Në shekullin e XVIII në Europë lindi Iluminizmi, lëvizja e re - TopicsExpress



          

Në shekullin e XVIII në Europë lindi Iluminizmi, lëvizja e re kulturore e cila propozonte lirimin e njeriut dhe të shoqërisë nga injoranca dhe obskurantizmi. Sipas saj ishte e domosdoshme që njeriu të arsyetonte, pasi nëse nuk do të arsyetonte ai do të ishte një i mangët. Kështu që në të njëjtën kohë, kjo ishte një invencion i madh, pasi më në fund ai do të kuptonte se në kokë udhëhiqej nga truri. Mirepo si të gjitha invencionet, edhe kjo do të shkonte drejt përmirësimit dhe perfeksionimit. Për shembull: shpeshherë mund ta kemi vënë re se jo gjithmonë kultura ndihmon në mënyrën e të arsyetuarit. Imagjinoni sesa burra nuk arsyetojnë në momentet kur përballen me një femër, ushtrojnë dhunë mbi to, lëndime e të çara nëpër trup, stres, depresion, vrasje... Imagjinoni se çfarë tip kulture do të kishte burri i sotëm, nëse ai vetë do të ishte kërcënimi kryesor që i paraprin fundit të kohës. Mendoni se sa prindër të rinj përfshihen në të njëjtin krim duke ua imponuar fëmijëve të tyre ndenjën e madhështisë. Dhe sa prej tyre nesër do të ishin “diktatorë” të neveritshëm, mafiozë të pangopur, eprorë të korruptuar, “vjelës” taksash apo “shkatërrues” të vendit? Për rrjedhojë, prova do të tregonte paralelizmin që kanë ata me politikanët, të cilët e kanë transformuar Tiranën dhe të gjithë vendin të mbushur me pallate shumëkatëshe, në një hapësirë të madhe gjeografike në të cilën mbizotëron pluhuri dhe betoni, kaosi i grabitjeve dhe lëndimeve me armë; mes një batërdie kryetarësh e drejtuesish të verbuar nga haraçet e majme, ashtu sikurse të gjithë kryetarët e drejtuesit e tjerë pararendës që me anë të neglizhencës në sigurinë publike dhe të lejeve të tyre, shpeshherë të dyshimta, firmosën “Shkatërrimin Ekologjik” të Tiranës, dhe të mbarë qyteteve të tjera të vendit. Ashtu sikurse në dy dekada, nuk kemi parë kurrë një parti, e cila pasi të ketë fituar zgjedhjet, shkon në parlament si partia që përbën qeverinë e re dhe mban të gjitha premtimet e bëra në fushatë, apo në debatet mediatike. Ashtu sikurse nuk kemi parë prej vitesh ndërtime të shtëpive kulturore, si qëndra të ruajtjes dhe kultivimit të traditës tek të rinjtë, por uzurpimin e tyre: uzurpimin e monumenteve të kulturës, të hapësirave të ndryshme gjeografike, të parqeve kombëtare, shtëpive monumentale, kaleve shekullore e të shumë e shumë objekteve të tjera, të cilat janë kthyer në “qendra” përfitimesh ekonomiko-individuale, të privatizuara. Kështu që, kryeministri i ardhshëm Edi Rama, i cili shkon në qeveri si drejtues i saj për katër vitet e ardhshme, duhet “të na sigurojë” një abitat në të cilën të kultivohet ndjenja e vërtetë e së drejtës për qytetarin. Dhe që në fushën kulturore, ky abitat, është thuajse i ilustruar, i dokumentuar nga fotografët dhe reporterët, nga mjeshtrat e fotografisë që shkrepën çdo cep rrugice apo rruge, aty ku ishte prezente kultura, të cilën duhet ta kopjojmë nga njëra shtëpi në tjetrën, nga njëri mur në tjetrin, dhe ta rikthejmë në turizëm të gjithë mundësinë kulturore të humbur që me privatizimin e pasurisë kombëtare rrezikojmë daljen nga UNESCO.
Posted on: Thu, 05 Sep 2013 11:50:11 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015