Mesoni te verteten miq pas Partizanit Dinamos,Tiranes ,Flamurarit - TopicsExpress



          

Mesoni te verteten miq pas Partizanit Dinamos,Tiranes ,Flamurarit shpresoj me gjithe zemer mos te jete rradha jone !!! KUKES - E kush do ta kishte menduar që një skuadër shqiptare, për shumë kohë “e humbur” si ajo e Kukësit, sot do të luante në ‘Europa Ligue’. Është hera e parë në historinë e futbollit shqiptar, që një ekip i yni kalon tri ture në një kompeticion kaq të rëndësishëm. Kjo është arritur nëpërmjet investimeve kolosale që ka bërë Presidenti i klubit të Kukësit, Safet Gjici, bashkë me biznesmenë të tjerë. Arsyeja e vetme e këtij angazhimi, është pasioni i madh për sportin. Nuk mund të mendojmë që z. Gjici ta ketë bërë këtë zgjedhje për përfitime personale, pasi ai është pronar i dy bizneseve të suksesshme dhe vetëm për ndërtimin e stadiumit të Kukësit ka shpenzuar 1.1 miliardë lekë. Po kush është Safet Gjici dhe si ka arritur të bëhet kaq i pasur. Pse zgjodhi të investonte pikërisht tek Kukësi dhe pse pas kaq shumë arritjesh po e braktis. Tifozët e futbollit por jo vetëm, mund t’i mësojnë të gjitha të vërtetat, në këtë rrëfim që Presidenti Gjici dha për “Gazeta Shqiptare”. Kur ka nisur lidhja, angazhimi juaj me ekipin e Kukësit? Lidhja ime me ekipin e Kukësit ka nisur para tri vitesh, kur ky ekip ishte ende në kategori të dytë. Në atë kohë kam qenë në rolin e sponsorizuesit.Pastaj dolëm në kategori të parë. Më pas u mblodhëm një grup biznesmenësh që, nga kategoria e parë, e nxorëm skuadrën në Superligë. Natyrisht ka qenë një punë e vështirë, qoftë për investimet e mëdha që janë bërë, por qoftë edhe për menaxhimin. Në çfarë investuat konkretisht? Së pari bëmë merkato dhe morëm lojtarë të mirë, për t’iu përgjigjur edhe konkurrencës me ekipet e tjera. Realisht kjo kërkonte para. Pra morëm lojtarë më të mirë, pasi ata që ishin nuk mund të realizonin objektivin tonë për t’u futur në Superligë. Pse zgjodhët të investonit pikërisht tek Kukësi e jo tek një skuadër tjetër? Për arsyen se unë vetë jam nga një fshat i Kukësit. Kam mbi njëzet vite që jam larguar prej andej, por asnjëherë s’e kam harruar vendlindjen time. Megjithëse jam larguar, në fshatin e lindjes kam bërë disa investime e po ashtu edhe një xhami për bashkëfshatarëte mi. Gjithmonë kam pasur kontakte të vazhdueshme me Kukësin. Ajo që më nxiti më së shumti që të investoja në sport, ishte kur kuptova që njerëzit atje ishin shumë tifozë, që kur Kukësi ishte në kategori të dytë. Pra në Kukës ka tifozë shumë të mirë. Ekipi i Kukësit është formuar që në vitin 1936, por asnjëherë nuk kishte dalë në kategorinë e parë. Pas 82 vitesh ne arritëm që ta nxirrnim në kategori të parë, dhe kjo ishte një ngjarje historike për Kukësin. Por të paktë ishin ata që kishin besim. Unë, që në ndeshjen e parë kam deklaruar që objektivi unë ishte pjesëmarrja në Ligën e Europës. Askush nuk e besoi, madje skeptikët e mëdhenj nënqeshën dhe thanë se “ky president klubi nuk merrka vesh nga futbolli”. Unë nuk u ktheva asnjë përgjigje, por u fokusova tek puna. Cila ishte vështirësia më e madhe që kaluat? Pjesa më e vështirë ka qenë ndërtimi i stadiumit për një afat kohor shumë të shkurtër. Stadiumi është kusht. Nëse skuadra nuk ka stadium, nuk i lejohet të luajë në fushën e saj. Bashkia bëri një tender për ndërtimin e stadiumit, por tender pa lekë. Firma ime e ndërtimit fitoi tenderin për ndërtimin e stadiumit. Fondet i dhamë unë dhe z. Bashkim Gjoka, një tjetër biznesmen nga fshati im i lindjes. Në sa kohë u ndërtua stadiumi? Stadiumi është ndërtuar në një kohë rekord prej 45 ditësh. Cila është shifra në para që keni investuar? Stadiumi ka kushtuar gjithsej 1.1 miliardë lekë. Është ndërtuar me kushte shumë të mira, por ka nevojë ende për pak investim për ndriçimin. Na është premtuar nga presidenti Armando Duka që do merret ai me ndriçimin dhe në fakt atij i takon. Pjesa tjetër e stadiumit, ambientet, zyrat, janë shumë komode e cilësore. Është stadium model sa i përket infrastrukturës. Ata që ju nënqeshën, si reaguan pas arritjes së ekipit tuaj? Analistët sportivë në studio të ndryshme televizive e kanë pranuar edhe në prezencën time që kanë dështuar në analizën e tyre. Madje edhe kanë falenderuar për arritjen tonë. Kukësi tregoi ndershmëri, që është shumë e rëndësishme për imazhin e futbollit shqiptar dhe të të gjithë Shqipërisë. Këtë na e konfirmoi edhe Presidenti i Republikës, i cili, nëpërmjet një telefonate, na falenderoi për imazhin e mirë që i kemi dhënë futbollit shqiptar. Kush nga emrat e tjerë të politikës ju ka uruar apo ka komentuar me ju arritjen tuaj? Më kanë uruar politikanë nga të dyja kahet, shumë deputetë të së majtës, por edhe nga e djathta. Më ka uruar edhe Kryeministri në detyrë. Kryeministri i zgjedhur, akoma nuk na ka uruar, por kam informacione që edhe ai do të bëjë falenderimin e vet. Mesazhe të shumta kam marrë edhe nga tifozë të Kukësit që jetojnë nëpër botë. Në pamundësi për t’ua kthyer të gjithëve urimet që më kanë bërë, po gjej rastin t’i falenderoj të gjithë nëpërmjet gazetës suaj. Uroj që të kalojmë edhe “play-off”-in. Do të ishte e jashtëzakonshme. Me të drejtë disa analistë e quajnë sot ekipin e Kukësit ‘kombëtare e vogël’ e Shqipërisë. Nuk na ka shkuar kot mundi që kemi bërë gjithë këtë kohë. E donit futbollin që kur jetonit në fshatin e Kukësit? Unë atëherë jam marrë me futboll, por kam qenë edhe nxënës i shkëlqyer. Shkollën e mesme e kam mbaruar me të gjitha 10-ta. Në shkollë kishim një ekip të vogël, dhe unë isha nga sulmuesit më të mirë. Shokët kishin frikë kur luaja unë. Kur bënim ndeshje me shkollat e tjera, ekipi ynë dilte shpesh fitues. Prindërit tuaj, me se merreshin? Prindërit e mi kanë punuar në bujqësi. Kanë qenë njerëz të ndershëm, korrektë dhe shumë besimtarë. Sot nuk jetojnë më. Ajo çka kam mësuar prej tyre më ka shoqëruar gjithë jetën. Shpesh korrektesën, ndershmërinë, ta shpërblen dhe Zoti, si në rastin konkret për bizneset e mia, por edhe për futbollin. Çfarë ëndërronit kur jetonit atje? Ju ka shkuar ndër mend që do jetonit në Tiranë e do bëheshit i suksesshëm? Me aftësitë që kisha që kur jetoja atje, e dija që do ecja, sepse isha shumë kërkues dhe vizionar. Mësoja shumë, isha shumë i mirë në matematikë dhe kisha dëshirë të bëhesha inxhinier ndërtimi. Në farefis kisha dikë të persekutuar, ndaj kur konkurrova, nuk është se gjeta shumë mbështetje. Megjithatë konkurrova dhe fitova në dy degë, Akademinë e Policisë dhe Inxhinierinë Elektronike. Zgjodha të parën. Më vonë jam diplomuar edhe për Juridik, por diploma më e vlefshme që kam është ajo në biznes. Kur jeni larguar nga Kukësi? Në vitin 1991, pasi mbarova shkollën e mesme dhe fillova shkollën e lartë në Tiranë, në Akademinë e Policisë siç quhej asokohe. Cila ka qenë puna juaj e parë? Kam qenë oficer pranë Komisariatit numër 2 dhe në Gardën e Republikës. Pastaj kam kaluar në biznes privat, dhe sot kam dy firma. Si i arritët majat në biznes dhe të fitonit kaq shumë para? Çelësi i suksesit është puna dhe vetëm puna. Kam parimin që, me çdo punë dua të merrem vetë. Natyrisht që edhe stafi kryejnë detyrat e tyre, por unë jam i angazhuar edhe vetë drejtpërdrejt me çdo punë. Kjo deri në momentin që doli futbolli në skenë (qesh). Futbolli tani më merr pak më shumë kohë, por strukturat janë të mirorganizuara,pra edhe në mungesën time puna vazhdon normalisht. Sigurisht që jemi në kohë krize, jo vetëm në Shqipëri, por në një pjesë të mirë të Europës, megjithatë mund të them që bizneset ecin mirë. Në çfarë moshe jeni martuar? Jam martuar 25 vjeç dhe kam katër fëmijë, tre djem dhe një vajzë. Ishte e vështirë t’i menaxhonit të gjitha në një moshë kaq të re? Me thënë të drejtën, i kam hyrë pak në hak familjes, sidomos vitet e fundit që, përpos bizneseve, jam marrë dhe me sportin. Më është dashur që fundjavave të lëviz nëpër rrethe e të ndjek ekipin. E falenderoj familjen time që më ka kuptuar. Përpiqem që në mes të javës të gjej kohën për të shëtitur me ta. Për fat të mirë kam mundësi që ata të kalojnë kohë e të shëtisin, si në fshat e si në Durrës, pasi kam vilat e mia. Por sigurisht që kjo nuk mjafton, pasi çdo fëmijë do dhe babain pranë, qoftë edhe për të lozur me të. Për hir të së vërtetës, kam marrë kohë nga familja e nga puna vetëm për sportin. I kam dhënë shumë ekipit të Kukësit... I keni dhënë kaq shumë Kukësit, dhe keni në plan të investoni tek Tirana. Pse po e braktisnin skuadrën tuaj të zemrës? Tifozët e Kukësit i vlerësoj shumë, janë njerëz të mirë, besnikë. Për hatër të tifozëve të Kukësit unë edhe jam nderuar si qytetar nderi, ndaj jam akoma më i lidhur me ta. Dhe jam përpjekur që t’ua shpërblej, sidomos me arritjen e fundit. Do Zoti kalojmë dhe “play-off”-in. Gjithsesi, edhe kaq sa është bërë, ka shënuar rekord për vendin tonë, dhe për këtë ndihem shumë krenar. Mirëpo Kryetari i Bashkisë së Kukësit, z. Hasan Halili, i cili po ashtu ka qenë i lidhur me futbollin, kohët e fundit i ka përzier pak punët me politikën. Së fundmi prej tij kam dëgjuar edhe shumë deklarata tendencioze, të cilave as nuk begenis t’u kundërpërgjigjem, pasi janë shumë dashakeqe. Çfarë do të thotë “e ka përzier me politikën”? Ai është i përfshirë personalisht në politikë si përfaqësues i Partisë Demokratike. Një muaj para zgjedhjeve kaloi me LSI-në si individ, se nuk e la bashkinë. Ai kërkoi të përdorte ekipin për fushatë elektorale, pra për problemet e veta individuale. Por ne si drejtues të klubit jemi fokusuar vetëm tek arritjet në sport, pa dashur të përziejmë gjëra të tjera. Ne jemi disa aksionerë. Aksioneri më i madh jam unë, por janë edhe dy zëvendëspresidentë, z.Bashkim Gjoka dhe z.Flamur Hoxha, të cilët kanë kontribuar për ekipin dhe i falenderoj pa masë. Por ka edhe donatorë të vegjël nga Kukësi, të cilët kanë dhënë po ashtu kontribut në forma të ndryshme. Mirëpo që ekipi të arrijë në nivelet ku është, kërkon investime kolosale. Të ardhura vijnë nga UEFA, por gjithsesi duhet sërish shumë. Bashkia e Kukësit ka 10% të aksioneve, që nuk janë personale të kryetarit, por të taksapaguesve. Qëllimi i sportit është të kënaqë qytetarët e Kukësit dhe ky duhet të jetë fillimisht qëllim i kryetarit të bashkisë, e jo ta përdorë skuadrën për qëllimet e veta personale. Nuk mund ta përdorë ai skuadrën që u ngrit nga hiçi dhe arriti këtu ku është sot, me paratë e biznesmenëve, për strategji elektorale e inate personale. Unë shumë mirë di t’u them tifozëve që prej tyre nuk iki, por për zotërinë në fjalë po nxjerr aksionet në shitje dhe po pati para le t’i blejë. Nëse është i zoti, ta marrë ekipin dhe ta çojë edhe më lart se kaq. Mua si kuksian që jam, qejfi më bëhet! Kjo është arsyeja që më ka vënë në dilemë, nëse duhet të vazhdoj me Kukësin apo të marr një ekip tjetër. Akoma s’keni vendosur nëse do e merrni apo jo Tiranën? Me thënë të drejtën, unë kam pasur oferta për ta marrë klubin e Tiranës dhe nuk i kam refuzuar. Por klubi i Tiranës nuk ka një dokumentacion të mirëfilltë. Ashtu siç kam bërë me Kukësin, - pra e kam marrë me dokumentacion nëpërmjet qeverisë vendore, - kështu dua të veprohet edhe me Tiranën. E shoh të vështirë hartimin e dokumentacionitpër këtë grup, pasi duhet që anëtarët e këshillit, që u përkasin kaheve të ndryshme, duhet të bien dakord. Nëse e zgjidhin çështjen e dokumentacionit, jam i gatshëm ta marr Tiranën. Vetëm duhet të them që, më vjen shumë keq për tifozët e Kukësit, por më duhet ta lë prej këtij individi. Njerëzit e kanë parë që s’ka bërë asgjë për Kukësin, por duhet ta shohin edhe një herë. Ju vetë, aspironi të futeni në politikë? Kam pasur oferta, edhe nga e majta, edhe nga e djathta, për zgjedhjet që sapo u bënë, kryesisht për zonën e Kukësit. Edhe pse mirënjohës për ofertat që më janë bërë, kam refuzuar. Refuzova, sepse nuk doja që të thoshin se investimi im në sport u bë për arsye politike. Nëse s’do ishte sporti në mes, a do ishit futur në politikë? Edhe mund të isha futur, por këtë herë nuk e pashë të përshtatshme që të angazhohesha politikisht. 100 mijë eurot shpërblim nga Federata, i morët? Janë pothuajse të marra, pasi tashmë gjithçka është ligjore. Është vetëm çështje proceduriale dhe mendoj se do të mbyllet deri nga data 15 e këtij muaji. E rëndësishme është që, presidenti Armando Duka e premtoi këtë shpërblim që para se të luhej ndeshja e parë dhe e mbajti premtimin. Ndaj e falenderoj për mbështetjen, qoftë morale, por edhe stimuluese.
Posted on: Tue, 13 Aug 2013 08:19:16 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015