“PEGASI” INTERNACIONAL ALBANIA Majlinda Rama, ANËTARE - TopicsExpress



          

“PEGASI” INTERNACIONAL ALBANIA Majlinda Rama, ANËTARE E W.P.S, një emër i njohur dhe me perspektivë letrare në Letërsinë shqipe … Poezia duhet të shihet si një këngë, ku çdo fjalë duhet të lëshojë dhe të rrezatojë ndjenjë, ndaj dhe shumë poezi Majlinda Ramës janë “këngë “poetike me profil vetiak ndezës dhe shkrepëtitës… nga Kristaq F. Shabani Dallesa midis krijuesve të mirëfilltë dhe atyre më me pak talent vjen gjithmonë duke u përshfaqur me dinamikë. Të talentuarit ndihen, preken, kur lexon kreaturën e tyre ndien ngrohtësi, mendimin e spikatur, prezencën thelbësore të tyre…. A mund të mos impulsosh dhe të mos nxitësh një talent me të ardhme? Kjo është praktika reale, e cila ndryshon nga praktikat e meskinitetit dhe e lënies mënjanë të talenteve, në hije, me qëllim të vetëm që të mos shtohen talentet reale dhe të “bier” talenti i madh, i disave, të cilët e quajnë veten të “pushtetshëm “, “patriarkë”, “panteonistë” dhe gjithmonë kërkojnë që portretet e tyre të jenë të parët… Këto veprime nihile nuk janë në “modën” e Pegasi”-t. Talentet, pasuria e tyre kreaturiale, shpesh herë është shfrytëzuar nga ata, që sot “shquhen” për veprat e tyre të nxjerra në qarkullin, që kanë vjelur në “vjeshtë” frytet nga pema poetike e të tjerëve… Mendësia tjetër është që talentet duhen përkrahur dhe kjo bëhet për të mirë dhe në të mirë të letërsisë shqiptare, për ecurinë e mëtejshme të saj… Një nga talentet, e cila duhet të fokusohet dhe të diskutohet për ecurinë e saj shkrimore është, pa dyshim, poetja tepelenase Majlinda Rama. Fatbardhësisht ajo sot është e pjekur, dinamike, një krijuese tashmë e profilizuar në artin krijues. Për të është bërë vetëm një cekje… Është detyra jonë që të evidentojmë ecuritë dhe diagramën poetike të kësaj krijuese të talentuar. Pa e tepëruar është një nga poetet, që do ta kishin zili dhe trevat e tjera të Shqipërisë. Fortësia e Majlinda Ramës qëndron te aftësia e kapjes së tematikës plot larmitet, te dalja me beftësi, dhe kjo është bukuria e figurimeve poetike, të cilat të bëjnë të ndalesh në këto lulesa , te koinciziteti i vargut, larg frazave të tepërta dhe rrëfimtare dhe përdorimit të shpjegimeve, që krijojnë dobësi poetike,… Poezia duhet të shihet si një këngë, ku çdo fjalë duhet të lëshojë dhe të rrezatojë ndjenjë, të shpërthejë lulesa, ndaj dhe shumë poezi të saj janë këngë poetike me profil vetiak ndezës dhe shkrepëtitës… Në poezi beftësia apo e papritura poetike është një force ”mitike”, që të mbërthen me arkitekturën e saj të ndriçuar. Unë poezinë e konsideroj si një shtëpizë me prezencë perëndore, qiellore dhe tokësore me shkëlqim marrarendës ngjyrimesh, me efekte dhe afekte njerëzore zjarrmore, impulsive, nxitëse dhe brenda kësaj arkitekture pasionatët e poezisë ndiejnë një “orbitë” tjerër që lëviz rrotullueshëm ndaj një shpirti kërkues i ndryshesës dhe i ecurisë, në korsi zhvillimore progresiste…. Një shpirt i madh , i cili kërkon nëpërmjet gjallimit vetiak , gjallimin edhe të të tjerëve. Kjo është një përflakje dinamike ndëzëse dhe frymëzuese… POEZI NGA MAJLINDA RAMA Jeta s’është lojë Më kujtohet kur gurët stisja si bebe, kur vrapoja që manaferrat t’i bëja buzëkuq, kurorë të vija ca degëza ulliri e, në mungesë, e thurja me luledele. Me mall i kujtoj ato ditë, kur djemve s’u hapja udhë në futboll e si burrë doja të sillesha vërdallë, kur shtrija me pëllëmbë balluket mbi ballë, veshur me këmishën me vija të tim eti, që më vinte gjer poshtë gjurit, palë - palë. Sa e sa profesione kam ndërruar e shijuar! Kisha lodra që, për çudi, s’ishin aspak të djallëzuara, liqenet, dritëhënën, yjet… Kisha çdo gjë… Sa vite u bënë që e vogël s’jam më?! *Një poezi, që ka beftësinë e rrëfenjës poetike, që, nëpërmjet një zanafille “e vogël”, tjerrëson fenomenin me një gamë ndenjësore, ku aktrojnë ngjasi pikante të retrospektivës fëminore, ku bota jepet me prezencë mendimore, me kuadratura të hapura klimatike dhe relievore, me penelatë fantazie, me “kurthim gjinor”... Nëpërmjet proceseve volitive dhe aftësisë rritëse jepen cilësi të një feminiliteti , ku kryefjalon “pazazhit” lirik dhe e gjithë kjo “panoramë “poetike e rikthimit ka mbyllesë një pyetësi retorike. Qyteti im Si akrep i ngecur ore - - qyteti im. Me sytë e thinjur kërkon shpëtim. Teh i ndryshkur, mbetesh pa lëvizur, fllad, erë, shkulm Tepelene, që si silueta më shfaqen rrugës sime. Braktisur kjo pranverë tek ti. Pse qan? Ke dhimbje? Plagë të pashëruara? Qyteti im! Pikëlluar në çdo qelizë nga grahma acari Që të gërryejnë e të rrudhin mushkëritë… *Një qendrim aktiv i përligjur për një vendlindje, të cilin poetja e këndvështron brenda vetes të konturuar shpirtërisht këtë qytet, që meriton më shumë përkujdesje, vëmëndje , që ende plagon në konturin e tij kështjellor dhe të mishtë për gjallimin historik. Dy plane të shkrirëzuara në një plan... Në spital Si degë e kërrusur dhimbjeje Varur mbi tim bir, që pafajësisht më buzëqesh. A thua është mirë? Më trembin të bardhat bluza, teksa djalit i kërkojnë edhe venat më të holla… Dikur i bëja qindra injektime kukullës sime… Penduar jam sot. *Nëpërmjet një ”fabulizmi” bardhor, elegant dhe krahasimit të qenies gjallore me atë ”kukllore”, që vetëm bukurimin kanë ngjasim, Majlinda kontraston një element ”gjiprëmimin-injektues ” të kukllës dhe gjilpërimin- injektues të krijesës së saj dhe pendimi për aktin ” e qindra hedhjes së gjilpërës” dikur, e përjeton tashmë lotueshëm... Është një gjetje e bukur, e cila pozicionon kohë-trajtë, qenie- lodër- dhimbje- shpirt... Dhe bie pendimi nënor, i cili fajëson vogëlushen e dikurshme të lojës dhe të posedimit kukull. Jepi jetë jetës Copa eshtre të skeletosura vërtiten rreth fytyrës sate hierore. Ti hesht… Me ty heshtin dhe gjethet. Më lësho Trupi i fjalës sate i deformuar portretizohet vështrimeve të mia… Së largu dëgjoj klithmat e Sizifit… Ti humbesh kujtesës Jam një pikëz shi Që ravijëzon xhamit Dhe vret heshtjen që bredh syve të tu. Jam një ëndërr vetmitare Që zapton shpirtra E tremb errësira ndjenjash. Jam një rrjedhë lumi Që ushqej jetë Dhe shkatërroj shtirje dashurish. …Ishe… Sonte marr peng vetëm hijen tënde… *Duhet theksuar se lirizmi i moderuar shprehet në strukturën e poezive të më lartme, të cilat “plasdarmojnë” me mënyrën e tyre në hapësira shpirti, baticojnë dhe zbaticojnë… Një ardhje dallgëzuese dhe një ikje dallgëzuese… Metamorfim, krahasim dhe një mesazh për lëvizje në kahjen e duhur, ku aktrojnë mendimi, sytë, shiu, heshtja, deformimi i fjalës, rrjedhje jetësore, frikim errësirash, klithma sifiziane… Rendje për vetënjohje (Pasqyrë e thyer) Natyrat – rrudha lakuriqe, ti – flokë livadhesh kreh, përtej teje dëgjohen thirrje. Pasmesnate. Kuaj me flatra brenda ujit të thyer, mes zemërimit të ëndrrës me urrejtjen e zgjimit - - ti ecën, edhe pse të trembin. Lutje të bardha. Qiejt t’i vodhën në petale të thërrmuara, si tym vranësie… Ti ecje. Mjaftoheshe me atë ishull, ndërtuar vite më parë. Ishull i lashtë, rrethuar me akuj vetëtimash, me gënjeshtra qesharake… Vazhdo të rendësh, edhe pse është hidhur. Ti, pikëllimtar në mozaikët e ajrit. *Kjo poezi- dafinore, e menduar mirë ka të drejtën e një poezie skeptër, e cila shquhet për “sfilimin” disakahësh, konturin poetik magjepsës dhe ka një begati zbërthesë të individes, personalitetit në lëvizje dhe inspirues. Një krijim tepër origjinal i vizuar ndjenjësisht, i latuar e gdhendur, ku me koincizitet jepet një botë shumë dimensionale. Figurimi është i gjetur dhe ka një parukim poetik mbresëlënës…. Kohë e pakohë M’i hëngrën sytë këpucët e Lulit të vocërr, ma therën zemrën. Amebë u bëra një çast - - i zura pusinë një tsunami. Në dekada m’u trishtuan beharet e brishta, mbi gërxhe lëmzake, kur dy bletë më pickuan shirave të ndezura… Dritëmëngjeseve u miqësova me beduinët… Shpërbërë Më përndoqën klithmime llahtari - u tremba; mosgjëja më gllabëroi pafundpritjet e ngushëllimta - ika. Si gjerdan diamantesh shpërbërja - vdiqa. Nën grahmat e vuajtjes Pole prej ajri, fletëz prej uji, hone të mishta dridhen mbi flakën e zbehtë të qiririt. Farë e verdhë vjeshte mbin kudo. Në rrjedhën e lumit, turbulluar nga shirat, lundrojnë e lahen tradhtirat antike… Plagë e pashëruar Nga Mali i Urrejtjes gjarpërime rrufesh përpinin hapat e lodhura të ditëve. Si flakë të zbehura brezash. Zbehen netët në zbrazëti të panumërta. Lejleku i parë e braktisi çerdhen… Prindërve të mi Malle lashtësie bluaj në mullirin e ëndrrave të mia. Stërkala dashurie të paformëta, por të fuqishme, postoj për te shtëpiza ime. Aty jeni ju. Aty më prisni krahëhapur e me heshta malli godisni largësinë. Të dua, baba! Të dua, nënë! Më mungon përkëdhelja juaj që s’kam arritur ta marr kurrë… …Jam bërë nënë. E dini? Me fëmijët e mi vij ju takoj mbrëmjeve, përpara jush ulem e falem. Tani ju kuptoj… Dashuri nënë! Dhimbje prindi! Ndajnate Trojë e djegur, këngë e gjallë Ilioni! Turren drejt teje si venduza oktapodësh, indogjenë të pangjyrë. Si të jem shtyllë harrese, rrjedh fytyra prej lëndine e, sërish mbetem në parmak të pikut të natës. Shtergu, në zgjim të ditës, në ëndrra të tejdukshme më çon. Metempsikozë Këta muaj viti si tespihe të varura në pè: të verdha, të kuqe, fildishi; lëng balte, nektar vjeshte, kollë e thatë dimri. Trazohen me perëndimin e erës. Si kupa e Ganimedit, perëndisht, i rrëkëllejmë e s’dehemi. Ndjenja të mekura Tragë harrakate mërmërimash - - gjëmimtare luajnë hipokrizisë së vet e përdhunshëm cungin duart e diellit. Gjuhë të flakta, rrënime… Arkivoj pakohësisë këmbë gjatuce ajsbergu. Trupi yt… manastir i braktisur. *Poetika e Majlinda Ramës është një poetikë, që u hap syrin krijuesve të tjerë, jo vetëm për ato, që paratheksuam më lart, por edhe për fjalësin e përdorur, për guximtarinë poetike, për bolllëkun kualitativ të mjeteve stilistike, për “ekonomizim” poetik në pasqyrim të shpirtërores, për krijimin e dualitetit të bukur dhe shprehës mes protagonistëve jetësorë. Me të drejtë ajo është motivuar dhe si një poete e një lirike moderne, në modë sot, por me një arritje të maturuar, që, pa dyshesë, nesër do të lartësohet më tej dhe do të ngjisë shkallina… Këtë stil vetiak , këtë frymëmarrje e ka përcjellë dhe e ka ravijëzuar thekshëm edhe te proza e saj, e cila ka tonalitet poetik… dhe është shpresë… JETËSHKRIM: Majlinda Rama (Nana) ka lindur në Tepelenë, më 27 maj 1980. Në vendlindje ka marrë dhe mësimet e para e ato të mesme. Më pas, gjatë viteve 1998 - 2002, ka kryer studimet e larta për letërsi dhe gjuhë shqipe, ndërsa aktualisht vijon studimet në fakultetin e dytë, në degën “Marrëdhënie Ndërkombëtare”. Ka punuar si aministratore e shërbimit social dhe mësuese e letërsisë. Prej disa vitesh jep kontributin e vet në mediat pamore dhe ato të shkruara. Aktualisht, gëzon funksionin e kryeredaktores në TV Rajonal “Apollon” në Fier dhe gazetare e gazetës “Panorama”. Ka botuar vëllimet poetike: “Merrma lotin peng” dhe “Hënë e qiellit tim” dhe sprovën në prozë “…por gjyqi vazhdon…”. Ka në proces romanin “Jasmina”. Është përfshirë në Antologjinë Poetike “KORSI E HAPUR” Autorë të Pegasit dhe nga vendi e Bota, botim i vitit 2008. Majlinda është N/Kryetare e Lidhjes së Krijuesve “PEGASI” ALBANIA, anëtare e Ë.P.S. “Ti je poete e avangardës së viteve 2000 në poezinë shqipe e më pas ballkanike. Brenda poezise, sot shoh një tragjizëm të hershëm me rrënjët tek tragjikët grekë, shoh dhimbjen (ekzistenciale), gjej atë që fshihet pas metaforave të tua të rralla, dëgjoj si dhe ti kur nuk shoh dot e ma hap poezia jote … Kam“nënvizúár ndoshta një duzinë poezish, po të mundja, do t’ia servirja lexuesit dhe elitës amerikane, sidomos për t’ju thënë se poezi të madhe bëjnë edhe popuj të vegjël, më të vegjël se nje provincë. Në Shqipëri, Kadare s’ka për të mbetur i vetëm.! Syno për te proza e madhe e shekullit të Kafkës dhe Buzzatit”. Maku PONE, shkrimtar * shenimet ndermjet poezive Kristaq F. Shabani
Posted on: Fri, 08 Nov 2013 18:25:04 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015