REAGIM: - TopicsExpress



          

REAGIM: “VUJANOVIÇËT E VEGJËL” (!) Vujanoviçi - presidenti aktual dhe kandidati presidencial i koalicionit qeverisës në Mal të Zi, para disa ditësh shkoi në Ulqin, token tonë etnike shqiptare, në komunën me shumicën shqiptare ma të madhe në këtë shtet të vogël ballkanik. Në dijeni të kësaj vizite reagova flaktas e ballas duke apelue se duhet bojkotue e kushtëzue zgjedhja e tij president me zgjidhjen e problemeve madhore shqiptare. Dikushi, ndonjë nga ata frymorët e “politikës somnabule” të partive politike shqiptare në Mal të Zi, që nuk ka as turp kombëtar dhe as trup politik, vllaçiten, mbllaçiten e jargaviten tue u bythacok: “ti je në ëndërr”(!), “ti nuk je nga Malësia”(!), “…ka arritje për shqiptarët në Mal të Zi”, etj. Në Ulqin, siç u fjalatha publikisht, ky Vujanoviçi u prit në mënyrë madhështore nga parti politike shqiptare. E kjo nuk është pak. Në këtë komunë kanë selitë e themelimit e të veprimit: Lidhja Demokratike, Unioni Demokratik i Shqiptarëve, Forca e Re Demokratike–Forca (që e ka edhe qeverisjen e komunës të Ulqinit), Partia e Prosperitetit Demokratik, Partia Demokratike, etj. Ruajna Zot! Fërkova sytë. Thashë mos jam në andërr: Ç’ka (s)ndodh: Vujanoviçi kundërshqiptar u prit në Ulqinin tim etnik, në Ulqinin tonë etnik, si një “hero” thue se erdhi mbretëresha ilire Teuta, thue se u ringjall prijësi shqiptar Gjergji II Balsha i varrosun në Kishën e Shën Katrinës në Ulqin; thue se po iu vinte Ymer Prizreni – kryetari i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me varr në Ulqin… Shyqyr Zotit nuk isha në andërr. Isha zhgandërr. Vet Vujanoviçi po iu lypte vota dhe merrte shpresë nga partiakët shqiptarë… Nuk e di: i hipnotizoi apo magnetizoi, ndoshta…! Kundërshqiptari Vujanoviç ligjëronte për miliona investime të dhëna nga shteti i tij, nga qeveria e tij, nga koalicioni qeverisës i partisë së tij. Çudi: sa i lumturoi, sa i shantazhoi, sa i masakroj me shifra të tilla: mbi 40 milionë Euro në 5 vitet e fundit, etj. etj. Vec një pyetje: Vujanoviçi malazez dhe disa "vujanoviçëve shqiptarë", disa “vujanoviçëve të vegjël” si e shpjegojnë që me kaq shumë investime të ikin shqiptarët nga Ulqini shqiptar i lakmuem keqas për blerje pronësore dhe asimilim nga malazezët, serbët, rusët?!!! Shifrat flasin vetë: Në vitin 2003 kur Vujanoviçi ishte President i Malit të Zi në komunën e Ulqinit kishte 20.664 shqiptarë, ndërsa tani kanë mbetë 14.076 shqiptarë (!) Një rënie katastrofike: 6.588 shqiptarë më pak (!) Katastrofa e parë: në vitin 2003 Ulqini kishte 26.435 banorë, ndërsa tani 20.265 banorë. Janë 6.170 banorë më pak. Nga kjo del se vetëm 418 banorë të shpërngulur janë të etnive të tjera. Fatkeqësisht 14 herë ma shumë janë shqiptarët etnik të larguar nga Ulqini i tyre etnik. Katastrofa e dytë: Në vitin 2003 kishte 2.523 banorë malazezë të ardhun në Ulqin, ndërsa tani janë 2.478 malazezë. Vetëm 45 malazezë të larguem, ndërsa shqiptarë etnikë 6.588 vetë. Përllogaritja: 146 herë ma shumë. Katastrofa e tretë: Në vitin 2003 kishte 1.520 serbë të ardhur në Ulqinin etnik shqiptar, ndërsa tani janë 1.145 serbë. Përllogaritja: 17 herë ma shumë shqiptarë etnikë. Historia Kombëtare Shqiptare me çkyemje etnike nga Shtatë Krajlit e Berlinit më 1878 dëshmon se Mali i Zi i mori forcërisht nga toka e deti territoret shqiptare etnike të Ulqinit e të Tivarit. Këso kohe ishte Krajl Nikolla I (1860-1918) që na hiqej si demokrat parimor (me qëndrime e veprime të tij), si “babgjysh i Europës” (me lidhjet e tij martesore), ndërsa në këto dy dekadat e fundit janë “krajl Nikollat e rinj” (Gjukanoviç e Vujanoviç) që hiqen si “baballarë të shtetit të ri të Malit të Zi”, si “kampion të demokracisë” aqsa Gjukanoviçi nga vila Gorica në Podgoricë më 8 mars 2013 në një televizon të Tiranës e quantë Malin e Zi “oaz demokracie” në Ballkanin Perëndimor (!). Ç’ka ndodh me Tivarin – tokë etnike shqiptare, fqinjë me Ulqinin shqiptar, në këto vite presidenciale të Vujanoviçit?!! Krahasimisht, nga viti 2003 deri më 2011 është ulë me 3175 banorë, nga të cilët 2.905 banorë janë shqiptarë etnikë. Çdo vit po ulet popullsia shqiptare. Në 10 vitet e fundit është shpërngulun ma shumë se gjysma e saj – nga 5.420 shqiptarë etnikë (v. 2003)në 2.515 shqiptarë etnikë (v. 2011). Krejt ndryshe ndodh me popullsinë malazeze: nga viti 2003 ka vetëm 7 malazezë më pak (19.953 malazezë në v. 2011). Ky “spastrim etnik i butë”, ky “asimilim etnik demokratik”, i kryesuem nga dyshja kundërshqiptare Gjukanoviç-Vujanoviç po vazhdon në përditshmëri në të gjitha komunat e rajonit etnik shqiptar – nga Ulqini e Tivari deri në Plavë-Guci, në Beranë e në Rozhajë. Fjala vjen: në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit mbi 85 për qind e popullsisë të Beranës ishte me shqiptarë etnikë, ndërsa tani nga rreth 34.000 banorë gjithsejt vetëm 70 prej tyre janë shqiptarë etnikë (!), ndërkohë që serbët e ardhun kapin mbi 43 për qind, malazezët e ardhun mbi 26 për qind, boshnjakët e ardhun rreth 18 për qind. Shteti malazezë don të krijojnë edhe një komunë të re të shkëputun nga e Beranës, komunën e Petnjicës me 27 vendbanime e me shumicë boshnjake, ndërkohë që lufton të mos ketë asnjë shqiptarë si në vendbanimet e hershme shqiptare, në komunat e sotme të Kolashinit, Mojkovacit, Andrijevicës, Zhabjakut, Pluzhinës, Savnikut, etj. apo në Bijelo Polje 35 shqiptarë etnikë, Pljevlja 17 shqiptarë etnikë, etj. Nëse Gjukanoviçi,nga njëra anë, deklaron këto ditë në një televizion kombëtar në Shqipëri e në Maqedoni dhe në gazeta të Tiranës se Mali i Zi është “model i demokracisë multietnike”, se kjo “demokraci multietnike është projekt realist”, etj. dhe nga ana tjetër, kandidati presidencial, përndryshe: presidenti aktual Vujanoviç, deklaron në Ulqinin shqiptar se ka investime të mëdha për shqiptarët e etnitë e tjerë në këtë komunë, atëherë si është e mundur që të shpërngulet e asimilohen shqiptarët etnikë në vazhdimësi e në çdo vendbanim urban e rural të Malit të Zi. Ndërkohë partitë politike shqiptare në Mal të Zi hyjnë në koalicion qeverisës me Gjukanoviçin, i bajnë thirrje istikamore elektoratit shqiptar të votojnë për Vujanoviçin president i Republikës, etj. dhe nuk merren me problemet madhore të shqiptarëve etnikë, të paktën për shqiptarët në trojet e veta etnike në rajonin nga Ulqini e Tivari deri në Plavë-Guci e në Rozhajë. Është shqetësuese e befasuese, e tmerrshme për politikën shqiptare e tragjike për shqiptarët etnikë kur Gjukanoviçi deklaroi botënisht më 8 mars 2013 si të vetmen çështje problematike të shqiptarëve mbajtjen e një referendumi për dhanien e komunës urbane (minibashki) të Tuzit (Malësia) statusin e një “bashkie me të drejta të plota”. Kjo historia e tanishme me “vujanoviça” më përnget me atë përrallën e moçme që ujku po e hante nga pas gomarin e ai thoshte “baje o Zot andërr”(!) Kur do të çlirohet politika shqiptare në Mal të Zi nga “rrathët” e Gjukanoviçit e të Vujanoviçit. O Zot, baje sa ma shpejt zhganërr! Ramiz LUSHAJ Tiranë, 9 mars 2013
Posted on: Thu, 22 Aug 2013 06:05:53 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015