Nëse në fushë Kombëtarja e Shqipërisë është gjithnjë e - TopicsExpress



          

Nëse në fushë Kombëtarja e Shqipërisë është gjithnjë e më tërheqëse, zyrtarët nuk mbeten mbrapa me “driblimet”. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka dhe trajneri Giani De Biasi janë takuar dje për të diskutuar mbi të ardhmen e skuadrës, katër ndeshjet e mbetura, por njëkohësisht edhe për rinovimin e kontratës së trajnerit italian. Mësohet se pika e përbashkët e të dyja palëve ka qenë dëshira për të vazhduar bashkëpunimin mes tyre, por kur bisedimet kanë mbërritur te shifrat, atëherë palët kanë qenë larg njëra tjetrës. Nuk bëhet fjalë për distanca të mëdha dhe marrëveshja mund të arrihet në të ardhmen, duke qenë se vullneti i mirë ekziston, raporton Panorama sport. Kreu i FSHF-së i ka bërë të qartë De Biasit se dëshiron të bashkëpunojë me të dhe për këtë arsye dëshiron që ai të vazhdojë edhe edicionin e ardhshëm. Duka i ka bërë të qartë se e ka gati marrëveshjen e rinovimit me të njëjtat kushte financiare. Duka i ka premtuar gjithashtu se do të ketë gjithçka në dispozicion, si burimet financiare (udhëtime për vëzhgime lojtarësh, etj), po ashtu edhe burimet njerëzore. Kreu i FSHF-së i ka kujtuar italianit se do të vazhdojë të jetë tërësisht i pavarur dhe i pandikuar nga faktorë të jashtëm, ashtu sikundër ka qenë deri tani. Aktualisht De Biasi merr afro 300 mijë euro në sezon, por trajneri kërkon të paktën 100 mijë euro rritje page për të rinovuar. Në fakt, De Biasi mësohet se është treguar i moderuar në bisedë, duke mos përmendur shifra konkrete, por i ka bërë të qartë presidentit të FSHF-së se rezultatet e skuadrës, si dhe rinovimi i saj duhet të shpërblehen në kontratën e ardhshme pasi që, sipas tij, ai e ka merituar këtë gjë me punën që ka bërë. Duka është treguar gjithashtu i moderuar duke mos i mohuar asgjë nga rendimenti i italianit, por i ka vënë në dukje trajnerit se kaq janë mundësitë financiare të FSHF-së dhe se nuk mund të japë më tepër. E sigurt është se do të ketë një raund tjetër bisedimesh, ndoshta edhe më shumë se një. Është normale, sepse edhe nëse palët do të binin dakord për çdo gjë dje, marrëveshja nuk mund të quhej e mbyllur për aq kohë sa asnjëra prej palëve nuk ka pasur me vete përfaqësuesit ligjorë. Duka dhe De Biasi gjithsesi janë ndarë në një mënyrë tepër miqësore duke lënë gjithçka hapur dhe, sipas burimeve të FSHF-së, marrëveshja është shumë pranë. Ndeshjet e mbetura mund të marrin një rëndësi të veçantë në rrjedhën e gjërave, sepse deri tani në bisedime ka qenë “i favorizuar” De Biasi, për shkak të rezultateve.
Posted on: Fri, 16 Aug 2013 18:03:51 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015