Pse United duhet ta rikthejë Ronaldon? A ka vërtet nevojë - TopicsExpress



          

Pse United duhet ta rikthejë Ronaldon? A ka vërtet nevojë United për të rikthyer Cristiano Ronaldon? A ia vlen të investohet aq shumë para në të dhe a çfarë ai do t’i jepte klubit? Lexoni një rishikim të realizuar nga mediat angleze për njërin prej yjeve më të përfolur të futbollit së fundi! Më shumë se sa David Moyes, janë pronarët e Manchester United, familja Glazers, ata të cilët duhet të kërkojnë një valë të madhe nënshkrimesh për këtë afat kalimtar. Mediat kanë shkruar shumë për motivimin prapa përpjekjes së Djajve të Kuq për ta rikthyer në ekip yllin e Real Madridit, Cristiano Ronaldo. Shumica thonë se kjo është një përpjekje e pronarëve për t’i kënaqur fansat, të cilët prisnin një emër më të madh se Moyes për të pasuar Sir Alex Ferguson. Por, përtej perceptimit se si mund të pranohet Moyes nga tifozët, klubi ka një nevojë reale, të patjetërsueshme, të dëshmojë se ende është në gjendje të joshë emrat më të mëdhenj të këtij sporti – edhe pa ndikimin e Ferguson. Pyetja është, a mundet United ta bëjë këtë? Deri në fund të sezonit të kaluar, kurdo që United kërkonte një emër të klasit, kjo realizohej në partneritet me Ferguson. Në vitet e fundit kjo ishte edhe më e shprehur. A erdhi Robin van Persie te United për shkak të madhësisë së klubit ose mundësisë për të punuar me Ferguson? Kur keni në telefon njërin prej më të mëdhenjve të të gjitha kohërave të këtij sporti, sigurisht se kjo ka një ndikim në ju. Kjo është ajo çfarë Glazers tash do ta kenë të vështirë ta përballojnë. Chelsea, te i cili Andre Schurrle vrapoi nga Bayer Leverkusen, ka influencën e Jose Mourinhos. Në pjesën tjetër të kontinentit, Pep Guardiola tash është faktor te Bayern Munich dhe madje edhe Carlo Ancelotti, me Real Madridin, është një emër me të cilin lojtarët më të mirë duan të lidhen. Familja Glazers dhe drejtori i ri ekzekutiv i klubit Ed Woodward, tash duhet të dëshmojnë se United është një klub i madh për të përballuar humbjen e faktorit Ferguson, derisa synon të jetë një prej më aktivëve në tregun e transferimeve. Rikthimi i Ronaldos është një zgjidhje e dukshme dhe pas një baze të fortë të lënë nga Ferguson dhe paraardhësi i Woodward, David Gill, negociatat duhet të jenë të qeta – nëse Glazers dëshirojnë t’ia arrijnë cakut. Publiku i United ende e admiron Ronaldon Para se Gill, i cili si një prej veprave të fundit serioze në detyrë kishte bërë një udhëtim në Madrid në fund të sezonit për të takuar agjentin e Ronaldos, Jorge Mendes, Ferugson bëri një hap tjetër të mençur. Skocezi preku zemrën e ish-yllit duke thyer traditën dhe duke bërë që emri i tij të lexohet i fundit në stadium, në fillim të disfatës së famshme të Ligës së Kampionëve. Ferguson, si çdokush në Old Trafford ishte i vetëdijshëm për problemet e Ronaldos me tifozët e Realit dhe brohoritjet që ai morri nga publiku i United janë një përshtypje për të cilën ai ende flet me miqtë e tij. Janë të njëjtët miq të cilët i tregojnë Ronaldos pas udhëtimeve në Old Trafford se emri i tij ende këndohet me pasion në Stretford End (pjesën perëndimore të Old Trafford ku qëndrojnë fansat më të pasionuar të klubit. Aspekti financiar dhe trajtimi nga klubi Veç kësaj që u shkrua deri tash, janë financat ato për të cilat Ronaldo më së shumti është i interesuar. Ndarja e të ardhurave nga shitja e imazhit dhe mos-ngritja e pagës nga presidenti i Realit, Florentino Perez, janë një zhgënjim me të cilin Ronaldo ka jetuar gjatë dy viteve: Ai ende merr të njëjtën pagë si kur nënshkroi në vitin 2009. Me gjithë përmirësimin në aspektin personal, paratë që ai ia ka gjeneruar Realit e që Perez me krenari i ka përmendur gjatë detyrës së tij, dhe trofetë që ka ndihmuar klubin të fitojë, bordi ende nuk ka bërë hapa konkret për të njohur përpjekjet e Ronaldos dhe për të rinovuar marrëveshjen e tij. Në të njëjtën kohë, ai e ka parë kundërshtarin e tij, Lionel Messi, që ka fituar tre marrëveshje të reja nga Barcelona. Diskutimi i Gill me Mendes sigurisht se ka prekur edhe kontrastin në mënyrën se si Ronaldo është trajtuar si lojtar i United krahasuar me trajtimin që i bëhet nga Reali. Edhe pse ka shumë kohë që është larguar nga klubi, lojtari është i vetëdijshëm se ai ka pasur më shumë respekt te United se te klubi aktual. Ai e di se nuk do të ishte lejuar të ndjekë Topin e Artë i vetëm nëse do të kishte qenë ende lojtar i United, siç ndodhi sezonin e kaluar, kur ai përjetoi një mospërfillje edhe nga Pep Guardiola. Edhe këtë javë, ish-zëvendësi i Ferguson, Mike Phelan, i fryu zjarrit duke refuzuar të komentojë spekulimet se Untied tashmë ka dërguar një ofertë - kontratë për Ronaldon. Sigurisht, ish-trajneri i United diskutoi situatën delikate të Wayne Rooneyt, por Ronaldo? Ai ishte ngurrues të flasë për këtë. Për t’i hedhur benzinë zjarrit, vetë Ronaldo në një prononcim të fundit tha se atij i mungon Manchester United dhe futbolli anglez. Është United që, më shumë se Moyes, ka nevojë për Ronaldon. Në këtë lindje të re për klubin, arritja e portugezit do ta mbante United konkurrues në fushë dhe do t’u dërgonte një mesazh të qartë se edhe pa Plakun, ai mbetet klubi më i madh në qytet dhe ndër më të mëdhenjtë në ishull dhe Evropë. A mendoni se Ronaldo mund të rikthehet në Old Trafford? GennTi
Posted on: Mon, 12 Aug 2013 11:57:41 +0000

Recently Viewed Topics




© 2015