Ngacmuan vajzat në rrugë, ndjekje penale komisarëve Bëjnë - TopicsExpress



          

Ngacmuan vajzat në rrugë, ndjekje penale komisarëve Bëjnë kallëzim dy vajzat, dosja në Prokurori edhe për fyerje. SHKB: Dy oficerët kundërshtuan me dhunë gjatë shoqërimit. Dërgohen për ndjekje penale me dy akuza dy oficerët e Policisë, të cilët u ndaluan të premten në Tiranë pas denoncimit për ngacmim ndaj disa vajzave në afërsi të 9-katësheve. Burimet zyrtare thanë se Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka referuar në Prokurori dosjen e hapur ndaj dy efektivave të Policisë, Pjerin K. dhe Julian M., të dy me gradë komisar. “Çështja penale është referuar në Prokurori me akuzën e kundërshtimit me dhunë ndaj punonjësve të Policisë, pasi dy oficerët kanë reaguar në mënyrë të dhunshme në momentin e ndalimit”, thanë burimet zyrtare. Sipas tyre, pas njoftimit të marrë për incidentin me policët, shërbimet e rendit kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur veprimet për ndalimin e dy punonjësve të Policisë. “Në këtë moment është konstatuar se ata kanë qenë në gjendje të dehur”, thanë burimet zyrtare. Sipas tyre, gjatë shoqërimit nga patrulla e përgjithshme dy komisarët kanë kundërshtuar punonjësit e rendit duke mos pranuar shoqërimin në ambientet e Policisë. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, ndaj dy oficerëve është nisur ndjekja penale për kundërshtim të punonjësit të Policisë, pasi Pjerin K. dhe Julian M. nuk kanë qenë në shërbim në kohën që ka ndodhur ngjarja. Ata kanë qenë duke ecur me një makinë tip “Benz” në momentin kur janë ndaluar nga forcat e rendit. Policia shkoi në vendngjarje, pas një njoftimi të marrë në sallën operative të Drejtorisë së Tiranës nga dy vajza që denoncuan “ngacmimin në rrugë nga dy policët”. NGACMIMI I VAJZAVE Çështja e ngacmimit të dy vajzave nga ana e oficerëve të Policisë mësohet se po ndiqet nga Policia e Tiranës. Kjo e fundit u ka marrë kallëzim penal dy vajzave që bënë njoftimin në sallën operative dhe mësohet se ka përgatitur dosjen për ta dërguar në Prokurori për akuzën e fyerjes. Ndërkaq, ndjekja penale ndaj dy komisarëve po vazhdon në gjendje të lirë. Ata mësohet se janë lënë të lirë disa orë pas ndalimit në Tiranë. Pasditen e së shtunës, dy oficerë krimesh të Policisë u kapën nga kolegët e tyre duke ngacmuar femrat në rrugë. Të dy efektivat janë pezulluar nga detyra, ndërsa mësohet se Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka nisur edhe procedurën disiplinore për të cilën do të ketë një vendim ditën e hënë. Dy policët u ndaluan nga forcat e repartit “Shqiponja” në një lokal shumë pranë qendrës së Tiranës, te zona e 9- katësheve. Mësohet se ngacmimet ndaj vajzave kanë nisur në një lokal e kanë vazhduar më pas edhe në rrugë. Dy oficerët kanë qenë të veshur civilë, por mbanin armën e shërbimit në brez, çka i ka bërë të identifikueshëm si policë te dy vajzat që kanë kërkuar ndihmë në sallën operative.
Posted on: Sun, 07 Jul 2013 19:39:37 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015