër të kësaj skeme, duhet të përfshijnë projektet e tilla në planifikimet buxhetore për vitin 2014. Ministria e Financave do të përcaktojë kufijtë buxhetor për secilën organizatë në procesin e rregullt buxhetor, në përputhje me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, si dhe do të përcaktojë mënyrën e financimit të tyre. Parakusht për dhënien e pëlqimit dhe fillimin e negocimit të marrëveshjes së organizatave buxhetore nga Ministria e Financave me Bankat e Austrisë, për projektet që kanë filluar të studiohen, është përfshirja e tyre në kudër të kufijve buxhetor për vitin 2014. Me kërkesën e Ministrisë së Financave, Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar vendimin për ndryshimin e normës së akcizës në duhan dhe atë: 1. Ngritët norma e akcizës në duhan me numër tarifor 240220 dhe 2403, nga 27 euro për njësi në 30 euro për njësi, duke filluar nga data 01 Tetor, 2013. 2. Ngritët norma e akcizës në duhan me numër tarifor 240220 dhe 2403, nga 30 euro për njësi në 32 euro për njësi, duke filluar nga data 01 Janar, 2014. Për zbatimin e këtij vendimi obligohet Dogana e Kosovës dhe Ministria e Financave. Qeveria e Republikës së Kosovës për kryesues dhe anëtar në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik ka propozon Kuvendit të Republikës së Kosovës, këta kandidat: 1. Hysni Hoxha, kryesues 2. Ekrem Salihu, anëtar 3. Tefik Sylejmani, anëtar 4. Vjollca Kurtishaj, anëtar Sekretar i Përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit vendimin për propozim, së bashku me biografitë e të propozuarve t’ia procedojë për shqyrtim dhe emërim Kuvendit të Republikës së Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës për drejtor në bordin e Ndërmarrjes Publike: Korporata Energjetike e Kosovës Sh. A. ka emëruar: 1. Berat Rukiqi, kryesues; 2. Haki Mjeku, anëtar; 3. Enver Muli, anëtar; 4. Ranko Makic, anëtar; 5. Burim Leci, anëtar; 6. Pranvera Dobruna-Kryeziu, anëtare. Të emëruarit do të kryejnë detyrat dhe përgjegjësitë në pajtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike dhe legjislacionin tjetër në fuqi.
Posted on: Thu, 19 Sep 2013 12:15:15 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015