Nga libri i Gjovalin Shkurtaj "Si te shkruajme shqip... " GJUHA E - TopicsExpress



          

Nga libri i Gjovalin Shkurtaj "Si te shkruajme shqip... " GJUHA E LETËRSISË ARTISTIKE Letërsia ushtron ndikim të ndjeshëm gjuhësor në jetën e shoqërisë. Nëpërmjet letërsisë së shkruar, masat e gjera të lexuesve njihen me pasurinë e leksikut të shqipes popullore, me fjalë e shprehje të krijuara prej shkrimtarëve dhe i bëjnë ato pronë të ligjërimit të tyre. Në mënyrë të veçantë ndikojnë në popull veprat e shkrimtarëve më të pëlqyer, pesha e fjalës së të cilëve ndiqet e fuqishme në kulturën ligjërimore e shkrimore të popullit. Të tillë peshë kanë pasur, p.sh.: Dante Aligieri, A.Manzoni, De Amiçis për italishten; Molieri, Balzaku,Mopasani, Floberi etj.për frëngjishten; Shekspiri, Dikensi,Thekëri, Gollsuorthi për anglishten; Gëtja, Shileri, Hajne për gjermanishten; Pushkini,Tolstoi, Turgenjevi, Gorki, Majakovski për rusishten etj. Edhe shkrimtarët shqiptarë, me artin e fjalës së tyre, e kanë ngritur gjuhën tonë letrare në shkallën e gjuhëve më të përparuara të letërsisë botërore, e kanë bërë shqipen letrare të jetë shprehëse e saj, e kanë rritur në mënyrë të ndjeshme forcën dhe hijeshinë e saj. Në këtë punë me rëndësi të veçantë historiko-letrare kanë marrë pjesë disa breza shkrimtarësh. Në hullinë e mbarë të Naimit, Çajupit,Mjedës, Fishtës, Nolit,Migjenit,Konicës, Koliqit, Kutelit etj. ecën brezi i shkrimtarëve të sotëm. Fjala e poetëve, prozatorëve dhe dramaturgëve tanë më të mirë zë vend e ngulitet thellë në zemrat e mendjet e lexuesve, i pasuron e i fisnikëron ata dhe ua shton dashurinë për gjuhën amtare. Gjuha e letërsisë ka dy anë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën: a) Nga njëra anë, gjuha e letërsisë artistike është pjesë përbërëse e gjuhës kombëtare, një nga format e shfaqjes së saj. Shkrimtarët janë mjeshtrit e fjalës, ata e përpunojnë gjuhën e përbashkët kombëtare, gjuhën e popullit, duke e ngritur atë në shkallë të lartë shprehësie. Këtë kishte parasysh gjuhëtari i shquar A. Xhuvani ku shkruante: “ Kudo, në çdo letërsi e në çdo kohë, shkrimtarët kanë qenë ata që i kanë dhënë hov përparimi gjuhës me veprat e tyne, tue e lavre e tue e pasunue” (A.Xhuvani,Mbi thjeshtësinë e gjuhës shqipe,” Norma letrare dhe kultura e gjuhës”,Tiranë,1973). Shkrimtarë të mirë janë ata që japin pasqyrën më të saktë e më të bukur të një gjuhe. Gramatikanët,përgjithësisht studiuesit e gjuhës, gjurmojnë,kodifikojnë përgjithësojnë praktikën e shkrimtarëve më të mirë të kombit. Këtej del se sa punë të madhe duhet të bëjnë shkrimtarët,si për të zotëruar me themel pasurinë e mjeteve shprehëse, ashtu edhe për të fituar aftësinë që të nxjerrin prej fjalëve efektet e nevojshme artistike. Përmbajtja dhe kuptimi i fjalëve shfaqen në mënyrë të plotë vetëm atëherë kur njeriu i përdor ato në të shkruar ose në të folur. Ato gjallërohen kur bëhen mjet komunikimi, mjet shprehjeje e formësimi të veprave letrare artistike. Sot letërsia shqiptare krijohet në rrethana të reja, ku kemi gjuhën standarde kombëtare, e cila po shkon drejt përpunimit e përsosjes së saj të mëtejshme. Kjo do të thotë se në traditën shkrimore shqiptare i gjithë visari gjuhësor i shqipes ka pësuar rivlerësim. Gjithçka që kishte krijuar populli ynë, qysh në kohët më të lashta të historisë së tij e deri në ditët tona, është bërë pasuri e përbashkët e krijuesve të sotëm shqiptarë, duke shembur çdo ndasi hapësinore e kohore, si dhe duke kapërcyer plotësisht ndonjë paragjykim krahinorit. Kjo pasuri është ngritur tashmë në shkallën e lartë të një norme të përpunuar e të ngulitur mirë. Me zbatimin e gjerë të shqipes standarde në mbarë hapësirat e bashkësisë shqiptare u krijua një rrafsh i gjerë, i hapët mbi të cilin mund të pranëvihen dhe të dallohen qartë veçoritë e gjuhës së gjallë të folur dhe krahinore, mjetet e vjetruara dhe ato që sapo kanë nisur të mugullojnë. Kjo ka dhënë mundësi të pafundme që të sillen në letërsi edhe karakterizime e ngjyresa stilistike nga më të ndryshmet, duke u mbështetur në efektet që krijohen nga zgjedhja e mjeteve, nga shtresat e shumëllojshme leksiko-semantike e morfo-sintaksore të shqipes, duke u vënë ato në funksion e në shërbim të mëtimeve ideoartistike të autorëve. Tashmë mund të dallohet qartë gjuha e autorit nga ligjërimi i personazheve ,gjuha e folur popullore nga ligjërimi libror apo nga trajta e folur e stileve të shkruara etj. b)Nga ana tjetër, gjuha e letërsisë artistike lidhet me funksionin e saj artistik. Shkrimtari, në krijimin e vet , jep ndjenjat e mendimet, përvojën shpirtërore, vëzhgimet nga shoqëria e nga natyra, bindjet dhe kërkimet, ëndrrat dhe idealet e tij, mirëpo, për t’ia dhënë të gjitha këto lexuesit, ai ka në dorë vetëm mjetet e gjuhës, fjalën shqipe. Kjo do të thotë se gjetja e fjalëve dhe shprehjeve të goditura, e ndërtimeve sa më të përshtatshme, nuk arrihet lehtë; ajo është punë e gjatë që kërkon përgatitje të mirë kulturore e arsimore të shkrimtarit, kërkon njohje e përvojë jetësore, si dhe hulumtime e kërkime për të njohur pasurinë dhe mjetet shprehëse të gjuhës. Dorëshkrimet e shkrimtarëve më të mëdhenj të letërsisë botërore si të U. Shekspirit, L. Tolstoit, G. Flobertit, A. Manxonit etj. na tregojnë se çfarë mundimi i madh u është dashur atyre për gdhendjen e veprave që kanë shkruar. Sa e sa herë i kanë marrë e rimarrë ato, i kanë shkruar e rishkruar, nëpër çfarë kërkimesh është dashur të kalojnë, para se të arrijnë në formën përfundimtare të shprehjes gjuhësore që i ka kënaqur. Duke theksuar vlerën por edhe përgjegjësinë që ka fjala e shkrimtarit në kulturën Kombëtare të një populli, Leon Tolstoi ka shkruar: “Po të isha mbret, do të kisha nxjerrë një ligj që, shkrimtarit, i cili përdor fjalë kuptimin e të cilave ai nuk mund të sqarojë, t’i hiqet e drejta e të shkruarit dhe t’i jepen dyqind goditje me kamxhik”. Mjaft nga klasikët e letërsisë botërore kanë theksuar nevojën e përpikërisë së leksikut të përdorur dhe punën e madhe që duhet bërë për këtë. Gi dë Moposani thoshte: “Cilado do të jetë ajo që kërkojmë të themi, s’ka veçse një emër për ta emërtuar, një folje për t’i dhënë jetë e një mbiemër për ta cilësuar. Duhet kërkuar, pra, derisa t’i kemi gjetur këta emra, këto folje dhe këta mbiemra dhe të mos kënaqemi me të përafërtën”. Kurse La Bryjeri thoshte: “Ndërmjet gjithë shprehjeve të ndryshme që mund të japin një mendim tonin, vetëm njëra është e mirë”. Për gjuhën shqipe dhe vlerat e pavdira të saj flet aq bukur Atë Gjergj Fishta, i cili në trajtesën “Gjuha shqipe”, ndër të tjera, ka shkruar: “I përmenduni dijetar Italian Cesare Cantu, tue folë mbi nevojën e mësimit të gjuhës amtare thotë: Mbaje mend se me bjerrë gjuhën, do me thanë me bjerrë independencën. Se sa janë të vërteta këto mjerisht, kemi mujtë me e vu re në vetvete; pse njena ndër arsyet ma të parat, nëpër të cilat u rrënue Shqipnia, asht edhe kjo, që gjuha shqipe që përbuzë prej shqiptarësh... Së dyti, ata shqiptarë, që mbetën përmbrenda rrethit të Shqipnisë, prejse përbuzën gjuhën shqipe, përbuzën flamurin e Shqipnisë, shtetin shqiptar e atdheun e, tue humbë në këtë mënyrë independencën e vet. Aq. Që mundet me u thanë pa droje gabimi, se gjakësite atdheut tonë e që qenë shkaku i parë me humbë independenca, qenë shkollat e hueja, si edhe shtazëria e shumë shqiptarëve, që a për interesa të veçanta, a për errësi mendjeje përbuzën gjuhën e vet. Këtu, po, këtu ndër qytete të Shqipnisë ke gjetë që shtëpitë ma të para të vendit, në vend që nëpër mësim të gjuhës shqipe me i rritë fëmijët e vet me ndjesi kombëtare, i kanë ngjitë ndër shkolla të gjuhëve të huaja, ku dolën ma fort të huej se shqiptarë;e prandej, kur erdhi dita që me punue për Shqipninë e për komb të vet, këta filluen me heqë kush me njenën anë e kush me tjetrën, si ishte qenë mësimi që kishin marrë ndër shkolla, kështu që Shqipnia humbi, si krypa në ujë. E vërteta qe edhe Europa, e cila e ndërtoi Shqipninë, na ndihmoi vetë me e rrënue; por, gjithmonë faji ma i madh na mbetet ne, pse, tue, pasë përbuzë gjuhën amtare, përbuzëm edhe Shqipninë”. Karakteri i figurshëm i gjuhës së letërsisë artistike Gjuha jeton në gojën e të gjithë folësve , të pleqve e të rinjve, të brezave aktivë e në moshë pune, po edhe të atyre që nuk punojnë. Pra, shkrimtari i mirë i mban veshët hapur dhe fikson sa flitet kudo që e shpie udha, në shkolla e në zyra, në treg ose në shëtitore, në fshat dhe në qytet. Nga një vrojtim i tillë, i përhershëm dhe i pandërprerë i shkrimtarit në ligjërimet e folura të kombit të vet, gjuha e popullit vjen e hyn gjerë në letërsinë artistike, gjë që e bën atë të jetë më e gjerë sesa gjuha standarde. Në letërsi, për nevoja të shprehjes artistike, mund të përdoret gjithçka që i shërben me efekt plotësimit të funksionit artistik. Natyrisht, vetëm një njohës i mirë i vendit që zënë format e ndryshme shprehëse në gjuhën e sotme shqipe mund t’i përdorë ato me zotësi, duke bërë që të tingëllojë aty ku duhet, pa e mbushur veprën me byk e me kashtë. Puna me gjuhën në letërsi është mishërim i synimit të lartë krijues për ta bërë letërsinë art të fjalës, art të përgjithësimit , të karakterizimit, të tipizimit dhe të individualizimit të personazheve, art të shprehjes së ndjenjave, të ngjyresave të së shkuarës dhe të vlerave të së sotmes. Gjuha për letërsinë artistike nuk ka karakter dytësor, por shkrihet me përmbajtjen, ashtu siç gdhendet mermeri në një shtatore. Sot kërkohet që letërsia artistike t’i drejtohet gurrës popullore dhe ligjërimit të popullit, por jo duke imituar atë ose duke sjellë lëndë gjuhësore nga krahinat në mënyrë fotografike e sa për të thënë. Me mundësitë dhe mjetet që ka në kushtet e sotme, letërsia artistike duhet t’i forcojë në mënyrë ballësore kujdesin dhe përgjegjësinë për gjuhën letrare kombëtare, për pastrimin dhe pasurimin e saj, për thjeshtësinë dhe shprehësinë e saj. Secili shkrimtar edhe të sprovojë në lëmin e krijimit, të përtëritjes kuptimore dhe të begatimit të shqipes, qoftë me fjalë të reja të krijuara prej vetë atij, qoftë nëpërmjet prurjes e fisnikërimit të fjalëve të bukura që ka dëgjuar e fiksuar nga goja e popullit. Në vijim të traditave më të mira krijuese të së kaluarës, shkrimtarët shqiptarë e kanë pasuruar gjuhën e sotme, duke sjellë fjalë të reja, shprehje të goditura frazeologjike, lidhje të reja fjalish që mbështeten në sintaksën popullore dhe mjete të tjera të ligjërimit. Problemi i gjuhës së letërsisë artistike nuk është thjesht punë që mbaron me zgjedhjen e trajtave të drejta fonetike ose gramatikore, të drejtshkrimit dhe pikësimit. Gjuha e letërsisë artistike ka të bëjë me konceptimin e saj si mjet shprehjeje dhe formësimi të veprave letrare artistike të gjinive dhe llojeve të ndryshme nga autorë që u përkasin epokave dhe stileve të ndryshme. Në këtë kuadër, më së pari janë për t’u vë,shtruar një numër çështjesh të rëndësishme, si: mjetet e gjuhës, fjalori dhe frazeologjia, figurat artistike, kalimet metaforike dhe metonimike, stilemat dhe përftesat e gjuhës së letërsisë artistike. Njohja dhe pasqyrimi me realizëm e me gjallëri i larmisë së gërshetimit dhe i bashkëmarrëdhënieve të elementeve të tilla në veprën letrare artistike lidhet jo vetëm me çështjen e formës dhe normës, por edhe me vërtetësinë artistike të veprës, me njohjen dhe me pasqyrimin e jetës së njerëzve. Nga njohja e thellë dhe e gjerë e jetës, natyrisht, buron edhe pasuria e larmia e shprehjes artistike, sepse edhe librat ndihmojnë për ta mësuar gjuhën, por gjuha duhet marrë drejtpërdrejt nga populli, nga mjediset reale të qytetarëve dhe fshatarëve, të shkollarëve dhe punëtorëve dhe mbarë popullit. Gjuha e letërsisë artistike ose stili letrar ka disa veçanti që e dallojnë atë nga të gjitha stilet e tjera. Në mënyrë të skicuar ato mund t’i përmbledhim kështu: 1) Funksioni estetik. Kjo do të thotë se gjuha e letërsisë artistike nuk ka thjesht karakter, kumtues, informues, por kryesisht karakter estetik, artistik, që shërben për krijimin, për paraqitjen e së bukurës. 2)Roli i veçantë i fakteve gjuhësore si material që shërben për të krijuar figura dhe tablo të jetës. Shkrimtari që përshkruan ditën me diell dhe ngazëllimin që i zgjojnë në shpirt zogjtë që këndojnë ose pemët që çelin lule në pranverë, dallohet nga punonjësi i meteorologjisë që bën parashikimin e motit. 3) Bashkimi i mundshëm i elementeve prej të gjitha stileve, të gjuhës letrare për nevoja të individualizmit e tipizmit. Shkrimtari krijon figura dhe pamjeve të ndryshme dhe, pikërisht për atë arsye, ai është i lirë të përdorë çfarëdo mjeti gjuhësor që i përmbush funksionet estetike dhe artistike të tij. 4)Përdorimi i dendur i figurave të ndryshme stilistike, tropeve dhe figurave të sintaksës poetike me gjurmë të theksuara vetjake. 5)Shprehësia dhe personalizimi i stilit ose stili individual i shkrimtarit. Gjuha artistike si tipar i origjinalitetit të shkrimtarëve Sa herë flitet për mjeshtërinë artistike të çdo shkrimtari, në radhë të parë, duhet të vlerësohen: gjuha e veprës së tij, fjalori, frazeologjia, përzgjedhja e elementeve të të folurit popullor, ngjyresa krahinore dhe përgjithësisht prurjet dialektore që përzgjidhen për t’i shtënë në indin e gjuhës e të stilit letrar. Kjo cilësi e gjuhës artistike shquan me gjithë hijeshinë e bukurinë e saj te proza e Kutelit dhe e Koliqit, te poezia e Fishtës, Mjedës, Nolit dhe e Poradecit, si dhe në krijimtarinë e shkrimtarëve të tjerë shqiptarë. Për pasurinë dhe larminë e madhe leksikore dhe frazeologjike shquhet proza e Jakov Xoxës, sidomos e romanit “Lumi i vdekur”, kurse I. Kadareja dallohet për zotësinë e tij të rrallë për ta qëmtuar fjalën e bukur krahinore, duke iu qasur fjalorin të pasur burimor të të gjitha trojeve shqiptare, si p:sh. Fjalëve të anëve verilindore, në përputhje me tematikën e romaneve të tij të këtyre viteve. Në fund të fundit, konkurrenca ndërmjet jkrijuesve të një epoke, si dhe në përgjithësi procesi i krijimit letrar artistik, është kryesisht konkurrencë gjuhe. “Gara” letrare ndërmjet shkrimtarëve dhe poetëve parakupton synimet e tyre për të qenë sa më gjuhëbukur, gjuhëkrijues dhe gjuhëpërtëritës. Shkrimtari bën me gjuhën punë të ngjashme me skulptorin me gurët e mermerit, që i zgjedh në masivet shkëmbore, i pret dhe i laton, i gdhend dhe u jep atyre format e shtatorëve ose veprave artistike. Shkrimtar i mirë është ai që shquhet ligjërimin e tij të thjeshtë, për parashtrimin e qartë dhe pa poza, pa shtirje dhe “ojna” të tepërta, si dhe për gjetjen e temave dhe mjediseve në përshtatje me tematikën e veprës. Pasuria gjuhësore e prozës së vërtetë buron natyrshëm, pa teprime dhe “ montime” të dhunshme të fjalëve. Thënia dhe krejt ngrehina gjuhësore e prozës së vërtetë duhet të ketë harmoninë dhe mbrujtjen me tharmin e nevojshëm etnik e kombëtar. Aty shquajnë pikërisht dhuntia dhe talenti i çdo krijuesi të vërtetë. Kryekreje, në prozën e mjeshtërve të letërsisë shqiptare shquan përkujdesja për formën në funksion të përmbajtjes letrare, përpjekja dhe kurorëzimi i mirë i gdhendjen së ligjërimit sipas një kahu që, nga një anë, u lë shteg të gjerë prurjeve të gjuhës së folur, sidomos për dialogun midis personazheve, por, nga ana tjetër, edhe vëmendja që të mos sillet byk e kashtë, por vetëm ajo që është më e bukur në gjuhën e folur. Prurjet kanë nevojë gjithmonë të përzgjidhen, duke lakmuar e lëshuar në letërsi vetëm fjalë dhe frazeologjizma që meritojnë fisnikërim dhe janë pasqyruese të asaj që ka më të bukur dialogu dhe humori i popullit, prej nga kanë ardhur e do të vijnë gjithmonë freskia dhe bukuria e shqipes së shkruar. Prozator i mirë është ai që mbetet kurdoherë rojtar besnik dhe i sigurt i normës letrare, por kjo nuk e pengon atë aspak që të shkruajë me larmi, me hijeshi dhe në përputhje të plotë me tematikën e trajtuar. Mbi të gjitha ai duhet të jetë njohës i mirë i asaj që ka më të dallueshme gjuha shqipe dhe që quhet etnografia e të folurit të shqipes. Secili njeri, kur flet(natyrisht edhe kur shkruan) i prijnë disa pyetje, që vargëzohen sipas “çelësit” të famshëm të Sociolinguistikës moderne: “Kush flet, me kë, kur, ku, për çfarë dhe në cilin varietet gjuhësor?” Mbi këtë bazë, secili lexues, duke lexuar librat e një autori shquan kujdesin dhe maturinë në përzgjedhjen e fjalëve, shprehjeve dhe ndërtimeve sintaksore dhe kënaqet kur shikon se shkrimtari gjakon të shkruajë bukur, me fjalë të thjeshta, me sintaksë tipike shqiptare, pa ngarkesa e kërkime të stërholluara. Një cilësi me rëndësi e gjuhës së letërsisë artistike është edhe kujdesi për emrat e personazheve. Dallohen dy grupe shkrimtarësh: disa që emrat e personazheve i kanë si gjë të parëndësishme dhe i vënë si t’u vijë, pa ndonjë kriter dhe, dhe, një pjesë tjetër, që përbëjnë grupin më të madh, që gjakojnë të thonë shumëçka edhe me vetë emrat që u vënë personazheve. Gjuha në krijimet lirike dhe në krijimet epike Format e ligjërimit në veprat letrare artistike janë të ndryshme dhe në varësi të gjinisë e të llojeve letrare artistike përkatëse. Një ndarje të parë, të përgjithshme, mund ta bëjmë duke vështruar strukturën e brendshme të një vepre të dhënë ( apo të një numri të madh veprash letrare) në nivelin kompozicionalo-ligjërimor. Dallohen tri forma ligjërimi: i drejtë, i zhdrejtë dhe i ndërthurur. 1)Ligjërimi i drejtë quhet gjuha që përdoret në rrëfimin e vetë autorit. Këtë lloj ligjërimi e ndeshim në pjesën më të madhe të veprave të gjinisë lirike(vjershat dhe prozat poetike ), si edhe në lloje të ndryshme të gjinisë epike, diku vetëm ( përralla, gjëza, një pjesë e tregimeve të shkurtra ), diku në bashkëvajtje me ligjërimin e ndërthurur ( tregimi i gjatë, novela, romani, poema dhe pjesërisht balada ). Në krijimin lirik, qoftë vjershë, poemë ose prozë poetike, themi se ka lirizëm kur autori flet me ton të lartë, kur shpreh qartë entuziazmin e vet për atë që na thotë, kur shprehet plot afsh e vrull lirik, duke ia shfaqur lexuesit ndjenjat e veta intime. P.sh. 1. “ O malet e Shqipërisë e ju lisat e gjatë, Fushat e gjera me lule, q’u kamë ndërmend ditë e natë, Ju bregore, bukuroshe, e ju o lumenj të kulluar, Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pyje të gjelbëruar” ( Naim Frashëri, “Bagëti e buqësia”) 2. “Molla t’këputuna të nji deget, Dy qershia lidhë n’nji rrëfanë, Ku fillojnë kufijt’ e Geget, Rrijnë dy çika me një nanë” (N. Mjeda, “Andrra e jetës”) 3. “Nepër gjuhë shqipe bota mbarë Ka me u njohë se ç’fis ju kini, Ka me u njohë për Shqyptarë; Trima n’za sikurse jini. Prandaj, pra, n’e doni fisin, Mali, bregu edhe Malcija Prej njaj goje sod brohorasim: Me gjuhë t’vetën rroftë Shqypnia!” (Gj. Fishta, “Gjuha shqype”) 4. “Unë eci buzë liqenit të Drinit të lashtë, Malet në pasqyrën e tij krehin mjekrat. Pishat qerpikët i lyejnë me ngjyrë të kaltër. Nusërojnë në këmbët e bardha mështeknat.” (D. Agolli, “ Udhëtoj i menduar”) Sikundër shihet edhe nga shembujt, në vjershat lirike, po edhe në shfrimet lirike të poetit a shkrimtarit, në krijimtarinë epike, me anën perifrazave dhe kalimeve metaforike, jepet me bukuri e ndjenjë ai lirizëm i këndshëm që do ta shoqërojë lexuesin deri në fund të krijimit. Pra, lirizmi, nuk është diçka spontane, por pjesë përbërëse e kompozicionit të veprës, që buron në radhë të parë nga vetë brendia e saj dhe mbështet e shpërfaq qëndrimin ideo-emocional të autorit. Lirizmi del kurdoherë si element që bashkëvepron me epizmin dhe nuk mungon pothuajse asnjë poemë ose roman. Natyrisht, në veprat e gjinisë epike, qoftë të shkruara në vargje ( poema ose vjersha të gjata), qoftë në prozë ( tregime, novela, romane), lirizmi është më i kursyer sesa në vjershat lirike; ai shprehet, zakonisht, nëpërmjet ndërhyrjeve lirike të autorit, kujtimeve nga e kaluara e personazheve, si dhe në përshkrimet e natyrës, të mjediseve ose me anën e parafrazimeve për të paraqitur me ndjenjë gjendjen emocionale të personazheve. Veçoria dalluese e ligjërimit të drejtë ose e gjuhës së lirikës është ndërtimi mbi bazën e gjuhës letrare të normuar. Me përjashtime të rralla, kryesisht të karakterit leksikor, ky lloj ligjërimi mund të merret si bazë dhe gjedhe (model) e zbatimit të normave të gjuhës standarde kombëtare. P.sh.: 1. “Ajo ditë shiu agoi vonë. Kurora e pishës ishte zhdukur në mjegull dhe kjo pamje shyte i bëri Shpresës një përshtypje të çuditshme, një përshtypje ankthi dhe çlirimi. Iu duk sikur ndonjë rrufe, gjatë natës, kishte flakur tej atë kurorë dhe kishte lënë drurin cung. Aq e fortë qe përshtypja, se ajo vështroi anës, mos e shihte gjëkundi përdhe. Nuk gjeti veçse dita boça të ronitura, që i kishte shkëputur tufani dhe kishin mbushur oborrin”.(J. Xoxa, “Juga e bardhë”, Tiranë, 1971, f. 17). 2. “Mbi tokën e huaj binte shi dhe dëborë përzier bashkë. Sqota kish qullur betonin e pistës së aeroportit, ndërtesat, rojet. Ajo lagte fushën dhe brigjet dhe shkëlqente mbi asfaltin e zi të xhadesë. Sikur të mos ishte fillimi i vjeshtës, çdo njeriu tjetër, përveç gjeneralit të porsaardhur, do t’i dukej ky shi monoton një koincidencë e të ushtarëve të vrarë këtu në luftën e fundit botërore “. (I. Kadare, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Tiranë, 1971, f. 7). 3. “Nën qeprat e grazhdares kishte qëndruar një gushëkuq i vogël sa një gisht. Gusha e tij me pupla të shndritshme sikur pasqyronte qiellin e lindjes, që qe veshur me re e që dielli po i përskuqte. Matanë grazhdares, në arë, qipitë e misrit qenë veshur me një brymë të hollë”. ( V. Koreshi, “Dasma e Sakos”, (novelë), Tiranë, 1980, f. 95). Ligjërimi i zhdrejtë ose objektor quhet gjuha që përdorin personazhet në dialogun e një vepre letrare artistike. Tipi dialogjik përbën tipin më të diskutueshëm të tekstit narrativ. Aty kemi të bëjmë me një mënyrë kompozimi të tekstit në dukje më pak të strukturuar. Në retorikë termi dialogjizëm shënon procedurën e futjes së dialogut fiktiv në një thënie. Në analizën e ligjërimit, termi dialogjizëm është përdorur nga Bakhtini për t’iu referuar dimensionit kryesisht ndërveprues të gjuhës së shkruar dhe të folur. “Ligjërimet e gjata edhe pse dalin nga një interlokutor i vetëm, për shembull: fjalimi i një gojëtari, leksioni i një profesori, monologu i një aktori, përsiatjet me zë të lartë të një njeriu të vetëm, janë fonologjike vetëm nga forma e tyre e jashtme, ndërsa nga struktura semantike e stilistikore, janë thellësisht dialogjike”. Ideja e dialogjizmit lidhet me karakterin shoqëror të kumtimit. Kumtimi është prodhim i ndërveprimit të dy individëve shoqërisht të dallueshëm dhe ai ekziston sepse i drejtohet dikujt, për këtë arsye ka natyrë ndër individuale. Fjala është territor i përbashkët i lokutorit (folësit) dhe interlokutorit (bashkëfolësit), ndërsa ata janë qenie shoqërore, prandaj ky karakter shoqëror i gjuhës quhet ndërveprim gjuhësor. Aty, çdo thënie përfshihet në një tërësi ligjërimore dhe është përgjigje e një thënieje të mëparshme, por edhe i paraprin një thënieje që do të realizohet më mbrapa, në të ardhshmen. Pra, çdo thënie që realizohet në një dialog real ose në një kuadër monologjik, përshkohet nga interteksti. Dialogjizmi është shfaqja më e dukshme e mekanizmit kompleks të kumtimit. Ky lloj ligjërimi është tipik për gjininë dramatike ku, siç dihet, ky lloj ligjërimi është zotërues, por nf del edhe në gjininë epike, kryesisht në llojet e gjata (novela, romani) në të cilat ai nuk është i vetëm dhe ndërthuret me ligjërimit e drejtë të vetë autorit. Tipari themelor i këtij ligjërimi është larmia e pasqyrimit të mjedisit dhe të karaktereve, në përputhje me tipin shoqëror dhe ngjyresën e nevojshme për individualizimin e tyre. P.sh.: 1. “Vështroi atje, - i tha me zë të ulët priftit. Prifti ktheu kokën dhe bëri një gjest habie. Ndaluni, ju lutem, - i tha shoferit gjenerali. Shoferi u ndal. Gjenerali hapi xhamin e tij dhe tregoi me dorë nga ana e djathtë. Specialisti ktheu kokën. Ç ’bëjnë ata? – pyeti gjenerali. Po kërkojnë ushtarët. Si është e mundur?Si ka mundësi të gërmojnë pa lejen tonë? Kërkojnë të tyret, - tha specialisti. Ashtu ? Qeveria jonë ka bërë kontratë me shtetin e tyre një vit më parë, por ata u vonuan shumë me përgatitjet dhe filluan vetë në verë. E kuptova. Gjeneral është? Gjenerali buzëqeshi. Tani mungon një gjeneral hoxhë-tha. S’është çudi, - tha specialisti duke qeshur. Edhe turqit mund të vijnë ndonjë ditë”. (Ismail Kadare, “ Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Tiranë, 1971, f. 50-51) 2. “Shkoi në shtëpinë e Bukriut. Miku i tij e priti buzagaz, po ky si i nemitur. Kam një hall të madh, më mëso si të bëj,- i tha atij – Më rri mendja vazhdimisht tek ajo. Si të them unë i shkreti – i tha Bukriu. Belqëm bëra gabim që t’i thashë ato fjalë. Unë them të nisem, o Bukri. Do ta gjej. Nuk më rrihet pa e gjetur. Do të nisesh?!-Bukriut iu zmadhuan sytë nga habia. – Jo, Haxhi, nuk është punë që bëhet. Sot ka atë mendje, po kushedi nesër. Pastaj, a e lënë? Thotë ajo, po ç’thotë i ati? Të ishte se e linte, do të kishte ardhur ajo te ti, po s’erdhi. Unë do të nisem. Zëre se vdiqa, zëre se shkoi jeta ime. Nuk rri dot”. (V. Koreshi, Haxhiu i Frakullës,”Dasma e Sakos”, Tiranë, 1980,f. 47) 1. “Gjatë ishte menduar e gjatë ishte kujtuar si t’ia niste kuvendit me këtë plak që s’i lexohet asgjë në fytyrë e asgjë s’dinte e s’kishte dëgjuar për të. Sa vjeç je, o plak? – e pyeti dikur. Shumë, - tha plaku, pa kthyer kryet nga ai. Po kë do më së shumti? Pyeti përsëri. Jetën, - shkurt iu përgjigj plaku. Pse pak ke jetuar?! – pyeti i çuditur Jankoja. Im atë ka pas jetue njëqind e njëzet e gjashtë vjet,- ia ktheu plaku. Mirë, - tha Jankoja, - mbase e paske kaq qejf, do ta shkurtoj unë”, Jo,- tha plaku – s’e ke t;i në dorë... Im atë, ndjesë pastë, më ka pasë thanë se njeriu nuk jeton vetëm për vetën e vet, jeton edhe mbasi të vdesë, - foli duke psherëtirë plaku”. (A. Istrefi, “Lëshoma hisen e diellit”, Tiranë, 1984, f. 68-69) Karakteri metaforik i gjuhës në letërsinë artistike Letërsia nuk jep lajme, por, duke u mbështetur te faktet, pykëzohet në thelbin e dukurive, i drejtohet më shumë zemrës sesa mendjes, flet me metafora për gjërat që, përndryshe, nuk do të na preknin aq shumë. Kjo mënyrë metaforike kishte balëzuar e ishte përdorur në shekuj në rrëfimet e të folurit në odat e burrave, por ajo do të vinte edhe në letërsinë e shkruar, sidomos të atyre krijuesve që synojnë për art të vërtetë. Le ta shohim këtë dukuri me shembuj nga proza e Ernest Koliqit: 1. “Pleqtë e të dy palëve u ndeshën një ditë të shënueme në vend ku ishte daoroku. Pa u ulë ende prej kalit nji ndër pleq të njimtarit i solli nji pyetje të shkurtë por plot kuptim Xhep Nelit, plakut ma të squet të Sufës, që kishte mbërri para tij e ishte tue pritun përjashta me gjithë shokë. Si mbas zakonit të malsorve, donte m’e gërga
Posted on: Sat, 07 Sep 2013 21:11:26 +0000

Trending Topics




© 2015