QSUT, 200 punësime të paligjshme me 200 mln lekë dëm! Një - TopicsExpress



          

QSUT, 200 punësime të paligjshme me 200 mln lekë dëm! Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka zbuluar mekanizmin e abuzimeve me punësimet e paligjshme në Qendrën Spitalore Universitare “Nëne Tereza”. Të paktën 200 persona janë punësuar pranë këtij institucioni përgjatë periudhës 2011-2012, kur QSUT drejtohej nga Saimir Ivziku. KLSH thotë në raportin e dorëzuar në Prokurori se dëmi financiar që i është shkaktuar buxhetit të shtetit kap shifrën e 200 milionë lekëve të vjetra. Burimet thonë se ky raport i është dorëzuar prokurorisë në fillim të këtij muaj, ku KLSH sqaron në mënyrë të detajuar shkeljet e kapura në drejtorinë e QSUT-së gjatë periudhës së mësipërme. Të dhënat tashmë janë marrë në administrim nga zyra “Task Forcë” në Prokurorinë e Tiranës, e cila ka vendosur të regjistrojë procedimin penal me objekt shpërdorim detyre, por momentalisht pa autorë konkretë. “Lidhur me referimin e bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për abuzime në QSUT, prokuroria ka regjistruar procedimin penal pa autor”- tha për “Mapo”-n një burim i prokurorisë. Pas regjistrimit të çështjes, organi i akuzës pritet të nisë procedurën e verifikimit të informacioneve që KLSH kallëzon. Sipas burimeve mësohet se Kontrolli i Lartë i Shtetit bën përgjegjës për abuzimet me detyrën, ish-drejtorinë e Përgjithshëm të QSUT-së, Saimir Ivziku, si dhe dy vartësit e tij, ish-drejtorin e Burimeve Njerëzore Ibrahim Shatri dhe drejtoreshën e Edukimit, Alketa Ilo. Por sipas prokurorisë, emrat e denoncuar nga KLSH nuk mund të futen në listën e personave ndaj të cilëve po zhvillohen hetimet pa kryer verifikimet përkatëse. Për këtë arsye, edhe procedimi penal është regjistruar pa autor. Thelbi i denoncimit, sipas burimeve ka të bëjë me shkeljen e procedurës dhe ligjit që dyshohet se është bërë në emërimin e të paktën 200 personave përgjatë periudhës 2011-2012. Këta person, sipas kontrollit të kryer nga KLSH janë marrë në punë në kundërshtim me ligjin, çka ka sjellë fryrje të organikës së QSUT-së, tej kapacitetit të parashikuar. Për pasojë, shkelja e ligjit i ka kushtuar shtetit një dëm të konsiderueshëm ekonomik, që sipas specialistëve të KLSH-së llogaritet në rreth 200 milionë lekë të vjetra. Kjo dhe për arsyen se punonjësit e kanë qenë kryesisht të rolit bazë dhe të emëruar në pjesën mbështetëse të administratës, ku pagat janë relativisht të vogla. Por megjithatë KLSH referon në prokurori se ka dëm të konsiderueshëm ekonomik, i cili do të verifikohet tashmë nga prokuroria. (Mapo)
Posted on: Tue, 16 Jul 2013 12:38:24 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015