Nëse thuhet se pyetja “çka është filozofia?” nuk është e - TopicsExpress



          

Nëse thuhet se pyetja “çka është filozofia?” nuk është e përcaktuar në mënyrë enciklopedike dhe se ajo nuk kërkon “përgjigje decidive” nuk është thënë asgjë e re. Hajdegeri ka thënë qysh moti se pyetja çka është filozofia kërkon përfshirjen në filozofi, kërkon trajtime të diskursit të mendimit filozofik. Natyrisht, kjo nënkupton njëfarë obligimi që, para së gjithash, pasqyrohet në qasjen ndaj traditës së metafizikës dhe trajtimeve që orientohen nga kritika e metafizikës, trajtimet bashkëkohore në të cilat realizohen perspektiva të reja të mendimeve. Në këtë mënyrë, kur flasim për filozofinë, bëhemi borxhlinj ndaj saj, ndodhemi në situata që duhet të kemi kujdes ndaj tendencave të saj bashkëkohore njësoj si ndaj traditës, sipas së cilës, më në fund, përcaktohen këto tendenca. Në këtë kuptim, gjitha çfarë përpiqemi të shtrojmë si vështrim vetjak në filozofinë, gjitha çfarë duam të themi për të, jo vetëm që i nënshtrohet procesit të verifikimit, por as nuk mund të arrijë horizontin e relevancës filozofike dhe çështjeve që I përkasin fushës së mendimit filozofik, në qoftë se nuk i kemi krijuar disa predispozita për krijimin e një ideje themelore për atë se çka është filozofia. Por, pyetja se çka është filozofia, qysh moti, është edhe pyetje se çka mund të jetë ajo. Sigurisht, as kjo pyetje nuk ka karakter historik apo karakter konceptual. Në qoftë se duhet të thuhet qartë, një përgjigje e caktuar në këtë pyetje as nuk mund të jepet. Për atë se çka do të jetë apo çka mund të jetë filozofia në të ardhmen, cilat janë çështjet, problemet dhe rrethanat që mund të ndikojnë në transformimin e saj, në të vërtetë, as që mund të flitet. Këtë nuk mund ta parashikojmë as për një të ardhme “të afërt”, por ajo që mund të bëjmë është vështrimi I asaj që është sot. Ky diskutim, i cili për dikë ndoshta është i papritur, para së gjithash, ka të bëjë me të kaluarën e filozofisë, me traditën e mendimit filozofik dhe me historinë e trajtimit të atyre çështjeve të cilat e kanë përcaktuar traditën euro-perëndimore në tërësinë e plotë të saj. Në këtë kuptim, çështja e bashkëkohësisë është çështje e ndikimit të traditës në atë që është sot filozofia dhe bota në të cilën ajo ekziston. Relevanca e trajtimeve që bëhen sot në fushën e hulumtimeve historiko-filozofike marrin kështu karakter jetësor. ~ 6 ~ Gjitha çfarë ka ndërmarrë filozofia, në mënyra të ndryshme dhe gjithnjë të veçanta, ka pasur të bëjë me realitetin jetësor. Asgjë që nuk është në lidhje me të nuk është jashtë kontekstit jetësor. Prandaj edhe çështjet e filozofisë analitike, për shembull, janë çështje që kanë të bëjnë me mundësitë jetësore, për atë se çfarë është realizuar dhe çfarë nuk është realizuar, janë çështje që paraqesin një hap prapa në kuptimin e vështrimit të mundësive të reja dhe të hapjes së perspektivave të reja, prej të cilave është e mundur të veprohet në një mënyrë tjetër. Në këtë mënyrë transformimi i filozofisë rishtron disa çështje filozofike të cilat kanë qenë orientim themelor I mendimit metafizik. Por, kjo përtëritje nuk është restaurim I thjeshtë. Ajo është përpjekje për realizimin e një vështrimi të drejtë në të gjitha aspektet e disa mundësive të reja, në të cilat filozofia jo vetëm që transformohet, por edhe zë një vend të ri në raport me shkencat dhe faktorët tjerë kulturorë. Këtu ajo nuk është shprehje e raportit suprem të mendjes ndaj realitetit, por është një prej kontekstit të pasqyrimit të perspektivës së proceseve jetësore, e cila ka tiparet dhe rëndësinë e saj, por jo edhe supremacinë ndaj trajtimeve të tjera. Aq sa filozofia merr sot nga shkencat tjera, aq sa ajo është e gatshme do të jetë diskurs i kuptimeve të hapura, marrin prej filozofisë edhe shkencat tjera dhe janë të hapura ndaj saj. Ndoshta mund të thuhet se rrethanat jetësore, por edhe përpjekjet shkencore bashkëkohore, e kanë detyruar filozofinë që të hapet. Për këtë dëshmon më së miri Fridrih Niçe, I cili kërkon që filozofia të jetë ajo që prej saj pret jetë, që të flasë dhe të japë përgjigje, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të veprojë në mënyrë aktive në jetë. Hapja e mendimit filozofik që ndodh në këtë kontekst, në të cilin filozofia kërkon qasje multidisiplinare, duhet të perceptohet si domosdoshmëri vështrimesh jo vetëm në mendimin filozofik, por edhe në ato fusha të shkencës, artit dhe kulturës në përgjithësi, i cili kërkon lëndë hulumtimi. Koha në të cilën filozofia i ka mjaftuar vetvetes, falë strukturës së saj logocentrike, ka kaluar, sepse ajo i kishte manifestuar të gjitha mangësitë dhe rreziqet e saj. Diskursi I ri kërkon jo vetëm interesime me karakter filozofik eminent, por edhe interesime shkencore e kulturore, përcjellje të rrjedhave që, në çfarëdo mënyre, ndikojnë në zhvillimet jetësore. Kështu detyra e filozofisë nuk gjendet në paqësimin e botës, nuk gjendet në strukturimin e saj dhe në aparatin kuptimor kategorial. Ajo ka të bëjë me ~ 7 ~ mendimin veprues, i cili është i gatshëm dhe i detyruar që të veprojë, që të ndikojë në të gjitha proceset e të gjitha formave jetësore. Nga kjo perspektivë kritika e traditës filozofike nuk është çështje teorike në atë kuptimin e vjetër. Në të vërtetë, këtu teoria merr një kuptim të ri, në kontekstin që ajo vetë nuk dëshiron të jetë veprimtari thjeshtë teorike. Përfundimisht, detyrë e filozofisë nuk është më mendimi mbi të qenit, por është bërë pikëpamje perspektive e mundësisë së veprimit. Ajo që e bënë çështjen më interesante është fakti se këto mundësi duhet të vështrohen nga këndvështrimi i përcaktimeve spekulative të metafizikës, kuptimit negativ në të cilin këto përcaktime i nënshtrohen kritikës së ashpër, e cila merr kuptimin e kërkimit të perspektivave të reja të mendimit. Me fjalë të tjera, filozofia nuk heq dorë, por nëpërmjet pikëpamjeve të veta, është e detyruar të heqë dorë nga pozicioni i sovranit ndaj botës. Se këtu nuk bëhet fjalë për kurrfarë “vullneti të mirë” dëshmon edhe kalimi të cilit nuk I shihet ende fundit. Por,ajo që trimëron në gjithë këtë çështje është fakti se është plotësisht e qartë se gjërat nuk do të mund të kthehen në ato kontekste që mendimi filozofik I ka vështruar si të pamundura. Prandaj, në njëfarë mënyre, çështja e raporteve të filozofisë bashkëkohore me traditën filozofike është çështje hyrëse, por, në njëfarë kuptimi tjetër, është edhe çështje e hapur për të gjitha aspektet e mundësive filozofike. Bëhet fjalë për ato mundësi që kanë konsekuenca reale, prej të cilave filozofia, për herë të parë në historinë e saj, bëhet e përgjegjshme ndaj realitetit, duke u përballuar me pasojat e historisë së deritashme të metafizikës. Çështja e raportit të filozofisë dhe traditës së saj e tejkalon çdo diskurs kabineti. Ajo nuk bën të vështrohet si kuptim i saj i ngushtë, por duhet të perceptohet edhe si trajtim i filozofisë sot, si trajtim i konteksteve të saj te reja, si mundësi të mendimit. Në këtë kuptim, filozofia nuk ka karakterin e mendimit të përjetshëm, sepse është dëshmuar se kështu nuk bën të mendohet. Filozofia e ka paguar shtrenjtë atë që e ka mësuar nga përvoja e vetvetes, prandaj ajo sot është shumë e kujdesshme, madje edhe ndaj çështjeve që duken më pak të rëndësishme. Duke e kuptuar se nuk mund të jetë sovrane ndaj ligjeve natyrore dhe nuk mund t’i vendosë ligjet jetësore, filozofia e ka kuptuar rëndësinë e vetvetes. Ajo ka ardhur në përfundim se rëndësia nuk merret dhe as nuk gjendet në ~ 8 ~ imponime, por në gatishmërinë për zgjidhjen e problemeve dhe në hapjen e saj ndaj qasjeve shumëdimensionale. Në këtë kuptim, kritika e kulturës moderne është një mënyrë e veçantë e kritikës së traditës vetjake. Përcaktimet e metafizikës këtu shihen në shenjat kuptimore të kulturës, nëpërmjet të cilave ajo merr karakteristike krejtësisht konkrete. Thënë ndryshe, në esencë bëhet fjalë për kritikën e nja raporti kundrejt jetës, kritikën e raportit që e promovon në shkallën më të lartë vetëkuptueshmërinë, ndërsa njohurinë në shkallën më të lartë të të qenit. Së këndejmi, çdo trajtim i kuptimeve objektive të kulturës moderne, në çfarëdo kuptimi, duhet të ketë parasysh, për shembull, ontologjinë e Hajdegerit. Këtu qëndron ai kuptimi filozofik negativ,i cili e shpreh edhe interesin për hapje dhe për pikëpamje të ndryshme. Çështja e artikulimit të këtij qëndrimi është çështje e formësimit të saj, çështje e një formësimi të një qëndrimi të ri kritik. Filozofia sot është sinonim i logut të hapur, ku është e pamundur të qëndrojë çdo pikëpamje mbi një mundësi të vetme. Në fund të fundit, pluralizmi i mendimeve do t’i nënshtrohet gjithsesi një kulture plurale, e cila nuk do të vuajë nga cinizmi në ë cilin bazohet – në asgjë. Prandaj raporti i filozofisë ndaj historisë është një raport aktiv, në të cilin aktiviteti mund të përcaktohet qartë nëpërmjet ndikimit në realitetin jetësor. Aq sa është i mundur ndikimi në pikëpamjet tjetërfare ndaj realitetit dhe aq sa mund ta konceptojmë ndryshe këtë realitet janë të suksesshme përpjekjet e reja të filozofisë. Fundi i filozofisë, kjo sintagmë e tmerrshme që dikur shprehte fundin e njeriut, këtu shfaqet si shpëtim dhe forcim I njeriut. Filozofia nuk mund të jetë më ajo që ka qenë dikur, as në kuptimin e formave dhe temave të tjera, as në kuptimin e perceptimit të mundësive të reja dhe aspekteve të reja të mendimit filozofik. Ajo që është e re për filozofinë është fakti se ajo nuk do të ndërmarrë më asgjë vetëm për shkak të interesave të saj. Na fakt, në pikëpamjen e re, interesat e saj shfaqen si fiksione, ndërsa në interes të saj janë kërkesat jetësore. Vetëm deri në atë masë sa filozofia t’u përgjigjet këtyre kërkesave, ajo do të jetë diskurs relevant. Relevanca e saj buron nga gatishmëria që të përballet me konsekuencat e të kaluarës së vet, por edhe nga mundësitë interpretative në të cilat ajo e kaluar shfaqet ndryshe prej aktuales. ~ 9 ~ Në këtë drejtim, filozofia bashkëkohore nuk matet me traditën, nuk heq asgjë që ka qenë e rëndësishme për atë traditë, por kërkon mundësi të reja, të cilat burojnë pikërisht nga ajo traditë që këtu vështrohet si realitet bashkëkohor. Çështja e filozofisë, e cila tematizohet si çështje e mundësive të saj reale, është edhe çështje e traditës nga e cila burojnë këto mundësi. Duhet të kihet parasysh se këtu nuk bëhet fjalë për marrëdhënie formale dhe se një kontekst i shtruar kështu paraqet një aspekt të realitetit filozofik. Ajo që duhet të ndërmerret para së gjithash, duke pasur parasysh të gjitha mundësitë, është që realiteti të mos bëhet më real se sa realiteti.
Posted on: Sun, 15 Sep 2013 22:11:46 +0000

Trending Topics



ny
Free Download Today on Amazon !!!! An artifact is stolen from
We are around the $2500.00 mark... we are moving up!!! Window

Recently Viewed Topics




© 2015