Mbrëmje, 24 Korrik “Sepse fushimi i tij është shumë i - TopicsExpress



          

Mbrëmje, 24 Korrik “Sepse fushimi i tij është shumë i madh.” Joeli 2:11 Shqyrto o fryma ime plotfuqishmërinë e Zotit, i cili është lavdia dhe mbrojtja jote. Ai është një luftëtar i sprovuar, Yahweh ia thonë emrin. Të gjitha forcat e qiellit ndodhen nën urdhrat e Tij, legjione të tëra të përbëra prej kerubësh dhe serafësh presin në derën e Tij. Rojtarë dhe të shenjtë, principata e pushtete, të gjitha këto i binden pa vonesë vullnetit të Tij. Po qe se sytë tanë nuk do të ishin verbuar nga oftalmia e mishit, do të mund t’i shihnim kuajt dhe qerren e zjarrtë rreth shumë të dashurit të Zotit. Nuk ka fuqi natyrore që të mos i nënshtrohet kontrollit absolut të Krijuesit: murrlani dhe stuhia, vetëtima dhe shiu, breshri dhe bora, vesa e njomë dhe rrezet e hareshme të diellit, të gjitha këto vijnë e shkojnë sipas dekretit të tij. Ai zgjidh vargjet e Orionit dhe bashkon lidhjet e bukura të Plejadave. Toka, deti dhe ajri, si dhe nëntoka janë vendstrehimet e ushtrive të pafund të Yahweh-ut, hapësira është fushimi i Tij, drita është flamuri i Tij, dhe flakët janë shpata e Tij. Kur Ai shkon të luftojë, zia e bukës e shkreton tokën, murtaja i godet kombet, uragani rreh detet, tornadoja dridh malet, ndërsa tërmeti e bën botën e fortë të lëkundet. Për sa u përket gjallesave, të gjitha ato e njohim sundimin e Tij, dhe duke filluar nga peshku i madh që e gëlltiti profetin Jona e duke mbaruar me “gjithfarë lloj insektesh” që pllakosën fushën e Zoanit, të gjithë këta janë shërbëtorët e Tij, sepse porsi karkaleci, larva e karkalecit, bulkthi dhe krimbi, ata janë skuadronet e ushtrisë së Tij të madhe, ndërsa fushimi i Tij është shumë i madh. Fryma ime, bëj kujdes që të jesh në paqe me këtë Mbret të plotfuqishëm. Veç kësaj, bëj kujdes që të rreshtohesh në betejë poshtë flamurit të Tij, sepse ta kesh armik është çmenduri, por t’i shërbesh Atij është lavdi. Jezusi, Emanueli, Perëndia me ne, është gjithnjë i gatshëm të pranojë rekrutë të rinj në ushtrinë e Zotit: në mos qofsha regjistruar duhet të shkoj tek Ai përpara se të fle dhe t’i lutem që të pranohem në të në sajë të meritave të Tij. Dhe në qoftë se unë bëj tashmë pjesë në këtë ushtri, ashtu sikundër shpresoj të bëj pjesë, duke qenë ushtar i kryqit, le të marr guxim, sepse armiku është i pafuqishëm në krahasim me Zotin tim, fushimi i të cilit është shumë i madh.
Posted on: Wed, 24 Jul 2013 05:34:02 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015