NJERIU I SHEKULLIT Steve Jobs Kam nderin të jem sot me ju në - TopicsExpress



          

NJERIU I SHEKULLIT Steve Jobs Kam nderin të jem sot me ju në ceremoninë e diplomimit tuaj nga njëri prej universiteteve më cilësore në botë. Unë kurrë nuk kam mbaruar universitetin. Ç’është e vërteta, më afër një diplomimi universitar se sot s’kam qenë kurrë. Sot, unë dua t’ju tregoj tri tregime nga jeta ime. Kaq. Jo më shumë. Vetëm tri tregime. Tregimi i parë ka të bëjë me lidhjen e pikave. Kam braktisur studimet në Kolegjin Universitar Reed pas gjashtë muajve të parë, por më pas kam qëndruar andej si jo i rregullt për edhe nja 18 muaj të tjerë apo diçka e tillë para se të largohesha vërtet. Po pse i braktisa studimet? E tëra ka filluar para lindjes sime. Nëna ime biologjike ishte një studente e diplomuar, e re dhe e pamartuar, dhe kishte vendosur të më nxirrte për adoptim. Ajo kishte dashur që unë të adoptohesha nga studentë të diplomuar, kështu që gjithçka ishte e caktuar që unë të adoptohesha që në lindje nga një avokat dhe bashkëshortja e tij. Por, kur kam ardhur në jetë, ata kanë vendosur në minutën e fundit se në të vërtetë dëshiron një vajzë. Kështu, prindërit e mi, të cilët ishin në një listë pritjeje, kanë marrë një telefonatë në mes të natës, dhe janë pyetur: “Kemi papritur një bebe të gjinisë mashkullore; e dëshironi atë? Ata kanë thënë: “Natyrisht”. Nëna ime biologjike më vonë ka zbuluar se nëna ime kurrë nuk kishte diplomuar nga universiteti dhe se babai im kurrë nuk kishte përfunduar shkollën e mesme të lartë. Ajo ka refuzuar të nënshkruajë letrat përfundimtare të adoptimit. Ajo është zbutur vetëm pak muaj më vonë kur prindërit e mi i kishin premtuar se unë një ditë të shkoja në universitet. Dhe, 17 vjet më vonë, unë kam shkuar në universitet. Por, në mënyrë naive kam zgjedhur një kolegj universitar i cili ishte pothuajse aq i shtrenjtë sa Universiteti i Stanfordit, dhe të gjitha kursimet e prindërve të mi të klasës punëtore po shpenzoheshin për pagesën e semestrit tim universitar. Pas gjashtë muajsh, nuk mund të shihja dobinë e tij. Nuk kisha ide se çfarë dëshiroja të bëja me jetën time dhe asnjë ide se si do të më ndihmonte universiteti që të qartësoja këtë. Dhe këtu po shpenzoja të gjitha paratë që prindërit e mi kishin kursyer gjatë tërë jetës së tyre. Kështu që vendosa të braktisja studimet dhe të besoja se gjithçka do të shkonte mirë. Ishte mjaft e frikshme atëkohë, por tani mund të them se ai ishte njëri prej vendimeve më të mira që kam marrë ndonjëherë. Posa i braktisa studimet munda të mos ndiqja ligjëratat e obliguara që nuk më interesonin, dhe të filloja të ndiqja ato që dukeshin interesante. Nuk ishte gjithçka ideale. Nuk kisha dhomë konvikti, kështu që flija në dyshemetë e dhomave të shokëve, ktheja shishe të “Coca-Colas” për të marrë 5 centë për copë në mënyrë që të mund të blija ushqim me ato para, dhe ecja mbi 11 kilometra nëpër qytet çdo të diel mbrëma për të ngrënë një darkë të mirë në javë në tempullin Hare Krishna. Më kënaqte. Dhe, ajo në çka kam rastisur duke ndjekur kuriozitetin dhe intuitën time ka rezultuar të jetë e paçmueshme më pas. Më lejoni t’ju jap një shembull: Kolegji Universitar Reed atëkohë ofronte mbase mësimet më të mira për bukurshkrim në vend. Nëpër konvikte, çdo pllakat, çdo etiketë në çdo dollap, ishte e shkruar me bukurshkrim. Ngaqë kisha braktisur studimet dhe nuk isha i obliguar të ndiqja ligjëratat normale, vendosa të ndiqja orët e bukurshkrimit për të mësuar si ta bëja këtë. Mësova për llojet e shkrimeve “serif” dhe “san serif”, për hapësirën e nevojshme ndërmjet kombinimeve të ndryshme të shkronjave, dhe për atë se çfarë e bënte tipografinë e shkëlqyeshme aq të shkëlqyeshme. Ishte e bukur, historike, artistikisht delikate në një mënyrë që shkenca s’mund ta kapë, dhe mua më dukej magjepsëse. Të gjitha këto nuk kishin madje as edhe një shpresë për aplikim praktik në jetën time. Por, dhjetë vjet më vonë, kur po dizajnonim kompjuterin e parë “Macintosh”, të gjitha këto më dolën të vlefshme. I shfrytëzova të gjitha për “Mac”-un. Ai ishte kompjuteri i parë me tipografi të bukur. Po të mos kisha ndjekur ato orë të vetme në universitet, “Mac”-u kurrë nuk do të kishte pasur shumë lloje të shkrimeve apo shkrime me hapësira proporcionale. Dhe, ngaqë “Windows” thjesht e kopjoi “Mac”-un, me gjasë asnjë kompjuter personal nuk do t’i kishte ato. Po të mos kisha braktisur studimet, kurrë nuk do të kisha ndjekur ligjëratat e tipografisë, dhe kompjuterët personalë mund të mos kishin pasur tipografinë e mrekullueshme që sot e kanë. Natyrisht, ishte e pamundur të lidhja pikat kur shikoja përpara derisa isha në universitet. Por, ishte shumë, shumë e qartë kur e mendoja dhjetë vjet më vonë. Përsëri, nuk mund t’i lidhni pikat duke shikuar përpara; mund t’i lidhni ato vetëm duke kthyer kokën pas. Kështu, duhet të besoni se pikat do të lidhen disi në të ardhmen tuaj. Ju duhet të besoni në diçka – në intuitën tuaj, kësmetin, jetën, karmën, çfarëdo qoftë. Kjo qasje kurrë nuk më ka lënë në baltë, dhe e ka bërë të gjithë dallimin në jetën time. Tregimi im i dytë ka të bëjë me dashurinë dhe humbjen. Isha me fat – gjeta se çfarë më pëlqente të bëja herët në jetë. Woz (Steve Wozniacki, v.j.) dhe unë filluam “Apple”-n në garazhin e prindërve të mi kur unë isha 20-vjeçar. Ai punonte me zell, dhe pas 10 vjetësh, “Apple” ishte rritur nga vetëm ne të dy në një garazh, në një kompani 2 miliardë dollarësh me mbi 4000 punonjës. Ne posa kishim nxjerrë krijimin tonë më të mirë – “Macintosh”-in – një vit më parë, dhe unë posa kisha mbushur 30 vjet. Dhe më pas më pushuan nga puna. Si mund të pushohesh nga një kompani që vetë e ke themeluar? Epo, teksa “Apple” u rrit, ne punësuam dikë që unë mendoja se ishte shumë i talentuar për të udhëhequr kompaninë me mua, dhe në vitin e parë apo kështu diçka gjërat shkuan mirë. Por, më pas vizionet tona për të ardhmen filluan të ndryshojnë dhe në fund edhe u grindëm. Kur kjo ndodhi, Bordi ynë i Drejtorëve ia mbajti anën atij. Kështu, në moshën 30-vjeçare isha jashtë. Dhe shumë publikisht. Ajo që kishte qenë përqendrimi i tërë jetës sime si i rritur shkoi, dhe ishte demoralizuese. Vërtet nuk dija çka të bëja për disa muaj. Ndihesha se kisha zhgënjyer gjeneratën e mëparshme të sipërmarrësve – se kisha lëshuar skeptrin teksa po më dorëzohej. U takova me David Packardin dhe Bob Noycen, dhe u mundova të kërkoja falje që e kisha katranosur aq keq. Isha një dështim shumë publik, madje edhe mendova të largohesha nga Lugina. Por, diçka ngadalë filloi të më shfaqej – ende më pëlqente ajo që bëja. Ndryshimet e rrethanave në “Apple” nuk e kishin ndryshuar atë aspak. Isha përjashtuar, por ende më pëlqente puna. Kështu, vendosa t’ia nis nga e para përsëri. Atëherë nuk më dukej ashtu, por doli që përjashtimi nga “Apple” ishte gjëja më e mirë që ka mundur të më ndodhte. Rëndesa e të qenit i suksesshëm u zëvendësua nga lehtësia e të qenit fillestar përsëri, më pak i sigurt për gjithçka. Më mundësoi të hyja në një prej periudhave më kreative të jetës sime. Gjatë pesë vjetëve të ardhshëm, fillova një kompani të quajtur “NeXT”, një kompani tjetër të quajtur “Pixar”, dhe rash në dashuri me një grua mahnitëse e cila do të bëhej bashkëshortja ime. “Pixar” përparoi dhe krijoi filmin e parë të animuar me kompjuter në botë, “Toy Story”, dhe tani është studioja më e suksesshme e animacionit në botë. Në një ndryshim të jashtëzakonshëm të rrethanave, “Apple” bleu “NeXT”-in, unë u riktheva në “Apple” dhe teknologjia që ne zhvilluam në “NeXT” është në zemër të renesancës aktuale të “Apple”-t. Dhe unë e Laurene bashkë kemi një familje të mrekullueshme. Jam shumë i sigurt se asnjëra nga këto nuk do të kishte ndodhur po të mos isha pushuar nga “Apple”. Ishte ilaç me shije të hidhur, por besoj se pacientit i duhej. Nganjëherë, jeta ju godet në koke me një tullë. Mos humbni besimin. Jam i bindur se e vetmja gjë që më shtyu të vazhdoja ishte fakti se më pëlqente ajo që bëja. Duhet të gjeni çfarë ju pëlqen. Dhe kjo është aq e vërtetë për punën tuaj po aq sa për të dashurit tuaj. Puna juaj do të zë një pjesë të madhe të jetës suaj, dhe e vetmja mënyrë për të qenë vërtet të kënaqur është të bëni atë çfarë ju pëlqen të bëni. Nëse nuk e keni gjetur ende, vazhdoni ta kërkoni. Mos u ndalni. Sikur me të gjitha punët e zemrës, do ta dini kur ta kinit gjetur. Dhe, sikur një marrëdhënie e shkëlqyeshme, ajo vetëm sa bëhet mirë e më e mire me kalimin e vjetëve. Prandaj, vazhdoni të kërkoni derisa ta gjeni. Mos u ndalni. Tregimi im i tretë ka të bëjë me vdekjen. Kur isha 17-vjeçar, pata lexuar një thënie që ishte pak a shumë kështu: “Nëse jetoni çdo ditë sikur të ishte dita juaj e fundit e jetës, një ditë ju pa dyshim se do ta keni mirë”. Më bëri përshtypje, dhe që atëherë, gjatë 33 vjetëve të fundit, kam shikuar në pasqyrë çdo mëngjes dhe e kam pyetur veten: “Nëse e sotmja do të ishte dita e fundit e jetës sime, a do të dëshiroja të bëja atë që kam plan të bëj sot?”. Dhe sa herë që përgjigjja ka qenë “Jo” për disa ditë me radhë, e dija se duhej të ndryshoja diçka. Të kujtuarit se do të jem i vdekur së shpejti është gjëja më e rëndësishme me të cilën jam përballur dhe e cila më ka ndihmuar që të marr vendime të mëdha në jetë. Sepse thuajse gjithçka – të gjitha pritjet e jashtme, krenaria, frika nga turpërimi apo dështimi – treten nga vdekja, duke lënë vetëm atë që është vërtetë e rëndësishme. Të kujtuarit se do të vdesësh është mënyra më e mirë që unë njoh për të shmangur pengesën e të menduarit se mund të humbësh diçka. Veçse je i zhveshur. S’ka arsye për të mos e dëgjuar zemrën. Rreth një vit më parë, mësova se kisha kancer. Kisha një skanim në ora 7:30 në mëngjes, dhe ai qartë tregoi një tumor në pankreas. Nuk e kisha ditur as se çfarë ishte pankreasi. Mjekët më thanë se ky ishte pothuajse sigurisht një lloj i kancerit që është i pashërueshëm, dhe se zor se do të jetoja më gjatë se tre deri në gjashtë muaj. Mjeku më këshilloi të shkoja në shtëpi dhe të rehatoja gjërat, që nënkuptonte bëhu gati për të vdekur. Nënkuptonte përpiqu t’u tregosh fëmijëve të tu për pak muaj çdo gjë që ke menduar se do të kishe kohë t’u treguar gjatë dhjetë vjetëve të ardhshëm. Nënkuptonte sigurohu që çdo gjë është e përthekuar mirë që të jetë sa më e lehtë të jetë e mundur për familjen tuaj. Nënkuptonte thuaj lamtumirat. Kam jetuar me atë diagnozë tërë ditën. Më vonë atë mbrëmje, bëra një biopsi, ku më futën një endoskop poshtë fytit, nëpër stomak dhe drejt në zorrë, më vënë një gjilpërë në pankreas dhe më morën disa qeliza të tumorit. Isha i përmbajtur, por bashkëshortja ime, e cila ishte aty, më ka thënë se kur ata kanë shikuar qelizat nën një mikroskop, mjekët kanë filluar të qajnë, sepse kishte dalë të jetë një formë shumë e rrallë e kancerit të pankreasit që është e shërueshme me operacion. E kam kryer operacionin dhe jam shëndoshë tani. Më afër vdekjes se kaq nuk kam qenë kurrë, dhe shpresoj se më afër se kaq saj nuk do të jem për edhe disa dekada. Pasi e kam përjetuar këtë, tani mund t’ju them këtë me më shumë siguri sesa kur vdekja ishte një koncept i vlefshëm, por krejtësisht intelektual: Askush nuk dëshiron të vdesë. Edhe njerëzit që duan të shkojnë në parajsë nuk duan të vdesin që të shkojnë atje. E megjithatë, vdekja është përfundimi që të gjithë ne e ndajmë. Askush nuk i ka ikur asaj ndonjëherë. Dhe kështu duhet të jetë, sepse Vdekja është me shumë gjasë zbulimi më i mirë i Jetës. Është agjenti i ndryshimit të Jetës. Heq të vjetrën për t’i hapur rrugën së resë. Tani, e reja jeni ju, por një ditë, jo shumë larg nga sot, ju gradualisht do të bëheni e vjetra dhe do të hiqeni. Më falni që jam kaq dramatik, por është shumë e vërtetë. Koha juaj është e kufizuar, kështu që mos e humbni atë duke jetuar jetën e dikujt tjetër. Mos u frenoni nga dogma – që është të jetuarit me rezultatet e mendimeve të të tjerëve. Mos lejoni zhurmën e mendimeve të të tjerëve të mbizotërojnë zërin tuaj të brendshëm. Dhe më e rëndësishmja, kini guxim që të ndiqni zemrën dhe intuitën tuaj. Ato disi tashmë e dinë se çfarë ju vërtet dëshironi të bëheni. Gjithçka tjetër është sekondare. Kur isha i ri, ekzistonte një botim mahnitës i quajtur “Katalogu i tërë Tokës”, i cili ishte një prej biblave të gjeneratës sime. Ishte krijuar nga një tip i quajtur Stewart Brand, jo shumë larg prej këtu, në Menlo Park, dhe ai e ka sjellë atë në jetë me qasjen e tij poetike. Kjo ishte në fundin e viteve 1960, para kompjuterëve personalë dhe botimeve të kompjuterizuara, kështu që bëhej me makina shkrimi, gërshërë, dhe kamera të polaroidit. Ishte disi si “Google” në formë të letrës, 35 vjet para se të vinte “Google”: ishte idealiste, plot me gjëra interesante dhe ide të shkëlqyeshme. Stewart dhe ekipi i tij kanë nxjerrë disa numra para se të nxjerrin një numër përfundimtar. Ishte mesi i viteve 1970, dhe unë isha në moshën tuaj. Në kopertinën e pasme të numrit të tyre përfundimtar ishte një fotografi e një rruge periferike në një mëngjes të hershëm, aso rruge ku do të mund të bëje autostop po të ishe aq aventurist. Nën të ishin fjalët: “Vazhdoni të jini të uritur. të jini të paditur”. Ishte porosia e tyre e lamtumirës. Vazhdoni të jini të uritur. Vazhdoni të jini të paditur. Këtë ia kam uruar vetes. Dhe tani, teksa ju diplomoni për të nisur diçka përsëri, jua uroj edhe juve. Vazhdoni të jini të uritur. Vazhdoni të jini të paditur. Ju faleminderit shumë të gjithëve. (Autori, tashmë i ndjerë, ka qenë themelues dhe ish-kryeshef ekzekutiv i gjigantit elektronik “Apple”. Ky është një fjalim i përgatitur dhe i mbajtur në ceremoninë e dhënies së diplomave në Universitetin e Stanfordit, SHBA, më 12 qershor 2005)
Posted on: Mon, 01 Jul 2013 21:23:02 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015