“Qeveria e Piktorit në ardhje dhe ajo e Doktorit në - TopicsExpress



          

“Qeveria e Piktorit në ardhje dhe ajo e Doktorit në ikje“ Gazeta DITA - Zoti Velaj, për herë të parë në historinë e saj Shqipëria në krye të qeverisë do të ketë një piktor. Si e komentoni këtë fakt ju si artist? - Sigurisht që unë si artist ndjehem mirë dhe tepër komod kur shoh që një mik e një kolegu im arrin të bëhet Kryeministër i vendit, mbasi jam i bindur se është një gjetje inovative dhe një mundësi e shkëlqyer për imazhin e vendit. Jo çdo shtet, jo çdo vend europian e ka këtë mundësi që të drejtohet nga një artist. Fakti që ky njeri/artist e ka treguar më parë se di të drejtojë një institucion siç ka qenë Bashkia e Tiranës, sado që ajo ka qenë në konture më të vogla, por e gjetur në gjendje dramatike dhe sjellë brenda një kohe të shkurtër në gjendje normale e shpresëdhënëse, më jep shpresa mua dhe jo vetëm mua se, ashtu si Tirana, edhe Shqipëria një ditë do të bëhet. Unë jam i bindur se Edi Rama do arrijë të krijojë shtetin e së ardhmes, besim se Shqipëria më në fund do bëhet një shtet ku secili dhe të gjithë të ndjehen si në shtëpinë e tyre. - Ju e njihni Edi Ramën. Çfarë çmoni më shumë tek ai dhe çfarë besoni se do të bëjë sipas jush piktori në krye të qeverisë ndryshe nga doktori që iku? - Së bashku me Edi Ramën kemi pasur mundësinë të krijojmë një kalendar me aktivitete politike, diplomatike si dhe artistike, aktivitete këto që i kanë tejkaluar kufijtë e vendit dhe janë shtrirë edhe në disa kryeqytete europiane. Kemi konceptuar e realizuar shumë ide dhe projekte, të cilat kanë fituar zemrat dhe mendjet e personaliteteve më të larta të politikës dhe kulturës evropiane, por dhe të popullatës vendase. Bashkëpunimi ynë u bazua te bindja e thellë dhe respekti për punën e bërë nga njeri-tjetri, pavarësisht se ato kanë qenë të shtrira në dy kryeqytete të ndryshme, respektivisht në Tiranë e Vjenë. Suksesi i madh i tyre erdhi dhe nga i njëjti këndvështrim për perspektivat e së ardhmes europiane të vendit si dhe fokusimi që kishim në sy për rrugën që duhej ndjekur në arritjen e këtij qëllimi. Te Rama unë vija re një ndërthurje të muzës artistike me ato detaje e cilësi të një politikani, tek i cili vihej re qartë ajo që për të realizuar me sukses çdo gjë, nëpër trup, në vena e damarë, në vend të gjakut i kalon diesel. Ky ishte kodi i suksesit të çdo iniciative ashtu si dhe i agendave frutdhënëse në takimet e shumta të nivelit të lartë që patëm nëpër Europë, të cilat sollën atë, rifitimin e besimit se Shqipëria e së nesërmes do të bëhej, dhe në sytë e europianëve ajo ishte ridimensionuar. Si një artist në mendje dhe në shpirt, Edi Rama arriti që gjatë kohës që drejtonte Tiranën ta sillte atë new standartet e një metropoli me trajta, forma e perspektivë europiane. Në shumë intervista që kam dhënë nëpër Europë të vetmen gjë për të cilën unë e vlerësoja Ramën në vitet e drejtimit të Tiranës nuk ka qenë fakti se ai prishi ndërtimet pa leje në Bregun e Lanës. Jo. As lyerja e pallateve artistikisht. Unë çmoja vetëm faktin që Edi Rama i kthehu shpirtin Tiranës, rinisë së saj që deri në atë kohë ishte si buste allçie të depozituara diku në Galerinë Kombëtare. Ishin ata djem e vajza, burra e gra, pleq e plaka që deri në atë kohë jetonin në Tiranë fizikisht e me mendje ishin diku nëpër Europë. Ishin ata që deri në atë kohë të vetmen shprehje që kishin në mendje e gojë ishte “nuk bëhet ky vend…” dhe që Edi Rama ju tha “…unë jam nisur drejt Europës! Ejani ta bëni një pjesë të rrugës bashkë me mua …”. Ndërsa, doktori që iku nuk e shëroi dot “the albanian patient” duke i vdekur pacienti nëpër duar, sado që atij iu dha dy herë mundësia për ta kuruar atë, e ku ai akoma vazhdon të thotë se pacienti i tij është si kokrra e mollës. Në këtë rast më duhet të citoj atë shprehjen që kur e pyetën një doktor se si doli operacioni, ai u pergjigj “Operacioni doli me sukses. I sëmuri vdiq”. Kjo ishte dhe rezymeja e fjalimit të tij ditën që dha “dorëheqjen”. Foli e foli për sukseset e operacionit që kishte kryer te pacienti i tij, në një kohë që ai kishte kohë që ishte varrosur. Berisha nuk arriti dot ta shërojë pacientin e tij mbasi ai, jo vetëm i jepte receta të gabuara, por jam i bindur se i jepte edhe doza medikamentesh të skaduara. - Doktori i dorëhequr si kryetar i PD-së dhe kryeministër në detyrë, pas humbjes në 23 qershor e ironizon qeverinë e re duke thënë shpesh ‘qeveria e piktorit’. Mendoni se ky etiketim ia ul apo ia ngre vlerat Qeverisë “Rama”? - Këtu do të më duhet të përdor një arsyetim të Gerhard Richter, nr 1. i pikturës bashkëkohore botërore. Richter thotë se “të flasësh për pikturën jo vetëm që është shumë e vështirë, por ndoshta edhe e pakuptimtë, sepse ti për të folur për të, përdor vetëm fjalë të cilat i përmban fjalori gjuhësor me të cilat piktura nuk ka të bëjë fare”. Në këtë kontekst, të arsyetimit sipas Gerhard Richter del dhe ajo që, Berisha se ka idenë fare se çfarë është e me çfarë realizohet piktura e jo ta analizojë atë e, nëpërmjet termave, fjalëve e fjalive të marra nga fjalori gjuhësor të hyjë në debat me autorin e veprës së artit, i cili për realizimin e saj nuk ka përdorur fjalë por ngjyra, të dala nga thellësia e shpirtit dhe zemrës. Por, fakt është se, Berisha ka kohë që përdor emërtimin “piktor” duke menduar se në këtë mënyrë e bën Edi Ramën me aftësi intelektuale të cunguara, jo të mjaftueshme e jo të aftë për drejtimin e shtetit, një strategji kjo, që ai e ka përdorur gjatë gjithë kohës që kur Edi Rama hyri në politikën aktive të vendit. Për mendimin tim, kjo strategji e tij nuk funksionoi vetëm e vetëm nga fakti që ai vetë, Berisha, në sjelljen e tij nuk rrezatonte kulturë e jo më të kishte idenë se nga i binte rruga për te piktura dhe arti. Çdo të thoshte Berisha nëse do ishte në Austri ku kryeministri është me shkollë të mesme? Çfarë do të thoshte Berisha për presidentin e parlamentit europian, Martin Schulz që është me të mesme? Po për Joschka Fischer-in, të famshmin ministër të Jashtëm të Gjermanisë që as të mesmen nuk e ka? Por, fakt është se Berisha nuk e ka qëllimin te profesioni i artistit që sot, në botën moderne shikohet si mendimtar e korrektuesi i shoqërisë e si pararojë e zhvillimeve shoqërore e intelektuale por, në mënyrë konsekuente përdor këtë profesion me nënqëllimin e disa klisheve të ngritura nëpër kohë dhe sidomos në disa momente të historisë të artit botëror e në veçanti kur Van Ghogu preu veshin e ku që prej asaj kohe për artistët flitej se ishin njerëz me nga një derrasë mangut a kush e di se çfarë tjetër. Ajo që dihet e që ka qenë evidente në këto 22 vjet të tranzicionit shqiptar është fakti që Berisha nuk ka pasur kurrë lidhje me artin e kulturën. Berisha mund të dalë nesër dhe të thotë që në femijërinë e tij mbasi dëgjonte Edith Piaf, hidhej andej nga Muzeu i Louvrit mbasi kulla e tyre ishte përballë muzeut, gati gati as 10 m larg. Mund të dalë pasnesër dhe të thotë se Jackson Pollock linte kokën për të dhe kur Berisha vetë ishte i vogël, Pollock se lëshonte nga krahu, ja hopa e mbante… e mbas një jave të dalë e të thotë se më ka thënë gjyshi se Gustav Klimt i të famshmes pikturë “Puthja” te kulla e tij e kalonte 15 ditëshin e lejës së zakonshme… e të tjera si këto. Berisha nuk e pranoi kurrë atë, gjë për të cilën ai për vetveten nuk është fajtor, faktin që politikanët europianë vijnë nga hapësira kulturore e që, rrjedhimisht bën atë që dhe sjelljet, gjestet apo dhe drejtimi i politikës së tyre është kulturë dhe në këtë mënyrë transmeton kulturë. Berisha mund të ketë lexuar shumë në jetën e tij, shumë fare dhe ka një inteligjencë të madhe natyrore e njohuri të mëdha, por shpeshherë atë vete, në sjelljet e tij nuk e drejtonte kjo inteligjencë dhe arsye, por instinkti. - Cilat janë, sipas jush, disa nga arsyet pse u ndëshkua Berisha dhe partia e tij në zgjedhjet e fundit? - Berisha ishte “fatlum” në jetën e tij që iu dha mundësia të drejtonte dy herë shtetin, pra të bëhej prapë kryeministër. E them këtë mbasi ai de facto deri në vitin 1997 dhe më pas i kishte të gjitha postet që mbante Enver Hoxha mbas luftës. Në 2005, për çudi të shumë politikanëve europianë, Berisha rizgjidhet përsëri. Këtu nuk e kam fjalën te Partia Demokratike, por te personi Berisha, mbasi një fenomen i tillë në politikën moderne europiane nuk gjendet. Mbaj mend fare mirë kur në takime të ndryshme, politikanë të lartë europianë më pyesnin se si ishte e mundur të rikthehej Berisha në pushtet mbas asaj që ndodhi në 1997. Por fakt ishte se Partia Socialiste e Fatos Nanos ia shtroi me asfalt rrugën revanshizmit berishian dhe pakënaqësia ndaj Nanos solli rikthimin e Berishës. Berisha, i cili erdhi me dëshirën e madhe të rikuperojë të kaluarën e tij të hidhur e të zezë sterrë, ta suvatojë, patinojë e lyejë atë, kishte dhe një shans tjetër të madh, atë të hyrjes në histori si një europian, shans që ai jo vetëm e injoroi, por në mënyrë konsekuente punoi kundër tij. Berisha pati një fillim shpresëdhës në dy vjeçarin e parë të mandatit të parë që me kalimin e kohës rezultoi se të gjitha guarnicionet që kishte montuar në agregatin e tij ishin të kualitetit të dobët e që solli atë që qeverisja e tij filloi shpejt të pikojë dhe në fund të kishim një shpërthim të tubacioneve deri në përmbytje. Modeli Berisha nuk solli risi mbasi Berisha nuk ishte në gjendje të instalonte një model ndryshe. Nëse në periudhën e parë të regjimit të tij, dmth atë deri në 1997, ai pranë vetes mbante Prengën, Mëhillin, Lleshin e Kolën, njerëz nga krahina e tij që mjaftonte t’u bënte një shenjë dhe ata venin e rrihnin e dambullisnin këdo, në mandatin e dytë nga 2005 deri në 2013 ai mori pranë vetes të tjerë që i shiti si “sunny boy” e plotë dritë e shkëlqim e në mënyrë permanente i korruptoi, i instruktoi e modifikojë ata duke i bërë si ai vetë. Një arsyetim tjetër se pse Berisha u ndëshkua si në ’97, kësaj radhe me votë, është ai që Berisha përfaqësonte një tension permanent dhe një sirenë të përhershme të ndezur alarmi. Çdo fjalim, çdo takim, çdo bisedë e tij ishte vetëm ulurimë, mallkim, sharje, munxa e copëtim i tjetrit. Kjo jetë politike i pëlqente Berishës. Ai jetonte në opozitë ndaj vetes e të tjerëve. Nuk e imagjinonte politikën ndryshe dhe këtë ia dinin dhe të tijtë që filluan ta imitonin. Ata kuptuan se të jesh i shikuar dhe i dëgjuar nga Berisha, të marrësh një vend pranë tij duhet të bëhesh si ai vetë dhe filluan të dilnin një nga një burra e gra që flisnin me gjestet e shprehjet e fytyrës si ai vetë. Bile ai arriti që dhe artistët pranë tij t’i bënte si vetja e nuk kishte dramë më të madhe kur shikoje në ekrane femra artiste, deputete gushmëdha e faqevarur që përdornin termat e shprehjet e tij. Kjo strategji e Berishës, e mbajtjes së tensionit permanent të çdo gjëje solli lodhjen e shikuesve dhe dëgjuesve, të cilët nuk e besonin atë në ato që thoshte e mundohej t’i shiste si suksese që në sytë e tyre ishin vërtet suksese, por jo të prekshme për ta e familjet e tyre, por për Berishën vetë e kabinetin e ministrave me familjet e tyre. Shteti kishte vite që nuk funksiononte, rendi nuk ekzistonte, rrëpira dhe humnera fillonin te pragu i shtëpisë së shqiptarëve të terrorizuar nga frika e heqjes nga puna apo i terrorit psikologjik të montuar nga disa bazhibozukër, derdimenë e injorantë kryetarë partish në rrethe apo të dërguar të qendrës në këto rrethe e bënë atë, njeriun hallexhi që mos të ndihej por të priste ditën, orën, minutën e sekondën, atë të votës e në këtë mënyrë ta shporrte njëherë e përgjithmonë nga mediat Berishën vetë dhe të gjithë ata analistë gjithollogë që i venin nga pas nëpër media e që për detyrë kishin vetëm një: t’i ndillnin orgazmën politike atij, Saliut. - Ndërkohë, si e shikoni opozitën që doli nga zgjedhjet e 23 qershorit, a do të jetë ajo në gjendje të bëjë një opozitë normale? - Unë nuk mendoj se opozita e dalë nga 23 qershori do jetë një opozitë ndryshe nga ajo që ka ditur të bëjë Berisha në kohën që ka qenë në opozitë apo dhe kur ka qenë vetë në pozitë. S’ka pasur asnjë ndryshim mes të dyjave. Ka qenë vetëm një tension permanent dhe kështu do të jetë akoma, vetëm se kësaj radhe do jetë vetëm në parlament, jo më në sheshe. PD në rrethe është e çoroditur, pa busull. PD e sotme, e shumta e shumta, është që mund të mbushë vetëm salla të mbyllura. Elektorati blu nuk ka besim tek ata që drejtojnë në rrethe e ata që janë në qendër nuk kanë qenë kurrë të prekshëm për ta. Ata shihen si të degraduar e të pavlerë. Vetë PD në qendër është në një situatë ku anëtarët po mundohen të riorientohen e venë pas atij që u emërua, jo nga bindja se ishte gjetja e duhur, por se ashtu duhet, se ndryshe s’ke shanse të tjera. Anëtarët e tjerë, ata “të vjetrit” do fillojnë pak e nga pak të largohen se e dinë që nuk do u vijë më radha të hyjnë në qeveri, se koalicioni i majtë nuk ikën pa 8 vjet e kështu ata do jenë prej kohësh jo më në stadin e të qenit ndjekës të partisë, por në atë të të shijuarit të përfitimeve materiale të kohës që zhvatën shtetin. Të tjerë do vijnë e që këta të tjerë të profilohen e të bëhen të dukshëm e të prekshëm do duhet një kohë e gjatë dhe Berisha e Basha vetë e dinë këtë. Një nga provat e para të binomit opozitar B&B janë zgjedhjet vendore në 2015 ku Basha do humbë Tiranën. Ai vetë e di këtë gjë dhe nuk do kandidojë me arsyetimin se do drejtojë partinë për zgjedhjet e 2017 dhe do vendosë një kandidat tjetër që dhe kur të humbë të thuhet “ishte i ri e pa përvojë”. Nga takimet e shumta që kam pasur këto ditë në Shqipëri kam vënë re një degradim të plotë të PD-së si forcë politike dhe një alegori pa fund për drejtuesit lokalë. Kjo do sjellë atë që e ardhmja e kësaj force politike, mbas 9 shtatorit do jetë e zezë mbasi shumë anëtarë të saj, e dinë që do jenë në opozitë për 8 vjet e ndoshta më shumë, por dhe ata të tjerët që janë në punë, qofshin dhe të aftë për atë vend pune e të mos largohen nga puna do i bashkangjiten forcës së re politike që erdhi në pushtet. Kjo do të sjellë atë që PD-së do i duhet një kohë e gjatë e riformimit dhe ristrukturimit të saj në bazë dhe në këtë mënyrë unë opozitën e PD do e shoh vetëm nga disa ulërima nga Berisha e Kaç Islami në parlament apo dhe ndonjë grumbullimi para kryeministrisë kur të “vërtetohet“ rasti se një edukatore në kopësht i ka shkulur veshin fëmijës së një anëtari të PD-së. - Por duhet të pranojmë se në PD ka ndodhur një ndryshim i madh: për herë të parë pas thuajse 23 vjetësh Berisha largohet nga drejtimi i partisë. A besoni në fillimin e ri të asaj partie me Bashën si kryetar të saj? - Berisha nuk është larguar dhe nuk do largohet derisa të mbyllë sytë. PD nuk është gjë tjetër veçse një jehonë e poezisë së Vladimir Majakovskit “Kur themi partia, nënkuptojmë Leninin (Berishën), kur themi Lenini (Berisha), nënkuptojmë partinë!”. Kjo ka qenë dhe do jetë gjthmonë deviza e PD-së dhe këtë e tregoi qysh te fillimi i ri i PD-ja, u pa kur vetë njëri nga njerëzit kryesorë e me kobzinj të PD-së, Astrit Patozi u linçua vetëm e vetëm se tha që votimi për kryetar nuk ishte i rregullt. Ishte ky person që në çdo dalje publike të Berishës para grupit parlamentar rrinte me kokë ulur, shpellë-sterrë e nuk u prononcua asnjëherë për ato që pa e dëgjoi në këto 8 vjet, por u shqetësua ditën që pa e kishte parë gjithmone në keto 8 vjet dmth manipulimin e votës që tashmë u aplikua dhe brenda vetes, dhe vetëm tani ai u “shqetësua“. U sulën kundër tij të gjithë ata që donin të manifestonin besnikëri para të riut ashtu siç i sulej ai vetë opozitës sa herë që ajo thoshte se s’ka shtet, s’ka ligje, ka vjedhje e korrupsion apo dhe gjak e tradhti kombëtare. Ky ishte fillimi i PD-së së re. Unë shpresoj dhe do doja shumë që Berisha avash avash ta lerë Bashën të profilohet, të marrë ndonjë formë personale, por kam frikë se kjo gjë nuk do të ndodhë kurrë, mbasi vetë Basha është i tillë që nuk i intereson fare ndryshimi i vetvetes. - Qeveria që iku është kritikuar për nënvleftësim të kulturës, madje dhe për shkatërrim të vlerave të trashëgimisë kulturore. Sa optimist jeni se interesimi dhe investimet për kulturën do të zenë vendin e merituar me qeverisjen e re? - Më sipër unë fola për lidhjen e Berishës me artin e kulturën dhe thashë që nuk ka pasur asnjë lidhje. Në një “parti shpk“ siç është PD nuk mund të flitej për gjetje të marra si në një shoqëri aksionere, “parti sha” ku ka një bord drejtues e në bazë të vendimeve të marra nga bordi del dhe strategjia e drejtimit. Në krye të PD ka qenë Berisha, i cili nuk kishte lidhje me artin e kulturën dhe në këtë mënyrë ai, dhe vetë institucionin e kulturës e shihte si një detyrim që duhej përmbushur, që në kabinetin e tij të kishte dhe të tillë institucion. Nuk kishte shans tjetër për të. Duhej. Gjithë bota ka ministri kulture prandaj duhet dhe ne ta kemi një të tillë. Ajo që vetë Berisha bëri me atë institucion është vetëm se shtoi dhe 2 rreshta me fotografi ministrash te korridori i para zyrës së ministrit. Brenda 8 vjetëve të regjimit Berisha u ndërruan 6 ministra. Që të 6 pa asnjë lidhje me artin e kulturën, me përjashtim të Visar Zhitit. Mendoni ju se ishte pa arsyetim ajo që Berisha bëri në mandatin e dytë, ajo që një artist, Arben Imamin e bëri ministër të mbrojtjes dhe një specialist që ka ndjekur kurse të tëra të NATO-s, si Ferdinand Xhaferrin e bëri ministër të Kulturës? A duket ky fakt si i rastësishëm? Jo. Ai vendosi dy persona në vende që asnjëri të mos merrte vesh nga ajo që do bënte. Për të mos folur për ministrat e tjerë që ishin “oj broj, të gjithë njësoj” e që kanë lënë një gropë të madhe, sterrë të zezë me borxhe të papaguara artistëve e kulturëbërësve që do të jetë një nga problemet më të mëdha me të cilat do te ballafaqohet ministri i ardhshëm. Edi Rama tashmë qëndron përpara një sfide të re, të madhe e që i duhet ta manaxhojë. Fakti që ai e ridimensionoi ministrinë duke i lënë vetëm kulturën dhe tashëgiminë, larg mullarizimit tipik të mëparshëm është një shenjë e mirë dhe një shpresë se artistët, kulturëprodhuesit shqiptarë si dhe të huajt që do duan nesër të fusin këmbë në Shqipëri të gjejnë në atë institucion atë që nuk kanë pasur kurrë: tempullin dhe auditorin e problemeve të artit dhe kulturës. Unë nuk mund të them sot se çfarë do ndodhë nesër mbasi nuk jam Orakulli i Delfit e nuk e di se si janë financat e shtetit, se sa buxhet do të ketë kjo ministri, mbasi siç thotë dhe një shprehje vjeneze “pa para s’bien sazet“. Arti e kultura që vërtet nuk prodhojnë të mira materiale për konsum të përditshëm prodhojnë një tjetër të mirë, atë shpirtërore që është baza e kreativitetit, e fitimit të besimit se e nesërmja do të jetë ndryshe e se duhet punuar për ta arritur atë. Intervistoi Xhevdet Shehu
Posted on: Mon, 07 Oct 2013 17:51:33 +0000

Trending Topics




© 2015