Panorama Sport Partizani projekton trajner turk!! Partizani - TopicsExpress



          

Panorama Sport Partizani projekton trajner turk!! Partizani njeh vetëm humbje në tri javët e fundit, por tek të kuqtë nuk ka çështje “stoli”. Pas humbjes me Skënderbeun, presidenti Gaz Demi ka konfirmuar trajneri Hasan Lika në krye të skuadrës. Ai ndihet i hidhëruar nga ajo çfarë dha ekipi në Korçë, por bën thirrje që puna të përqendrohet te Teuta dhe të kalohet me sukses. Gjithsesi, ka zëra që thonë se Partizani po projekton një trajner turk për drejtimin e ekipit, sigurisht nëse situata aktuale nuk përmirësohet. Nga burime pranë të kuqve mësohet se sponsori gjeneral “ALBtelecom” u ka propozuar drejtuesve që, nëse u nevojiten specialistë të kualifikuar në trajnim, janë të gatshëm t’u ofrojnë disa alternativa nga Turqia dhe në fund të përzgjedhin më të përshtatshmin. Nga burimi nga vjen lajmi mësohet se sponsori është i gatshëm të marrë përsipër edhe barrën financiare, që do të duhet për trajnerin turk. Sigurisht koncorsiumi turk, që ka në pronësi “ALBtelecom”, që në fillim ka pohuar se po financon te Partizani në mënyrë që ekipi të ngjitet aty ku e ka vendin, që do të ishte në të mirë të “demave të kuq” dhe vetë futbollit shqiptar. Fjalia e fundit që drejtori Erkan Tabak shprehu në ditën e prezantimit ishte: “Partizani do të jetë kampion”. Nëse ndodh kjo dhe drejtimin e të kuqve e merr një trajner turk, bëhet me dije se trajneri aktual Hasan Lika do të marrë një detyrë tjetër në klub. Alternativat e parakohshme Propozimi i bërë nga sponsori, nëse bëhet realitet, zbatimin mund ta ketë në janar, kur zhvillohen përgatitjet dimërore për pjesën e dytë, si dhe klubet përfshihen në merkato. Nëse nuk ka përmirësim të shpejtë të situatës, përflitet se ndryshimet në drejtim mund të ndodhin edhe më parë, pa pritur fundin e vitit. Për momentin në ambientet që diskutohet për të kuqtë e kryeqytetit në qarkullim janë tre emra. Dy nga këto janë përfolur edhe më parë dhe bëhet fjalë për dy “ish”-ë, Shpëtim Duro dhe Skënder Gega. Ndërsa i treti që përflitet, është trajneri Ilir Daja, i cili është shpallur kampion me Elbasanin dhe Dinamon. Gjithçka është në kuadrin e fjalëve që shoqërohen për çdo ekip, që nuk ka ecuri të mirë, pasi trajneri Lika ka besimin e presidencës për të vijuar punën. Çfarë tha Demi pas humbjes me Skënderbeun Presidenti i Partizanit, Gazmend Demi, e ka pranuar se Skënderbeu është ekip që nuk i reziston dot, si dhe konfirmon trajnerin Hasan Lika në krye të të kuqve, ndonëse këta të fundit kanë regjistruar tri humbje radhazi. Pavarësisht se skuadra është diferencuar me tetë pikë nga kreu, presidenti pohon se gjithçka mund të ndodhë, pasi ka plot ndeshje për t’u luajtur. “E vërtetuam se Skënderbeu është një ekip shumë i fortë, të cilit është e pamundur t’i rezistosh. Natyrisht që më vjen keq për humbjen e sotme (e së shtunës), pasi ekipi nuk tregoi për asnjë rast rrezikshmëri. Pavarësisht tri humbjeve resht, trajneri Hasan Lika nuk e rrezikon vendin në krye të Partizanit. Tani të mendojmë për ndeshjen kundër Teutës, ndërsa duhet të reagojmë menjëherë. Titulli? Shpresojmë akoma, pasi kampionati është shumë i gjatë”, – u shpreh presidenti Gaz Demi pas humbjes me Skënderbeun. Partizani-Tirana 1-0, Ertan Demiri ka shenuar golin e fitoresJo vetëm sulmi, mungon edhe fantazia te të kuqtë Tri javët e fundit e kanë përforcuar idenë që Partizani në merkaton e janarit nuk ka primar vetëm përforcimin e repartit sulmues, por edhe pozicione të tjera. Qarkullimi i topit është një tjetër problem i shfaqur te të kuqtë e kryeqytetit. Skuadra nuk është e aftë që me një qarkullim të thjeshtë dhe pasime të sakta, të marrë drejtimin nga porta kundërshtare. Prandaj, organizimi i aksioneve më shumë i mbetet spontanitetit dhe daljes me topa të gjatë. Partizanit i mungon “truri” në mesfushë, pasi deri në përfundim të javës së dhjetë nuk është parë një futbollist i aftë të marrë përsipër organizimin e aksioneve. Pra, Partizani e ndjen shumë mungesën e një futbollisti fanatzist, që do të lidhte dy repartet, mesfushë-sulm. Deri para disa javësh, ndërtimi i aksioneve te Partizani bëhej nga krahët dhe peshën kryesore e mbante Mentor Mazrekaj. Por duket se kundërshtarët e kanë gjetur çelësin për të ndalur Partizanin, sepse nëse i bllokon si duhet Mazrekajn, të kuqtë bëhen inekzistenë para portës. Rasti më i freskët ishte ndeshja me Skënderbeun, ku në kuadrin e 90 minutave kryeqytetasit nuk regjistruan asnjë gjuajtje në kuadratin e portës së Orges Shehit. Partizani ishte thuajse i padukshëm në metrat e fundit të fushës dhe shikohej pasiguri e madje gabime elementare në pasime dhe qarkullim topi. Periodikisht në këto javë është kritikuar sulmi i të kuqve, por vallë si mund të shënojë një sulmues kur askush nuk e dërgon topin te zona ku operon? Pra, pjesë e paketës së përforcimeve të janarit për Partizanin duhet të jetë edhe një lojtar fantazist. Ultrasit të pakënaqur, por nuk e braktisin ekipin Tifozët e Partizanit, kryesisht tifogrupi “Ultas Guerrils” ishte i pranishëm në Korçë, por në përfundim ata kanë mbetur të pakënaqur me ekipin. Kjo tifozeri e ka treguar veten në momentet më të vështira që ka kaluar klubi, pasi ka qenë prezente edhe kur Partizani luante në transfertat e Kategorisë së Dytë. Tri humbjet radhazi në kampionat kanë sjellë pakënaqësi në radhët e ultrasve të kuq, të cilët sikur nisën të ëndërronin më shpejt se duhet. Ndonëse lojtarët ende nuk e kanë mësuar se çfarë do të thotë të luash për Partizanin, tifozët mbeten besnikë dhe nuk e braktisin skuadrën edhe në këtë moment jo të mirë. Ata shpresojnë se këtë javë të kuqtë do të marrin dy fitore në kupë dhe kampionat. Presin Adën në kupë, Teutën për kampionat Këtë fundjavë mbyllet faza e parë e kampionatit të 75-të kombëtar të Kategorisë Superiore, dhe Partizani pret në shtëpi Teutën. Por para se të shkohet te sfida përmbyllëse e kësaj faze, në mesjavë të kuqtë duhet të mendojnë për kualifikimin në raundin e dytë të Kupës së Shqipërisë. Në mesjavë Partizani pret Adën, ballafaqimi me të cilën para dy javëve në Velipojë përfundoi barazim 1-1. Pra, para se të mendohet për sfidën me Teutën, të kuqtë duhet të sigurojnë kualifikimin me velipojakët. Pa dyshim që kjo ndeshje me Adën do të krijojë hapësirë edhe për ndonjë element që nuk ka luajtur shumë. Kupa mbetet objektiv i Partizanit, pasi nga kjo veprimtari mund të sigurosh përfaqësimin në Europë. Kjo javë është e ngjeshur, por Partizani e ka të qartë se çfarë duhet të bëjë, sepse së pari kërkohet kalimi në raundin tjetër të kupës dhe kthesa në kampionat me Teutën. Të kuqtë, më pranë rënies se kreut Deri në përfundim të derbit me Tiranën, ku të kuqtë fituan 1- 0, flitej për një Partizan pretendent, i cili me pak kujdes mund të synonte edhe titullin nëse mbante ritmin deri në janar. Mirëpo përfundimet e tri javëve të fundit, ku kryeqytetasit njohin vetëm humbje, e kanë ndryshuar kahun e drejtimit. Aktualisht Partizani ndodhet në kuotën e 14 pikëve, duke qenë 8 pikë larg vendit të parë që mbahet nga Skënderbeu dhe vetëm 3 pikë larg vendit të nëntë që të zbret një kategori më poshtë. Pra, Partizani tani është më shumë i përfshirë në luftën e zonës së poshtme sesa të kreut. Por, duke ditur që skuadrat janë të ngjeshura në klasifikim, çdo rezultat pozitiv të ngjit në renditje dhe anasjelltas, një humbje të zbret disa shkallë. Prandaj, nëse Partizani i trajnerit Hasan Lika arrin të gjejë ritmin e shtatë javëve të para, në kuadrin e 2-3 javëve sërish mund të flitet për një Partizan që synon vendet e para.
Posted on: Mon, 04 Nov 2013 15:23:27 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015