► Pazare në kurriz të Dijes, gjatë qeverisjes - TopicsExpress



          

► Pazare në kurriz të Dijes, gjatë qeverisjes berishiane. Prej rreth katër vjetësh, Drejtoria Arsimore e Tiranës ka pasur në plan mbylljen e tri shkollave 9-vjeçare në kryeqytet. Sipas shkresave që ka cituar dje në Komisionin Parlamentar të Edukimit, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, Drejtoria e Arsimit në Tiranë ka deklaruar se tri nga shkollat në kryeqytet, dy me karakter muzikor, “Servete Maçi” dhe “Hoxha Tahsin” u përfshinë në vorbullën e një informacioni të rremë se këto nuk e kryejnë funksionin e shkollës së muzikës dhe tjetra nuk kishte kërkesa të nxënësve që të regjistroheshin për t’u mbyllur më pas dhe për t’u fshirë nga lista e institucioneve arsimore. Prindërit kanë deklaruar disa herë në protestat e tyre, se këto shkolla janë planifikuar për t’u bërë sheshe ndërtimi dhe prandaj bëhen tentativa për t’u mbyllur. Megjithatë gjatë këtyre katër viteve, iniciativat dhe raportimet që janë bërë nga strukturat arsimore kanë qenë të tilla për t’i mbyllur këto institucione. Protestat e prindërve dhe e nxënësve, por edhe pasqyrimet e ngjarjeve në media, kanë shtyrë nga viti në vit përpjekjet për mbylljet e këtyre institucioneve 9-vjeçare. “Jo vetëm që nuk do të ketë mbyllje të këtyre institucioneve, por do të ketë edhe kthim të orëve muzikore jo vetëm në shkollat e karakterit artistik, por edhe në shkollat e tjera të përgjithshme kemi planifikuar përfshirjen e orëve të muzikës”, deklaroi ministrja në komisionin parlamentar. Po ashtu, sa i takon infrastrukturës, ministrja e Arsimit u shpreh se shumë shkolla në vend janë në gjendje të mjerueshme dhe kërkohet ndërhyrje emergjente. Prindërit e nxënësve që mësojnë në shkollën “Servete Maçi” u përfshinë në protesta e kërkuan për javë me radhë mosmbylljen e shkollës, për shkak të reputacionit që ka kjo shkollë në kryeqytet. Po ashtu në shkollën “Hoxha Tahsin” këtë vit protestat e prindërve kanë qenë të shumta, për të mos e mbyllur shkollën pavarësisht lajmeve dhe njoftimeve se në këtë institucion nuk do të bëhen regjistrimet. Për të dyja rastet prindërit kanë pretenduar se gjithçka bëhet për të marrë terrenin e këtyre shkollave dhe për ta shfrytëzuar për ndërtim, ndërkohë që gjithçka është mbyllur me vendimin e këtij viti nga Ministria e Arsimit për të mos prekur dhe për të mos cenuar asnjë nga këto institucione, madje në to dhe në të gjitha shkollat në Shqipëri të rikthehen territoret e uzurpuara nga biznese që kanë hapur lokale apo byrektore. Përveç orëve muzikore pritet që të ketë edhe rivendosje të orëve sportive në shkollat e arsimit parauniversitar. Urdhri i lëshuar tri javë më parë nga ministrja e Arsimit dhe e Shkencës, njofton drejtoritë e shkollave për lirimin e ambienteve të palestrave, oborreve dhe ambienteve të brendshme, ku palët e treta ushtrojnë biznes dhe shesin për nxënësit sufllaqe, hamburger, pije freskuese apo byrek me gjizë. Aktualisht, janë rreth 599 444 nxënës që ndjekin studimet në sistemin e arsimit parauniversitar në institucione arsimore publike dhe private. Rreth 87% e nxënësve që janë regjistruar në klasën e parë kanë ndjekur arsimin parashkollor.
Posted on: Tue, 15 Oct 2013 09:22:00 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015