Prof. Dr. Ylber SELA Media e lirë, Maqedonia multietnike dhe - TopicsExpress



          

Prof. Dr. Ylber SELA Media e lirë, Maqedonia multietnike dhe portat e Bashkimit Europian Në Kartën Europiane të Lirive të Medias (2009), përcaktohet ekskluzivisht se liria e shtypit është thelbësore për një shoqëri demokratike, për ta mbajtur gjallë atë, për ta mbrojtur dhe respektuar diversitetin e saj politik, si edhe misionin e saj social dhe kulturor. Po kështu, nënvizohet se shtypi i lirë është mandat dhe detyrë e të gjitha qeverisjeve. Përtej leksioneve përgjithësuese të shoqërive dhe qeverisjeve të përparuara bashkëkohore të hartës ku dëshirojmë të bëhemi pjesë, pra të Bashkimit Europian (BE), do të theksoj se për shoqërinë dhe shtetin tonë, Republikën e Maqedoninë, media e lirë është jetësore, si vet oksigjeni për një jetë të shëndetshme dhe me prosperitet. E cilësoj si oksigjeni dhe jetësore, pasi ne shtetasit e Republikës së Maqedonisë jetojmë në një shtet sa të vjetër edhe të ri, jemi një shoqëri sa me identitet të konsoliduar aq edhe të brishtë, i përkasim një “areali” shoqëror sa të afërt aq edhe divers, kemi një histori sa të përbashkët aq edhe të personalizuar. Nën këto kushte afirmiteti dhe qasja na bën të fuqishëm, diversiteti mund të shndërrohet në burim dhe mundësi, e kaluara mund të gjenerojë të ardhme të lumtur, ndërsa individualitetet mund të krijojnë aliazhe për të ardhme të qëndrueshme. Të gjitha që na dallojnë dhe ndajnë janë pushteti ynë, vetëm nëse qeverisja dhe vet shoqëria e orientojnë kahen dhe orientimin e marrëdhënieve zhvilluese drejt perspektivës euroatlantike, e cila mbështet dhe ushqen harmoninë, drejtësinë , integritetin dhe pranueshmerinë shoqërore. Por, mund edhe të ndodhë ndryshe, elementët e sipërpërmendur mund të shndërrohen në dobësinë dhe “armikun” tonë. Për fat të keq kjo situatë vjen pa zhurmë dhe pa lajmërime. Është detyra e gjithë shoqërisë tonë në tërësi dhe e politikbërsëve, qeverisësve, botës akademike, shoqërisë civile, dhe aktorëve të tjerë t’i paraprijë dhe parandalojë simptomave që cenojnë dobësimin e shoqërisë dhe shtetit tonë. Ka shumë argumente pse çdo media ekzistuese në shtetin tonë multietnik duhet të ekzistojë dhe të mbështetet fuqishëm, nga të gjithë aktorët vendimmarrës. Liria, barazia përpara mundësive, shumëllojshmëria në lloje, diversiteti lingusitik, individualiteti si nismë e lirë e ekonomisë së tregut, dhe shumë arsye të tjera, duhet të jenë në themel të marrëdhënieve të aktorëve politikbërës dhe qeverisësve në raport me median e lirë në përgjithësi, dhe në shoqëritë e shteteve multietnike në veçanti. Rasti i Gazetës “Zhurnal plus”, nuk është optimist në raport me argumentet që më sipër sjell në vëmendje. Në shoqërinë multietnike ne Maqedoni, duhet të këtë media pluraliste, dhe gazeta “Zhurnal plus”, kontribuonte në këtë drejtim. Për Europën ku dëshirojmë të arrijmë, sektori i medias dhe shtypi i shkruar luan një rol kyç ekonomik, social dhe kulturor. Media dhe shtypi i shkruar në Europë janë pjesë e industrisë, e cila krijon rritje ekonomike dhe punësim, si edhe prezanton jetën, historinë, kulturën dhe vlerat për shoqërinë në nivel lokal, kombëtar, rajonal dhe global. Media me shumëllojshmërinë e vet, ndikon në zhvillimet e biznesit, sjelljet konsumatore, duke krijuar sfida dhe mundësi për shoqërinë bashkëkohore. Pjesë e këtij realiteti është edhe gazeta “Zhurnal plus”. Ajo është pjesë e këtij misioni, në nivel lokal, kombëtar dhe më gjerë. Politikat e BE-së e konsiderojnë median e lirë dhe atë të shkruar si instrument për arritjen e objektivave për krijimin e Europës së zgjeruar; Ballkani Perëndimor është objektiv i afërt. Për këtë arsye vet Bashkimi Evropian është angazhuar për mbështetjen dhe nxitjen e medias së lirë dhe të shumëllojshme, duke e konsideruar si element kyç për të mundësuar lirinë e mendimit dhe shprehjes në shoqëritë demokratike. E shtypur në hardkopy, ajo është e aksesueshme për të gjithë ato kategori sociale që e dëshirojnë të tillë, ndërkohë online është jo gjithëpërfshirëse për grupmoshat dhe kategoritë sociale në fjalë. Media e shkruar në përmbajtje është edhe element social. Në një kafe grupmosha të caktuara lexojnë dhe diskutojnë sipas një sjelljeje të grupmoshës së vet, duke biseduar për çështje sociale, familjare, deri edhe te kurbeti që i mban fëmijët larg familjes dhe trojeve amtare e shtetit, ku ata jetojnë. Në programin e Strategjisë së rritjes të BE-së deri në vitet 2020, një nga tre objektivat themelore është përcaktuar edhe rritja gjithëpërfshirëse (“Inclusiveness growth”). Ndërkohë politika dhe sjellje qeverisëse me produkte të tilla, si fundi i botimit të Gazetës “Zhurnal plus”, bien ndesh me objektivat e BE-së. Diversiteti është një kërkesë tjetër e medias së lirë në hartën e BE-së. Pasazhi i medias së lirë krijohet nën kushte të caktuara historike e shoqërore. Në secilin territor media reflekton një situatë të caktuar dhe kulturës specifike, treguesit demografike, linguistik, etniko-fetare, etj. Një situatë të tillë reflekton edhe “Zhurnal plus” në Republikën e Maqedonisë. Parë në këtë këndvështrim diversiteti i medias dhe formave të saj, është pjesë e identitetit të shtetit tonë, sepse shoqëria dhe shtetasit tanë janë të tillë. Sipas politikave të BE-së, koncepti i medias së shumëllojshme kërkon që t’i sigurohet publikut akses në shumëllojshmërinë e burimeve dhe zërave të informacionit, t’i lejosh ato të krijojnë opinionet pa asnjë lloj influence, nga opinionet dhe ndikimet e pushtetit. Element i qeverisjes së mirë dhe transparente i jep mundësinë një grupimi shoqëror të caktuar të flasë në gjuhën e vet amtare, pra të denoncojë keqqeverisjen dhe mungesë të transparencës në tërë elementët e përdorimit të pushtetit politik dhe qeverisës. Të gjithë e dimë forcën e pushtetit të medias, nëse sillemi dhe qeverisim keq, prandaj edhe një media më pak, do të thotë mundësi më të mëdha për përdorim të keq të pushtetit. Ndërsa në rekomandimin 9 (nëntë) të Kartës Euriopiane të Lirive (2009), artikulohet qartësisht se: media e lirë dhe pluralizmi do të luajë një rol parësor në vlerësimin e vendeve në procesin e integrimit europian, sikundër edhe Maqedonia është. Në vijim, në këtë rekomandim theksohet se: një mjedis i lirë dhe pluralist për median, duhet të jenë parakusht për anëtarësimin në BE.
Posted on: Sun, 29 Sep 2013 22:07:17 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015