ROMET QE NXJERRIN ILEGALISHT KOSOVARET NEPER EUROP/Po pinin - TopicsExpress



          

ROMET QE NXJERRIN ILEGALISHT KOSOVARET NEPER EUROP/Po pinin kafenë e mëngjesit në bufenë e Stacionit të Autobusëve në Suboticë (Serbi), derisa po prisnin dy autobusë me qytetarë nga Kosova që ia kishin mësyrë ilegalisht Evropës. Të gjendur vetëm dymbëdhjetë kilometra larg kufirit me Hungarinë, së paku dhjetë burra, serbë e romë, me padurim prisnin arritjen e kosovarëve. Nga kosovarët që ia kishin mësyrë ilegalisht Evropës, për disa qytetarë serbë në Suboticë tashmë është bërë përfitim i mirë. Hiç më keq nuk po mbesin as disa serbë të tjerë në Beograd bashkë me disa shqiptarë që organizojnë udhëtimin e kosovarëve nga Prishtina. Rasim e Ragip Azizi, dy vëllezër romë nga Fushë Kosova, trafikimin e shqiptarëve drejt Evropës e kanë bërë biznes ditor. Me këtë punë ata merren për gati një vit. Por, puna u është shtuar dukshëm që nga janari i këtij viti. Të dy ata flisnin rrjedhshëm gjuhën shqipe, duke ua bërë më të lehtë që t’u afrohen kosovarëve për t’i dërguar përmes Serbisë e më pas nëpërmjet Hungarisë drejt Evropës. I presin autobusët me kosovarë Dy romët që janë lindur në Fushë Kosovë, por që aktualisht jetojnë në Suboticë, janë në mesin e grupit të organizuar që transporton shqiptarë ilegalisht për në Hungari. Ata biznesin e zhvillojnë kryesisht në kafenenë e stacionit të autobusëve. Në këtë të fundit e njohin thuajse të gjithë klientelën. Ndonjë person i paparë në atë zonë më herët, potencialisht mund të jetë mundësi për biznes për ta. Dy vëllezërit nuk hezitojnë të paraqesin ofertat e tyre. “A di shqip? A je nis për të shkuar andej (Hungari)?”, thotë Rasim Azizi teksa i afrohet tavolinës. Porosit një kafe e ulet në tavolinë, duke menduar se bashkëbiseduesja kishte qëllim kalimin ilegal të kufirit. Është ora 9 e 15 e mëngjesit në Suboticë. Ka pesëmbëdhjetë minuta që Rasimi kishte dalë në stacion të autobusëve. “Me çka erdhe ti se jemi tu i pritë,... se thanë vijnë dy autobusë e ende nuk erdhën. Për qata edhe jemi dalë këtu”, vazhdon më tutje Rasimi. Vëllai i tij, Ragipi, i afrohet tavolinës. Ky i fundit është më i mirë në shqip. Rasimi e fton atë që t’i bashkëngjitet tavolinës. “Ti pasi po don me shku anej unë po të kallëzoj që këta të Serbisë nuk të pengojnë po kah Hungaria është problem. Nëse të zanë policia në Hungari, ata të dërgojnë në kamp. Me bë me të ndalë policia e Serbisë, kalon lehtë se veç ua jep një letër të bardhë që ta kanë dhanë në Merdare edhe atyre nuk iu intereson që po e kalon kufinin. Me rëndësi në territor të tyre nuk po del”, nis të shpjegojë situatën Ragip Azizi. Letra e bardhë për të cilën aludon Ragip Azizi është një dokument, i cili iu jepet kosovarëve që kalojnë kufirin nga Kosova në Serbi. I njëjti dokument merret nga policia në momentin që e lëshon territorin serb. Ky lloj i qarkullimit ka filluar të funksionojë pas marrëveshjes teknike në Bruksel për lëvizjen e lirë të qytetarëve. “Unë e kam një shok. Qe këtu vjen të merr me taksi. Hyn në veturë edhe shkon deri me një vend. Aty të mbesin veç dhjetë minuta me ecë në kambë edhe atje të pret taksisti tjetër. Atij veç ia tregon adresën se ku po don me shku edhe veç pasi të arrijsh atje i pagun paret”, tregon Ragipi. “Ai mundet me të dërgu në Austri, Francë, Belgjikë... Ama çmimi për këto vende është më i shtrenjtë”, vazhdon më tutje Ragipi. 1500 euro për person Ragipi tregon se kufiri që lidh Suboticën me Hungarinë është vetëm dymbëdhjetë kilometra larg nga stacioni i autobusëve. “Nëse don veç me kalu kufinin atëherë çmimi është 120 euro deri në 150. Ama duhesh me ditë që Hungaria i ka ndalë shumë njerëz dhe nuk është e sigurt që nuk të arrestojnë”, tregon ai për rreziqet që mund t’i ketë kjo pagesë që, sipas tij, është e vogël. “A nëse don me shku më larg, në Austri, Gjermani a diku, çmimi është 1500 euro. Sa persona jeni ju?”, nis pyetjet Ragipi në mënyrë që t’i specifikojë ofertat për të interesuarit. “Për një person kushton 1500 euro. Ai shoku im vjen edhe ju merr. Më së shumti për një udhëtim duhet me qenë katër persona”, tregon më tutje ai. Shumica e “klientëve” që kanë pasur deri më tani thotë se nuk kanë pasur kushte materiale, nuk kanë pasur shumë para, andaj kanë paguar vetëm sa për ta kaluar kufirin. “Nuk është problem me shku në Hungari, ama ata të arrestojnë. Ma mirë është të paguash më shumë e bile je e sigurt që arrin deri në cakun ku ia ke mësyrë”, thotë Ragipi teksa liron tavolinën dhe del jashtë bufesë për të parë nëse kanë arritur autobusët. “Thanë që dy autobusë do të vijnë sot. Ata ndalen qitu para stacionit. Edhe menjëherë shpërndahen te persona të ndryshëm që janë marrë vesh me ta apo që merren vesh këtu”, vazhdon Rasimi të tregojë për mënyrën se si arrijnë kosovarët. “Autobusi që ata vijnë është ilegal edhe nuk hyn hiç në stacion se aty duhet të paguajë, por i ndal qitu përpara”, bën me gisht Rasimi në drejtim të portës së bufesë. Jashtë saj, të ulur qëndronin edhe disa mesoburra. “Ka plot që po i ndihmojnë kosovarët ama plot edhe po i rrejnë. Po ju thonë të çoj atje, të çoj andej këndej e në fund veç po i qesin në Hungari e atje po i arreston policia”, thotë Rasimi. Kufiri kalohet natën Ata kosovarë që nuk kanë pasur dijeni për rrugën ilegale kah duhet përshkruar në mënyrë që të kalojnë kufirin ilegalisht, sipas tij, ka pasur raste kur kanë ecur në këmbë deri në tetë orë.Por shumë nga ta, sipas Rasim Azizit, kanë pasur me vete shoqërues që i kanë paguar. Kosovarët që ia mësyjnë ilegalisht Evropës, nisen nga Prishtina rreth orës 22.00 me autobus. Me disa ndalesa gjatë rrugës, arritja në Beograd është pak pas orës 05.00 të mëngjesit. Aty vetëm ndërrohet autobusi dhe bëhet nisja për në Suboticë. Të dy këto rrugë përshkohen me një çmim prej gjithsej 30 eurosh. 15 euro kushton bileta deri në Beograd dhe po aq të tjera deri në Suboticë. Në këtë të fundit, arritjet janë kryesisht në mëngjes. Kjo është edhe arsyeja pse pjesëtarë të grupeve të ndryshme në Suboticë, mblidhen te stacioni i autobusëve. Disa nga ta kanë taksi, disa të tjerë kanë “miq” që ndihmojnë kalimin e kufirit, disa të tjerë mund të jenë vetë shoqërues. Por ka edhe të tillë që kanë hotele apo motele. Njëri nga ta që ka një hotel në qendër të Suboticës është edhe vetë Rasim Azizi. “Pesë minuta nga këtu e kam hotelin. Një burrë me grua e me fëmijë e kam tash aty”, tregon Rasimi, teksa vë mbi tavolinë bizneskartën e dhomave që ofron ai. “Sobe kod Vukoja”, apo “Dhoma te Vuku”, është hoteli që i bën marketing ai, ndërsa gjendet në qendër të qytetit në rrugën “Durmitorska 4”. “Ajo familje është nga Gjakova e janë vendos aty që dy ditë. Po presin dikë që të vijë e t’i marr. Edhe sot rrinë aty deri në mbrëmje se kufirin duhet ta kalojnë gjatë natës”, thotë më tutje ai. Një natë për person në këto dhoma kushton 20 euro. Rasimi tregon se ka pasur punë që katër pesë muaj rregullisht në hotel. Punën ia kanë shtuar me të madhe kosovarët. “Uuuu sa njeri ka ardhë këtu e sa njëri ka kaluar kufirin... Shumë, shumë, shumë,... Ka pasur nga Gjakova, nga Prizreni, nga Gjilani e prej krejt Kosovës”, thotë Rasimi. “Këtu e ke numrin e telefonit, mundesh me më thirrë edhe mos u tut edhe pse je veç një femër. Aty e kam gruan edhe fëmijët e mi. Po ka edhe mysafirë që kanë me kalu kufirin natën”, vijon më tutje ai. Rasimi nis me pyetje në mënyrë që për të shoqëruar deri në Evropë, bile të ketë punë në dhomat që i ofron me një çmim që thotë të jetë i lirë. “A vjen dikush me të marrë. A janë nis shumë nga Kosova se, ora u bë 10 e ende nuk erdhën autobusët”, thotë Rasimi teksa porosit një raki molle. Dallaveret në Beograd “U bëra nervoz. Neve na kallxojnë që janë nis autobusat nga Prishtina e ata hala nuk kanë arritur. Garant në Beograd janë kah bahen dallaveret. Aty po ju thojnë jo 2 mijë, jo 3 mijë e në fund prap vijnë e kërkojnë ndihmë tek na”, vijon më tutje ai teksa shikon orën në telefonin e tij. E merr telefonin dhe flet me dikë, pak në gjuhën e romëve për të vazhduar në gjuhën serbe. “Po presim”, thotë ai mes të tjerash. Ndonëse shprehet që nuk është i lidhur me grupin që bën transportin e kosovarëve, ai është i informuar që kosovarët në shumë raste koordinohen nga Prishtina, në disa edhe në Beograd në mënyrë që të dijnë rrugën. “Gjynah valla. Njerëzit nuk po kanë para për ata edhe po ikin. E me i mashtruar është gjynah. Është shumë leht me e kalu kufirin po veç me kalu kufirin nuk bon pa të pritë dikush atje. A të pret ty dikush?”, vazhdon Rasimi teksa zgjat kokën për të parë jashtë se kush po sillet vërdallë stacionit. Rreth orës 10 e 20 minuta, përpara stacionit të autobusëve arrijnë një autobus me ngjyrë të bardhë që ka targat e Beogradit. Autobusi nuk hyn në stacion, por pasagjerët zbresin në hyrje të stacionit. Mbajnë në duar disa çanta të vogla ngase disa nga ta e dijnë se do të ecin në këmbë pa e ditur saktë se çfarë rruge i pret. Më shumë se gjysma e tyre janë djem të ri por ka edhe familje të tëra. Të hutuar shikonin rreth e përqark me të arritur në Suboticë. Nuk e flisnin as më të voglin muhabet mes tyre. Ata që flisnin ishin disa burra që po i prisnin në Suboticë. Por disa që kanë ardesë e që “pazarin” për kalimin ilegal të kufirit e kanë bërë më herët, e kanë adresën. Në Suboticë shpërndahen në disa drejtime. Treve prej tyre iu afrohet edhe Rasim Azizidhe nis goditjen e pazarit. ROMET “Prej Prishtinës e kemi pasur të sigurt udhëtimin deri këtu e tash në dorë të Zotit”, thotë një i ri nga Shtimja që rrugën e tij drejt kurbetit ai e ka nisur me dy shokë të tij.
Posted on: Tue, 16 Jul 2013 03:04:06 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015