Një shqiptar, i cili u përpoq t’ua hidhte qenve të drogës, - TopicsExpress



          

Një shqiptar, i cili u përpoq t’ua hidhte qenve të drogës, duke lyer pakot e kokainës me një xhel për muskujt, është dënuar dje me 15 vjet burg. Admir Doda, 37 vjeç, ishte kreu i grupit që ka importuar të paktën 100 kg kokainë në Mbretërinë e Bashkuar për baronët e drogës me bazë në zonën e Southhamtonit. Banda i fshihte pakot e kokainës brenda çorapeve, pasi i lyente me xhel të ftohtë. Më pas droga është shpërndarë në qytetet e bregut jugor përfshirë Portsmuth, Burnemuth dhe Southempton, para se ta hidhnin në rrugë për shitje. Banda përbëhej prej shqiptarëve nga Shqipëria dhe Kosova dhe është një prej bandave më të mëdha që është kapur vitet e fundit. Doda dhe pesë anëtarë të tjerë të grupit janë dënuar në total me 57 vjet burg dhe 10 muaj nga Gjykata e Southuark Croun. Doda bashkë me Aurel Markushi, 33, Hysen Meta, 37, Henri Stafasani, 30, Bledar Hysenlika, 29, dhe Florian Hoxha, 29, kanë pranuar që të gjithë se, janë përfshirë në trafikimin e drogës. Hysenlika është dënuar me 10 vjet e nëntë muaj ndërsa Hoxha me 10 vjet e dy muaj. Stafasani për10 vjet e katër muaj, kurse Elsaf Markushi që ka luajtur një rol më të vogël në grup është dënuar me pesë vjet e tre muaj. Meta ka marrë një dënim prej gjashtë vite e katër muaj. Vendimi për kushëririn e Markushit, Aurel Markushi, 32, do të jepet sot. Gjykatësi Michael Grieve tha se, grupi trafikonte drogë të klasit A. “Ju, që të gjithë jeni përfshirë në role të ndryshme dhe në nivele të ndryshme në këtë bashkëpunim kriminal që kishte në plan të sillte kokainë me nivel të lartë pastërtie në Mbretërinë e Bashkuar. Plani juaj ka funksionuar për një periudhë prej 22 muajsh. Disa prej jush janë përfshirë gjatë gjithë kësaj kohe, ndërsa disa për një periudhë të shkurtër”, u shpreh Grive. Duke iu drejtuar Dodës, gjykatësi shtoi: “Nuk ka dyshim se, ju keni luajtur rolin e liderit dhe organizatorit. Ke luajtur rolin e drejtuesit në Britani. Ke mbajtur distancë nga droga dhe paratë kur je takuar me pjesëtarët e tjerë. Me sa shoh, nuk ka kandidat tjetër që qëndron lart teje në hierarkinë e Mbretërisë së Bashkuar. Grupi po u shpërndante drogë Joy Connor, 34, dhe Shae Flaherty, 27, të mendohet se drejtojnë një organizatë të madhe kriminale në Southampton. Prokuroria, David Aaronberg i tha gjykatës: “Bashkëpunimi kriminal kishte në plan të sillte kokainë të cilësisë së lartë nga vendet Evropiane dhe më pas ta shisnin me kile tek grosistët. Lekët që fitonin i konvertonin në euro dhe me to blinin më shumë kokainë dhe kështu vazhdonin pa pushim.” Prokuroria tha se, ky grup ka futur në Britani të paktën 100 kg kokainë të cilësisë së lartë, vlera e të cilët në rrugë shkon në dhjetëra milionë paund. Policia ka përdorur sistemin teknologjik ANPR (Automatic Number Plate Recognition) për të kapur shpërndarësit para se të sekuestronin një sasi prej 10.5 kg pasi kishin dështuar në gjashtë operacione të mëparshme. “Në më shumë se 90 raste, udhëtimet janë bërë nga një ose më shumë prej të akuzuarve, me qëllim furnizimin me drogë të grosistëve”, ka shtuar Aaronberg. “Ata kanë përdorur rreth 27 makina të ndryshme. Ata i mbështillnin drogën dhe paratë me letër alumini, kurse xheli për muskujt përdorej për larguar erën e kokainës. Pakot gjithashtu ishin futur brenda çorapeve dhe ishin fshehur në makinë në vende ku nuk mund të zbuloheshin”. Shumica e anëtarëve të grupit janë akuzuar që në vitin 2012 dhe deri në momentin e gjyqit ata kishin mohuar të jenë përfshirë në aktivitet kriminal. Por në fund ata pranuan se, që të gjithë ishin përfshirë në trafikimin e drogës së klasit A, nga janari 2011 deri në nëntorin e kaluar. Kurse Connor dhe Flaherty do të gjykohen më vonë.
Posted on: Wed, 18 Sep 2013 10:52:15 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015