Më poshtë fjalimi që mbajta para varrit të Mbretit Zog në - TopicsExpress



          

Më poshtë fjalimi që mbajta para varrit të Mbretit Zog në Paris më 7 prill 2012 kur organizuam homazhet e fundit me rastin e 51-vjetorit të vdekjes Tij dhe para kthimit të eshtave të Mbretit në Atdhe. Ky fjalim u botua në mënyrë integrale në disa media shqiptare si : gazeta55.al/index.php?kat=opinion&artikulli=26741 ***** FJALIM ME RASTIN E 51 VJETORIT TE VDEKJES SE N.M.T. MBRETIT ZOG I Lartësia juaj, Princi Leka, E nderuara, zonjusha Elia Zaharia, I nderuar Imam Tasim Ramadani, I nderuar Z. Skender Zogu, Chère Sylviane, I nderuar Z. Ekrem Spahiu, kryetar i PLL, Të nderuar Z. Ylljet Aliçka, Ambasador i Shqipërisë në Francë dhe Z. Gani Azemi, këshilltar i Ambasadës së Kosovës në Belgjikë, Bashkatdhetarë të dashur, Zonja dhe Zotërinj, Jemi mbledhur sot për të përkujtuar dhe nderuar jetën dhe veprën e një prej personaliteteve më të ndritura të historisë sonë kombëtare dhe për të bërë homazhe para varrit të themeluesit të shtetit shqiptar modern, Naltmadhërisë Tij, Mbretit Zog I. Kjo ditë përkon me 51 vjetorin e ndarjes nga jeta të Sovranit tonë, por edhe me një ngjarje të rëndësishme për gjithë popullin shqiptar. Në këtë përvjetor, që shënon edhe 100 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar, eshtrat e Mbretit Zog do të riatdhesohen në vendlindjen e tij dhe do të prehen përjetësisht në Shqipërinë tonë të dashur, për të cilën Mbreti Zog lindi dhe jetoi. Është pikërisht kjo arsye që jemi mbledhur sot bashkë me një delegacion të gjerë nga Shqipëria, me në krye Princin Leka, sepse është hera e fundit që vijmë në këto varreza në përvjetorin e vdekjes së Mbretit Zog dhe ku eshtrat e tij pushuan 51 vite me radhë. Shfrytëzoj rastin për të falenderuar shtetin dhe popullin mik francez, që i dha strehë familjes mbretërore shqiptare, si dhe shumë legalistëve dhe mbretërorëve shqiptarë, dhe ku Mbreti Zog kaloi shumë vite të jetës, ku trupi i tij pushoi në paqe, derisa vendlindja dhe populli e thërritën për t’u rikthyer. Sipas traditës tonë të kahershme, para se të vazhdojmë, ftoj Imamin tonë të nderuar, Hirësinë e Tij, Tasim Ramadanin, për të bërë një lutje për shpirt të Mbretit Zog. ***** Lartësia Juaj, Zonja dhe Zotërinj, Nuk kemi për qëllim të përshkruajmë jetën e Sovranit tonë të shtrenjtë. Jo se na mungon dëshira, por do të duhej një studim shkencor dhe historik për të nxjerrë në dritë vlerat e tij. Megjithatë, nuk mund t’i kalojmë në heshtje përpjekjet më krijesore të figurës më të shkëlqyeshme shqiptare, pa të cilën rilindja jonë do të ishte jetime. Ahmet Zogu lindi në vitin 1895, në Burgajet të Matit, në Oxhakun e Zogollëve, i dalluar për trimërinë, atdhe-dashurinë dhe besnikërinë e tij. Që në orët më të para të jetës së tij, Ahmet Zogu u orvat për të krijuar një levizje antiarmiqësore në vendlindjen e tij dhe u përpoq që të ballafaqohej me sulmet e shumta të ushtrive italiane dhe serbo-malazeze, që dëshironin të sundonin vendin tonë. Kështu, ai fitoi besimin e patundur të bashkëvendasve të tij dhe pa humbur kohë, u ngrit në rangun më të lartë të prijësve luftarakë në mbarë Shqipërinë. Gjithmonë në krye të luftës, ballë çdo rreziku, Ahmet Zogu ishte i pari ndër të parët në betejat më vendimtare për fatin e Shqipërisë. Kështu që, edhe Ismail Qemali e ftoi prijësin e Matit, në moshën e re 17-vjeçare si delegat në Vlorë, me rastin e ngritjes së flamurit, më 28 nëntor 1912. Aktiviteti i tij i gjithanshëm kombëtar, i udhëhequr nga ndjenjat më të larta patriotike, triumfoi më 21 janar 1920, me Kongresin e Lushnjës. Aty, si arkitekt i kuvendit në fjalë, për fatin e madh të kombit, u zgjodh Ministër i Punëve të Brendshme dhe kështu arriti të sigurojë themelet e shtetit të ri Shqiptar. Më 23 dhjetor 1923, u caktuan zgjedhjet e para të lira në Shqipëri, me anën e të cilave populli ia dha besimin heroit të tij legjitim, i cili diti t’i bashkojë shqiptarët, duke u prirë në luftë e t’i udhëheqë në paqe, për të formuar shtetin e parë shqiptar. Mirëpo, në qershor të vitit 1924, procesi demokratik në atdhe u ndërpre për afër 6 muaj, nga një grusht-shteti, i frymëzuar nga bolshevizmi anti-kombëtar i Fan Nolit. Ky i fundit dëshironte të vendosë në Shqipëri një regjim anti-parlamentar dhe filloi të krijojë miqësi të ngushta me Bashkimin Sovjetik. Kjo situatë ishte e papranueshme dhe kur qeveria shqiptare mbajti zi me rastin e vdekjes së Leninit, fuqitë perendimore vendosën të ndihmojnë Ahmet Zogun që të kthehet në Shqipëri dhe të shpëtojë jo vetëm Atdheun e tij, por mbarë Evropën prej këtij rreziku. Më 24 dhjetor 1924, Ahmet Zogu hyri triumfalisht në Tiranë, me përkrahjen dhe pëlqimin e pothuajse shumicës dërrmuese të popullit shqiptar dhe rrëzoi qeverinë ilegjitime të Fan Nolit, duke shpallur Triumfin e Legalitetit. Me kthimin e Ahmet Zogut në Shqipëri filloi një periudhë përparimi dhe begatie, që do të vazhdonte për 15 vjet me radhë. Kryetar republike më parë dhe Mbret i madh i një kombi të vogël, i cunguar padrejtësisht nga shtetet fqinjë, Ahmet Zogu kishte fituar emër e zë, duke e bërë Shqipërinë tonë të njohur në botë dhe anëtare e kombeve në Gjenevë. Mbreti Zog u dallua në krye të shtetit shqiptar si organizator dhe strateg i pamposhtur, si reformator e konsolidues i shtetit të ri shqiptar i pashoq. Vetëm nën udhëheqjen dinjitoze të tij dhe afinitetin diplomatik e kombëtar, Shqipëria u radhit në familjen e qytetëruar të Evropës, u sigurua pavarësia e përhershme e shtetit shqiptar, populli shqiptar ishte i lirë dhe zot i vetvetes në trojet e veta. Pasi kishte krijuar premisat e një zhvillimi të sigurt dhe me afat të gjatë për vendin tonë, Mbreti Zog vendosi të bashkohet me një konteshë hungareze, e cila shndriti atdheun tonë nga bukuria e rrallë. Më 27 prill 1938, nga Tirana jonë e dashur, u hap jehona: Naltmadhëria e Tij, Zogu I, lidhi fatin e tij dhe të kombit me “Trëndafilin e Bardhë” të Hungarisë, Konteshën Geraldinë Apponi, e cila me fisnikërinë e saj, hijeshinë dhe bukurinë e veçantë, i dha Mbretërisë tone të re njohje më të gjerë dhe prestigj më të lartë, në gjirin e mbretërive më të vjetra dhe më të mëdha të Evropës e të botës. Një vit më vonë, pikërisht më 5 prill 1939, u sigurua ardhmëria e vendit tonë. Zoti e bekoi jo vetëm çiftin Mbretëror, por edhe të gjithë popullin shqiptar, si në Shqipëri, Kosovë, Çameri e Mal të Zi. Për fatin e madh të kombit, atë ditë lindi Princi trashëgimtar Leka, Mbreti ynë i dashur Leka, që për fat të keq u nda nga jeta parakohe, pak muaj më parë, por që na la Princin Leka II, trashëgimtar të fronit Mbretëror, që na nderon sot me prezencën e vet. Zonja dhe Zotni, Procesi i rindërtimit dhe zhvillimit të atdheut tonë u ndërpre nga pushtimi i Italisë fashiste, e cila në kundërshtim me të gjitha ligjet botërore të integritetit e të sovranitetit tokësor, pushtoi vendin tonë më 7 prill 1939. Në këtë datë, Parlamenti vendosi unanimisht që Mbreti, familja e Tij dhe qeveria shqiptare duhej të largoheshin nga vendi për t’i shërbyer në liri çështjes kombëtare. Mbreti ynë u largua për një mërgim, sa i gjatë aq edhe i hidhur. Por jo pa i siguruar popullit të tij një udhëheqës luftarak të pashoq, besnikun e tij më të vendosur, heroin tonë kombëtar, të pavdekshmin gjeneral Abaz Kupin. Ai, bashkë me dëshmorin kombëtar Mujo Ulqinaku dhe sa e sa të tjerë, i treguan botës mbarë, se stërnipat e Skënderbeut nuk dorëzohen pa luftë dhe se, “shqiptari që vdes për Atdhe, Flamur e Mbret, ai nuk ka vdekur, por veç ka lindur”. Data e 7 prillit 1939 do të mbetet përgjithmonë e shënuar me të zezë në kalendarin e historisë shqiptare. Jo vetëm sepse u humb liria dhe pavarësia, por atë ditë diktatura fashishte ia bëri djepin diktaturës më të egër dhe më të përgjakshme të historisë sonë. Gjatë Luftës Dytë Botërore, Mbreti Zog u vendos në Londër, si shumë kryetar të vendeve europiane të pushtuar. Aty, Mbreti Zog u orvat gjithnjë për të fituar përkrahjen e aleatëve për çlirimin e vendit, por meqenëse fati i Atdheut ishte vendosur sipas interesave politike dhe gjeo-strategjike të fuqive perendimore, aktiviteti i Tij ishte gjithnjë i sabotuar. Kur qeveria angleze njohu regjimin gjakatar të Enver Hoxhës, në nëntor 1945, Mbreti Zog u largua nga Britania e Madhe dhe u vendos te miku i tij i vjetër, Mbreti Faruk i Egjiptit. Në Egjipt, Mbreti Zog ishte i lirë të organizojë përpjekje kombëtare për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri, siç ishin përgatitjet për zbarkimin e terenistëve në Shqipëri, gjatë viteve ‘49, ‘50 dhe ‘51. Gjatë atyre viteve, Mbreti Zog vuajti gjithashtu nga një sëmundje të rëndë. Në vitin 1955, Mbreti Zog u vendos në Kanë të Francës, ku kaloi ditët e fundit të jetës tij. I prekur nga një kancer i pashërueshëm, Mbreti Zog mbylli sytë përfundimisht në Paris të Francës, më 9 prill 1961. Me vdekjen e Mbretit Zog, populli shqiptar humbi udhëheqësin më të shquar të përpjekjeve të tij kombëtare, humbi figurën më të lartë të historisë, humbi shpëtimtarin e kombit, humbi themeltarin e Shqipërisë moderne, i cili gjatë jetës, si në Atdhe, ashtu edhe në mergim, kishte vepruar për një Shqipëri të lirë, etnike dhe demokratike. Zonja dhe Zotërinj, Shumë herë thuhet se personalitetet më të ndritura të historisë nuk vdesin, sepse vepra e tyre mbetet përgjithmonë e gjallë dhe e shëndoshë për popujt e tyre. Kjo thënie vërtetohet më së miri me N.M.T. Mbretin Zog I, i cili u zhduk fizikisht, por vepra e tij e lartësuar, ideali i tij në shërbim të atdheut dhe të kombit nuk do të shuhet për jetë, por do të trashëgohet brez pas brezi me N.T.M. Princin Leka II, në krye. I paharruar qoftë kujtimi i Mbretit Zog. Ju falemnderit, Sulejman Q. Gjana Zv-Kryetar i PLL
Posted on: Mon, 28 Oct 2013 14:14:53 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015