Republika e Tretë 21 KORRIK 2013 - E Diel 05:27 Fjalimi i Albin - TopicsExpress



          

Republika e Tretë 21 KORRIK 2013 - E Diel 05:27 Fjalimi i Albin Kurtit në mbledhjen e nëntë të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, mbajtur më 21 korrik 2013 Të nderuar delegate të Këshillit të Përgjithshëm, Të dashur aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Mirë se e gjejmë njëri – tjetrin në këtë mbledhje të nëntë të organit më të lartë të Lëvizjes sonë. Republika e Kosovës ishte kërkesë e vazhdueshme e popullit shqiptar pas Luftës së Dytë Botërore. Ajo shprehej në programet dhe kërkesat e subjekteve të ndryshme politike e shoqërore, legale e ilegale, paqësore e të armatosura. Mirëpo, kjo Republikë nuk shihej si pavarësi nga Shqipëria, por si pavarësi nga Serbia. Dhe, më tej, kjo Republikë mendohej si rregullim juridik e kushtetues, politik e institucional, shoqëror dhe ekonomik, që do të na sjell liri e barazi, drejtësi e mirëqenie, për të gjithë dhe secilin në Kosovë. Duke u udhëhequr nga kjo ide dhe duke u organizuar në këtë frymë, më 2 korrik të vitit 1990, delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës e shpallën Kosovën Republikë. Në tekstin e asaj deklarate janë dy nocione themelore dhe ndërtuese: vetëvendosja politike dhe demokracia autentike. Historia na mëson që kuptimi ka karakter retroaktiv. Ngjarjet përderisa janë duke ndodhur njëmend i kuptojmë duke i lidhur vetëm me motivet por gjithsesi më pas i rikuptimësojmë ato. Kështu, kuptimi i asaj Republike të 2 korrikut 1990 na del të jetë rezistenca që u organizua mandej në formë të protestave e demonstrative, grevave e padëgjueshmërisë qytetare. Le ta quajmë Republikën e 2 korrikut Republikë të Parë të Kosovës. Republika e Parë e Kosovës ishte republikë-për-rezistencë. Më 17 shkurt të vitit 2008, atëherë kur ai që ka lindur në vitin e Republikës së Parë i mbush 18 vjet, Kosova u shpall shtet i pavarur. Kjo pavarësi ishte pavarësi e Kosovës, sërish si Republikë. Nisi ndërtimi i institucioneve shtetërore të Kosovës si republikë parlamentare. Dhe, sërish, kuptimi i kësaj republike erdhi më vonë, në këto vitet që pasuan, e të cilat i mbajmë mend shumë mirë si e kaluar e afërt e jona. Shteti i caktuar e përcakton pushtetin, mirëpo edhe pushteti e riinterpreton shtetin. Kësisoj, në Kosovën e pavarur u rrit vetëm numri i njohjeve nga jashtë mirëpo këtu brenda pësuan rënie edhe mirëqenia edhe demokracia, edhe integriteti territorial edhe perspektiva qytetare. E gjithë kjo për shkak të qeverisjes së mbrapsht nga e cila ishte më pak keq atëherë kur nuk kishte politika fare sesa atëherë kur kishte. 17 shkurti i vitit 2008 doli që nuk i ndërpreu aspak dy proceset më të dëmshme të Kosovës së pasluftës: negociatat e padrejta me Serbinë dhe privatizimin e egër dhe abuziv. Ato vetëm sa u intensifikuan në shtetin e pavarur të Kosovës. Kjo Republikë e Kosovës u bë Republikë për shitje, ku më lirë se falas shitet pasuria dhe territori, drejtësia dhe funksionimi i shtetit të Kosovës. Republikë që fal pasurinë e ardhmërinë e popullit dhe kriminelët që plaçkitën e dhunuan popullin. Le ta quajmë Republikën e 17 shkurtit Republikë e Dytë e Kosovës. Republika e Dytë e Kosovës u bë republikë-për-shitje. Kosova dhe populli i saj kanë nevojë për Republikën e Tretë të Kosovës. Vetëm një Republikë e Tretë na e shpëton Republikën. Kjo Republikë e Tretë duhet të jetë Republikë që kujdeset për paqen, stabilitetin dhe sigurinë por që ato i sheh si pasoja të natyrshme të demokracisë, zhvillimit dhe drejtësisë. Duke i pasur për qëllim veçse paqen, stabilitetin dhe sigurinë as nuk po i arrijmë ato plotësisht dhe me të vërtetë, por edhe do t’i humbin edhe dromcat e tyre. Republika e Tretë synon demokraci për shoqërinë dhe institucionet, zhvillim për shtetin dhe ekonominë, drejtësi për qytetarët dhe njerëzit. Paqja, stabiliteti dhe siguria më pas lindin mes nesh. Sepse, fundja, paqja pa demokraci, stabiliteti pa zhvillim dhe siguria pa drejtësi, janë shtypje e shfrytëzim, janë robëri e varfëri. Subjekti politik në Kosovë i cili ka vizion për Republikën e Tretë të Kosovës është Lëvizja VETËVENDOSJE! e cila programin e vet politik të avancuar në alternativë qeverisëse. Në këtë alternativë janë elaboruar gjerë e gjatë, shteti republikan dhe sundimi i të drejtës, politikat fiskale dhe mbrojtja sociale, sistemi pensional dhe sigurimet shëndetësore, punësimi dhe investimet, arsimi dhe shkenca, industria dhe bujqësia, sektori privat dhe ndërmarrjet e biznesit, mbrojtja e vendit dhe siguria për qytetarët, politika e jashtme dhe reciprociteti, integrimi evropian dhe mërgata, pushteti lokal dhe planifikimi hapësinor, kultura dhe trashëgimia kulturore, edukimi dhe sporti. Tri subjektet e tjera nuk e përjashtojnë koalicionin me njëra-tjetrën sepse ato realisht tashmë janë në koalicion. Dallimet midis fraksioneve të partive politike në Evropën perëndimore shpeshherë janë më të mëdha sesa dallimet midis këtyre tri subjekteve. Marrëveshja Thaçi-Daçiq jo vetëm që e lidh Kosovën me Serbinë, por ajo edhe po i lidh këto tri subjekte në Kosovë. Paradoksalisht, tash kur po bëhen pesë vjet e gjysmë të shpalljes së pavarësisë, pasardhësi i Milosheviqit jo vetëm që po arrin ta varësojë Kosovën nga Serbia, por ai po e realizon edhe varësinë midis vetë subjekteve politike shqiptare. Marrëveshja e zhurmshme me Serbinë po përkthehet në marrëveshje gjithnjë e më pak të heshtura ndërmjet PDK-së, LDK-së e AAK-së. Sa më shumë që këto subjektet tjera bëhen bashkë, aq më shumë shtohen sulmet mbi Lëvizjen tonë, sepse pa VETËVENDOSJE!-n nuk do të shihej qartë sesa të njëjta janë bërë ato subjekte. Këto tri subjekte nuk po e përjashtojnë Serbinë, rrjedhimisht nuk po e përjashtojnë njëra-tjetrën, rrjedhimisht duan ta përjashtojnë Lëvizjen VETËVENDOSJE!.Për regjimin në fuqi dhe partitë e politikanët e tij, tashmë problem konsiderohet Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe jo Serbia. Me Serbinë po merren vesh rregullisht, por ne po ju pengojmë. Dhe, sa mirë që po i pengojmë, sa mirë që është kështu. Kosova është shndërruar në një shtet ku as çereku i popullsisë nuk e siguron jetesën nga puna ndërsa më shumë se gjysma e banorëve jetojnë me mbështetje nga persona të tjerë. Në Kosovë njerëzit vdesin nga rriqrat dhe ikin për në kampe e burgje të Hungarisë. Kosova duhet të ndryshojë. Ndryshimi i Kosovës kalon nëpër ndryshimin e qeverisë dhe të konceptit qeverisës, të politikës dhe të politikave qeveritare, të ekonomisë dhe të politikave ekonomike. Pikërisht Lëvizja VETËVENDOSJE! është edhe alternativë konceptuale edhe alternativë politike edhe alternativë ekonomike edhe alternativë qeverisëse. Idetë dhe kritikën, vizionin dhe zgjidhjet, organizatën dhe vullnetin, të gjitha këto i kemi. Ne duhet vetëm të punojmë dhe fitorja e Kosovës është e sigurt. Kjo fitore quhet Republika e Tretë e Kosovës. Prishtinë, 21 korrik 2013 Albin Kurti
Posted on: Sun, 21 Jul 2013 20:39:39 +0000

Recently Viewed Topics




© 2015