Meditime të shkrimtarit Nikollaj Gogol për Liturgjinë Hyjnore - TopicsExpress



          

Meditime të shkrimtarit Nikollaj Gogol për Liturgjinë Hyjnore MEDITIME TË SHKRIMTARIT NIKOLLAJ GOGOL PËR LITURGJINË HYJNORE Vitin që kaloi u mbushën 200 vjet nga lindja e shkrimtarit të madh rus Nikollaj Gogol (1809- 1852). Në mbarë botën, ashtu si dhe në vendlindjen e tij, Ukrainë, me rastin e këtij përvjetori u organizuan veprimtari përkujtimore për këtë shkrimtar gjenial që çeli rrugë të reja në letërsinë ruse dhe në atë botërore me anë të krijimeve të tij gjeniale, të cilat përshkohen nga një besim i thellë dhe i përkushtuar te Perëndia dhe te Kisha e Tij Orthodhokse. Janë shumë të vlerësuara dhe të lexuara veprat e këtij shkrimtari të madh, i cili së bashku me Pushkinin dhe më pas me Dostojevskin përbëjnë triadën e shkrimtarëve më të mëdhenj rusë dhe të apologjetëve të mëdhenj të Krishterimit. Në Ukrainë në këtë përvjetor të 200-të u krye edhe një shërbesë përshpirtjeje nga mitropoliti i Kievit, Vladimir në kujtim të këtij shkrimtari gjenial, i cili jetoi me shpresëtari dhe nderim të thellë për besimin e krishterë. Nikollaj Vasilieviç Gogol është nga përfaqësuesit më të shquar të kulturës ruse dhe të letërsisë botërore. Me veprat e tij të mrekullueshme dhe novatore ai çeli rrugë të reja tematike dhe gjeti mënyra origjinale shprehjeje në letërsi. Realizmi dhe fantazia e tij, humori dhe sensibiliteti, lirizmi dhe satira gërshetohen dhe kombinohen në mënyrë mjeshtërore në veprat e tij “Mirgorod”, “Revizori”, “Shpirtrat e Vdekur”, “Manteli” etj... Kjo e fundit është novela e tij më e famshme dhe ka qenë një stacion i rëndësishëm për letërsinë e shekullit të 19-të. Fjodor Dostojevski thoshte, se “ne të gjithë kemi dalë nga “Manteli” i Gogolit”. Kjo vepër shënoi edhe kthimin e tij nga stuhia e jetës egocentrike të botës në dritën e dashurisë hyjnore. Në vitin 1840, në moshën 31 - vjeçare, ai sëmuret dhe mbërrin në prag të vdekjes. Shpëton në mënyrë të papandehur dhe pranon shërimin e tij si një dhuratë të dhembshurisë hyjnore të pafund. Tronditja e thellë që i shkaktoi cikja e vdekjes, e transformoi në një të krishterë të ndërgjegjshëm, që e ndien veten të thirrur nga Perëndia për dëshmimin heroik të së shenjtës në botë. Kështu, në vitet e mëvonshme dhe deri në largimin e tij nga kjo botë, Gogoli do të lëçitë kthimin në burimet, asimilimin e gjallë të pasurisë së traditës kishtare dhe transformimin për mirë të njeriut me anë të pjesëmarrjes së tij biomatike në misterin e besimit, në misterin e jetës “në Krishtin me anë të Shpirtit të Shenjtë”. Në këto vite, jeta e tij karakterizohet nga një asketizëm i vërtetë orthodhoks - me kreshmë, lutje, studim të Shkrimit të Shenjtë dhe të teksteve të etërve niptikë, si Filokalia, si dhe me pjesëmarrjen e shpeshtë në misteret e Kishës të Rrëfimit dhe Eukaristisë Hyjnore. Brenda kësaj klime të frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë, lindën Meditimet për Liturgjinë Hyjnore. Madje ky libër është “kënga e tij e mjellmës”. Kjo sepse fill pas shkrimit të tyre, në nisje të Kreshmës së Madhe të vitit 1852, Gogoli u sëmur papritur dhe më 21 shkurt dha frymën e tij te Zoti. Midis shkrimeve të tij u gjendën edhe këta pak rreshta që po ju sjellim më poshtë dhe që përbëjnë testamentin e tij të fundit, të shkruar nga vetë dora e tij: “Të jeni shpirtra të gjallë dhe jo shpirtra të vdekur. Nuk ka një derë tjetër përveç asaj që na rrëfeu Jisu Krishti. Nëse nuk bëheni si fëmijët e vegjël, nuk do të hyni në mbretërinë e qiejve. Mëshiro, o Zot! Lidhe përsëri Satanain me fuqinë e Kryqit Tënd. Si do të arrij të ruaj gjithmonë me mirënjohje në zemrën time, kujtimin e mësimit që mora?”. Duke qenë një pararendës i panjohur i rilindjes së jetës liturgjike dhe sakramentale siç na thotë E. Behr-Sigel, e duke ecur në të njëjtën linjë me Shën Nikolla Kavasilën, Gogoli fliste gjithmonë me admirim për ardhjen e përjetshme dhe të përditshme të Krishtit në njerëzimin e përvuajtur, e cila ndodh brenda misterit të Eukaristisë Hyjnore. Predispozitat dhe themelet e theologjisë orthodhokse nuk janë meditimi dhe filozofia, por përvoja dhe Zbulesa. Kështu, në shikim të parë, titulli i librit të Gogolit Meditime për Liturgjinë Hyjnore ndoshta e çudit lexuesin e sprovuar në lëmin e theologjisë dhe që ka një shqisë të ndjeshme të bazuar në kritere orthodhokse autentike. Por studimi i faqeve të këtij libri sinoptik për Liturgjinë Hyjnore të bind se pas këtij titulli fshihet një paraqitje përshkruese dhe shpjeguese e misterit të madh të Liturgjisë Hyjnore. Kjo paraqitje është thellësisht biomatike në thjeshtësinë e saj dhe në të njëjtën kohë ka frymë patristike brenda origjinalitetit të saj. Përveç këtyre që thamë, vetë Gogoli na informon si për arsyen e shkrimit të kësaj vepre, ashtu dhe për përmbajtjen e saj: “Qëllimi i këtij libri është t’u tregojë atyre që e njohin fare pak Liturgjinë Hyjnore dhe mbi të gjithë të rinjve, se sa shumë plotësi dhe thellësi mendimesh që alternohen njëra pas tjetrës, përmban ajo. Për këtë qëllim, nga shumë komente shpjeguese të Etërve të Shenjtë dhe Mësuesve të Kishës sonë ne zgjodhëm vetëm ato që, për thjeshtësinë e tyre janë të kuptueshme për të gjithë dhe që janë veçanërisht të përshtatshme për të treguar kalimin e natyrshëm nga njëri akt liturgjik në tjetrin. Qëllimi i shkrimtarit është njohja e lexuesve me tërësinë e rregullës ceremoniale dhe siguria se Liturgjia Hyjnore do të zbulojë kuptimin e saj mistik dhe të thellë në çdo njeri, që do të marrë pjesë në atë me kujdes”. Në vitin 1902 u botua në gjuhën ruse në Berlin një Liturgjikë ku përfshiheshin edhe Meditimet e Gogolit, të shoqëruara dhe me një përkthim në gjermanisht. Në faqen e parë të këtij botimi, përkthyesi i tij, protopresviteri Aleksi Malzov shënon: “Për një shkak, që është tërësisht i pakuptueshëm, eseja e bukur e Gogolit me titull Meditime për Liturgjinë Hyjnore, nuk ka gjetur vend në asnjë nga botimet e veprave të tij që konsiderohen të plota. Kjo ka ndodhur në të gjitha botimet e veprës së tij të plotë, përveç asaj të Marx, i cili është edhe botuesi i revistës Niva. U botua për herë parë në vitin 1857 (pesë vjet pas vdekjes së shkrimtarit në moshën 43 - vjeçare), në Shën Petërsburg, nga P. A. Kulisç edhe në formën e një botimi të pavarur. Më vonë u botua edhe nga Sinodi i Shenjtë i Kishës së Rusisë...”. Qysh nga ajo kohë dhe deri në ditët tona, Meditimet janë përkthyer, shtypur dhe kanë qarkulluar shumë herë dhe në mjaft gjuhë të tjera. Më poshtë po japim dy fragmente, hyrëse dhe përmbyllëse, të kësaj dëshmie të rrallë besimi. LITURGJIA HYJNORE “Liturgjia Hyjnore është, sipas një pikëpamjeje, përsëritja e vazhdueshme e shprehjes më supreme të dashurisë, që u shfaq “një herë e mirë” për hirin tonë. Raca njerëzore, duke vajtuar në çdo cep të globit për apostazinë e saj, i thërriste Krijuesit të saj me përgjëratë. Brenda errësirës mbytëse të idhujtarisë dhe në mosnjohjen e Perëndisë, njeriu ndiente se rregulli dhe harmonia nuk mund të sundonin përsëri në tokë, përveçse me anë të Atij që urdhëroi gjithësinë të lëvizë me harmoni. Krijesa, duke psherëtirë, i thërriste Krijuesit të saj. E paaftë jo vetëm për të kuptuar mesazhet plot kuptim të fakteve që përsëriten gjithmonë në botën e Perëndisë, por edhe të dallojë edhe një germë të vetme edhe sikur të harxhonte shekuj përpjekjesh për këtë gjë - krijesa rrinte në pritje me shpresë se do të ndriçohej me mësimin e vetë Krijuesit të saj. Gjithësia vazhdimisht thërriste dhe luste Shkaktarin e ekzistencës së saj dhe ato thirrje dëgjoheshin më të thekshme teksa dilnin nga gojët e të zgjedhurve dhe të profetëve të tij. Kjo sepse ata e ndienin dhe e njihnin se nëse Krijuesi do të shfaqej te njeriu, këtë do ta bënte me formën e krijesës së Tij, të krijuar sipas ikonës dhe shëmbëllimit të Tij. Prania Hyjnore mbi tokë u bë e dukshme ndër të gjithë, tek secili sipas shkallës së pastërtisë që ideja e Perëndisë kishte përbrenda tij. Por qartë në lidhje me atë folën vetëm profetët e popullit të zgjedhur. Trupëzimi i panjollë i Zotit nga Virgjëresha e tërëdëlirë, ndërsa ishte një shpresë madje edhe e idhujtarëve, u shpall më saktë vetëm nga profetët. Thirrjet përgjëruese u dëgjuan. Në botë u shfaq Ai që krijoi botën. U shfaq në mes tonë, i ngjashëm me ne, në formë njeriu, siç e prisnin edhe ata që ndodheshin në errësirat e paganizmit- por jo siç e kishte fantazuar mendja e tyre e ndotur: Jo në mes të një lavdie dhe madhështie të përmbishkëlqyer; jo si shpagues i së keqes, jo si gjykatës, që disa do t’i dënonte dhe disa do t’i shpërblente. Jo. Erdhi ashtu siç vetëm Perëndia do të mund të vinte. * * * Liturgjia Hyjnore ka diçka që është e veçantë dhe që nuk ka të çmuar: kryerja e saj bëhet në mënyrë publike, para syve të të gjithëve dhe megjithatë është një mister që nuk mund t’i afrohet kush. Nëse besimtari merr pjesë në çdo fazë të saj me shpresëtari dhe vigjilencë, shpirti i tij do të lartohet; përmbushja e porosive të Krishtit do t’i duket e lehtë, zgjedha e Krishtit do të jetë për atë e butë dhe barra e tij e durueshme. Kur besimtari del nga Kisha, ku mori pjesë në Darkën e Dashurisë, ai shikon në fytyrat e të gjithë njerëzve vëllezërit e tij. Gjatë punëve të përditshme që kryen, në punë ose në shtëpi ose kudo tjetër ku ndodhet ruan pa u sforcuar brenda tij vendimin e lartë të një marrëdhënieje të tillë vëllazërore me të gjithë, sikundër frymëzohet nga dashuria, që Perëndinjeriu e solli nga qiejt. Nëse sheh dikë që ka nevojë, zemra e tij do të nxisë më shumë se herët e tjera për t’i ardhur në ndihmë. Nëse ka ndonjë ofiq, do të tregohet më dashamirës me vartësit e tij. Nëse ndodhet vetë nën pushtetin e të tjerëve, ka për t’u bindur me gatishmëri dhe do të punojë më me kujdes. Nëse ai vetë ndodhet në nevojë, do të pranojë me mirënjohje edhe ndihmën më të vogël dhe do të lutet me mirënjohje më shumë se herët e tjera për bamirësinë e tij. Dhe të gjithë sa marrin pjesë në Liturgjinë Hyjnore, ikin të transformuar, më të paqtë, më të zbutur në marrëdhëniet me të tjerët, më zemërmirë, më të ëmbël. Prandaj, ai që do të përparojë dhe të bëhet më i mirë, duhet të marrë pjesë sa më shpesh që mundet në Liturgjinë Hyjnore dhe madje të marrë pjesë me kujdes dhe të ketë përjetim. Liturgjia e ndërton dhe e formon të krishterin padukurisht dhe në mënyrë mistike. Dhe nëse shoqëria jonë nuk është shpërbërë tërësisht dhe nuk është shkretuar, nëse njerëzit nuk ndahen nga urrejtja vdekatare dhe e pashuar, shkaku i fshehtë i tërë këtyre është Liturgjia Hyjnore, që i kujton secilit nga ne dashurinë e shenjtë dhe qiellore për vëllezërit tanë... Ndikimi i Liturgjisë Hyjnore mund të jetë shumë i madh nëse secili që merr pjesë, i vë vetes detyrë që të zbatojë ato që dëgjon aty. Të gjithë i mëson në mënyrë të barabartë, në të gjitha shtresat shoqërore dhe në të gjitha klasat vepron njësoj, nga i pari deri tek më i fundit, duke u thënë të gjithëve të njëjtën gjë dhe me të njëjtën gjuhë, duke i mësuar pra dashurinë, “që është lidhja e përsosmërisë” (Kol. 3:14), shtysa e fshehtë që vë në lëvizje mbarë gjithësinë. Por nëse Liturgjia Hyjnore vepron aq fort ndër ata që marrin pjesë tek ajo, shumë më tepër ndikon ajo tek ai që e kryen, te prifti. Kjo gjë, nëse e kryen me shpresëtari, me frikë Perëndie, besim dhe dashuri pastrohet si enët e kishës dhe ngelet i panjollë gjatë gjithë ditës. Te prifti në plotësimin e shërbesës së tij baritore - brenda familjes së tij ose brenda ambientit shoqëror ku ndodhet dhe veçanërisht me famullitarët e tij, të cilët edhe këta janë familja e tij - vetë Zoti Shpëtimtar ikonizohet në pamjen e tij. Kështu, në të gjitha veprat e Tij, Krishti është Ai që i kryen ato. Në të gjitha fjalët është Krishti Ai që i flet. Dhe kur prifti përpiqet të pajtojë armiqtë, kur përpiqet të frymëzojë tek ai që është më i fortë dhembshurinë për të dobëtin; kur vuan që të zbusë zemërashprin, kur ngushëllon të hidhëruarin, kur i nxit durimin atij që tiranizohet, fjalët e tij kanë për të vepruar si vaj shërues dhe do të jenë në çdo rast fjalë paqeje dhe dashurie. Perktheu dhe pergatiti: Dhjak Anastas Bendo Botuar tek gazeta Ngjallja, botimi janar dhe shkurt 2010
Posted on: Wed, 20 Nov 2013 10:15:04 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015