“Palimpsesti i ideve” – një shteg që do të ndiqet Xhemajl - TopicsExpress



          

“Palimpsesti i ideve” – një shteg që do të ndiqet Xhemajl AvdyliPublikuar: 20.07.2013 - 12:58 Komente (0) Publiko në: (Gëzim Arifi, Palimpsesti i ideve, Parnas, Prishtinë, 2013) Libri “Palimpsesti i ideve” i Gëzim Arifit na sjell një model të ri të mënyrës së të shkruarit, të mënyrës së komunikimit kritik, si dhe të mënyrës së shpalosjes dhe prezantimit të autorëve. Ky model i ri krijimi aplikohet për herë të parë në librat shqip, duke bërë një kthesë të rëndësishme në trajtimin e subjekteve të veçanta krijuese, por edhe kritike. Libri “Palimpsesti i ideve” paraqet në mënyrë të plotë dhe të afërt portretin e poetit Sali Bashota. Nëpërmjet dialogut, pra intervistës me poetin, informacioneve, konstatimeve, antologjisë dhe kritikës, Arifi ka zbuluar fshehtësitë e frymëzimit, mënyrën e krijimit dhe shkallën e receptimit të poezisë së Bashotës, duke nënkuptuar edhe një hierarkizim të saj në kuadër të panteonit të letrave shqipe. Gëzim Arifi, me këtë libër të parë të tij, debuton në botën e librit dhe të mendimit kritik, duke na sjellë jo vetëm mendimin, por edhe një mënyrë të re të aplikimit të metodës kritike. Ky libër, model i njohur në tregun perëndimor të librit, por i aplikuar për herë të parë tek ne, sjell më afër një poet para lexuesve, nga rrafshe dhe dimensione të ndryshme, ashtu si asnjëherë më parë. “Palimpsesti i ideve” ndahet në tri kategori të mëdha: “Dialog me poetin”, “Antologji në miniaturë” dhe “Kritika”, të përcjella këto nga parathënia e Gëzim Arifit dhe pasthënia e Dr. Osman Gashit. Kjo vepër e Arifit, pra na sjellë më afër një poet, jo vetëm nga poezitë e tij, jo vetëm nga kritika për të dhe veprën e tij, por si model i ri, ky libër fillon me një intervistë “Dialog me poetin”, ku Arifi me anë të 33 pyetjeve të tij nxjerrë nga poeti Sali Bashota 33 përgjigje, duke filluar nga arsyeja se përse shkruan, e deri tek perspektiva e poezisë, duke kaluar kështu nga pyetje në përgjigje, e duke na ofruar shumë të fshehta të procesit, mendimit dhe frymëzimit të aktit krijues të poezisë nga Bashota. Loja me numra, sipas përgjigjes së Bashotës në një pyetje të kësaj interviste, është shumë e pranishme në krijimtarinë e tij, por më së shpeshti ai e përdor numrin tre (3), ku edhe shprehet: “Përmes numrit 3 unë i bashkoj figurativisht idetë e mia përbrenda sistemit gjuhësor”. Dhe enumeracionit nuk i ka shpëtuar as vepra e Arifit, ai shtron 33 pyetje për poetin Bashota dhe merr 33 përgjigje nga ai. “Palimpsestin e ideve” numri 33 e përcjellë edhe tek pjesa “Antologji në miniaturë”, ku për lexuesin janë ofruar 33 poezi të përzgjedhura nga krijimtaria poetike e Sali Bashotës. Kjo antologji nuk është ndikuar nga kritika, apo vlerësimet e të tjerëve, mirëpo Arifi e ka bërë përzgjedhjen e poezive të përfshira në këtë antologji në mënyrë subjektive, pas leximit të krijimtarisë poetike të Sali Bashotës. Ndërsa, pjesa e tretë e këtij libri është konceptuar ndryshe nga dy të parat. Derisa, në dy të parat prezent kishim poetin Sali Bashota, fillimisht me fjalët e tij për poezinë dhe procesin krijues, dhënë në përgjigjet e intervistës, e pastaj në të dytën kishim përsëri shpirtin e poetit përmes poezive të tij, të përzgjedhura nga Arifi me kujdes e me shije, në të tretën poetin Sali Bashota e shohim, e njohim dhe e rinjohim përmes fjalës së kritikëve, profesorëve e njohësve të artit të tij. Ajo që këtë pjesë e bën shumë të rëndësishme janë vendet nga vijnë këto fjalë për poetin tonë: Gjermania, Rumania, Bullgaria, Maqedonia e vende të tjera, që përveç tjerash dëshmojnë se poeti Sali Bashota, përveç se është përkthyer dhe botuar në këto dhe vende të tjera, ai dhe është pritur mjaft mirë atje. Libri “Palimpsesti i ideve” i Gëzim Arifit sjell para nesh një profil të kompletuar të një poeti që ka zgjuar interesim edhe te lexuesi i huaj. I parë në të gjitha planet, ky është një libër interaktiv që e sjell të gjallë objektin e vet, pa pasur nevojë për stërngarkime teorike, apo ekzibicione terminologjike. Libra të tillë i imponohen lexuesit dhe funksioni i tyre është ta kthejnë te libri atë që ia ka kthyer shpinën veprave letrare. Prandaj, mund të thuhet se Gëzim Arifi ka hapur një shteg që mund të ndiqet nga libra të tjerë të tij dhe të autorëve të tjerë që pretendojnë t’i ofrojnë lexuesit profilin e plotë të shkrimtarit.
Posted on: Sat, 20 Jul 2013 17:02:50 +0000

Trending Topics




© 2015