Me bashkëbiseduesin e 33 shkrimtarëve të shquar Nga Armando - TopicsExpress



          

Me bashkëbiseduesin e 33 shkrimtarëve të shquar Nga Armando Bora Emri Anteos Hrisostomidhis, i shkruar me të bardha mbi kopertinën e librit “Antenat e epokës sime”, një ndër botimet e fundit të shtëpisë botuese Toena, nuk të thotë asgjë dhe nuk të ngjason me asnjë nga ata shkrimtarë grek për të cilët mund të kesh dëgjuar a lexuar diçka. Edhe titulli, “Antenat e epokës sime”, sepse të kujton titujt e poemave të realizmit socialist. E ndërsa zbret më poshtë, te nëntitulli, ti kupton se ke të bësh me dikë që ka biseduar duke udhëtuar brenda një dhome me 33 shkrimtarë të shquar, midis tyre edhe fitues të çmimit Nobel. Kjo është një arsye e mjaftueshme për të filluar shfletimin e tij. Nuk e di se pse ndër 33 emra shkrimtarësh, jo të gjithë të njohur prej meje, vendosa të lexoja nobelistin Orhan Pamuk dhe shkrimtarin spanjoll Javier Cercas, i cili ashtu si edhe Anteos Hrisostomidhis gjendej në Tiranë për të promovuar librin e tij “Ushtarët e Salaminës”. Nuk ishte as intuita dhe as ndonjë arsye e logjikshme por vetëm fati më çoi të vendos për të lexuar dy intervista krejtësisht të ndryshme për mënyrën se si janë përshkruar në libër. Nuk të zbehet, për asnjë moment, interesi ndaj mendimeve që Cercas shpreh për letërsinë, politikën apo gjykimeve të tij mbi historinë. “T’i shohim përbindëshat si njerëz” shprehet Cercas në intervistën e tij duke na ofruar një qasje të re jo vetëm ndaj diktatorëve, por edhe ndaj atyre që i mbështetën dhe i ndoqën me brohoritje dhe ovacione, “…ata nazistë idealistë, apo stalinistë idealistë, që donin të ndërtonin një parajsë tokësore e që përfundimisht ndërtuan pikërisht të kundërtën”. Tërësisht e kundërt ishte biseda me Orhan Pamuk e cila fillonte, ashtu si edhe pjesa më e madhe e bisedave me të 33 shkrimtarët, me peripecitë dhe vështirësitë e pranimit prej shkrimtarëve për të realizuar intervistat, aventurave dhe humbjeve në përpjekjet për të mbërritur në vendtakimet me ta apo mbylljen e syrit dhe veshit ndaj huqeve dhe “tekave” të tyre. Takimi dhe biseda me nobelistin Pamuk është e ndërtuar si një ese sa mbi letërsinë po edhe aq mbi politikën. Libri “Antenat e kohës sime” është në thelb të tij një letërsi që komunikon me lexuesin pasi plotëson kushtet që Pamuk parasheh ndaj një vepre letrare: “Letërsi, do të thotë të flasësh me veten në një mënyrë të tillë që lexuesi të pandeh se lexon për veten e tij, ose të flasësh për disa njerëz me mënyrë të tillë që të pandehin se e ke fjalën për ta.” Pas prezantimit të librit gjatë ditëve të panairit të librit në Tiranë, Anteos Hrisostomidhis pranoi që të japë një intervistë për emisionin Ora Kulturë në rtv “Ora News|. Tashmë, kohën e kisha të mjaftueshme për të lexuar intervistat me shkrimtarët e tjerë dhe për të përgatitur pyetjet e mia. E nisa me Amos Oz, i cili nuk i fillonte kurrë romanet e tij duke u mbështetur në ndonjë ide. I fillonte gjithmonë nga karakteret dhe që i vetëdijshëm për famën e tij ndërkombëtare e shfrytëzonte atë për të përhapur idetë e tij rreth paqes në Lindjen e Mesme. Vazhdova te biseda me shkrimtarin irlandez John Banville, interesi i të cilit ndaj mënyrës së të shkruarit, ndërtimit, stilit dhe gjuhës më ndihmuan të ndërtoj njërën nga pyetjet që i drejtova Anteos gjatë intervistës. Banville ndihej me fat që mendonte si irlandez dhe ishte pjesë e një letërsie që kishte nxjerrë shkrimtarë si Wilde, Show, Xhojs e Beckett. Nuk e kupton nëse janë vetë shkrimtarët që kanë dëshirë për të folur për fëmijërinë e tyre apo është Hrisostomidhis që i shtyn të flasin për të. “Kur i njeh shkrimtarët nga afër mëson se shumë prej tyre kanë patur fëmijëri të vështirë, thotë Hrisostomidhis. Kanë patur trauma që u përpoqën t’i mbyllnin nëpërmjet letërsisë, e cila ndonjëherë është psikanaliza më e mirë. Llosa, për shembull, kishte fëmijëri shumë të vështirë. Shumë shkrimtarë të këtij libri kanë patur jetë të vështirë dhe e shndërruan në letërsi të mirë”. Gjithsesi, Hrisostomidhis tregon kujdes dhe delikatesë ndaj të gjitha traumave të tyre personale apo familjare. Është interesante të lexosh se si fillon rrëfimi, për takimin dhe bisedën me një Nobelist “Nga të gjithë shkrimtarët e këtij libri, ishte i vetmi me teserë partie. Anëtar i Partisë Komuniste. Një komunist i shquar dhe i dashur në mbarë botën…”. Bëhet fjalë për Jose Saramago. Të ketë qenë vallë formimi i tij ideologjik që e bënte ta thjeshtonte aq shumë dhe ta sillte në tokë të gjithë procesin e shkrimtarisë? I kënaqur nga jeta dhe nga Pilari, bashkëshortja e tij tridhjetë vjet më e re Saramago ndihet i pafuqishëm për të kuptuar se ç’po ndodh sot në atë që pat qenë trualli i tij ideologjik. “Demokraci është kjo, në të cilën jetojmë? Është sistem demokratik ky që, nga qytetari kërkon vetëm një: votën? Po na ndodh diçka e tmerrshme: në kuadër të këtij sistemi, jemi njëkohësisht, viktima, bashkëfajtorë dhe fajtorë”, thotë Saramago gjatë intervistës me Hrisostomidhin. Edhe pse pa tesera, të majtë të thekur dalin në rrëfimet e tyre edhe shkrimtarët e letërsisë latino-amerikane. Mario Vargas Llosa, Carlo Fuente që rrëfejnë se bashkë me të famshmit e tjerë, Marquez, Rulfo e Cortazar, formonin një farefisni politike. Ishin të gjithë të majtë dhe me simpati të shprehura haptazi për revolucionin e Kastros në Kubë. E nëse i bashkonte ideologjia në rrëfimet tyre përpiqen me forcë të shpjegojnë se nuk kanë lidhje me realizmin magjik. Sidomos Mario Vargas Llosa që këmbëngul të theksojë se “edhe në ditët e sotme ekzistojnë disa klishe në lidhje me realizmin magjik. Për shumë vjet me radhë sundonte përshtypja se letërsia latino-amerikane ishte fantastike, se ishte një letërsi që frymëzohej prej fantazisë së kulluar. Kjo nuk ka qenë asnjëherë e vërtetë.” E pastaj, rrekeshin të shpjegonin se sa pak ngjanin me Garcia Marquez apo me Borges. Korpusi i pyetjeve që Hrisostomidhi u drejton shkrimtarëve zbulon më së miri jo vetëm laboratorin e tyre të shkrimtarisë, por zbulon gjithashtu edhe angazhimet publike dhe qëndrimet ideologjike të tyre. Ka kaq shumë shkrimtarë të majtë në këtë libër sa, tek çapiteshim të dy drejt Galerisë së Arteve në Tiranë, në vendin ku kisha vendosur të zhvilloja bisedën me Hrisostomidhin, i bëj një pyetje që as vetë nuk e kuptova se si më feksi në mendje. “Mos jeni, pak komunist, ju zoti Hrisostomidhi?” për një çast heshti pa lëvizur duke më parë pas xhamave të syzeve optike. Pastaj, si të zgjohej nga gjumi nisi të më shpjegonte ndryshimin midis komunizmit stalinian, partive komuniste në Evropë dhe komunizmit në Shqipëri. Ngjisnim shkallët e brendshme të galerisë dhe ndërsa Anteos vazhdonte të shpjegonte, unë qeshja së brendshmi, jo vetëm me pyetjen më pa vend që i kisha bërë, por edhe për surprizën e dytë që e priste. Intervista do të zhvillohej në një ambient të rrethuar me pikturat e realizmit socialist ku personazhet e luftëtarëve dhe komunistëve dukeshin sikur na qesëndisnin prej mureve ku qëndronin të varura. U desh njëfarë kohe sa të bëheshim gati për të filluar intervistën, kohë gjatë së cilës Hrisostomidhi foli për botimin në Greqi të dy vëllimeve të intervistave me të tjerë shkrimtarë. Midis tyre edhe një shqiptar. Ben Blushi. Përse Blushin, e pyes jo pa kureshtje. Blushi është një shkrimtar për të cilin po flitet shumë në Shqipëri kohëve të fundit, por nuk e ka njohjen ndërkombëtare siç mund ta kenë disa shkrimtarë të tjerë. Nga përgjigjja kuptova se interesi i tij ishte tjetërkund. “Ajo që më interesonte ishte antiteza mes politikanit dhe shkrimtarit, përgjigjet Hrisostomidhi. Shkrimtari është një njeri që duhet të trillojë, të gënjejë, një njeri që sajon histori dhe sa më të “gënjeshtërta”, aq më të mira janë. Kurse politikani supozohet se duhet të thotë të vërtetën. Më interesonte kjo antitezë, dhe Blushi, si njeri me ndjenjë të hollë humori, e kuptoi, u përgjigj. Është episod shumë interesant”. I vendosa sytë e mi mbi fytyrën e qetë dhe të paqtë të Hrisostomidhit dhe u përpoqa të dalloja në të nëse kishte mundur të kuptonte pas tri vizitave në Shqipëri se këtu, te ne, jo vetëm shkrimtarët, por edhe politikanët janë nga pak shkrimtarë. Ndërkohë kamerat ishin bërë gati. Dritat, mikrofonat ishin ndezur. Ishte koha për të filluar intervistën. “Kalos irthate, qirio Hrisostomidhi!” Botuar ne gazeten Mapo, me 30 nentor 2013 mapo.al/2013/11/30/bashkebiseduesin-e-33-shkrimtareve-te-shquar/
Posted on: Sun, 01 Dec 2013 20:25:24 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015