Një njeri ndarë përgjysëm. tregimi shqip Kohët e fundit, - TopicsExpress



          

Një njeri ndarë përgjysëm. tregimi shqip Kohët e fundit, nuk ndjehem një, por i përbërë nga dy gjysma. A më saktë dhe më parë, jo rrallë herë, kur më qëllonte të merresha me vehten time, pa dashur ta bëj këtë punë, përplasesha veç e veç, o me njërën o me tjetrën gjysëm timen. Pastaj, me ç’ kam mësuar nga jeta, dhe nuk është se kam mësuar pak; kam kuptuar se ajo që nuk mund të kontaktojmë me shqisat tona, domethënë, që nuk mund të shohim, që nuk mund të ndjejmë, që nuk mund të prekim e nuk mund të dëgjojmë, krahasuar me atë që na është ofruar si mundësi, është si të vësh përballë një aisbergu në oqean, një stalaktit akulli formuar dimrit nën çatinë e shtëpisë. Megjithatë, që të jem i saktë, nuk është se jam i bindur që vërtet jam i përbërë nga dy gjysma. Dy gjysmat e mija unë nuk i kam parë asnjëherë, e as kërkush tjetër, sepse asnjëherë nuk kam patur guxim të flas për këtë gjë me njeri. Pra në fakt dhe unë, vetëm e imagjinoj vehten kështu, sepse si kam parë, prekur, a tentuar për ta bërë këtë gjë me dy gjysmat e mija. Por një gjë e di saktë, faktin që dy gjysmat janë këtu ku janë, e se ato nga ana e tyre, nuk dinë gjë për njëra tjetrën, aq sa dinë për njeri tjetrin dy male që nuk janë takuar kurrë. Janë të huaja për njera tjetrën dy gjysmat e mija, raciste fare janë, sa që po tu binte rasti të takoheshin me njëra tjetrën, do shqyheshin, vriteshin e bëheshin copë copë. Për të krijuar një imazh dhe ju për dy gjysmat e mija, përfytyroni e sillni ndërmend rastin e një maçoku dhe të një qeni, që u bije rasti të takohen teksa janë zorrëthatë të dy. Dy kafshë të tilla: maçoku në racën e maçokëve dhe qeni nga soji i qenëve, janë: qeni më langaraqi i racës qenore e maçoku më trimi i racës së vet. Përfytyrojini këto dy kafshë, sikur ndodhen krejt rastësisht para një sahani me çorbë. Merrni në konsideratë dhe faktin tjetër, se po qe se nuk hanë nga ajo çorbë, vdesin urie. Kush do të mund të mund të hajë në çanak sipas jush, e kush do të bëjë spektatorin? Sipas meje as njëri e as tjetri. Qenit frikacak e maçokut guximtar do tu shkojë jeta duke tentuar e studjuar njëri tjetrin dhe ushqimin e sahanit do tua vjedhin minjtë që kalojnë atypari. Herën e parë minjtë kalojnë rastësisht andej, thjesht se u bie rruga, e pastaj domosdoshmërisht, se duan të ushqehen. Ndërsa maçok trimi me qen frikacakun vetëm kur tu shkojnë sytë rastësisht të shohin sahanin pa gjë brenda, bëjnë fajtor për boshatisjen e sahanit njëri tjetrin reciprokisht dhe nga inati fillojnë kacafytjen finale, duke lënë leshtë të dy. Nuk e di arsyen pse kam arritur këtu, në këtë konkluzion,dhe jam i bindur se nuk do të mësoj gjë dhe sikur të merrem me këto ide gjithë jetën që kam para. Kjo bindje më qetëson pak dhe kështu shkoj para si gjithë njerëzit me problemet e tyre absurde. Njëra gjysëm në vetvehte nuk e njeh arësyen e tjetrës: këtë unë e di qartë, ndërkohë që gjysma tjetër, as ajo nuk e pranon arësyen e tjetrës. Dhe unë shëndërrohem në njeriun më absurd kur kërkoj te qartësoj vehten, e akoma më keq kur këtë gjë dua ta bëj me dy gjysmat e mija. Absurditeti im aq sa varet nga dy gjysmat e mija, po kaq varet dhe nga dëshira ime për të kuptuar, dhe është pikërisht ky absurditet që mban në tolerance dy gjysmat e mija me njëra tjetrën dhe mua bashkë me to. Sa herë jam pranë detit, pranë artit, pranë bukurisë a pranë një njeriu të mirë, makar dhe para një peme a çfarëdo gjëje tjetër që më pëlqen, në vend që të merrem me bukuritë e tyre, dikush jashtë a brenda meje më detyron të hedh sytë nga dy gjysmat e mija. Bile, dy gjysmat e mija më robërojnë keq dhe kjo është një robëri e këndëshme. Ata janë aty, thjesht dy gjysma, secila jo e plotë, njëra gjysëm e pak tjetra gjysëm pa pak; sipas rastit e takatit ky konfiguracion i tyre. Secila gjysëm jeton për llogari të saj, pa më futur në hesap mua, kështu me to, po më gërryejnë e po më shkatërrojnë deri sa tua marr anën. Kur flas e diskutoj me njerën gjysëm timen, sa qejf e kam atë - nuk do të më vinte keq po ta përcaktoja si ca leshko - ajo bëhet gojë për ta puthur kushdo e për të puthur këdo, shëndërrohet në vesh për të dëgjuar një melodi, bëhet sy për të ngrohur botën në raste kur dielli s’ ngroh aq sa duhet. Gjysma ime hutaqe, kërkon kontakt, prekja është gjithëçka për të. Ajo don të ndajë me tjetrin atë që ndjen në çast, sidomos dashuri. Aq shumë dashuri ka gjysma ime torollake, sa nuk duket gjysëm por e plotë fare, më e plotë se vetë kuptimi i kësaj fjale. Kur jam para detit gjysma ime leshko është dashuruar me të dhe nuk mendon për detin, thjesht vetëm ndjen mrekullitë që i dhuron ajo pafundësi e kaltër. Ajo nuk din të mendojë, ose kur kërkon të mendojë nuk është as leshko më; përfundon në një gjë pa kuptim sa e ka kuptuar dhe vetë dhe nuk tenton më të mendojë. Ajo ndjen vetëm instiktin e saj dhe e kërkon me ngulm që gjithëçka jashtë dhe brenda saj ti përshtatet instiktit. Pastaj nis të vëzhgoj gjysmën tjetër timen, gjysmën xanxare. Pikërisht në këto moment kur gjysma leshko bën festë, gjysmën tjetër e gjej me dhëmbë shtërnguar. I kërcasin dhëmbët për dreq, sa nja tre sosh do ti bënte përshesh, se nuk bën. Ajo është sforcuar tani, kërkon të transformohet në një mikroskop. E ka futur detin në lupë gjysma xanxare dhe ka një etje të hatashme për ta pirë gjithë ujin e detit, pastaj ta distilojë e në fund ta analizojë. Kështu bën gjysma ime e zemruar, e than detin sa hap e mbyll sytë dhe me kripën e fituar i ngren një monument vehtes, mu para hundës së gjysmës tjetër shemër. Pastaj largohet ca dhe nga andej, vështron e heton dhe nuk është e kënaqur me punën e saj. Nuk i pëlqen puna që ka bërë dhe rifillon nga e para. Fillon e vjell duke e rimbushur detin e boshatisur me ujë, kripën e bërë monument e shkrin dhe përsëri nga fillimi. Dhe sa herë do bëjë kështu gjysma ime e zgjuar? Nuk dihet ndoshta gjithë jetën. Unë nuk mund të bëj gjë tjetër, veçse të vëshgoj dy gjysmat e mija, bile unë nuk jam gjë tjetër veçse dy gjysmat e mija. Karruseli i tyre më ka bërë kockë e lëkurë, dhe tërhiqem osh thjesht se nuk kam nga ja mbaj. Eshtë fati im dhe fatit nuk i iket. Kur jam optimist parashikoi pak paqe, të paktën sa për të fjetur një orë. Kur jam besimtar lutem në gjithë e gjuhët e botës që kjo gjë të mori fund. Unë nuk mund të vendos pro a kundra gjysmave të mija. Une jam këtu thjesht per ti bashkuar ato. Do të mundem? Nuk e di, deri tani jo. petrit sulaj 99 kate per tu zbritur
Posted on: Thu, 24 Oct 2013 10:27:14 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015