Personaliteti Agron Duka “Njerëzit të më respektojnë për - TopicsExpress



          

Personaliteti Agron Duka “Njerëzit të më respektojnë për mirësinë time dhe jo për interesin e çastit” Gazetari i “Telegraf”, JAKUP B. GJOÇA Botuar te gazeta Telegraf, e diel 14 korrik 2013 Një nga sfidat e zgjedhjeve të 23 Qershorit janë 10.546 votat që mori Agron Duka në Qarkun e Durrësit. Mandati i deputetit Agron Duka, duhet parë si fenomen politik, për të analizuar në mënyrë kritike vetë sistemin zgjedhor në Shqipëri. Mandati i deputetit Agron Duka është një përjashtim nga sundimi dhe diktati i Njëshit partiak, i cili e detyron elektoratin që të votojë, jo në saj të bindjes të tij për njeriun që do ta përfaqësojë, por të votojë dëshirat dhe zgjedhjet e Njëshit partiak. Mendësisht, kjo politikë është filozofia e monizmit e zbatueshme ende në ...demokraci. Ndërsa Agron Duka, me kurajon dhe personalitetin e tij, dëshmoi që elektorati, kur është i lirë në votën e tij, voton njeriun dhe jo partinë. Ndaj, në këtë intervistë ekskluzive për “Telegraf”, jemi munduar të udhëtojmë në rrëfimet e shpirtit të Agron Dukës, atij personaliteti që populli i Shijakut i besoi votëbesimin, duke sfiduar partitë, premtimet e tyre elektorale. Si të mos jetë e mjaftueshme një rrëfim, për të njohur një botë të brendshme të Agronit, në fund të bashkëbisedimit, vetë Agroni, më pohoi diçka, që i doli me atë natyrshmëri, sikurse del edhe uji i burimit. “Këto fjalë që thashë, i pohova me çiltërsi. Sepse nuk di të shtirem asnjëherë”. Prandaj, që të besojmë njeriun, duhet të bindemi më parë në çiltërsinë e tij. - Zoti Duka, humbi e Djathta, por ju fituat. E konsideroni mandatin tuaj një meritë personale? - Natyrisht, që nuk mund të jetë meritë personale, por është kontribut i punës së përbashkët të miqve, përkrahësve të mi dhe strukturave të partisë republikane dhe në fund të kësaj analize lënë gjurmët e veta dhe meritat individuale, por në fund ama. - Për ju, tani që jeni deputet, por është e Majta maxhorancë, gota është gjysmë e mbushur, apo gjysmë bosh? - Unë mendoj që maxhoranca dhe opozita janë të dyja njëlloj të rëndësishme në demokraci, pra për funksionin që ka Parlamenti, gota është e mbushur plot, përsa më përket mua personalisht synimin për të dhënë kontribut për zonën time unë e përmbush edhe në opozite. E kam thënë edhe herë tjetër, opozita është luksi i demokracisë. - Nëse flasim për zgjedhje, cili ka gabuar: Ju, që nuk jeni deputet i kësaj të majte maxhoritare, apo lideri i PS-së, që humbi votat që u dhanë për ju? - Sipas meje, asnjeri nuk ka gabuar. Secili nga palët ka marrë vendimin që i është dukur më i drejtë. Sinqerisht unë ndihem mirë këtu ku jam, sepse m’u dha mundësia të provoj veten dhe vlerësimi që mora ishte maksimal. Kjo më jep ndjesi pozitive. Mendoni në një periudhe kohore prej një muaji, ne arritëm të marrim 10546 vota, dyfishin e atyre që duheshin për një mandat. - Fryt i kujt pune janë këto vota që morët? - Unë thjesht përmbusha një mision të kërkuar nga njerëzit që më njohin, më duan, më respektojnë dhe kanë besim tek karakteri dhe personaliteti im. - Sipas jush, e Majta fitoi kaq thelle, ngaqë bindi me programin e saj? Apo humbi e Djathta? - Kjo kërkon një analizë më të thellë sesa kaq, sepse arsyet dhe shkaqet për atë që ndodhi më 23 Qershor përmbledhin brenda vetes një histori të shtrirë në 8 vite. Aty gjen suksese e mosarritje, aty prek programe dhe bojkote. Aty lexon Kushtetutën e ndryshuar për pak orë dhe një Kod Elektoral me të meta. Në këtë peizazh politik, votuesi shqiptar dha verdiktin e vet origjinal e të pakundërshtueshëm. - Shqiptarët, a kanë fituar edukatën e të votuarit të lirë? - Ndryshimet janë pozitive, por mbetet akoma për të bërë, sidomos në zonat rurale, ku unë kam vërejtur që në disa raste votohet jashtë vullnetit të lirë, por të ndikuar nga banorë “të rëndësishëm” të fshatit. - Është në të mirën e funksionimit të demokracisë, këto raporte kaq të zhdrejta maxhorancë-opozitë, sikurse është rezultati i 23 Qershorit? - Nuk e kuptoj çfarë roli luan numri, nëse do ishin 66 nuk do ndryshonte asgjë, synimi për të rrëzuar qeverinë në mes të mandatit, për mua, është utopik. Numri i deputetëve të opozitës është i mjaftueshëm për të bërë oponencë. Nëse opozita do të dijë të rigrupohet, ka kohën e nevojshme në dispozicion për të përballuar betejat e ardhshme elektorale. - Ka një mendim, që thuhet, sidomos më shumë tani, pas kësaj fitoreje të madhe të së Majtës. Që politika duhet të çlirohet nga ndikimi i oligarkisë. Nga se është e kapur politika jonë sot? - Oligarkët gjithnjë kanë qenë faktor në etapat e zhvillimit historik të shoqërisë. Ndikimi i tyre në politikë dhe sidomos në qeverisje është i përfshirë drejtpërdrejt tek një sërë interesash të ndërthurura. Që të çlirohesh nga ky ndikim brenda një kohe të shkurtër, qofsh edhe i majtë, është gati e pamundur. - Një nga veçoritë e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë, është se shumë prej tyre janë biznesmenë. Sipas jush, cila janë të mira dhe cilat janë rreziqet për vetë politikën, kur biznesmenët janë aktorë aktivë të politikës? - Unë mendoj që askush nuk mund të privohet nga e drejta për t’u marrë me politikë. Në Shqipëri nuk ka ekzistuar shkollë për politikë, të gjithë vijnë nga fusha të ndryshme. Dikush është piktor, dikush doktor, apo agronom, madje me sa di unë lejohet të kandidosh edhe pa shkollë. Njerëzit e ardhur nga biznesi i sjellin politikës eksperiencën e tyre pozitive në menaxhim, si edhe duke njohur më mirë problematikën e tij, janë më objektivë në hartimin e ligjeve në dobi të klimës së shëndetshme për zhvillimin e biznesit në përgjithësi. Sipas meje, nuk është e rëndësishme prejardhja, por formimi i personit dhe sjellja në mënyrë të përgjegjshme për detyrën e deputetit, apo ministrit, një ministër bie fjala mund të jetë ekonomist, por kjo nuk e bën imun nga korrupsioni apo abuziviteti, megjithatë teprimi në çdo lloj profesioni nuk sjell dobi. Parlamenti duhet të ketë përfaqësues nga të gjitha fushat. - Por në listat e partive shikojmë një flusk të madh të biznesmenëve, tashmë deputetë. Ta shikojmë pozitivisht këtë prirje? - Kuvendi i ri, për mendimin tim, e ka tepruar me përfshirjen e biznesmenëve në listat e deputetëve, sidomos kjo bie në sy të PS-ja. - Një nga çelësat e suksesit në biznes është zgjedhja e stafit drejtues, por edhe e punonjësve mbi bazën e meritokracisë. Përse ata që drejtojnë politikën, nuk duan të ndjekin këtë shembull të biznesit? - Kjo ndodh sepse partitë hyjnë në ``borxhe``me militantët dhe përkrahësit e tyre, gjatë fushatave dhe mundohen t’i shpërblejnë. Në shumë raste meritokracia është kontributi i dhënë në fushata elektorale. Sjellje të tilla ndaj punonjësve dhe administratës nuk sjellin zhvillimin e dëshiruar, por konsum të maxhorancave, të cilat populli i ndëshkon me votë. Ndërsa biznesmeni e ka ngritur vetë biznesin e tij me mund e sakrificë dhe nuk ka detyrime të tilla, prandaj rekrutimin e punonjësve dhe të stafit e bën në bazë të aftësive dhe meritokracisë. - Është realizuar qëllimi që i keni vënë vetvetes? - Po është realizuar. Qëllimi im ishte të përfaqësoja zonën time në parlament, gjë që e arrita. - Më shumë e kisha fjalën, në qëllimin që i keni vënë vetvetes, në jetën tuaj. - Qëllimet nuk janë statike. Edhe ato ndryshojnë, evoluojnë, me ambiciet e përditshme. Madje, sa më të mëdha të jenë këto ambicie, kaq më motiv ke në jetë që të përpiqesh, që të luftosh, për ta arritur atë ambicie që e kërkon nga vetvetja. - Do t’ju pyesja, cila ka qenë e përgjithshmja që i keni kërkuar vetvetes tuaj? Dhe, për të cilën, përpiqeni vazhdimisht, gjatë gjithë jetës? - Të jem njeri i drejtë. Që njerëzit të më respektojnë për mirësinë time dhe jo për interesin e çastit që mund të kenë ndaj meje. - Cila është ambicia juaj në Jetë? Po në politikë? Po në biznes? - Në biznes të jem i suksesshëm. Në politikë të ndjehem i dobishëm dhe i vlerësuar nga banorët e zonës sime. Shto këtu edhe ambicien për sportin. Këto janë ambiciet e mia në jetë. - Nëse do të duhej, që ndokujt t’i dedikoni arritjet e jetës tuaj, cili është? - Babait, i cili na edukoi me vullnet e korrektësi, si edhe vëllait tim, Armando Duka, i cili ka një talent të veçantë, përveç formimit si ekonomist, si menaxher dhe biznesmen. - Fëmijët tuaj, cilin shembull të babait duhet të ndjekin? Dhe cilin jo? - Unë jam skllav i fjalës së dhënë si dhe kam vullnet në arritjen e qëllimeve. Këto dy cilësi do të më pëlqente t’i kishin edhe fëmijët e mi. Por, ndërkohë, jam më emocional se ç`duhet . - Jeni autokritik ndaj vetvetes? Dhe cili është reflektimi? - Natyrisht që jam. Qëllon që nervozohem me dikë me të padrejtë, por reflektoj shumë shpejt dhe kërkoj falje. - Mund të më thoni 5 gjëra që ju nuk i pëlqeni te Agron Duka, por, megjithatë, nuk keni forcën që t’u shmangeni? - Pesë më duken shumë, por, megjithatë, do mundohem t’i gjej: E para, siç thashë, do të doja të isha më i qetë, të kisha më shumë iniciativë, të më pëlqenin më pak tavolinat e gjata, të isha më pak i ndjeshëm ndaj ngjarjeve, qoftë pozitive apo negative, si edhe të isha më tolerant në biseda, pa ndonjë farë rëndësie, të cilat i marrë shumë seriozisht dhe nganjëherë më sjellin humor të keq, si dhe janë energji të harxhuara më kot. - Cilët njerëz ndikojnë në vendimmarrjen tuaj dhe përse? - Natyrisht familja, miq të veçantë, me të cilët konsultohem, si edhe im vëlla, Armandoja, i cili, në shumicën e vendimeve të mara, ka qenë i suksesshëm. - Cilat ngjarje të jetës tuaj janë të paharruara? - Janë shumë, ngjarje nga fëminia, jeta studentore ajo sportive, biznesi e politika. -Më mbresëlënëse? - Po përmend disa prej tyre. Në sport dy fitore njëra ndaj Vllaznisë dhe tjetra ndaj Skënderbeut. Në biznes fillimet e tij në vitin ‘90. Në politikë të gjithë betejat elektorale. - Për të mos shkarkuar te të tjerët dhe telashet tona, shpesh përgjigjemi: “Nuk kam kohë, jam shumë i ngarkuar me punë”. Ju, me gjithë këto angazhime, keni kohë të lirë? - Njeriu nëse di të organizojë ditën, gjen kohë për çdo gjë. Unë mendoj se është paaftësi të mos gjesh kohë për të gjitha. - Cilat gjëra dhe cilët njerëz mbushin botën dhe interesat tuaja? - Gjërat dihen. Biznesi, sporti dhe politika dhe njerëzit që kanë të bëjnë me to. - Cila është ngjarja më e hidhur që ju keni kaluar deri më sot? - Mua më ka lënë shije shumë të hidhur viti ‘97, ku njerëzit silleshin në mënyrë të pakuptimtë. Të gjithë kundër të gjithëve. Të krijohej një gjendje trishtimi dhe dhimbje, kur shihje njerëz, të cilët t’i i njihje ndryshe, të ngarkuar me thasë të grabitur nga prona e të tjerëve, qoftë private apo shtetërore. Ne, duke patur biznese, ishim nën kërcënim gjatë atyre ditëve, për t’u harruar, ditë- natë kemi ruajtur pronat tona dhe falë Zotit ia dolëm me ndihmën vullnetare të bashkëqytetarëve tanë të Shijakut. - Po humbja më e madhe e juaja? - Nëse e keni fjalën në biznes, ka ndodhur në ndonjë rast, sepse janë të pashmangshme, ndërsa në politikë humbja e zgjedhjeve të 2005-s. - Cila është ajo gjëja, që edhe pse keni dashur shumë, edhe përse jeni përpjekur, nuk keni mundur ta realizoni? - Për tre vjet rresht (1996, 97, 98) ne kemi sponsorizuar ekipin e volejbollit të Shijakut dhe arritëm të fitojmë të tre kampionatet kombëtare të kategorisë së parë si edhe të kalojmë turin e parë të kupës së kampioneve, por pastaj hoqëm dorë, sepse mungonte një pallat sporti dhe ndeshjet bëheshin në Durrës. Në vitin 2005 unë, nëpërmjet ministrisë së Kulturës, arrita të nxjerr fonde të pjesshme për të filluar ndërtimin e një pallati, i cili filloi dhe ka ngelur përgjysmë. Jam përpjekur shumë dhe nuk kam arritur deri tani ta realizoj, por kam shpresë ta realizoj në të ardhmen, në mënyrë që Shijaku, me një traditë të jashtëzakonshme në këtë lloj sporti, të ketë më në fund një sallë lojërash. - Çfarë vlerësoni më shumë te tjetri? - Natyrisht, gjërat pozitive, si korrektësinë, vullnetin si dhe sinqeritetin. Zgjuarsia është një dhuratë që ta jep natyra, prandaj më pëlqejnë njerëzit që kanë harxhuar kohë për formimin e tyre profesional. Unë preferoj më shumë një njeri korrekt, se sa një më të zgjuar, por që mundohet t`ja hedhë të tjerëve. - Po ato që nuk mund të duroni dot te të tjerët? - Njerëzit që gënjejnë, si edhe ata që janë mendjemëdhenj, por në fakt janë mediokër. E kam fjalën për ata që nuk dinë asgjë, por çoç ju duket vetja, sepse një njeriut të madh ia duroj mendjemadhësinë. Bie fjala, nëse Kadareja është mendjemadh, nuk të krijon bezdi. Nuk duroj dhe përbuz, gjithashtu, edhe njerëzit mosmirënjohës, ashtu siç nderoj dhe respektoj mirënjohjen e tyre. - Ju ndodh shpesh, që edhe pse e dini që disa gjera nuk mund t’i realizoni, prapëseprapë u zotoheni dhe u premtoni të tjerëve? - Kurrë. Unë, kur nuk kam siguri, them të interesohem dhe të jap përgjigje nëse bëhet, apo nuk bëhet. - Kjo ju ndodh më shpesh në marrëdhënie biznesi? Në shoqëri, familje? Në politikë? - Kudo. E njëjta formulë. - Cili është ai objektiv, që edhe pse dëshironi shumë, ende nuk e keni realizuar? - Unë mendoj se njeriu nuk mund të kërkoj me ngulm të arrijë çdo gjë, si arritjet dhe dështimet janë pjesë e jetës dhe nëse ata menaxhohen mirë, shërbejnë për të krijuar eksperienca për arritje të mëtejshme. - Ju faleminderit! SOMARIO I them vetvetes, më duhet të përpiqem më shumë, për të qenë i nderuar dhe i respektuar te gjithë shoqëria, pa përjashtim. Sepse, votëbesimin duhet t’ua shpërblesh moralisht. Duhet të përpiqesh e të luftosh për të mirën e përbashkët të të gjithëve, që të të respektojnë, po të gjithë. - Po 3 arsyet përse njerëzit çmojnë dhe respektojnë Agron Dukën? - Pak a shumë i thashë:Vullneti, mbajtja e fjalës së dhënë, si edhe sjellja. Unë nuk i ndaj njerëzit me kategori, por sillem me të gjithë njëlloj.
Posted on: Sun, 14 Jul 2013 13:05:56 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015