Meta: Rama kryeministër, qeveria duhet të formohet sa më - TopicsExpress



          

Meta: Rama kryeministër, qeveria duhet të formohet sa më shpejt Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta në një intervistë për Top Channel deklaroi se i takon Partisë Socialiste të vendosë për kryeministrin e qeverisë së re. “E kam shprehur që ne do të respektojmë rregullat e demokracisë dhe Kushtetutën dhe natyrisht që i takon Partisë Socialiste që të marrë këtë përgjegjësi. Por sigurisht nëse ata nuk e marrin ne e marrim atë, por në respekt të votës së popullit…i takon PS-së”, tha Meta. Lidhur me pozicionin e tij në qeverinë e ardhshme, Meta tha se ende nuk është vendosur asgjë. Meta komentoi edhe fitoren e së majtës. Ai tha se nuk e priste një votë kaq masive popullore për koalicionin e majtë dhe për LSI-në në veçanti dhe radhiti disa shkaqe, që sipas tij, karakterizuan votën e 23 qershorit. “Besoj se kjo vjen me arsyet që kanë të bëjnë me vlerësime realiste të situatës politike. Unë kam qenë i bindur, pavarësisht se sistemi nuk e favorizon shumë votat, por që ka dhënë 80 mandate dhe këtë edhe për arsye të sondazheve tepër profesionale që ne kemi bërë vazhdimisht. Fitorja është realiste dhe është i domosdoshëm një ndryshim në shkallë të gjerë. Mendoj se ka nevojë për një qeverisje më përfshirëse dhe për një frymëmarrje”, tha Meta. Kryetari i LSI-së u ndal edhe tek incidenti i Laçit. “Tensioni është se PD përmes dhunës dhe tensionit të përmbysë situatën nga 4-3 në favor të saj dhe gjithë kjo vjen për shkak të mosqëndrimit të qartë dhe korrekt të Policisë së Shtetit”, tha Meta. Kreu i LSI-së shtoi se rendi dhe ligji duhet të jenë prioritet i qeverisjes së re. Sa për pështjellimin e krijuar për mandatin e katërt në Kukës, Meta tha se çdo votë e popullit duhet të lexohet qartë, aq më tepër kur bëhet fjalë për të vendosur një garë, siç tha ai, që vendoset nga një grusht votash. Meta vlerësoi se e majta aktualisht është më e bashkuar se kurrë. Ai tha se ky bashkëpunim mes forcave të majta do të vazhdojë dhe do të jetë afatgjatë. “Spartak Braho është simboli i së majtës së bashkuar”, tha ai. Kreu i LSI-së tha se duhet një ristrukturim i modelit ekonomik të vendit. “Duhet të ristrukturojmë ekonominë tonë që bazohet tek konsumi dhe të ardhurat e emigrantëve, duhet t’i japim prioritet sektorëve që prodhojnë për të ulur importet e rritur eksportet ku bujqësia dhe agro-industria kanë peshën kryesore, por edhe sektorët e tjerë të mineraleve si dhe tërheqja e investitorëve të huaj, si parqe industriale”, tha Meta. Meta tha se qeveria e re duhet të formohet sa më parë, jo vetëm për aspektin ekonomik dhe social, por edhe për disa detyra që i takojnë integrimit europian në mënyrë që në fund të vitit të merret statusi i vendit kandidat. 26 qershor 2013 (gazeta-Shqip)
Posted on: Wed, 26 Jun 2013 08:42:36 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015