NGA MOSKA NË VËRVË TË KONISPOLIT NGJARJE E JETUAR NAMIK - TopicsExpress



          

NGA MOSKA NË VËRVË TË KONISPOLIT NGJARJE E JETUAR NAMIK SELMANI Fshatarët e Vërvës , në zonën e Konispolit , të ndarë në vende të ndryshme si të gjithë njerëzit e kësaj toke të madhe , kur i pyet se nga janë si fillim të thonë se janë nga Konispoli.Në se ngulmon më tepër, të japin emrin e fshatit të tyre me një emër krejt të veçantë.Fshat i thonë, po është sa gjysma ose edhe shumë më i vogël se fshatrat fqinjë si Markati, Shalësi e gati sa një lagje e Konispolit .Ka patur rreth 60 shtëpi që nuk janë pakësuar ndonjëherë. Besojnë shumë te Zoti e,natyrisht kanë patur edhe xhaminë e tyre , një nga objektet më të vjetër të fshatit.Blektorë të mirë burrat e djemtë e fshatit . Jo më pak edhe trima.Shumë lagje, shpate, lëmenj të fshatit të Vërvës lidhen pikërisht me dyfekun si Bregu i Dufeqit,Bregu i Dufeqit të Poshtëm. Punëtorë të mëdhenj vërviotët. Asnjëherë nuk kërkuan drithë te fqinjët e bagëtitë e tyre ua kalonin në shije për meranë e lëndinave të tij fshatrave të tjerë këndej e matanë kufirit në fshatrat çame që ndodhen në territorin grek si është Koska, Pleshavica. Asnjëherë nuk ishin zënë për kullotat me fqinjët. Me kaq pak shtëpi në shumë vite fshati kishte jo pak, por 6 lëmenj ku kuajve iu hanin këmbët për të shirë sa më shpejt grurin e ri Dëshira për mbarësi e bujqve të fshatit ishte më e madhe nga njëri vit në tjetrin. Jo më pak edhe të bukur ishin djemtë vërviotë.. Sa herë që dilnin të pragu i shtëpive të tyre, burrave iu dukej se ishin në një ballkon vigan prej nga shihnin të gjithë fshatrat e tjerë, shihnin detin Jon, anijet e peshkatarëve.. …….E Çapar Bukurisë , njërit prej djemve të fshatit , fati i buzëqeshi më fort se të tjerëve.Mbaroi shkollën e mesme në Konispol e më tej shkoi për studimet e larta në Moskë. E ftohtë në fillim Moska për Çaparin.Jo vetëm për mallin që s’ia shuante dot. E ftohtë Moska ,por dhe e bukur. E ngrohte me valset që kur, kërkoi t’i mësonte, në fillim,sikur e turpëronte para shokëve, tek i ngatërroheshin këmbët .E ngrohte Moska me historinë e më librat e shkruara.Po u bë edhe më e ngrohtë, kur në gjoksin e tij vërviot u ndez dashuria për Sashenkën bjondinë, një shoqe studente e shkollës.Gjatë kohës që ai ishte në Moskë prindërit kishin marrë një shtëpi në Tiranë, por Çapari thoshte pa droje se nga ishte megjithëse jo Sashenka, por edhe shokët e tij shqiptarë, nuk e dinin më saktësi se ku binte fshati i tij. Sashenka na qëlloi një vajzë tepër kureshtare, por dhe e besë. Pyese. Pyeste vazhdimisht. -Dëgjo Sashenka,-i thotë një ditë Çapari,-Unë kam lindur në një fshat që ka 6 lëmenj e 6 përrenj.Për të shkuar atje duhet një trolejbuz gati një kilometër të gjatë që ecën pa asnjë pikë karburanti.Fshati im ka 60 furra ku nuk shuhet asnjëherë zjarri natë e ditë, tamam si në kohët e lashta. Duke i dëgjuar këto fjalë pas një fytyre aq serioze, madje edhe të ngrohtë e të malluar , Sashenka nuk dyshonte, por nuk e përfytëronte dot.Dashuria e madhe e bjondinës Sashenkë edhe u fashit pak.Shihte se në çdo fjalë të tij kishte një befasi të vërtetë. Mes habisë e kureshtjes portat e Vërvës nisën të flinin e të zgjoheshin në fantazinë e saj. Ishte ende e re e nuk kishte shkuar në ndonjë fshat të Kaukazit, të Krimesë,për të gjetur sadopak pika lidhjeje. Por……. Kur mbaroi shkolla , Sashenka me disa valixhe erdhi në një avion me Çaparin në Tiranë .U bë ajo që pritej. Ajo na u bë nuse tiranase e njëkohosisht edhe vërviote. Nisi jetën e re me Çaparin që sikur mori një nur të ri pas dasmës së thjeshtë.Akujt polarë të largësisë ishin shkrirë e kishin formuar një Det të tërë dashurie….. …Në Tiranë qëndruan pak ditë e, një javë më pas, ai mendoi që ta dërgonte Sashenkën në fshat.Larg shumë Vërva nga Tirana.Megjithëse i dërgoi një telegram xhixho Omerit , dërgoi edhe një djalë që t’i lajmëronte për udhëtimin e tij.Kaq i duhej fshatit . Çdo shtëpi e bëri kalin një ditë më parë gati. I lanë e i pastruan mirë e mirë Njëri më mirë se tjetri. Të bardhë e të kuq.Çdo kali i vunë edhe shalë që e mbanin gati kur bënin rrugë të largëta. I vunë nga një velenxë a ndonjë shilte. Më mirë rregulluan dy kuajt e çiftit të ri. Në kokën e secilit xhaxhesha vuri dy shami të bukura me ojna që i ruante që nga martesa e saj.E , ashtu, njëri pas tjetrit, me fjalë e me shaka , mbërritën në Qafë të Bogazit ku makina nuk mund ta kryente më detyrën e saj , pasi rruga nuk ishte e mirë. U takuan me mall e u nisën. Shpatet e maleve shpalosnin njëra pas tjetrës lugina të reja, çarçafë gjigandë me ullinj të blertë, tinguj zogjsh e këmborë bagëtishë….Sashenka nuk i trembej kalit.Ishte me shkollë , vajzë qyteti, por e quante një udhëtim të bukur hipur mbi atë kalë të bardhë, ku i dukej se fluturonte.Në një moment kur karvani i 60 kuajve dukej nga prapa si një karvan i plotë ai i tha: - E sheh, Sashenka!Ja, ky është trolejbuzi që të thashë.A nuk është një kilometër i gjatë? Nusja moskovite buzëqeshi.Nuk foli. Çapari “kishte fituar”provimin e parë që e kishte nisur që në ditët e para të njohjes në Moskë. Mbrëmja vërviote ishte mbushur me erë ftonjsh, mollësh, me zëra fëmijësh , me tinguj zilesh të bagëtive që vinin nga kullotat.E kishte menduar që në fillim Çapari se ç’do të bënte.Shtëpitë nuk ishin të hapura e ai do t’i vizitonte kur nënat, vajzat e nuset nxirrnin bukët e gjellët nga furrat. Furrë e shtëpi në Vërvë!Burrat e lodhur duhej të hanin.Edhe fëmijët.Edhe miqtë që nuk i kishte të pakët fshati. Në furrën e parë i priti nanë Mazeja me nusen e saj Faton.Të dyja të veshura pastër që nga shamia e kokës që dukej sikur sapo e kishin vënë .Veç bukës së ngrohtë atë mbrëmje ato kishin bërë edhe dy tepsi lakrori. Menjëherë nanë Mazeja i këputi një copë dhe ia dha. Fatua vrapoi te vazua e luleve dhe këputi një tufë me borzilok e manxuranë, për të cilat diçka i foli edhe Çapari.Mazeja ia mori duart e bardha nuses së re, ia puthi ngadalë,e nisi ta uronte duke harruar se ajo nuk kuptonte asnjë fjalë nga ato që thoshte kjo plakë trupshkurtër.Fytyra, urimet, përkëdheljet,ajo copë byreku aq i shijshëm vërtet ishin befasi për Sashenkën.Nga njëra furrë te tjetra. Nënat para se ta takonin , rregullonin shaminë e bardhë në kokë. Diku i jepnin nga një varg me fiq të thatë , ca grushta me bajame, shegë të kuqe flakë e aq të ëmbla. Nënë Mejrua i dha një enë me mjaltë ku kishte vënë edhe ca copa hojesh.Sashenka fliste, heshtëte, mendohej, gëzohej.Nuk i mbetej shumë kohë që të fliste me Çaparin.Vetë djali nuk donte të harronte asnjë shtëpi pa shkuar. Asnjë për be.Ia kishte dhënë këtë porosi edhe babai kur ishte nisur nga Tirana.Si një fëmijë i vogël Sashenka i gëzohej edhe atij prushi lisnajash që kishte çdo furrë . Një nënë i tha se kur të mbaronin diku në një qoshe të furrës ato linin, ca prush me të cilin do ta kishin më të lehtë të ndiznin zjarrin të nesërmen. Përballë tyre nusja e largët seç mërmërinte ,seç thoshte.Kur shkuan te shtëpia e nanë Bahrijes që mbahej këngëtarja e valltarja më e mirë e fshatit ,duke tundur duart (a thua se dhiolitë nisën melodinë më të bukur),hapi miqësisht krahët duke i përqafuar të dy e nisi të këndonte pranë nuses: Vjen një nuse porsi illi E kuqe porsi thëngjilli I llamisin gushë e gjiri I vjen erë trëndafili. Pastaj iu afrua Çaparit e ia ujdisi këngën aty për aty: Vjen kali me sixhade Me vëlënxë e me çilte Agai i madh me tri hebe Veshur-o me kadife….. Nga gazi të dyve iu përlotën pak sytë e bukur që deri tani vetëm kishin qeshur. ……Një mbrëmje e gjatë, e paharruar ,e bukur sa s’kishte më kjo mbrëmje vërviote me aromë furrash.Diku në një shtëpi bëhej dasëm. Xhixho Avduli po priste. -Pse s’më thua se si ia kaluam?- tha ngadalë Çapari tek ia shtrëngoi duart e ngrohta . -Nuk kisha parë asnjëherë kaq shumë furra . Nuk kisha dëgjuar asnjëherë kaq shumë fjalë të ëmbla.Po e di se si më duket tani,Çapar? Ky fshat me emrin Vërvë, po më duket vërtet më i bukur se vetë Moska…. Djali përsëri nuk foli kësaj radhe. E përqafoi si dikur në takimin e parë. Kishte fituar ‘provimin “ e dytë.E për këtë duhet të falenderonte “profesorët’ e tij të vjetër, këto nëna,nuse, vëllezërit e fshatit ,burrat fjalëpakët.Mbase të falenderonte më zë të lartë gjithë Çamërinë. …Pas dy ditësh u kthyen prapë në Tiranë.Me vete kishin marrë mbrëmjen e paharruar vërviote.
Posted on: Sat, 20 Jul 2013 11:50:11 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015