Meditim për fb (dhe jo vetëm) Nuk ka dyshim që janë me shumë - TopicsExpress



          

Meditim për fb (dhe jo vetëm) Nuk ka dyshim që janë me shumë vlerë portalet, blogjet, vetë fb, e gjithë bota virtuale. Kjo postë e gjerë dhe e pafund, krahas shpërndarjes së informacionit e përvojave, është edhe njëlloj hobi, por rëndom merr edhe trajtat e argëtimit. S’ka më mirë! Gjithsesi, mendja më thotë që krijuesit (sidomos ata që janë më publikë e më të njohur) kanë mjaft përgjegjësi - të themi morale, pse jo edhe profesionale - teksa ofrojnë krijimet e tyre në to. Në momentin që ato krijime bëhen publike, krijuesit janë në sytë e të gjithëve; do të thotë se çdokush mund të thotë fjalën e vet, a të mjaftohet me një pëlqim, mbase edhe të heshtë. Ndodh që të thuhen fjalë të mira, por edhe bëhet ndonjë vërrejtje… Çfarë ka që nuk shkon në këtë episod? Ka shkrues që lëndohen pas një vërrejtjeje. Nëse ajo bëhet pa takt, me tone fyese, ata kanë të drejtë të lëndohen. Por nëse vërrejtja formulohet me qetësi dhe duke e parë krijimin në dritën dhe dëshirën e një performimi më të mirë estetik, krijuesi që lëndohet ka një problem. Kur një shkrues lëndohet për hiçgjë, do të thotë se ai ka komplekse, është i vockël, i ka të kufizuara lartësinë dhe këndin e vështrimit të gjërave. Një krijues që ka besim në atë çka shkruan, nuk tutet nga një vërrejtje e vockël; more, qoftë edhe e madhe. E pse duhet? Duke shkuar në një tragë mesatarizmi e mediokriteti, marrim me vete edhe lexuesit, sadoqë ata janë të ndryshëm - larmia e atyre që lexojnë, është çështje më vete - duke ua cënuar edhe atyre (lexuesve, pra) shijet. Për asgjë nuk mund t’i akuzosh shkruesit, janë aq të mirë, aq naivë; por, më ndjeni, prishja e shijes së lexuesve, marrja e tyre pas në ngastra estetikisht të paqeta, është gabim i madh. Të mësohesh vetëm me lavdërime dhe me pëlqime (Oh, më kënaqe, më mahnite, s’ka poet si ty, etj.,) është një gjë kaq komike. Do të thotë që nuk ka zhvillim, krijimtaria dhe ata që e lexojnë a vlerësojnë atë, kanë hyrë padashur në njëlloj monotonie. Për fat të keq, në këtë ngërç (shikoni ç’fjalë e vockël dhe e pakët është) mblidhen e ngjishen: pasiguria, përsëritja e vetvetes, pafuqia për të ndryshuar, frika për karrierën, zilia për të tjerët, të gjitha shprehje të provincializmit të mjerë. Provincializmi nuk do të thotë se jeton në provincë a në fshat ose je prej fshati edhe të rrish tukequr. Jo. Provincializmi të kaplon ku të jesh, në më të madhin metropol të botës; sepse ai kafshon atje ku është gjëja më e brishtë. Dhe të tilla, janë trembja më së koti dhe mëdyshja e poetit apo çdo shkruesi: ose për shkak të pasigurisë për artin e tij, ose për shkak të asaj që një shkrimtar i çuditshëm dhe që s’i shkoi pas famës e lavdeve asnjëherë, Franc Kafka, e formulon tangent këso: “Siguria që kanë, rrjedh nga marrëzia e tyre.” Një personazh i Ekzyperi, thotë diku: “Asnjeherë nuk mund të jesh i kënaqur atje ku je...” Çudi si shkon krejt në akord me fjalën e urtë popullore: “Vetëm budallai është gjithnjë i kënaqur nga vetja.” Hej, i kam pa të keq, të gjitha...Thjesht, diskutojmë...
Posted on: Wed, 28 Aug 2013 21:03:17 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015