PER TE GJITHE JU QE JENI I INTERESUAR PER TE HAPUR NJE BIZNES TE - TopicsExpress



          

PER TE GJITHE JU QE JENI I INTERESUAR PER TE HAPUR NJE BIZNES TE RI NE SHQIPERI ! Pyetje-përgjigje mbi QKR-në Pyetje: Çështë QKR-ja? Përgjigje: Qendra Kombëtare e Regjistrimit (QKR, qkr.gov.al) është institucioni i vetëm përgjegjës për regjistrimin e biznesit në Shqipëri. Ajo shërben si sportel me një ndalesë ku kryhen të gjitha proceset e regjistrimit të biznesit, duke përfshirë dhe regjistrimin për efekt të taksave në nivel kombëtar dhe vendor (bashkiak), për sigurimin shëndetësor e shoqëror dhe në Inspektoratin e Punës. Pyetje: Kur ka filluar veprimtarinë QKR-ja? Përgjigje: QKR-ja ka filluar punën në 3 shtator 2007, duke zëvendësuar procedurat e mëparshme të regjistrimit në gjykata për të gjitha llojet e bizneseve që kryejnë aktivitet ekonomik në Shqipëri. Pyetje: Mbi cilën bazë ligjore vepron QKR-ja? Përgjigje: Ligji nr. 9723 Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit është miratuar në datën 3 maj 2007. Ai është hartuar me ndihmën e projektit të Sfidës së Mijëvjeçarit për Shqipërinë, të administruar nga USAID, në përputhje me standardet ndërkombëtare si dhe të gjitha direktivat përkatëse të Bashkimit Evropian. Pyetje: Ku mund të gjej informacion për legjislacionin e QKR-së? Përgjigje: Ju mund të gjeni informacion për kuadrin ligjor që rregullon veprimtarinë e QKR-së duke vizituar faqen e internetit, qkr.gov.al, ose duke shfletuar fletoren zyrtare. Pyetje: Si i ka ndryshuar procedurat e regjistrimit të biznesit në Shqipëri hapja e QKR-së? Përgjigje: Falë QKR-së, procedurat e regjistrimit të biznesit në Shqipëri janë bërë më të shpejta e më të thjeshta, më pak të kushtueshme e më transparente. Koha e regjistrimit për të gjitha shërbimet e ofruara është reduktuar në një ditë dhe të gjitha hapat e regjistrimit janë kombinuar në një procedurë të vetme. Pyetje: Cilat janë shërbimet që ofron QKR-ja? Përgjigje: Shërbimet e QKR-së përfshijnë: regjistrimin e bizneseve të reja, ndryshimin e të dhënave të biznesit, lëshimin e ekstrakteve për të dhënat e bizneseve, mbylljen e biznesit, miratimin e emrit të rezervuar, rezervimin paraprak të emrit tregtar etj.. Pyetje: Cilat janë oraret e punës për publikun në QKR? Përgjigje: Oraret e shërbimit për publikun në QKR janë: Në Selinë Qendrore të QKR-së Për të aplikuar për regjistrim, ndryshim, ekstrakte ose mbyllje të biznesit: Nga e Hëna deri të Enjte: 8:00 – 15:30 Të Premte: 8:00 – 13:00 Pyetje: Cilat janë tarifat e shërbimit në QKR? Përgjigje: Të gjitha aplikimet në QKR kushtojnë 100 Lekë. Pyetje: Ku gjenden sportelet e shërbimit të QKR-së? Përgjigje: Selia qendrore e QKR-së gjendet në Tiranë, në rrugën Ismail Qemali, mbrapa ndërtesës së Kryeministrisë. Përveç saj, aktualisht janë hapur sportele shërbimi në 10 bashki: Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Shkodër, Fier, Gjirokastër, Vlorë, Lezhë dhe Kukës. Deri në fund të vitit 2008 janë planifikuar të hapen edhe 19 sportele të tjera pranë bashkive, si dhe në Dhomat e Tregtisë. Pyetje: A ofrojnë të njëjtat shërbime sportelet e shërbimit të QKR-së si në zyrën qendrore në Tiranë ashtu dhe jashtë saj? Përgjigje: Po. Të gjitha sportelet e QKR-së ofrojnë të njëjtat shërbime. Ato janë hapur për të bërë të mundur që të gjitha bizneset të përfitojnë shërbime sa më pranë adresës së ushtrimit të veprimtarisë së tyre. Pyetje: A jam i detyruar të aplikoj vetëm tek sporteli i QKR-së pranë vendushtrimit të aktivitetit të biznesit tim? Përgjigje: Jo. Në çdo rast, pavarësisht nga vendndodhja e biznesit tuaj, ju mund të aplikoni në cilindo sportel të QKR-së. Pyetje: Si funksionon sistemi i regjistrimit të biznesit në QKR? Përgjigje: QKR funksionon në bazë të një sistemi elektronik të integruar të dhënash që realizon lidhjen ndërmjet të gjitha sporteleve të shërbimit me zyrën qendrore të QKR-së në Tiranë. Ai është ndërtuar në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira për regjistrimin elektronik të biznesit, me mbështetjen e Marrëveshjes dyvjeçare Prag të Sfidës së Mijëvjeçarit për Shqipërinë ndërmjet Qeverisë shqiptare dhe Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit ( mcc.gov). Nën administrimin e USAID-it, ky projekt ndihmon në reformimin dhe modernizimin e administratës tatimore, të sistemit të prokurimeve publike dhe të procedurave të regjistrimit të biznesit nëpërmjet zgjidhjeve të teknologjisë se informacionit dhe përmirësimeve legjislative. Pyetje: A është informacioni i QKR-së mbi bizneset e regjistruara në Shqipëri i hapur për publikun? Përgjigje: Po, me përjashtim të informacionit personal mbi pjesëtarët e biznesit. QKR-ja mban Regjistrin Tregtar të Republikës së Shqipërisë i cili është elektronik dhe i hapur për publikun. QKR-ja u ofron të gjithë të interesuarve një qasje të plotë në informacionin e këtij regjistri përmes faqes së saj të internetit: qkr.gov.al. Pyetje: Çështë Regjistri Tregtar Elektronik? Përgjigje: Regjistri Tregtar Elektronik është një bazë e vetme, uniforme dhe dixhitale e të gjitha të dhënave mbi bizneset e regjistruara në Shqipëri. Ai është krijuar, mirëmbahet dhe i ofrohet publikut nëpërmjet internetit, në përputhje të plotë me udhëzimet dhe standardet e BE-së në këtë fushë. Pyetje: Si mund të marr informacion për bizneset e regjistruara në QKR? Përgjigje: Ju mund të aplikoni te çdo sportel shërbimi i QKR-së ose të vizitoni faqen e saj të internetit, qkr.gov.al, duke klikuar tek butoni Regjistri tregtar, për të marrë informacion mbi çdo subjekt që ju intereson, pavarësisht nëse keni lidhje me të apo jo. Pyetje: A është i lidhur sistemi i QKR-së me sistemet e tjera të qeverisjes elektronike? Përgjigje: Po, sistemi i QKR-së është i lidhur me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe me Sistemin e Prokurimit Elektronik i cili administrohet nga Agjencia e Prokurimit Publik. Pyetje: Si përditësohen të dhënat e regjistrimit të QKR-së tek institucionet e tjera që kanë të bëjnë me bizneset? Përgjigje: QKR i dërgon të gjitha të dhënat e bizneseve të regjistruara në sportelet e saj, në mënyrë periodike, te zyrat qendrore dhe vendore të tatimeve, te sigurimet shëndetësore dhe shoqërore, tek Inspektorati i Punës dhe Instituti i Statistikave. Pyetje: Si është procesi i shqyrtimit të një aplikimi të paraqitur te QKR-ja? Përgjigje: QKR vepron mbi bazën e vetëdeklarimit të detyrueshëm përmes plotësimit të formularëve përkatës të aplikimit. Këto formularë të plotësuar merren nga nëpunësi i sportelit të shërbimit të QKR-së dhe hidhen në sistem në momentin e dorëzimit. Aplikuesi firmos formularin përkatës për aplikimin e bërë, paguan tarifën e përcaktuar me ligj dhe merr në këmbim një vërtetim (çertifikatë) që dëshmon llojin e shërbimit të kërkuar, dokumentacionin mbështetës të dorëzuar dhe tarifën e paguar. Më pas, aplikimi shqyrtohet nga regjistruesi i radhës, i cili vendos miratimin e tij ose jo në bazë të ligjit të QKR-së. Aktualisht, QKR numëron 12 regjistrues të cilët ndodhen në zyrën qendrore në Tiranë. Pyetje: Kush e merr vendimin për regjistrimin e biznesit që ka aplikuar? Përgjigje: Regjistruesit e QKR-së në Tiranë janë të vetmit që kanë autoritetin të vendosin për aplikimet e paraqitura. Vendimi i tyre shfaqet në sistemin e QKR-së dhe kjo përgjigje merret nga aplikuesi kur ai të paraqitet ditën tjetër tek sporteli në të cilin ka aplikuar, ose në çdo sportel tjetër të QKR-së. Ky vendim publikohet gjithashtu edhe në faqen e internetit te QKR-së, qkr.gov.al. Pyetje: A merr vendime nëpunësi i sportelit? Përgjigje: Jo, nëpunësi i sportelit nuk merr asnjë vendim. Ai shërben te sporteli i pranimit të aplikimit dhe hedh në sistem të dhënat e deklaruara nga subjekti. Nëpunësi i sportelit nuk vendos as nëse kërkesa për regjistrim dhe dokumentet e dorëzuara janë të sakta ose jo. Ai duhet të pranojë në çdo rast aplikimin e vetëdeklaruar nga subjekti. Gjithsesi, nëpunësi i sportelit e ka për detyrë të informojë aplikantin se cilat janë dokumentet që sipas ligjit duhet të shoqërojnë aplikimin për shërbimin e kërkuar. Pyetje: Cilat janë afatet për marrjen e një përgjigje për aplikimin e kryer te QKR-ja? Përgjigje: Sipas ligjit, ju merrni një përgjigje në sportelet e QKR-së brenda 24 orëve nga dorëzimi i aplikimit për çdo shërbim regjistrimi. Pyetje: Çdo të thotë miratim i heshtur? Përgjigje: Sipas ligjit, në rastin kur brenda afatit prej 1 dite nga paraqitja e aplikimit të plotë, ju nuk merrni asnjë përgjigje për aplikimin e kryer kur shkoni në sportelet e QKR-së, atëherë aplikimi për regjistrim quhet automatikisht i pranuar sipas parimit të miratimit të heshtur. Pyetje: Sa kohë nevojitet për të çregjistruar një biznes? Përgjigje: QKR-ja çregjistron një biznes brenda 45 ditëve nga aplikimi te sportelet e saj të shërbimit. Arsyeja për këtë kohëzgjatje është se pas aplikimit të bërë, QKR-ja i kërkon organeve tatimore të shprehen nëse subjekti ka ose jo detyrime tatimore dhe mbi këtë bazë QKR-ja e çregjistron ose jo subjektin. Nëse organet tatimore nuk përgjigjen brenda 45 ditëve, atëherë QKR e çregjistron subjektin automatikisht sipas rregullit të miratimit të heshtur. Pyetje: Çfarë dokumentacioni më nevojitet për të regjistruar një biznes të ri, ose për të përditësuar ose ndryshuar të dhënat e një biznesi të regjistruar tashmë? Përgjigje: I gjithë informacioni për çdo procedurë regjistrimi që bëhet në QKR mund të merret mjaft lehtë në çdo sportel shërbimi të saj, ose në faqen e internetit: qkr.gov.al. Pyetje: Cilat lloje biznesi regjistrohen te QKR-ja? Përgjigje: Të gjitha bizneset tregtare, qofshin këto persona fizikë apo juridikë, të cilët kryejnë një aktivitet ekonomik në Shqipëri, duhet të regjistrohen te QKR. Pyetje: A mund të më këshillojë QKR-ja se çfarë forme ligjore të aktivitetit tregtar duhet të përzgjedh për tu regjistruar? Përgjigje: Jo, QKR-ja nuk është institucioni ku mund të merrni përgjigje për këtë pyetje. Është më me vend tia drejtoni atë një eksperti ligjor. Pyetje: Cilat subjekte përjashtohen nga regjistrimi në QKR? Përgjigje: Organizatat jofitimprurëse, fondacionet, institutet, partitë politike dhe subjekte të tjera sipas legjislacionit në fuqi përjashtohen nga regjistrimi në QKR. Ato vazhdojnë të regjistrohen si më parë pranë gjykatave. Pyetje: A regjistrohen tregtarët ambulantë në QKR? Përgjigje: Jo, tregtarët ambulantë nuk regjistrohen në QKR. Pyetje: A duhet të regjistrohem në zyrat tatimore kombëtare dhe vendore pas regjistrimit fillestar në QKR? Përgjigje: Jo. Regjistrimi fillestar në QKR do të thotë gjithashtu regjistrim i njëkohshëm në organet tatimore në nivel kombëtar dhe vendor (bashkiak), në sigurimet shoqërore dhe shëndetësore dhe Inspektoratin e Punës. Pyetje: Me cilin institucion mbahen marrëdhëniet tatimore pas regjistrimit në QKR? Përgjigje: Pasi regjistroheni në QKR, marrëdhëniet fiskale ju do të vazhdoni ti mbani me zyrat përkatëse të tatimeve, përkatësisht në nivel kombëtar dhe vendor (bashkiak). Pyetje: Si do të mbahen marrëdhëniet me sigurimet shoqërore, shëndetësore dhe me Inspektoratin e Punës pas regjistrimit në QKR? Përgjigje: Pas regjistrimit në QKR, ju vazhdoni ti mbani në mënyrë të drejtpërdrejtë marrëdhëniet si me sigurimet shoqërore e shëndetësore edhe me Inspektoratin e Punës, për çështje që lidhen me këto institucione. Pyetje: A duhet që shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar (sh.p.k.) të paguajnë kapitalin themeltar para regjistrimit në QKR? Përgjigje: Jo. Pagesa e kapitalit nuk është më kusht për regjistrimin e një shoqërie sh.p.k.. Pyetje: A është e nevojshme pajisja me liçencë para regjistrimit të një biznesi të ri? Përgjigje: Jo. Ligji i QKR-së parashikon që marrja e licencave të nevojshme për veprimtari të caktuara nuk do të jetë më kusht për tu përmbushur para regjistrimit të biznesit dhe regjistrimit tatimor, me përjashtim të bankave. Pyetje: A merren liçenca tek QKR-ja? Përgjigje: Jo. QKR-ja nuk është institucion që lëshon liçenca. Pyetje: Çfarë lloj çertifikate regjistrimi të biznesit lëshon QKR-ja? Përgjigje: QKR lëshon çertifikata të regjistrimit fillestar me numrin përkatës të identifikimit të personit të tatueshëm (NIPT), ku përfshihen si çertifikata për adresën kryesore ashtu edhe për ato dytësore të zhvillimit të veprimtarisë së biznesit. Që të dyja këto çertifikata janë në ngjyrë rozë. QKR-ja lëshon gjithashtu çertifikata (vërtetime) për çdo lloj veprimi regjistrimi të kryer pranë sporteleve të saj, si p.sh. çertifikatë për rezervimin e emrit, për transferimin e emrit etj.. Pyetje: A duhet të marr vërtetime (certifikata) për kryerjen e aplikimit dhe për vendimet e marra nga QKR? Përgjigje: Po. Për çdo aplikim që bëhet te sportelet e QKR-së, ju duhet të merrni vërtetimin përkatës. Mos u largoni pa e marrë atë. Pyetje: A mund të lëshojnë certifikata regjistrimi institucione të tjera, si p.sh. organet tatimore në nivel kombëtar ose vendor (bashkiak)? Përgjigje: Jo. QKR-ja është i vetmi institucion që lëshon certifikata të vlefshme të regjistrimit të biznesit. Pyetje: A duhet të regjistrohen adresat dytësore të biznesit në QKR? Përgjigje: Po, ju duhet të regjistroni çdo adresë ku ushtrohet aktiviteti i biznesit tuaj pranë QKR-së. Pas njoftimit tuaj, ju pajiseni me certifikatën përkatëse për çdo adresë. Pyetje: Kur duhet ti dorëzoj pasqyrat financiare të biznesit tim te QKR-ja? Përgjigje: Sipas ligjit të regjistrimi të biznesit, bilanci vjetor dhe pasqyrat financiare, të miratuara nga asambleja e ortakëve ose aksionerëve, duhet të dorëzohen te QKR-ja çdo vit dhe jo më vonë se data 31 korrik. Plotësimi i këtij detyrimi nuk zëvendëson nevojën e paraqitjes së tyre tek zyrat e tatimeve siç kërkohet nga legjislacioni tatimor. Pyetje: A është e mundur të aplikohet nëpërmjet internetit për regjistrimin e biznesit në QKR? Përgjigje: Ju mund të plotësoni dhe dorëzoni nëpërmjet internetit tek qkr.gov.al formularët për regjistrimin fillestar të personave fizikë, të shoqërive me përgjegjësi të kufizuara dhe të shoqërive anonime. Pas këtij veprimi, për të përfunduar aplikimin, për të paraqitur dokumentet shoqëruese dhe për të paguar tarifën përkatëse të aplikimit, ju duhet të shkoni te njëri nga sportelet e QKR-së. Vetëm atëherë aplikimi juaj konsiderohet i kryer. Pyetje: Si mund të shoh nëse aplikimi im është aprovuar ose jo? Përgjigje: Ju mund të vizitoni faqen e internetit të QKR-së dhe të kërkoni biznesin tuaj ose të lexoni buletinin elektronik të njoftimeve zyrtare i cili publikon të gjitha veprimet e përditshme qe kryen QKR-ja në bazë të aplikimeve të paraqitura. Pyetje: Nëse kam një pyetje për procedurat e regjistrimit të biznesit, çfarë duhet të bëj? Përgjigje: Ju keni disa mundësi për të marrë përgjigje mbi pyetjet që mund të keni: - Të hyni në faqen e internetit të QKR-së:qkr.gov.al; - Të telefononi në: (4) 22 50 066; - Të shkruani tek: [email protected]; ose - Të vizitoni sportelin e shërbimit të QKR-së pranë jush. Pyetje: Ku mund të drejtohem nëse kam një ankesë për shërbimin e marrë në sportelet e QKR-së? Përgjigje: Ju mund të telefononi në numrin: (4) 22 59 057, të shkruani tek: [email protected], ose të vizitoni zyrat qendrore të QKR-së gjatë orarit të pritjes së Drejtorit të institucionit nga e hëna në të premten, në orën 14:00 deri në 16:00.
Posted on: Sun, 01 Dec 2013 17:40:47 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015